ATV

Tag: Ballina

  • Osmani: Synojmë ta forcojmë aleancën edhe më shumë bashkë me Trumpin dhe administratën e tij

    Osmani: Synojmë ta forcojmë aleancën edhe më shumë bashkë me Trumpin dhe administratën e tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar angazhimin e Kosovës për të forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës Trump.

    Në një intervistë të dhënë për influencerin australian, Mario Nawfal, Osmani e ka vlerësuar mbështetjen amerikane gjatë periudhave më të vështira të historisë së Kosovës, duke theksuar se “që nga nata më e errët e luftës, e deri te mëngjesi i lirisë – Amerika ishte aty për ne”.

    “Këtë aleancë synojmë ta forcojmë edhe më shumë bashkë me Presidentin Trump dhe Administratën e tij.”, tha tutje Osmani.

    Presidentja Osmani ka folur gjithashtu për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe rolin shkatërrues të Sllobodan Millosheviqit në këtë proces. Ajo ka deklaruar se shpërbërja ka nisur që kur Millosheviqi ka nisur ta luftojë çdo komb që nuk mendonte si ai, duke përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Bosnje e Hercegovinën dhe më pas edhe Kosovën.

    Ajo ka theksuar se lufta e Millosheviqit në Kosovë nuk ishte vetëm për territor, por ishte një luftë ndaj civilëve, grave dhe fëmijëve.

    Sipas Presidentes Osmani, regjimi i Millosheviqit synonte të shkaktonte një dëm të paimagjinueshëm ndër gjenerata në Kosovë.

    “Qëllimi i tij ishte të zhdukte shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut,” tha ajo, duke shtuar se kjo ishte ndaluar falë ndërhyrjes së demokracive botërore, me SHBA-në në krye.

    Osmani theksoi se Kosova, e shpëtuar nga shkatërrimi, është tani një nga vendet më pro-amerikane në botë, dhe kjo lidhje është thelbësore për të ardhmen e vendit.

    “Millosheviqi deshi t’na fshijë nga faqja e dheut. Dhe mrekullisht, demokracitë nga e gjithë bota na shpëtuan, të udhëhequra nga SHBA, dhe shpëtuan jetët tona,” tha ajo.

    Në fund, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të qëndrojë gjithmonë e pathyeshme dhe e palëkundur: “Kosova do të qëndrojë e përjetshme, ashtu si edhe aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

  • Kërkesa e PE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës, deputetja britanike: Lajm i vonuar por i mirëpritur

    Kërkesa e PE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës, deputetja britanike: Lajm i vonuar por i mirëpritur

    Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar draft-raportin që vlerëson përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian gjatë viteve 2023 dhe 2024. Në këtë raport, eurodeputetët kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se ato nuk janë të justifikueshme, pasi Kosova ka përmbushur tashmë kërkesat e BE-së.

    Autori i raportit, eurodeputeti Riho Terras, ka theksuar se është e nevojshme një hap i ri në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai ka shprehur vlerësim për faktin se të gjitha partitë kryesore në Kosovë janë të angazhuara fuqishëm për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

    “E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane, duke u bazuar në një agjendë reformash, dhe ne do të punojmë së bashku për ta arritur këtë objektiv”, ka thënë Terras.

    Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar pozitivisht ndaj këtij zhvillimi, duke e cilësuar si një hap të vonuar, por të domosdoshëm për të rivendosur ekuilibrin në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit.

    “Lajm i vonuar prej kohësh, por jashtëzakonisht i mirëpritur. Shpresoj që këto thirrje të merren seriozisht nga institucionet evropiane”, ka thënë Kearns.

    Masat kufizuese të Bashkimit Evropian ishin vendosur fillimisht si reagim ndaj krizës në veri të Kosovës, veçanërisht pas tensioneve të rënda në komunat me shumicë serbe në vitin 2023. Ato ishin një mjet për të shtyrë autoritetet kosovare të ndërmerrnin hapa konkretë për de-përshkallëzimin e situatës dhe rritjen e bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar.

    BE-ja e kishte kushtëzuar heqjen e këtyre masave me përpjekje të dukshme nga ana e Qeverisë së Kosovës për të ulur tensionet në veri, duke përfshirë organizimin e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrje të serbëve dhe bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare si EULEX dhe KFOR.

    Miratimi i raportit nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian mund të sinjalizojë një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës dhe një vlerësim më të balancuar të situatës në terren.

  • Nesër sërish protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Nesër sërish protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Grupi i aktivistëve, “Asnjë cent më shumë”, që ka për qëllim kundërshtimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike për 15%, ka paralajmëruar sërish protestë për ditën e nesërme, nga ora 12:00, në sheshin Zahir Pajaziti.

    Për shkaqet e kësaj rritje, para disa ditësh ka folur drejtori i ZRRE-së, Petrit Pepaj, i cili tha se shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursat e energjisë elektrike.

    “Po pritet rritje prej 15%. Shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodh në bursat e energjisë elektrike, shkaktari kryesor, s’ka përshtatje tjera qe kanë ndiku në këtë 15%”, tha Drejtori i ZRrE-së, ndërsa shtoi se do të respektohet çdo pakënaqësi e qytetarëve”.

  • Begaj sot vjen për vizitë në Kosovë, pritet të takohet me shefat e grupeve parlamentare

    Begaj sot vjen për vizitë në Kosovë, pritet të takohet me shefat e grupeve parlamentare

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot do të vijë për vizitë në Kosovë, saktësisht në komunën e Gjilanit, ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni nga ora 13:00.

    Tutje, nga ora 13:45, Begaj do të takohet me shefat e grupeve parlamentare politike.

    Presidenti shqiptar do të ketë edhe bashkëbisedim me personalitete të qytetit të Gjilanit, duke përfshirë të dënuar politikë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shkrimtarë dhe artistë.

    Ky bashkëbisedim pritet të bëhet me fillim nga ora 20:00 deri në 21:00.

  • ​Kënd do ta preferonin qytetarët në koalicion qeverisës?

    ​Kënd do ta preferonin qytetarët në koalicion qeverisës?

    Formimi i qeverisë së re në Kosovë vazhdon të jetë një temë e debatit të gjallë publik pas zgjedhjeve të fundit dhe qëndrimeve të ndryshme të partive politike.

    Qytetarët shprehin mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet ndërtuar shumica parlamentare, me theks të veçantë në nevojën për stabilitet, bashkëpunim mes partive shqiptare dhe përjashtimin e varësisë nga Lista Serbe.

    Hasan Berisha, qytetar, mendon se qeveria e ardhshme e vendit do të ishte më stabile nëse ajo do të formohej nga Lëvizja Vetëvendosje me ndonjërën nga partitë e tjera.

    “Ka qenë e natyrshme, LDK-ja me iu bashkëngjit, mirëpo deklarata e djeshme që e dha kryetari i partisë nuk më ka pëlqyer, është politikë me inati, ndryshe duhet formuar sa ma shpejt qeverinë, sipas kushtetutës ajo parti që e fituar shumicën. Po stabile do të ishte, njëra prej partive më të mëdha me iu bashkëngjitur Vetëvendosjes ose PDK-ja ose Lidhja Demokratike ka qenë e natyrshme”, ka thënë ai.

    Ndërsa Hajrush Emini thotë se në bazë situatës aktuale është mirë që tri partitë e mëdha të bëjnë koalicion së bashku, dhe të mos varen nga Lista Serbe.

    “Jemi në situatë të rëndë në tona anët po na kërcënon Serbia, prandaj sipas mendimit tim është dashur që shqiptarët tri partitë e mëdha në koalicion me krijuar një qeveri me 90 e diçka deputetë shqiptarë, të mos varen prej kurrkujt”, tha ai.

    Një tjetër qytetar Mirsad Krasniqi thotë se tani mundësia ka mbetur një koalicion ndërmjet VV dhe PDK-së, por nuk beson se do të jetë stabile.

    “LDK-ja definitivisht nuk është, së paku ashtu u deklaruan, tash ka ngelë vetëm me PDK-në. Nuk e di sa është e qëndrueshme me atë, unë prapë mendoj se do të bëhet, por do të jetë shumë në numër jo të madh do të jetë jo stabile”, tha Krasniqi.

    Kujtojmë për datën 15 prill është thirrur seanca konstituive e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte paralajmëruar se do të formojë e vetme qeverinë, ndërkohë që partitë e tjera kanë refuzuar mundësinë e koalicionit me partinë fituese.

    PDK-ja ka kërkuar që qeverinë ta formojë së bashku me LDK-në, AAK-NISMA e minoritetet, nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje të formojë qeverinë.

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka pranuar më 8 prill se qeveria e ardhshme është e pamundur të krijohet pa koalicione qeverisëse.

    Ai tha se qëllimi i LVV-së ishte të formonte qeverinë vetëm, mirëpo rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e determinon nevojën për koalicion, andaj edhe iu kanë drejtuar me ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit.

    Por, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se qeverinë e ardhshme e formon Lëvizja Vetëvendosje ose shkohet në zgjedhje të reja. Ajo e përjashtoi mundësinë që ekzekutivin e ardhshëm ta formojnë partitë të tjera nëse LVV-ja dështon ta bëjë një gjë të tillë.

    Në zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, LDK 20, AAK-NISMA 8. Minoritet kanë 20 vende të rezervuara, prej tyre dhjetë për serbët. Lista Serbe e përkrahur nga Serbia, ka fituar 9 ulëse, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq./

  • SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga Qeveria e re e Kosovës koordinim dhe përparim në dialog

    SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga Qeveria e re e Kosovës koordinim dhe përparim në dialog

    Besimi i ndërsjellë, koordinimi dhe bashkëpunimi, si dhe përparimi në dialogun me Serbinë janë disa nga pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar nga Qeveria e re e Kosovës.

    Këto tri shtete, së bashku me Italinë dhe Francën, bëjnë pjesë e grupit të shteteve që njihen si QUINT. Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ambasadën e Italisë dhe Francës lidhur me pritjet e tyre nga ekzekutivi i ri i Kosovës, por këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

    Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

    Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja për një kohë të gjatë e ka mbështetur Kosovën në rrugën e ndërtimit të një shteti sovran, demokratik, multientik dhe prosperues.

    “Presim të punojmë me Qeverinë e re të Kosovës për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se pret që më 15 prill të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke hapur kështu rrugën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane deklaroi se pret gjithashtu “vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Kosovën dhe qeverinë e saj të ardhshme”, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

    “Për ta arritur këtë, nevojitet besim i ndërsjellë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm. Gjermania mbetet e bindur se qeveria e ardhshme do të forcojë koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të punojë për përparim të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke ndihmuar në realizimin, sa më shpejt, të perspektivës evropiane të Kosovës”, tha Ambasada gjermane.

    Gjermania shtoi se afrimi i mëtejmë i Kosovës me BE-në është “qëllimi ynë i përbashkët, forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit si dhe përparimi thelbësor në dialogun për normalizim me Serbinë, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit me anekset përkatëse, janë çështje që duhen arritur”.

    Ambasada britanike në Prishtinë deklaroi se shpreson që Qeveria e ardhshme e Kosovës të adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe përparimin sa i përket integrimit të serbëve dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    “Mbretëria e Bashkuar e mbështet pa asnjë rezervë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shpreson që ajo të mund t’i përmbushë sa më shpejt kërkesat e të tjerëve”, tha Ambasada britanike në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

    Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë pengesa kryesore për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Qeveria Kurti ka qenë hezituese për formimin e Asociacionit, duke shprehur frikën se mund të minojë sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

    Thirrje për përparim në dialog u bënë edhe në mbledhjen e 8 prillit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza ndaj.

    Kosova e akuzoi Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për destabilizimin e demokracisë në vend, “jo vetëm përmes retorikës, por edhe përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.

    Ndërsa Serbia e akuzoi Kosovën se situata e serbëve në Kosovë po “përkeqësohet” pasi sipas saj, “është përshkallëzuar fushata për shkatërrimin sistematik të institucioneve serbe në gjithë Kosovën”.

    Edhe shtetet aleate të Kosovës kanë qenë kritike ndaj Qeverisë së Kosovës për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit, ku autoritetet kanë mbyllur institucionet serbe.

    Autoritetet e Kosovës filloi mbylljen e institucioneve serbe për Kosovën në fillim të vitit 2024, me arsyetimin se ato nuk kanë leje për të vepruar dhe se funksionimi i tyre është i paligjshëm.

  • Miratohet draft-rezoluta për Kosovën, kërkohet heqja e masave të BE-së

    Miratohet draft-rezoluta për Kosovën, kërkohet heqja e masave të BE-së

    Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar draft rezolutën për Kosovën në të cilën mes tjerash kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së.

    Autor i raportit është Riho Terras raportues i këtij institucioni për Kosovën, i cili tashmë i ka porositur se vendi i Kosovës është në BE.

    Në këtë dokument mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

    Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

    Nënvizohet gjithashtu progresi domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.

    Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve.

    Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve.

    Keqardhje e veçantë shprehet përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

    Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e emisarit për këtë dialog.

    Pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do e merr edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian./RTK/

  • Kurti bën homazhe në Koshare: Te varret e dëshmorëve ia përkujtojmë vetes se sa e lartë ishte sakrifica e tyre

    Kurti bën homazhe në Koshare: Te varret e dëshmorëve ia përkujtojmë vetes se sa e lartë ishte sakrifica e tyre

    Në përvjetorin e 26-të të Betejës së lavdishme të Koshares, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, raporton Ekonomia Online. Ai tha se vijmë tek varret e dëshmorëve që t’ia përkujtojmë vetes se sa e lartë ishte sakrifica e tyre.

    “26 vjet më parë me Betejën e lavdishme të Koshares, UÇK-ja me luftëtarë pothuajse nga të gjitha njësitet e zonave operative të saj, e shembi kufirin që ndante shqiptarët, kufirin që ndante Kosovën nga Shqipëria e që ishte i vjetër që nga viti 1913, respektivisht 1918. Nga radhët e UÇK-së ranë dëshmorë 114 luftëtarë në krye me komandantin Agim Ramadanin- Katanën dhe Sali Çekun, por gjithashtu kishim edhe mbi 400 të plagosur. U vranë së paku 108 ushtarë e oficerë të ushtrisë agresore e okupatore serbe dhe përveç kësaj në radhët e UÇK-së kishim vullnetarë nga Franca e Algjeria, nga Italia, Suedia e Britania, ndërkaq në radhët e Ushtrisë së Serbisë kishte mercenarë nga Rusia. Ne vijmë këtu tek varret e dëshmorëve që t’ia përkujtojmë vetes se sa e lartë ishte sakrifica e tyre, sa e lavdishme është lufta e UÇK-së dhe sa i madh është çmimi i lirisë që e gëzojmë e të shtetit, të cilin po e ndërtojmë së bashku”, tha Kurti.

  • Presidentja Osmani: Kosharja akt besimi se për liri populli i Kosovës i gatshëm të paguajë çdo çmim

    Presidentja Osmani: Kosharja akt besimi se për liri populli i Kosovës i gatshëm të paguajë çdo çmim

    Presidentja e Kosoëvs, Vjosa Osmani, në 26 vjetorin e Betejës së Koshares, tha se Kosharja ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës është i gatshëm të paguaj çdo çmim.

    “Beteja e Koshares, flakadani që nuk shuhet kurrë!

    Aty ku regjimi gjenocidal i Serbisë kishte ngritur murin ndarës me Shqipërinë, vajza e djem të UÇK-së, ngritën një ideal e mbollën guxim e frymëzim për breza të tërë.

    Aty ku dukej e pamundura, ata sollën fitoren.

    Kosharja ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës është i gatshëm të paguaj çdo çmim. Lavdi përjetë dëshmorëve të lirisë!”, u shpreh presidentja Osmani.

  • Kurti nuk përgjigjet se a do t’i ftojë partitë e tjera opozitare për takim për qeverinë e re

    Kurti nuk përgjigjet se a do t’i ftojë partitë e tjera opozitare për takim për qeverinë e re

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se a do të ftojë partitë e tjera opozitare për takim pas refuzimit të LDK-së, raporton EO.

    Ai nuk pranoi të komentojë as refuzimin e letrës që i ka bërë kreu i LDK-së Kurtit pas kërkesës për takim për formimin e institucioneve të reja.

    Kryeministri në detyrë, Kurti, u pyet pas homazheve të rënëve në Betejën e Koshares.