ATV

Tag: Ballina

  • Hasani: Dorëheqja e Kurtit ishte hajgare, Konjufca s’ka kompetenca ta pranojë

    Hasani: Dorëheqja e Kurtit ishte hajgare, Konjufca s’ka kompetenca ta pranojë

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në rastin e certifikimit të kandidatëve nga ekzekutivi nuk ka pasur dorëheqje të vërtetë dhe se Glauk Konjufca nuk ka qenë autoritet kompetent për ta pranuar atë.

    Sipas tij, nëse do të respektohej ligji, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të duhej të vazhdonte pa dorëheqje të dorëzuar në mënyrë formale.

    “Nuk është dorëheqje. Absolut, do të thotë ajo, ajo është – këta anglisht thonë mockery – është abuzim, hajgare, tallje me institucionet, po, sepse ai u drejtohet personit të jokompetent. Glauku asnjë funksion s’ka në Kosovë, ai nuk është kryetar, vendi nuk ka as ushtrues detyre”, tha Enver Hasani.

    Hasani tha se KQZ-ja duhej të kërkonte dorëheqjen që në fillim, pasi ligji e kërkon atë në momentin e certifikimit.

    “KQZ-ja, kryetari i KQZ-së është jurist i mirë, nuk e kuptoj pse që në fillim nuk ka lyp me i dorëzu dorëheqjes, siç e kërkon ligji. Ai ligj ka kërku dhe kërkon dorëheqjen në momentin e certifikimit… në fakt, ashtu është edhe po të shikohet fillimi i mandatit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kur e cakton papajtueshmërinë e funksionit ekzekutiv me atë të deputetit”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: Opozita u rebelua kundër betimit të deputetëve, ky është sulm institucional

    Kurti: Opozita u rebelua kundër betimit të deputetëve, ky është sulm institucional

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar opozitën se ka penguar një proces formal dhe teknik që çon drejt konstituimit të legjislaturës së re, përcjell ATV.

    Kurti tha se opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në, Listën Serbe dhe AAK-në, ka votuar kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve, duke e quajtur këtë veprim një sulm të brendshëm institucional.

    “Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”, shkroi Kurti.

    Ai tha se ky veprim i opozitës nuk është vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër vullnetit qytetar dhe vetë sistemit demokratik.

    “Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, përfundoi Kurti. /atvlive.tv

    Reagimin e plotë të Albin Kurtit në facebook, e gjeni më poshtë:

  • Peci: Lista Serbe dhe opozita pamundësuan konstituimin e Kuvendit

    Peci: Lista Serbe dhe opozita pamundësuan konstituimin e Kuvendit

    Deputeti Faton Peci, pas ndërprerje se seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se procesi i konstituimit është bllokuar për shkak të votës kundër të opozitës dhe abstenimit të Listës Serbe, duke pamundësuar verifikimin e mandateve, raporton ATV.

    Ai tha se ndonëse kishte dorëzuar dorëheqjen si ministër në detyrë, obligimi i tij si deputet nuk u realizua për shkak të kësaj situate të papërcaktuar ligjërisht.

    “Sot kam dhënë dorëheqje tek vartësi im, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, meqenëse është detyrim ligjor dhe kushtetues konstituimi i Kuvendit dhe pika numër një, që nënkupton verifikimi i mandateve. Një gjë të tillë e pamundësoi Lista Serbe, me abstenim, dhe opozita duke votuar kundër”, tha Peci.

    Sipas tij, kjo është një situatë e re që nuk është e përcaktuar në Kushtetutë apo në Rregulloren e Punës së Kuvendit, dhe tash i takon presidentes të vendosë për hapat e mëtejmë.

    “Kjo është një rrethanë e re që në aspektin kushtetues, ligjor dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit nuk është e paraparë… dhe rrjedhimisht kryesuesi ka vendosur që t’i drejtohet Presidentit të Republikës së Kosovës, e cila mund të kthejë një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Peci. /atvlive.tv

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit nga seanca e Kuvendit të Kosovës, e gjeni në videon më poshtë:

  • Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit

    Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit

    Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e seancës pas dështimit për miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, raporton ATV.

    Ai tha se, ndonëse ishin të pranishëm 119 deputetë, mungesa e votave të mjaftueshme e pamundësoi vazhdimin e procedurave.

    “Të nderuara deputete dhe deputetë, Shërbimi i deputetëve vërteton se në sallë janë njëqind e nëntëmbëdhjetë deputetë, por për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit në seancë nuk mori vota të mjaftueshme… në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën”, tha Dehari.

    Ai shtoi se për këtë zhvillim do të njoftohet zyrtarisht presidentja e vendit.

    “Do të përgatisim një letër për ta njoftuar presidentin se si do të veprohet në të ardhmen. Ju faleminderit!”, u shpreh Dehari. /atvlive.tv

  • ​Kurti dhe ministrat japin dorëheqje nga postet e tyre

    ​Kurti dhe ministrat japin dorëheqje nga postet e tyre

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për t’i hapur rrugë betimit të tij si deputetët të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Kjo dorëheqje i është dorëzuar kryetarit në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Të dorëhequr janë edhe ministrat në detyrë të kësaj qeverie.

    Dhe kjo letër u prezantua para gazetarëve nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

  • Nuk kalon raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve, Kuvendi shkon në pauzë

    Nuk kalon raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve, Kuvendi shkon në pauzë

    Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, bëri të ditur se raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk mori shumicën e votave në seancën e parë të legjislaturës së nëntë.

    Ai njoftoi se shumica e deputetëve votuan kundër ose abstenuan, duke bërë që raporti të mos kalojë.

    “Shërbimi i deputetëve vërteton se 52 deputetë kanë dhënë votën për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit të mandateve të deputetëve të Legjislaturës nëntë, nuk kalon”, tha Dehari.

    Ai ftoi përfaqësuesit e partive në konsultime para se votimi të përsëritet pas një pauze të shkurtër.

    “I ftojmë përfaqësuesit e subjekteve për një konsultim dhe pas një pauze të shkurtër, përsëri votojmë”, u shpreh Dehari.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Avni Dehari hap seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës

    Avni Dehari hap seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës

    Deputeti Avni Dehari, si më i vjetri për nga mosha në Legjislaturën e nëntë, ka hapur sot seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Ai tha se e merr këtë përgjegjësi në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe do të kryesojë seancën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

    “Kam nderin dhe kënaqësinë që, mbështetur në nenin 9 pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, unë, Avni Dehari, në cilësinë e deputetit më të vjetër për nga mosha, në Legjislaturën e nëntë, ta kryesoj seancën konstituive të Kuvendit… deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”, tha Dehari.

    Ai falënderoi të gjithë të pranishmit, përfshirë ambasadorët dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për pjesëmarrjen në këtë seancë.

    “Kam kënaqësi të veçantë që t’ju përshëndes dhe t’u dëshiroj mirëseardhje mysafirëve të nderuar… ambasadorëve të vendeve mike të akredituar në Prishtinë dhe të gjithë të ftuarve të tjerë të pranishëm në këtë seancë konstituive, si dhe mediave që po e përcjellin”, u shpreh Dehari.

    Deklaratën e plotë të Avni Deharit në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e gjeni në videon më poshtë:

  • Këto janë procedurat e konsitituimit të Kuvendit

    Këto janë procedurat e konsitituimit të Kuvendit

    Gazetari Leart Hoxha, në STUDIO E HAPUR në ATV, sqaroi në detaje procedurat që duhet ndjekur gjatë konstituimit të Kuvendit, duke theksuar pikat që mund të shkaktojnë komplikime ligjore.

    Ai tha se seanca hapet nga deputeti më i vjetër dhe më pas formohet Komisioni për verifikimin e mandateve, ku mund të lindë edhe kontesti i parë.

    “Pritet që seanca të drejtohet nga Avni Deharja si deputeti më i vjetër dhe Sala Jashari si deputetja më e re. Caktohet nga re anëtar për Komision të përkohshëm të verifikimit të kuorumit dhe mandateve… kishte spekulime që pikërisht këtu mund të jetë pengesa e parë dhe mund të shkojë krejt procedura në komplikime të reja ose mund të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, në rast se konstatohet që ministrat ose anëtarët e Kabinetit qeveritar nuk kanë dhënë dorëheqje edhe e bëjnë betimin e deputetit”, tha Hoxha.

    Më tej, ai shpjegoi se propozimi për kryetar Kuvendi i takon subjektit më të madh, e më pas tri partitë tjera nominojnë nënkryetarët.

    “Subjekti më i madh parlamentar e propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit. Këtë punë po e dimë, i takon Vetëvendosjes. Më pas votohet, dhe tri partitë tjera më të mëdha nominojnë kandidatët e tyre për nënkryetarë, ku duhet të jetë edhe përfaqësimi gjinor”, u shpreh Hoxha.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Muja: Kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese

    Muja: Kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese

    Profesori i shkencave politike, Basri Muja, në STUDIO E HAPUR në ATV, tha se pozita e kryetarit të Kuvendit i takon partisë që fiton zgjedhjet, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Ai tha se kjo është një çështje e rregulluar dhe nuk lë vend për interpretime politike.

    “Është çështje e rregulluar dhe nuk ka shumë çka të diskutohet, edhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo pozitë i takon partisë fituese”, tha Muja.

    Ndërkohë, ai theksoi se formimi i Qeverisë është një proces më kompleks që kërkon më shumë negociata.

    “Zgjedhja për Qeveri është një procedurë tjetër, e cila kërkon, mendoj, biseda më të thella”, shtoi Muja.

    Deklaratën e plotë të Basri Mujës në STUDIO E HAPUR, e gjeni në videon më poshtë:

  • Seanca konstituive – tre skenarët që mund ta përcjellin Kuvendin sot

    Seanca konstituive – tre skenarët që mund ta përcjellin Kuvendin sot

    Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën konstituive pas më shumë se dy muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

    Seanca është caktuar të nisë në ora 10:00, ndërsa me këtë shënohet edhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Kuvendi i Kosovës tashmë ka bërë të ditur edhe agjendën e seancës.

    Në rendin e ditës janë:

    Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

    Betimi i deputetëve,

    Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

    Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Si parti fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota.

    Po 61 vota nevojiten për votimin e Qeverisë së re, nëse del në votim.

    Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje me asnjë parti.

    “Ne do të japim kontributin tonë. Presim që qeveria të krijohet sipas afateve kushtetuese. Do ta luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa na takon — dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”, u shpreh Limaj.

    Votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrate mund të jenë vendimtare për përmbushjen e kuorumit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, përderisa Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim.

    Ditë më parë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte shprehur ambicien që Kuvendi të konstituohet dhe Qeveria të formohet brenda një dite.

    Por, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u shpreh skeptik, duke thënë për gazetarët se nuk është optimist që të martën do të ketë votim për Qeverinë e re.

    Ndërkaq, njohësi i proceseve zgjedhore dhe i punës së Kuvendit, Eugen Cakolli ka paraqitur tre skenarë të mundshëm proceduralë dhe politikë që mund ta përcjellin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet nesër, apo edhe seancat pasuese.

    Skenari 1: Konstituimi i suksesshëm i Kuvendit

    Sipas këtij skenari, pas hapjes së seancës, verifikimit të mandateve dhe betimit të deputetëve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti më i madh parlamentar, propozon kandidatin për Kryetar të Kuvendit.

    Nëse kandidatura merr së paku 61 vota – qoftë përmes një marrëveshjeje formale për koalicion apo përkrahjeje joformale nga opozita – atëherë procedohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.

    Pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani do t’i dërgojë një letër zyrtare LVV-së për të kërkuar propozimin për mandatarin e Qeverisë. Pasi LVV të përgjigjet me emrin e kandidatit (që pritet të jetë Albin Kurti), Presidentja nxjerr dekretin për nominimin e tij. Mandatari do të ketë afat 15 ditë për të propozuar Qeverinë dhe për të siguruar shumicën parlamentare.

    Skenari 2: Pezullimi i seancës për shkak të mungesës së propozimit

    Nëse pas hapave të parë, LVV refuzon të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit ose kërkon “konsultime shtesë”, atëherë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet ta pezullojë seancën.

    Sipas Rregullores së Punës, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që do të nënkuptonte mbajtjen e seancave të reja çdo dy ditë. Nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, atëherë mund të krijohet një cikël seancash të papërfunduara.

    Ky ngërç mund të shfrytëzohet nga partitë opozitare, të cilat mund të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se partia fituese po zvarrit procesin e formimit të institucioneve.

    Skenari 3: Bllokim që në hapin e parë

    Në këtë skenar, duke qenë se LVV nuk e ka shumicën parlamentare, situata mund të bllokohet që në fillim të seancës.

    Disa deputetë të LVV-së dhe përfaqësues të pakicave, përfshirë Kryeministrin në detyrë dhe 15 ministra të tjerë, nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, ndonëse këtë e kërkon neni 26 i Ligjit për Qeverinë.

    Opozita mund të refuzojë të votojë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve të atyre që janë ende në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të kryhet betimi i deputetëve dhe Kuvendi nuk mund të kalojë në fazat e tjera.

    Ky skenar paraqet një bllokim procedural me bazë juridike, i cili vendos presion mbi anëtarët e kabinetit që të japin dorëheqje, në mënyrë që të mundësohet konstituimi.

    Megjithatë, edhe ky skenar nuk është në favor të opozitës, pasi nuk nisin afatet ligjore për formimin e institucioneve nga partia fituese.