ATV

Tag: Ballina

  • Kallas vjen në Beograd, në tryezë dy tema – marrëdhëniet me Rusinë dhe Kosova

    Kallas vjen në Beograd, në tryezë dy tema – marrëdhëniet me Rusinë dhe Kosova

    Pas më shumë se një muaji nga vizita në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës e anashkaloi Beogradin dhe Prishtinën, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, këtë javë mbërrin në kryeqytetin serb. Analistët vlerësojnë se gjatë bisedimeve me zyrtarët serbë, dy tema do të jenë në qendër të vëmendjes – marrëdhëniet me Rusinë dhe marrëdhëniet me Kosovën, shkruan gazeta serbe “Blic”.

    Igor Novakoviq, drejtor i kërkimeve në Fondin ISAC në Beograd, ka thënë se këto tema do të jenë të njëjtës peshë me ato që kanë adresuar komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe se duhet pasur parasysh se këto dy çështje janë shumë të rëndësishme për Kallas.

    Tema e parë është qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe rrjedhimisht edhe pozicionimi i Serbisë në kontekstin e sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Federatës Ruse, si dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Ukrainës. Tema e dytë është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

    “Dëgjohen zëra se Kallas është më e interesuar për temën e dialogut sesa përfaqësuesi i mëparshëm. Këtu lind pyetja për qëndrimin e saj dhe se si do të funksionojë kjo në koordinim me përfaqësuesin special për dialogun, z. Peter Sorensen”, ka thënë Novakoviq.

    Pikërisht për këtë temë, Kaja Kallas u shpreh tre ditë më parë në Tiranë, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian. E pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ajo kujtoi se BE ka emëruar para disa muajsh përfaqësuesin e ri special për dialogun, Peter Sorensen.

    “Sigurisht, pres normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ajo para samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

    Strahinja Subotiq nga Qendra serbe për Politikat Evropiane ka theksuar se nuk duhet harruar që shefja e re e diplomacisë së BE-së vjen nga Estonia.

    “Ajo me siguri do të hapë çështjen ruse, pasi tashmë ka paralajmëruar se BE-ja nuk e aprovon pjesëmarrjen në paradën në Moskë më 9 maj. Përveç kësaj, ajo do të flasë edhe për detyrimet ndaj Kosovës, duke qenë se pritet që deri atëherë situata politike në Kosovë të stabilizohet”, ka thënë Subotiq, përcjell Paparaci.

    Sipas tij, për Kallas, çdo bashkëpunim me Rusinë është një “vijë e kuqe”.

    “Pikërisht për këtë arsye ajo ka marrë reagime të ashpra nga Viktor Orban dhe Robert Fico, të cilët kanë pretenduar se Kallas “nuk ka mandat” për t’ua lidhur duart vendeve anëtare në politikën e jashtme,” ka thënë Subotiq.

    Branka Llatinoviq, ish-ambasadore në OSBE, pret që vizita e Kaja Kallas në Beograd të sjellë tre tema kryesore, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, rruga evropiane e Serbisë dhe reformat që lidhen me këtë rrugë.

    Sipas burimeve jozyrtare, Kallas mbërrin në Beograd nesër në mbrëmje, ndërsa programi zyrtar i vizitës fillon më 22 maj.

  • Një grua dhe një vajzë e mitur humbin jetën në një aksident trafiku në Fushë-Kosovë

    Një grua dhe një vajzë e mitur humbin jetën në një aksident trafiku në Fushë-Kosovë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmë në Fushë-Kosovë, ku raportohet se një grua dhe një vajzë e mitur kanë humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra.

    “Fushë Kosovë / 19.05.2025 – 22:11. Raportohet se ka ndodhur një vet-aksident trafiku ku ka qenë e përfshirë një veturë që drejtohej nga një femër kosovare. Drejtuesja e veturës e po ashtu edhe pasagjerja kosovare janë dërguar në QKUK ku nga mjekët është konstatuar se të dyja kanë ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

    Me vendim të prokurorit trupat e viktimave janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është në procedurë hetimore.

  • Dështon tentimi i 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon tentimi i 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 18-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës.

    Vazhdimi i sotëm ishte i njëjtë me vazhdimet e mëparshme: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

    Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

    Ishin 52 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim. Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 21 maj, në orën 11:00.

  • Përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët e betuar të legjislaturës së nëntë sot do të mblidhen në përpjekjen e 18-të për konstituimin e Kuvendit.

    Vazhdimi i seancës pritet të nisë nga ora 10:30.

    Të shtunën dështoi përpjekja e 17-të.

    Në seancën e 17 majit, formimi i Komisionit për votim të fshehtë, një hap vendimtar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, mori vetëm 53 vota për dhe një kundër, duke mos siguruar shumicën e nevojshme.

    Lëvizja Vetëvendosje ende po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhiut, për kryetare të Kuvendit, derisa partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë nuk duket se kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre.

    Mbetet të shihet se si do të shkojë vazhdimi i 18-të i seancës konstituive.

  • Kurti bëri homazhe në nder të Xhevdet Lecit, në 26-vjetorin e rënies së tij

    Kurti bëri homazhe në nder të Xhevdet Lecit, në 26-vjetorin e rënies së tij

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, si dhe me kolegë të tjerë nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, nderuan me homazhe Xhevdet Lecin, në 26-vjetorin e rënies heroike të tij.

    Në këtë përvjetor, kryeministri Kurti vlerësoi figurën dhe kontributin e Xhevdet Lecit, veçanërisht gjatë viteve ‘99, kur punoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

    “Xhevdet Leci gjatë viteve të ‘90-ta punoi ditë-natë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte edhe patriot, edhe humanist dhe në të njëjtën kohë zgjeronte, thellonte, ngriste rezistencën e popullit tonë, e cila fillimisht ishte paqësore e paarmatosur, e më pastaj edhe kryengritje e armatosur çlirimtare e udhëhequr nga UÇK-ja”, tha kryeministri.

    Ai theksoi se nëpërmjet figurave më të ndritshme të historisë sonë, siç është Xhevdet Leci, të cilët janë shëmbëlltyra dhe modeli më i mirë, të rinjtë duhet të mësojnë dhe të ndjekin rrugën e tyre, në mënyrë që historia të bëhet pjesë e vetëdijes sonë kolektive.

    Xhevdet Leci, veprimtar i çështjes kombëtare, ra heroikisht më 18 maj 1999 në mbrojtjen e popullatës së zhvendosur në Barilevë, duke u përballur me policinë serbe.

  • Zvicër: Policia, me kufizime trafiku për shkak të vizitës së planifikuar të Vjosa Osmanit

    Zvicër: Policia, me kufizime trafiku për shkak të vizitës së planifikuar të Vjosa Osmanit

    Të mërkurën dhe të enjten e ardhshme, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të jetë në Zvicër për një vizitë shtetërore.

    Vizita e presidentes së Republikës së Kosovës në Zvicër, ku ajo do të pritet me nderimet më të larta shtetërore, shoqërohet edhe me masa të veçanta sa i përket trafikut. Kështu, portali zyrtar i policisë “police.be.ch” ka dalë me një njoftim lidhur me kufizimet e nevojshme të trafikut gjatë dy ditëve sa do të zgjasë vizita.

    Të mërkurën, më 21 maj 2025, dhe të enjten, më 22 maj 2025, Presidentja e Republikës së Kosovës do të jetë në Bernë me një delegacion në kuadër të një vizite shtetërore. Kjo do të jetë vizita më e lartë, e nivelit shtetëror dhe e para me nderime ushtarake që i bëhet një presidenti të Kosovës në Zvicër. parashieht që në sheshin kryesor të Bernës, Bundesplatz, do të ketë edhe pjesëmarrje të publikut, shkruan albinfo.ch. Në këtë kontekst, disa rrugë dhe sheshe në qendër të qytetit do të duhet të mbyllen përkohësisht në të dyja ditët.

    Së pari, të mërkurën, më 21 maj 2025, pritja me nderime ushtarake do të zhvillohet në Bundesplatz. Aksi Bundesgasse nga Schwanengasse, perimetri rreth Ndërtesave Federale Lindore dhe Perëndimore, si dhe rrugët përkatëse hyrëse dhe Inselgasse do të jenë të mbyllura për trafikun, të mërkurën, 21 maj 2025, nga ora 12:00 deri në orën 22:00. Amthausgasse dhe Schauplatzgasse do të jenë të mbyllura për trafikun nga ora 12:00. deri në orën 4:00 pasdite po në këtë ditë.

    Të enjten, më 22 maj 2025, nga ora 7:00 e mëngjesit deri afërsisht në orën 8:00 të mëngjesit, Bundesgasse nga Schwanengasse, Bundesplatz dhe Kochergasse do të jetë e mbyllur për trafikun.

  • Raportuesi për Kosovën në PE: S’është mirë ka shtete mosnjohëse pas 25 vjetësh

    Raportuesi për Kosovën në PE: S’është mirë ka shtete mosnjohëse pas 25 vjetësh

    Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka thënë se nuk mendon që është gjëja e duhur që edhe pas 25 vjetësh ka ende vende të cilat nuk e njohin Kosovën.

    Derisa shtoi se është duke e konsideruar mundësinë që të nis dialogun me këto vende dhe të gjej mënyra se si këto vende ta njohin Kosovën.

    “Kjo është diçka tjetër për të cilën mendoj se Komisioni dhe Kaja Kallas duhet të punojnë. Nga ana jonë, ne jemi duke e konsideruar mundësinë, bashkë me kolegun tim që raporton për Serbinë(Tonino Picula), ndoshta edhe me ca të tjerë, që duhet të nisim dialogun me këto vende dhe poashtu të gjejmë mënyra se si këto vende mos-njohëse të nisin procesin për ta njohur Kosovën si shtet”, ka thënë ai për Klan Kosova.

    Ndër tjerash, Terras ka deklaruar se sipas tij ngërçi në Kuvend është shenjë e mirë e demokracisë, duke i dhënë edhe një këshillë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    “Por këshilla ime për kryeministrin Kurti dhe të gjitha palët është se procesi kryesor politik tani janë negociatat dhe kompromiset. Demokracia është art kompromisesh. Për të arritur qëllimet afatgjata tuajat politike, anëtarësimin në BE, duhet të bëni kompromise ndërmjet palëve politike, kjo është diçka nëpër të cilën Estonia ka kaluar për 30 vjet, andaj këshilla ime është qetësi, gjeni kompromise dhe vazhdoni përpara drejt Bashkimit Evropian, aty ku populli i Kosovës dëshiron të jetë. Po e përkrahi Kosovën sepse raportoj për Kosovën”, ka deklaruar Terras.

  • Kutllovci: Nga stresi te depresioni – si ndikon ankthi në shëndetin mendor

    Kutllovci: Nga stresi te depresioni – si ndikon ankthi në shëndetin mendor

    Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, ka theksuar se stresi dhe ankthi po paraqiten gjithnjë e më shpesh si probleme serioze shëndetësore tek qytetarët.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Kutllovci ka deklaruar se ankthi shpesh maskohet me simptoma fizike si tharje e gojës, djersitje të duarve, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke dhe pagjumësi.

    “Me stresin ne ballafaqohemi gjatë periudhës kur është prezent stresori, shkaktari i cili e shkakton, dhe gjithsesi mund të marrë karakterin kronik, meqenëse vazhdimisht ballafaqohemi me situata të tilla. Në situatat kur personat ballafaqohen me frikën nga e ardhmja – çka nëse vdes, sëmurem, dështoj në realizimin e një synimi të caktuar – atëherë flasim për ankthin. Ankthi është një frikë që dallon nga frika normale: frikohesh dhe nuk e di nga çka frikohesh. Personat e manifestojnë kryesisht me simptoma fizike; ata, shumicën e herëve, shkojnë nëpër klinika, por realisht këto janë simptoma të ankthit”, ka thënë Kutllovci.

    Ai shpjegon se ankthi lind nga frika për të ardhmen dhe ndjenja e pasigurisë, dhe nëse stresi vazhdon për një kohë të gjatë, mund të çojë në ulje të vullnetit dhe disponimit.

    “Pacientët më thonë: ‘Jam mirë, por papritur vjen një siklet, më thahet goja, më djersiten duart, ndjej rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke, këputje te gjunjët, më vjen të qaj pa arsye dhe nuk fle dot’. Të gjitha këto janë simptoma përcjellëse të ankthit, sepse njeriu ballafaqohet me një ndjenjë zbrazëtie dhe shqetësimi të madh, si rezultat i përpjekjes së pavetëdijshme të organizmit për ta zgjidhur konfliktin intrapsikik, i cili më pas shoqërohet me simptoma trupore”, theksoi ai.

    Kjo gjendje, në raste të caktuara, mund të shndërrohet në çrregullim të ankthit me simptoma depresive.

    “Ballafaqimi i vazhdueshëm me stresin mund të çojë në rënie të disponimit dhe vullnetit, dhe mund të jetë njëri prej shkaktarëve të disponimit të ulët, por jo domosdo zhvillon depresionin. Ajo që ne e shohim është se kur njeriu ndodhet në situata të përjetimit të stresit, futet në një rreth vicioz: përjeton ankth, ankthi shkakton lodhje, lodhja sjell pagjumësi, pagjumësia ndikon në mendime, dhe mendimet e rrisin ankthin. Si rezultat i përjetimit të vazhdueshëm, fillojnë të zhvillohen simptoma të reja si tërheqja në vetvete, rënia e vullnetit dhe humbja e interesimit për gjërat që më parë i ka dashur – çka përbën një çrregullim ankthi të shoqëruar me depresion”, shtoi doktori.

  • Kusari-Lila: S’ka shkelje, ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm

    Kusari-Lila: S’ka shkelje, ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj akuzave për shkelje të Rregullores së Kuvendit, pas kërkesës së kryesuesit Avni Dehari që mbledhjet e seancave të mos mbahen çdo 48 orë, siç është e përcaktuar, por një herë në javë.

    “Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua. Ishte vetëm një propozim për dakordim mes të gjitha partive”, tha Kusari-Lila gjatë deklarimit të saj në Kuvend.

    Sipas saj, propozimi ishte pjesë e konsultimeve në fillim të seancës dhe kishte për qëllim shmangien e mbledhjeve të shpeshta, të cilat – siç tha – nuk po japin rezultat për shkak të qëndrimit bllokues të opozitës.

    “Seanca filloi me konsultim që të ketë shmangie të Rregullores, të takohemi më rrallë, pasi 48-orëshi nuk po jep rezultat. Nga parafolësit u akuzuam për shkelje, por ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm”, theksoi Kusari-Lila.

    Ajo përsëriti se partitë opozitare po vazhdojnë të mbajnë qëndrim bllokues, duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit.

  • Krasniqi: Na u kërkua ta shkelim rregulloren e të mblidhemi vetëm një herë në javë – e papranueshme

    Krasniqi: Na u kërkua ta shkelim rregulloren e të mblidhemi vetëm një herë në javë – e papranueshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke kritikuar sjelljen e partisë në pushtet dhe kërkesat që sipas tij bien ndesh me rregulloren.

    Ai tha se në konsultimet e thirrura nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Vetëvendosje, është propozuar që seancat konstituive të mbahen vetëm një herë në javë – ndryshe nga parashikimet e rregullores së Kuvendit.

    “Sot patëm një zhvillim të papranueshëm. E para, deputetët e partisë që doli e para nuk erdhën as me kohë, ishin 45 minuta vonë dhe kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregullorën”, deklaroi Krasniqi.

    Ai theksoi se kërkesa për ta reduktuar frekuencën e seancave është në kundërshtim me rregulloren.

    “Kërkesa e tyre ishte që në kundërshtim me rregulloren, që thotë se duhet të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi, ata kërkuan që të mblidhemi një herë në javë”, tha Krasniqi.

    Sipas tij, kjo situatë paraqet dy probleme thelbësore: “E para, është krejtësisht e papranueshme me bë një kërkesë të tillë, për me shkelë rregulloren me vetëdije deputetët. E dyta, kjo tregon se vullneti i tyre nuk është për me bë zgjidhje, por thjesht këto përsëritje mos me u mbajtë çdo dy ditë, por çdo javë”.