ATV

Tag: Ballina

  • Kurti në darkë pune me Kaja Kallas: Kërkon heqjen e masave të BE-së dhe statusin e kandidatit për Kosovën

    Kurti në darkë pune me Kaja Kallas: Kërkon heqjen e masave të BE-së dhe statusin e kandidatit për Kosovën

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të enjten mbrëma me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një darkë pune pas takimeve të saj me udhëheqësit e partive politike në Prishtinë.

    Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane si dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Kurti theksoi se masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës duhet të hiqen tërësisht dhe kërkoi që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat, duke e cilësuar vendin si demokracinë më të avancuar në rajon.

    Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti nënvizoi nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ai kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe përsëriti kërkesën që kryeterroristi Millan Radoiçiq t’i dorëzohet drejtësisë në Kosovë, duke përmendur aktakuzën 160 faqëshe të ngritur nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

    Kurti gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti serb, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian për veprime konkrete në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

  • Përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit zhvillohet sot

    Përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit zhvillohet sot

    Sot pritet të zhvillohet përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit, në një proces që ka zgjatur për javë të tëra për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe bojkotit të vazhdueshëm nga disa parti.

    Seanca është thirrur në orët e paradites, me shpresën se kësaj radhe do të arrihet kuorumi i nevojshëm për formimin e organeve drejtuese të legjislativit.

    Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve, e që ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

    Mbetet për t’u parë nëse përpjekja e sotme do të rezultojë e suksesshme apo do të shtyhet edhe një herë formimi i plotë i Kuvendit.

  • Greva e punëtorëve të “Pastrimit” vazhdon për të dytën ditë para Komunës

    Greva e punëtorëve të “Pastrimit” vazhdon për të dytën ditë para Komunës

    Punëtorët e Kompanisë “Pastrimi” kanë vazhduar edhe sot grevën e nisur dje pranë objektit të Komunës së Prishtinës.

    Ata po e shprehin pakënaqësinë e tyre përmes vendosjes së kamionëve të punës si shenjë revolte përpara Komunës.

    Sipas punëtorëve qëllimi i grevës është paga më të mira, kushte të dinjitetshme pune dhe furnizim me derivate për mjetet e punës.

  • Selmanaj i përgjigjet Kurtit pas ftesës për koalicion: S’kemi elektorat të përbashkët

    Selmanaj i përgjigjet Kurtit pas ftesës për koalicion: S’kemi elektorat të përbashkët

    Anëtari i kryesisë së LDK-së dhe ish-deputeti, Driton Selmanaj, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk është partner i natyrshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe se katër vitet e fundit kanë dëshmuar dëmin që ajo i ka sjellë vendit.

    Sipas Selmanajt, ftesa e Kurtit për koalicion nuk është e sinqertë dhe synon përfitime të tjera politike.

    “Kjo ka këtë lojën perfide, që në fakt nuk e dëshiron koalicionin me LDK-në, jam i bindur, sepse po ta dëshironte, do ta ruante. Me xhelozi, jo pas pesëdhjetë ditësh do ta prishnim atë koalicion. Jam i bindur që ky ka matematikë tjera në kokën e tij”, tha Selmanaj.

    Ai shtoi se lidhja mes Vetëvendosjes dhe PDK-së është më e natyrshme, duke përmendur ngjashmëritë ideologjike dhe kalimin e shumë figurave nga njëra parti te tjetra.

    “Shumica e deputetëve të PDK-së në Vetëvendosje i ki të ish-PDK-së. Shumë struktura sot në pozita të rëndësishme në administratën e shtetit janë njerëz të PDK-së të konvertuar në militantë të zjarrtë të Lëvizjes Vetëvendosje. Janë parti që themelet pothuajse i kanë bukur të ngjashme, ideologjinë e kanë shumë të ngjashme, orientimet besa në shumë aspekte i kanë të ngjashme”, tha Selmanaj.

    Deklaratën e plotë të Driton Selmanajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kallas: Së shpejti do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

    Kallas: Së shpejti do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe njëherësh nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një konference për media në Beograd ka theksuar se është e rëndësishme të tejkalohet e kaluara dhe se planifikon së shpejti të ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të biseduar rreth marrëdhënieve dhe vazhdimit të dialogut.

    “Gjatë vizitës u takova me presidentin Vuçiq, kryeministrin Macuta, kryetaren e parlamentit, partitë opozitare dhe përfaqësuesit e rinisë. Qëndrimet janë të ndryshme, por të gjithë jemi dakord për rrugën evropiane të Serbisë, nevojën për reforma dhe dialogun me Kosovën. Do të nis me zgjerimin e BE-së. Jemi thellësisht të përkushtuar që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të shfrytëzojnë momentin për zgjerim. Ky proces ka zgjatur një kohë të gjatë, por gjithmonë ekziston një moment politik – dhe ai është tani. Evropa e bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë së bashku”, ka thënë Kallas, transmeton Paparaci.

    Ajo ka shtuar se duhet të shihen veprime konkrete, që kjo të vërtetohet.

    “Nuk ka rrugë të shkurtër. Duhet të shohim reforma të qarta për të ecur drejt anëtarësimit. Hapat e ardhshëm janë të qartë – përfshirë lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit, reformat zgjedhore – dhe ato duhet të jenë reale, jo vetëm për të përmbushur detyrime në letër. Këto reforma do t’u mundësojnë qytetarëve të Serbisë të përfitojnë dhe përputhen me atë që kërkojnë qindra mijëra protestues – autonomia e universiteteve duhet të respektohet”, ka theksuar ajo.

    Ajo ka shtuar se duhet të tejkalohet e kaluara dhe duhet të punohet për një të ardhme të përbashkët. Prandaj, ajo tha se së shpejti planifikon të ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

    “Në bisedat tona folëm edhe për kufijtë, çështje që janë shqetësim evropian. Serbia është përballë një zgjedhjeje strategjike se ku dëshiron të jetë, por duhet të flasim edhe për vlerat. Folëm për marrëdhëniet e Serbisë me fqinjin më të afërt dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën – këto nuk janë vetëm marrëdhënie dypalëshe, por janë të rëndësishme për tejkalimin e të kaluarës dhe përqendrimin në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj të ftoj përfaqësuesit nga Serbia dhe Kosova në Bruksel sa më shpejt të jetë e mundur për të diskutuar për marrëdhëniet dhe dialogun. Theksova edhe rëndësinë e situatës në Bosnje e Hercegovinë, pasi nga kjo varet paqja në rajon”, ka shtuar Kallas, përcjell Paparaci.

    Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, ajo tha se pas vizitës në Beograd do të udhëtojë në Kosovë për të biseduar për të gjitha problemet që ekzistojnë mes palëve.

    Ajo ka theksuar se në dialog tani është një përfaqësues i ri special që do të punojë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Jam e re në këtë proces dhe ende nuk mund të jap vlerësime se çfarë funksionon e çfarë jo, por është e rëndësishme që do të punojmë për këtë”, ka deklaruar ajo.

    E pyetur për vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, Kallas tha se për këtë çështje ka folur me të që në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

    “Për vizitën në Moskë kam folur me presidentin Vuçiq që në Tiranë dhe i thashë se nuk e kuptoj pse është e rëndësishme të qëndrohet krah për krah me një njeri që kryen krime në Ukrainë. Presidenti Vuçiq e sqaroi qëndrimin e tij dhe patëm një diskutim shumë intensiv për këtë. Folëm edhe me qeverinë e Serbisë për këtë temë, ne presim që vendet kandidate të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me Bashkimin Evropian. Nëse doni të jeni pjesë e BE-së, atëherë duhet të punojmë së bashku dhe të jemi të bashkuar”, ka theksuar Kallas.

    Gjatë vizitës dyditore në Serbi, Kallas u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macuta, ministrin e jashtëm Marko Gjuriq dhe kryetaren e parlamentit Ana Bërnabiq.

    Pas vizitës në Beograd, Kallas sot do të vjen në Prishtinë, ndërsa të premten do të vizitojë Shkupin.

  • BSK del me njoftim publik: Nuk është refuzuar pranimi i një fëmije me nevoja të veçanta në shkollë

    BSK del me njoftim publik: Nuk është refuzuar pranimi i një fëmije me nevoja të veçanta në shkollë

    Pas një ankese të publikuar në rrjetet sociale nga një prind, i cili pretendoi se fëmija i tij nuk ishte pranuar në shkollë për shkak të gjendjes së veçantë, The British School of Kosova ka reaguar publikisht për të sqaruar situatën.

    Shkolla njoftoi se sapo është informuar për këtë ankesë, ka ftuar menjëherë prindin në një takim për të diskutuar dhe sqaruar shqetësimet e tij. Pas një verifikimi të detajuar të aplikacioneve, është konstatuar se nuk ka ekzistuar asnjë kërkesë për regjistrim nga ana e këtij prindi, qoftë fizikisht apo online.

    Njoftimi i plotë nga The British School of Kosova:

    Në lidhje me një ankesë të publikuar në rrjetet sociale nga një prind i cili ka pretenduar se fëmija i tij nuk është pranuar në shkollë për shkak të gjendjes se veçantë, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se:

    Shkolla po sa është njoftuar me këtë ankesë, e ka ftuar prindin në takim me drejtuesit e shkollës për të sqaruar ankesën dhe shqetësimin e tij.

    Administrata e shkollës ka kontrolluar të gjitha aplikacionet për regjistrim dhe është konstatuar se personi në fjalë nuk ka aplikuar asnjëherë për regjistrimin e fëmijës së tij në shkollë, as fizikisht e as online.

    BSK është një ndër shkollat me përfshirjen më të madhe të nxënësve me nevoja të veçanta. BSK mbetet e përkushtuar në respektimin e parimit të barazisë, përfshirjes dhe respektimit të të drejtave të çdo fëmije për arsimim të denjë.

  • Presidentja Osmani viziton kompaninë zvicerane “Stadler Rail”: Kosova i plotëson të gjitha kushtet për investime

    Presidentja Osmani viziton kompaninë zvicerane “Stadler Rail”: Kosova i plotëson të gjitha kushtet për investime

    Në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi kompaninë e njohur zvicerane “Stadler Rail”, e cila merret me prodhimin e trenave dhe mjeteve të tjera hekurudhore, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë vizitë, presidentja Osmani u shpreh se interesimi i kompanive zvicerane për të investuar në Kosovë është gjithnjë në rritje dhe theksoi avantazhet që ofron Kosova për investitorët e huaj.

    Ajo shtoi se marrëveshjet e tregtisë së lirë që Kosova ka me BE-në, EFTA-n, e bëjnë vendin një destinacion ideal për prodhim dhe eksport drejt tregjeve evropiane.

    “Ne jemi në diskutime me shumë kompani të tjera zvicerane. Kompanitë zvicerane në përgjithësi kanë një interesim jashtëzakonisht të madh për investime në Kosovë.

    Është shumë me rëndësi që Kosova, përveç popullatës shumë të re, të kualifikuar, të shkolluar, që i flet shumë gjuhë – dhe gjuha gjermane është një prej gjuhëve më të folura – po ashtu ofron edhe një sistem taksash, një sistem financiar dhe sistem ligjor që është në përputhje të plotë me standardet e larta të BE-së.
    Të gjitha kriteret që i kërkon një investitor, Kosova i plotëson. Tani, me marrëveshjet e tregtisë së lirë që i kemi, edhe me BE-në, me EFTA-n që përfshin edhe Zvicrën, Turqinë dhe vendet e tjera, në fakt të prodhosh në Kosovë nuk do të thotë që po prodhon vetëm për tregun e 1.7 milionëve, por mund të prodhosh për tregun e qindra milionave evropianë, sepse gjithçka që prodhohet mund të eksportohet kudo në Evropë pa kosto shtesë, pa taksa shtesë, për shkak të këtyre marrëveshjeve të tregtisë së lirë që i kemi me të gjitha shtetet e BE-së”, tha ajo.

    Në vizitën në “Stadler Rail”, Presidentja Osmani u shpreh e impresionuar nga historia dhe zhvillimi i kompanisë, në të cilën janë duke kryer praktikën edhe shqiptarë me prejardhje nga Kosova.

    Ajo vlerësoi lart programin e praktikës së kësaj kompanie, ku 70% e nxënësve praktikantë përfundojnë të punësuar, duke shtuar se ky është një model që do të prezantohet edhe në Kosovë për kompanitë vendore.

    “Ishte jashtëzakonisht frymëzuese, sepse teksa po flisja me udhëheqësinë e kësaj kompanie të mrekullueshme, ata më treguan se si u themelua në vitin 1942 dhe fillimisht kishte shumë pak punonjës, si katër apo pesë. Ndërsa sot ka rreth 15,000 dhe është e pranishme në rreth 50 vende të botës dhe praktikisht në të gjitha kontinentet. Një shembull shumë, shumë frymëzues, një model që ne e shikojmë me admirim dhe që natyrisht do ta prezantojmë edhe në Kosovë për kompanitë e mëdha e të vogla, si një model për t’u ndjekur”, tha presidentja Osmani.

    Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu lidhjet e fuqishme mes Kosovës dhe Zvicrës përmes diasporës.

    Ajo theksoi krenarinë për arritjet e komunitetit kosovar në Zvicër në fusha të ndryshme si inxhinieria, teknologjia, shkenca, politika dhe sporti.

    “Siç e thashë dje, lidhja më e madhe mes dy vendeve tona është prania e diasporës sonë këtu në Zvicër. Praktikisht, secili që do të takoni në Kosovë ka një anëtar familjar, të paktën një, që jeton këtu, punon këtu, është shkolluar këtu dhe ka pasur sukses këtu në këtë vend modern. Pra, lidhjet janë shumë, shumë të forta dhe janë ura më e madhe që siguron hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”.

    Presidentja Osmani ndau edhe një përvojë personale, duke përmendur hallën e saj që jeton në St. Gallen prej dekadash, si shembull të integrimit dhe suksesit të diasporës shqiptare në Zvicër.

    “Halla ime jeton në St. Gallen. Ata kanë jetuar gjithmonë këtu. Ka dekada që janë këtu. Është një vend që u dha atyre strehë, përkrahje dhe ngushëllim në një kohë kur të gjitha familjet në Kosovë ishin të përndjekura. Dhe jo vetëm kaq, fëmijët e saj morën arsimimin më cilësor dhe të gjithë janë shumë të suksesshëm. Ata tashmë kanë fëmijët e tyre që ndjekin shkolla të shkëlqyera.

    Dhe tani, është si gjenerata e tretë e emigrantëve, por gjenerata e parë ka ardhur këtu për shkak të shtypjes ndaj popullit tonë në vitet ‘90. Dhe mund të shohësh, të gjithë ne mund ta shohim nga anëtarët tanë të familjes, se mirënjohja për këtë vend të mrekullueshëm është shumë, shumë e madhe. Por në të njëjtën kohë, Zvicra u dha atyre mundësinë që të kontribuojnë si në ekonomi dhe në mirëqenien e këtij vendi, por edhe në ekonomi dhe mirëqenien e Kosovës. Ata kurrë nuk i harruan rrënjët e tyre, ndërkohë që janë integruar pozitivisht këtu”, tha ajo, raporton EO.

  • ​Kallas i jep mesazh të qartë Serbisë

    ​Kallas i jep mesazh të qartë Serbisë

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas i ka dhënë mesazh të qartë udhëheqësve serbë, gjatë vizitës së saj në Beograd të mërkurën, më 21 maj.

    “Mesazhi im për autoritetet në Beograd është i qartë. Dua që ta shoh Serbinë të ec përpara BE-së. Për këtë, liderët politikë duhet të bëjnë reformat e nevojshme dhe të qartësojnë drejtimin strategjik. Kjo bëhet më së miri duke e rikthyer besimin dhe qëndruar të vërtetë ndaj principieve demokrate”, ka shkruar Kallas në X.

    Pas Beogradit, Kallas sot qëndron në Kosovë ku do të mbajë një konferencë për media.

    Ajo do të takojë përfaqësues të partive politike si dhe të shoqërisë civile.

    Pas Kosovës, shefja e diplomacisë së bllokut do të udhëtojë në Maqedoni të Veriut./KP

  • Vrasja e Liridonës, caktohet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Vrasja e Liridonës, caktohet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës për 4 qershor 2025. Kështu konfirmoi zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Ajo ishte duke u kthyer në shtëpinë e saj, e shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy fëmijët, teksa u qëllua për vdekje me plumb në qafë.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

     

  • Kallas sot në Prishtinë, takohet me drejtuesit e partive, në agjendë s’përmendet ndonjë zyrtar institucional

    Kallas sot në Prishtinë, takohet me drejtuesit e partive, në agjendë s’përmendet ndonjë zyrtar institucional

    Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, e cila ka nisur dje një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd, sot pritet të arrijë në Prishtinë.

    BE-ja e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.

    “Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.

    Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

    Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” thuhet në njoftimin e BE-së

    Javën që shkoi, Presidentja Osmani e takoi Kallasin në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian duke njoftuar se kur zyrtarja e BE-së do të vijë në Prishtinë nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër.