ATV

Tag: Ballina

  • Osmani pret në takim Prattipatin, flasin për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve

    Osmani pret në takim Prattipatin, flasin për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

    Në këtë takim, fokusi kryesor ka qenë situata aktuale politike në vend, përkatësisht bllokada në konstituimin e institucioneve, si dhe ndikimi i saj në funksionimin demokratik të shtetit.

    “Sikurse edhe në takimet e kaluara, u diskutua për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”, thuhet në njoftim.

    “Përveç kësaj u diskutuan tema konkrete të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës, që ndër të tjera përfshijnë fushën e diplomacisë dhe mbrojtjes.”, thuhet tutje në njoftim e Presidencës.

  • Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 16-të

    Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 16-të

    Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet edhe pas një muaji. Legjislatura e nëntë nuk u konstituua as në përpjekjen e 16-të. Lëvizja Vetëvendosje sërish tentoi të formojë Komisionin për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, por nuk u përkrah nga partitë tjera politike.

    Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 17 maj në orën 10:30.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë, por kësaj thirrje nuk iu përgjigjen pozitivisht partitë e tjera.

    Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan 55 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim.

    “55 deputetë kanë votuar për, një ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Shihemi me datën 17, në orën 10:30”, deklaroi ai.

    Në sallë kanë qenë të pranishëm 111 deputetë.

    Sot janë bërë një muaj prej kur ka nisur seanca për konstituimin e kuvendit, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare. Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në takim konsultues të gjitha partitë politike nga ora 13:00.

  • Sot takimi i presidentes Osmani me liderët e partive

    Sot takimi i presidentes Osmani me liderët e partive

    Sot në Presidencën e Kosovës pritet të zhvillohet një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare.

    Takimi konsultativ në Presidencë është parë si një hap drejt dialogut ndërpartiak, por mbetet të shihet nëse do të prodhojë rezultate konkrete për zhbllokimin e situatës aktuale politike.

    Të gjitha partitë politike që janë ftuar për takim konsultues nga presidentja Vjosa Osmani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    Kështu bëri të ditur këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

    “Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani”- ka thënë Kupina.

    Takimi midis Osmanit dhe liderëve politik do të zhvillohet sot nga ora 13:00.

    E dje Osmani ka paralajmëruar se takimi me liderët e partive është vetëm fillimi i një serie takimesh dhe diskutimesh lidhur me këtë çështje.

    Ajo ka shtuar se nuk dëshiron të paragjykoj për rezultatet e këtij takimi por ka uruar që secili nga liderët do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e Kosovës.

    “Unë i falenderoj liderët e partive që i janë përgjigjur pozitivisht. Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh ne do të vazhdojmë varësisht se si shkojnë diskutimet nesër, qoftë në atë format, qoftë në formate të ngjashme, qoftë në takime një nga një me liderët e partive. Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese sepse siç e dini neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës e rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara. Nuk do të doja të paragjykoja tani për rezultatet por shpresoj që secili do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e vendit dhe kur ndodhë kjo rezultatet gjithmonë janë pozitive”, ka thënë Osmani gjatë konferencës për media, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

  • Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, flasin për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve

    Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, flasin për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në një takim ambasadorët e të gjitha vendeve kontribuuese të trupave, në shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.

    KFOR në njoftim tha se diskutimi në këtë takim mbuloi “një gamë të gjerë temash”, duke përfshirë trendet e sigurisë në të gjithë rajonin, situatën në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare në shkurt, takimin e fundit të komandantit të KFOR-it me Përfaqësuesin Special të BE-së, Peter Sorensen, dhe aktivitetet dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin ndërkombëtar.

    “Të gjithë pjesëmarrësit përsëritën rolin kryesor të luajtur nga KFOR-i në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe rëndësinë e unitetit të përpjekjeve drejt sigurisë së qëndrueshme për të mirën e të gjitha komuniteteve”, tha KFOR në njoftim.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Vizita e Costas në Kosovë – Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit

    Vizita e Costas në Kosovë – Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit

    Për shkak të vizitës që presidenti i Këshillit Evropian do të vizitojë sot Kosovën, Policia e vendit ka njoftuar se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    Në komunikatën e PK-së, bëhet e ditur se për të mundësuar qarkullim të lirë, policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore.

    “Me datën 14-15 maj 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë presidenti i Këshillit të Evropës, z. Antonio Luis Santos da Costa.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritete kompetente, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve të larta sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Presidentja Osmani përkujton masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan: Kosova nuk harron

    Presidentja Osmani përkujton masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan: Kosova nuk harron

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot masakrat e kryera nga regjimi serb në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, ku shumë civilë shqiptarë u vranë mizorisht.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar se këto krime të tmerrshme nuk do të harrohen nga populli i Kosovës.

    “Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb,” shkroi Osmani.

    Ajo përkujtoi numrin e viktimave në secilin vend: 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan, të cilët, siç theksoi ajo, “u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.”

    Postimi i plotë:

    Presidentja Osmani përkujton 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

    Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb.

    44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

    Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa drejtësia ende mungon.

    Le të jetë kjo ditë një thirrje për drejtësi.

    Kosova nuk harron!

  • ​Përfundon numërimi i votave brenda vendit në Shqipëri

    ​Përfundon numërimi i votave brenda vendit në Shqipëri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për votimin brenda territorit të Shqipërisë, në përputhje me afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

    Procesi ka përfshirë të gjitha subjektet zgjedhore, partitë politike dhe koalicionet në 12 qarqet e vendit.

    Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, numri i zgjedhësve në listën brenda vendit ishte 3.467.962, ndërkaq kanë votuar 1.458.251 zgjedhës – duke shënuar një pjesëmarrje prej 42.21%. Janë konsideruar të vlefshme 1.402.820 vota, ndërsa 55.334 vota janë shpallur të pavlefshme.

    Procesi i votave nga jashtë vendit vijon, raporton Atsh.

    Në vijim të përpunimit të rezultateve, KQZ njoftoi se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të zgjedhësve nga jashtë vendit është ende në vijim.

    Deri më tani janë numëruar dhe vlerësuar 75.414 fletë votimi nga gjithsej 194.889, që përbën rreth 39% të totalit të votave nga jashtë.

    Procesi i numërimit për votat nga jashtë ka përfunduar për qarkun Kukës.

    Ndërkohë, ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i votave për kandidatët me votim preferencial (të listës së hapur) në disa qarqe dhe zona të administrimit zgjedhor.

  • Thaçi ankohet për mangësi në aktakuzën ndaj tij kundër administrimit të drejtësisë

    Thaçi ankohet për mangësi në aktakuzën ndaj tij kundër administrimit të drejtësisë

    Ish-Presidenti Hashim Thaçi përmes mbrojtjes së tij të kryesuar nga avokatja Sophie Menegon ka parashtruar ankesë në Gjykatën Speciale në Hagë me arsyetimin se aktakuza ndaj tij për pengim të drejtësisë është e mangët dhe ka paqartësi.

    Sipas parashtrimit të 8 majit 2025, pika 1 dhe 3 e aktakuzës e ngarkon Thaçin me tentim për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare si veprime të përbashkëta të një grupi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Lidhur me këtë pikë, në parashtrimin e saj mbrojtja thotë se aktakuza është paqartë dhe nuk përmban detaje për faktet dhe materialet e pretenduara nga ZPS-ja.

    Në parashtrim theksohet se sipas aktakuzës, kjo vepër thuhet se është kryer duke iu referuar të paktën ndaj një personi zyrar i cili ka qenë duke i kryer detyrat zyrtare.

    Sipas mbrojtjes, neni 401 (2) parasheh pengimin e një zyrtari dhe nuk i referohet pengimit të një institucioni publik siç është ZPS-ja ose DhSK-ja.

    “Në rastet e vendosura nga gjykatat e Kosovës që përfshijnë nenin 401 (ose dy veprat penale të ngjashme përpara këtij neni), identifikohet një zyrtar individual që është penguar në kryerjen e një detyre. Pikërisht ky person zyrtar është viktima e veprës penale”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

    Mbrojtja thotë se aktakuza nuk jep askund identitetin e personit ose personave zyrtarë që pretendohet se Thaçi ka tentuar që t’i pengojë në përmbushjen e detyrave të tyre zyrtare.

    “Aktakuza thjesht pretendon se këta persona ishin “një gjyqtar, një prokuror, një zyrtar i gjykatës, zyrtar i prokurorisë ose një person i autorizuar nga gjykata dhe prokuroria”. Ky është thjesht një referim ndaj disa prej kategorive të viktimave që krijojnë një formë të rënduar të veprës penale sipas nenit 401 (5). Me fjalë të tjera, ZPS ka paraqitur vetëm elementët e neneve 401 (2) dhe (5). Nuk ka paraqitur asnjë fakt”, thuhet në parashtrim.

    Po ashtu, sipas mbrojtjes, identiteti i zyrtarëve publikë duhet të jetë fakt material dhe nëse ata nuk e dinë se cilin ose cilët zyrtarë pretendohet se i ka penguar Thaçi atëherë s’mund t’i përgjigjen akuzës.

    Ata thonë që jo veç që ZPS-ja ka dështuar që të specifikojë se cilët zyrtarë janë penguar dhe se cili ka qenë funksioni i tyre, por, sipas mbrojtjes, aktakuza nuk përmban asnjë detaj në lidhje me detyrat zyrtare të personave që pretendohet që janë penguar nga Thaçi.

    Veç kësaj, mbrojtja thotë se sipas aktakuzës veprat penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare të DhSK-së dhe ZPS-së dhe se nga kjo nxirret përfundimi se zyrtarët janë nga këto dy institucione.

    “Megjithatë, përtej kësaj, aktakuza nuk jep detaje. Lista e përmendur në paragrafin 23 të aktakuzës është mjaft e gjerë për të përfshirë çdo gjyqtar të DhSK-së, çdo prokuror të ZPS-së, çdo anëtar të stafit të ZPS-së dhe çdo anëtar të stafit të KSK-së (përfshirë Regjistrin ose Dhomat)”, thuhet në parashtrim.

    Mbrojtja thotë se aktakuza nuk përmban detaje as në lidhje me pengimin e zyrtarëve që pretendohet se është tentuar të bëhet nga Thaçi.

    “Ajo thjesht thotë se i akuzuari “bashkërendoi për të ndikuar dëshmitarët” por nuk shpjegon se si ndikimi ndaj dëshmitarëve do të kishte shkaktuar pengimin e një zyrtari publik. Në vendimet e mëparshme të DhSK-së, “pengim” është interpretuar të nënkuptojë “parandalim, pengim, vështirësim ose vonesë e lëvizjes, kalimit ose përparimit të diçkaje”. Mbrojtja rezervon qëndrimin e saj në lidhje me saktësinë e këtij interpretimi, i cili është një çështje që do të diskutohet në gjykim. Megjithatë, aktakuza nuk shpjegon se si ZPS pretendon se një plan për të kontaktuar dëshmitarët dhe për të “ndikuar” tek ta do të “parandalonte, pengonte, vështirësonte apo vononte” zyrtarët e DhSK-së apo ZPS-së në përmbushjen e detyrave të tyre”, thuhet tutje.

    Veç kësaj, mbrojtja pretendon se aktakuza nuk përmban detaje në lidhje me pretendimet për veprimet si një grup i përbashkët për të penguar punën e zyrtarëve.

    Sipas tyre, aktakuza identifikon tri grupe që pretendohet që kanë qenë të përfshira në kryerjen e krimit por që nuk shpjegon se cila ishte sjellja e Thaçit apo të tre grupeve që të përcaktohet si ‘veprim i përbashkët’.

    Krejt në fund, mbrojtja thotë se aktakuza nuk i siguron Thaçit informacionin minimal të nevojshëm që ai të kuptojë dhe t’i përgjigjet akuzave për pengimin e personave zyrtarë, të cilat akuza janë ngritur ndaj tij.

    Sipas mbrojtjes, këto akuza janë të mangëta dhe kërkon nga gjyqtarja e procedurës paraprake që të urdhërojë ZPS-në që ta ndryshojë aktakuzën në përputhje me mangësitë e identifikuara.

    Megjithatë, në rast që ZPS-ja nuk mund ta bëjë këtë, mbrojtja sugjeron si alternativë t’i hiqen Thaçit akuzat për pengim të personave zyrtarë.

    Ndryshe, më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konformimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që bie në bazë të nenit 32 (3) të KPRK-së që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në bazë të nenit 401 (3) dhe (5) të KPK-së. Ky vendim kishte ardhur pasi Apeli ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, ku është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Nga katër pika të ankesës së ZPS-së, u pranua vetëm ajo që kishte të bënte me përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Ndryshe, në këtë rast Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt me 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Pas protestës së OVL-UÇK-së, anulohet konferenca e Trendafilovës në Prishtinë

    Pas protestës së OVL-UÇK-së, anulohet konferenca e Trendafilovës në Prishtinë

    Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në një protestë paqësore në Prishtinë, ku pritej të mbahej konferenca e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova. Protestuesit u afruan pranë hyrjes së objektit ku ndodhej Trendafilova, duke filluar me fjalime dhe thirrje kundërshtuese, raporton ATV.

    Situata eskaloi pasi protestuesit hodhën fishekzjarre me tym të zi, ndërsa Policia urdhëroi mbylljen e dyerve të objektit për arsye sigurie. Fillimisht u raportua se konferenca ishte shtyrë përkohësisht, por më vonë u konfirmua se ajo është anuluar.

    “Mund të konfirmoj se ngjarja e sotme është anuluar për arsye të sigurisë publike dhe bazuar në këshillat e Policisë së Kosovës. Kjo është e tëra që mund të them për momentin, do të shohim më vonë për ndonjë informacion shtesë”, tha para gazetarëve zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep.

    Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët shprehën mbështetje për organizatat e dala nga lufta.

    Vizita e Trendafilovës, e cila po zhvillohet nga 12 deri më 14 maj në Kosovë, është shoqëruar me reagime të ashpra. OVL-UÇK, SHIL dhe SHFD e kanë quajtur këtë vizitë “të papranueshme dhe një fyerje të rëndë ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit”.

    Në reagimin e tyre theksohet se vizita po zhvillohet “nën një perde të trashë fshehtësie”, pa praninë e qytetarëve apo mediave, dhe përfaqëson mungesë transparence dhe përpjekje për të shmangur llogaridhënien. Po ashtu, ato kritikojnë Gjykatën Speciale për, siç thonë, heshtjen ndaj krimeve serbe mbi civilët shqiptarë.

    Organizatat i kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj vizite, dhe u kanë kërkuar qytetarëve dhe mediave të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe historisë së luftës për liri. /atvlive.tv

  • Veteranët e OVL-UÇK-së protestojnë rotestojnë kundër vizitës së kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova

    Veteranët e OVL-UÇK-së protestojnë rotestojnë kundër vizitës së kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova

    Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në një protestë paqësore para hotelit Sheraton në Prishtinë, ku pritet të mbahet konferenca e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, ndërkohë që protestuesit janë afruar pranë hyrjes së hotelit, Trendafilova ndodhet brenda objektit, raporton ATV.

    Rreth 15 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dalë pranë derës kryesore të hotelit për të monitoruar situatën, ndërsa protestuesit kanë filluar me fjalimet e tyre.

    Në mesin e tyre janë vërejtur edhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët kanë shprehur mbështetje për protestën.

    Vizita e Trendafilovës në Kosovë, e cila nisi më 12 maj dhe do të zgjasë deri më 14 maj, po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Policia ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, për të mundësuar lëvizjen dhe takimet e saj sipas agjendës.

    Megjithatë, kjo vizitë ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat e dala nga lufta, të cilat e kanë cilësuar “të papranueshme dhe fyese”. Në një deklaratë të përbashkët, OVL-UÇK, SHIL dhe SHFD kanë dënuar praninë e saj, duke e konsideruar si një nënvlerësim të sakrificës për liri dhe mungesë të transparencës.

    “Vizita e saj e mbyllur për qytetarët dhe mediat është shprehje e mungesës së llogaridhënies. Gjykata që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen si autoritet drejtësie në Kosovë. Kjo është hipokrizi e pastër,” thuhet në deklaratë.

    Organizatat kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të distancohen nga kjo vizitë dhe i kanë bërë thirrje opinionit publik, shoqatave të dala nga lufta dhe mediave të qëndrojnë në krah të
    së vërtetës dhe historisë. /atvlive.tv