ATV

Tag: Ballina

  • ​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

    ​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

    Numri i shkurorëzimeve në Kosovë ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë.

    Gjatë vitit 2025, janë raportuar dhe regjistruar gjithsej 2 mijë e 192 shkurorëzime që paraqet 46 raste më shumë sesa në vitin 2024 (ku ishin 2 mijë e 146 shkurorëzime) ose një rritje prej 2,1 përqind.

    Sipas komunës ku është regjistruar shkurorëzimi, numri më i madh i rasteve është evidentuar në Prizren me 192 shkurorëzime (8,8 përqind), pasuar nga Prishtina me 175 raste (8,0 përqind) dhe Peja me 163 raste (7,4 përqind), njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Sipas kohëzgjatjes së martesës, pjesa më e madhe e shkurorëzimeve i përkiste martesave që kishin zgjatur 5–9 vjet, me 627 raste, ose 28,6 përqind të numrit të përgjithshëm të shkurorëzimeve. Pas tyre renditen martesat me kohëzgjatje 10–14 vjet, me 297 raste, ose 13,5 përqind.

    Sipas grup-moshës, tek gratë numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në grup-moshën 25–29 vjeç, me 463 raste (21,1 përqind), ndërsa tek burrat në grup-moshën 30–34 vjeç, me 464 raste (21,2 përqind).

  • Rritet sërish çmimi i naftës

    Rritet sërish çmimi i naftës

    Ministria e Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi i naftës për sot është 1.44 euro për litër, duke shënuar rritje prej 1 centi krahasuar me ditën e djeshme, kur ishte 1.43 euro për litër.

    Ndërkaq, çmimi maksimal i benzinës është 1.37 euro për litër, ndërsa ai i gazit 0.61 euro për litër.

  • Kurti kthehet nga Greqia, merr pjesë në përvjetorin e KOSTT: Po hyjmë në një fazë të re të tranzicionit energjetik

    Kurti kthehet nga Greqia, merr pjesë në përvjetorin e KOSTT: Po hyjmë në një fazë të re të tranzicionit energjetik

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është kthyer në vend pasi mori pjesë në simpoziumin Symi në Greqi.

    Ai mori pjesë në shënimin e 20-vjetorin e themelimit të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT.

    Sipas njoftimit, Kurti lavdëroi punën 20-vjeçare të KOSTT’it, ndërsa foli për një “fazë të re” të tranzicionit energjetik në mes të thirrjeve të SHBA’së që Kosova të diversikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.

    “Në të njëjtën kohë, Kosova po hyn tash në një fazë të re të tranzicionit energjetik. Integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja solare dhe të erës, instalimi i sistemeve të baterive për akumulimin e energjisë, si dhe modernizimi e rindërtimi i kapaciteteve ekzistuese gjeneruese që sigurojnë furnizimin bazë, do ta transformojnë mënyrën se si prodhojmë, transmetojmë dhe konsumojmë energji”, tha ai.

    Kurti aty shtoi se KOSTT-i nuk është vetëm një rrjet linjash, transformatorësh dhe nënstacionesh, por se “KOSTT-i është, mbi të gjitha, një institucion i ndërtuar dhe i përparuar nga njerëzit e tij. Pra, nga shumë prej jush që punoni në KOSTT, dhe jeni në këtë ditë kremte këtu. Prandaj, në këtë përvjetor, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për KOSTT-in si organizatë e punëtorëve, për të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e KOSTT-it, inxhinierët, operatorët, teknikët dhe profesionistët e administratës, të cilët për 20 vjet kanë dhënë kontributin e tyre për funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Me nëntë vota për, KQZ e kaloi këtë pikë të rendit të ditës.

    Kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, tha se nga vendimet e fundit që i kanë pranuar nga Gjykata Supreme s’ka pasë “ndonjë obligim” për KQZ’në meqë të gjitha ankesat janë refuzuar dhe është hapur rruga për certifikimin e rezultatit.

    Më poshtë rezultati i partive:

  • Rezultatet e zgjedhjeve certifikohen sot, hapet rruga për formimin e institucioneve

    Rezultatet e zgjedhjeve certifikohen sot, hapet rruga për formimin e institucioneve

    Sot në orën 11:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta mbajë një mbledhje, në rendin e ditës të së cilës është edhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

    Certifikimit të rezultateve i hapi rrugë Gjykata Supreme, e cila dje i refuzoi si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat kishin të bënin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

    Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, brenda 30 ditësh duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

    Lëvizja Vetëvendosje tha të hënën se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se më pas do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e Presidentit. Mozgjedhja e Presidentit ishte shkaku që vendi mbajti në fillim të qershorit zgjedhjet e treta në rreth një vit e gjysmë.

    “Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

    Para rreth dy javësh, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një mbledhje të Qeverisë në detyrë e përmendi zgjedhjen e Presidentit pasi tha se duhet ta konstituojnë Kuvendin dhe ta formojnë qeverinë e re të vendit.

    “Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha ai.

    Pasi arsyeja e zgjedhjeve të fundit parlamentare ishte moszgjedhja e Presidentit, nga këtu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.

    “Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, ka thënë ai për Gazetën Express më 16 qershor.

    Ai thotë se Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri për kryeministër, duke qenë ushtruese e detyrës së Presidentit.

    Në aktgjykimin e fundit kur Kushtetuesja vendosi afatin për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

    Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thotë se me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit.

    “Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

  • Publikohen çmimet tavan të derivateve për sot, nafta më shtrenjtë se dje

    Publikohen çmimet tavan të derivateve për sot, nafta më shtrenjtë se dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimet tavan për derivate për sot.

    MINT njofton nafta do jetë me çmim 1.43 euro për litër.

    Benzina 1.36 euro për litër.

    Gazi 0.61 cent për litër.

    Nga MINT shtohet se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Mbyllet përkohësisht segmenti Brezovicë–Prevallë

    Mbyllet përkohësisht segmenti Brezovicë–Prevallë

    Qarkullimi në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë do të mbyllet përkohësisht më 9 korrik 2026, për shkak të punimeve për asfaltimin e rrugës rajonale R115 Fushë e Pajtimit–Prevallë.

    Sipas njoftimit për media, punimet po zhvillohen në kuadër të projektit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për 3 vite në vazhdim – Ferizaj 1”.

    Gjatë ditës së enjte, 9 korrik 2026, është planifikuar asfaltimi i një segmenti rrugor me gjatësi prej 1 mijë e 50 metrash, ndërsa për të mundësuar realizimin e punimeve në kushte të sigurta, do të bëhet mbyllja e përkohshme e qarkullimit.

    Mbyllja e segmentit Brezovicë–Prevallë do të jetë aktive nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

    “Ky kufizim i përkohshëm i qarkullimit është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik dhe të personelit të angazhuar në punime, si dhe për të siguruar realizimin cilësor të shtresës së asfaltit”, thuhet në njoftim.

    Autoritetet kanë bërë apel tek qytetarët që gjatë këtij intervali kohor të përdorin rrugë alternative, për të shmangur pengesat në qarkullim.

  • KQZ nesër certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ nesër certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të mërkurën do të bëjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

    “Të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, tha Elezi, raporton Klankosova.tv.

    Ai potencoi se kjo mbledhje u caktua pasi Gjykata Supreme vendosi mbi ankesat e paraqitura në këtë institucion.

  • Pas 5 vitesh drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë jep dorëheqje, përmend presionet

    Pas 5 vitesh drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë jep dorëheqje, përmend presionet

    Dr. Mimoza Berbatovci Ukimeraj ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtoreshës së Klinikës së Nefrologjisë, pas pesë vitesh në këtë detyrë.

    Përmes një njoftimi publik, ajo tha se vendimi është marrë pas një periudhe të gjatë sfidash në ushtrimin e funksionit.

    “Ju njoftoj që pas 5 viteve në detyrë, kam marrë vendim të jap dorëheqje nga posti i Drejtoreshës së Klinikës së Nefrologjisë”, ka shkruar Berbatovci Ukimeraj.

    Ajo theksoi se dorëheqja lidhet me mungesën e bashkëpunimit institucional dhe presionet me të cilat, sipas saj, është përballur gjatë mandatit.

    “Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë përpjekjesh për të ushtruar detyrën me profesionalizëm, integritet dhe transparencë, në rrethana të karakterizuara nga mungesa e bashkëpunimit institucional me strukturat udhëheqëse të SHSKUK-së dhe QKUK-së dhe nga presionet e vazhdueshme që kanë cenuar pavarësinë time profesionale”, thuhet në reagimin e saj.

    Sipas saj, kushtet e krijuara kanë pamundësuar ushtrimin normal të përgjegjësive që burojnë nga posti drejtues.

    “Kur këto parime mungojnë dhe kur krijohen kushte që pengojnë realizimin e përgjegjësive në interes të pacientëve, stafit dhe institucionit, dorëheqja bëhet një akt përgjegjësie dhe integriteti profesional dhe personal, e kurrsesi tërheqje nga përgjegjësia”, ka theksuar ajo.

    Në reagimin e saj, Berbatovci Ukimeraj ka renditur edhe projektet që, sipas saj, janë realizuar gjatë pesë viteve të mandatit, përfshirë funksionalizimin e Qendrës së Hemodializës në Rahovec, fillimin e shërbimit të hemodializës në Podujevë, matjen e niveleve të barnave imunosupresive, nisjen e shërbimit të plazmaferezës terapeutike dhe furnizimin me aparatura të reja të hemodializës.

    Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se disa projekte kanë mbetur në fazën përfundimtare ose në pritje të realizimit, si fillimi i biopsisë renale, funksionalizimi i mikroskopit për sedimentin urinar, renovimi i Shërbimit të Hemodializës dhe pranimi i aparatit PrisMax Flex.

    Në fund të njoftimit, ish-drejtoresha falënderoi stafin e Klinikës së Nefrologjisë për bashkëpunimin gjatë mandatit të saj.

    “Jam krenare për gjithçka që kemi arritur së bashku dhe besoj se këto projekte do të vazhdojnë deri në funksionalizimin e tyre të plotë, në interes të pacientëve dhe të sistemit shëndetësor të Kosovës”, përfundon deklarata e saj.

  • MPJD: Mos kaloni nëpër Serbi

    MPJD: Mos kaloni nëpër Serbi

    Ministria e Jashtme u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarëve që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që t`i përdorin rrugët alternative dhe ta shmangin kalimin përmes Serbisë.

    Sezoni i pushimeve ka shtuar ndjeshëm numrin e mërgimtarëve drejt Kosovës që kalojnë nëpër Serbi. Para pak ditësh autoritetet serbe arrestuan Osmam Selmanin nën dyshimet e Serbisë për krime lufte të pretenduara në vitin 1999.

    Nga kjo pikë kufitare kalojnë dhjetëra mijëra bashkatdhetarë tanë, viteve të fundit janë shënuar edhe incidente të shumta, që kryesisht kanë të bëjë me kontrolla më të zgjatura dhe marrja në pyetje.

    Vetëm Brenda dy viteve të fundit janë raportuar edhe arrestime që kryesisht lidhen me akuza mbi thyerjen e rendit kushtetues të republikës së Serbisë.

    Për këtë ka reaguar edhe avokati Arianit Koci, ai thotë se duhet pasur kujdes gjatë kalimit nëpër Serbi

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës apelon që mërgimtarët të përdorin rrugë alternative për ardhje në Kosovë.

    MPJD vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të përdorin rrugë alternative dhe të shmangin kalimin përmes Serbisë, duke pasur parasysh rastet e përsëritura të ndalimeve dhe arrestimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe.

    Sipas MPJD përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, monitoron dhe trajton çdo rast të raportuar nga qytetarët ose familjarët e tyre dhe njoftuar vazhdimisht delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi. /RTK