ATV

Tag: Ballina

  • MINT publikon çmimet tavan – Nafta pak më shtrenjtë

    MINT publikon çmimet tavan – Nafta pak më shtrenjtë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimet e naftës.

    Në njoftim bëhet e ditur se, nafta ka çmim prej 1.42 euro për litër.

    Benzina 1.36 për litër.

    Dhe gazi, 0.63 cent për litër.

    Nga MINT shtohet edhe se çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Kurti në Greqi, shihet në ceremoninë hapëse të simpoziumit Symi – ZKM s’njoftoi

    Kurti në Greqi, shihet në ceremoninë hapëse të simpoziumit Symi – ZKM s’njoftoi

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar në Greqi për simpoziumin e 28-të Symi.

    Sot u mbajt ceremonia hapëse e simpoziumit me temën “Zemërimi i Akilit dhe Paralajmërimi i Kasandrës: Fuqizimi i Demokracisë dhe Zbutja e Pushtetit”.

    Ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Miguel Angel Moratinos dhe ish-kryeministri i Tunizisë, Mehdi Jomaa mbajtën fjalime me këtë rast.

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka bërë ndonjë njoftim për udhëtimin e Kurtit për në Greqi.

  • Serwer pas vizitës në Kosovë: Kurti mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta

    Serwer pas vizitës në Kosovë: Kurti mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta

    Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins shkroi për vizitën e tij të fundit në Kosovë, ndërsa tha se kosovarët ishin më të interesuar ta dëgjonin vlerësimin e tij për Kosovën sesa për zhvillimet në Amerikë.

    Ai vlerëson se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të preferojë ta çojë Kosovën në zgjedhje të katërta, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve të reja.

    “Vendit iu desh të mbante tri zgjedhje në më pak se 16 muaj. Ai ende nuk ka një president të ri apo një qeveri me kompetenca të plota. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti – në pushtet që nga viti 2020 – ka mjaftueshëm ulëse, së bashku me përfaqësuesit e pakicave, për të siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend. Por për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave. Opozita e fragmentuar nuk është e gatshme t’i mbështesë kandidatët e propozuar nga Kurti. Nuk është e qartë nëse opozita mund të bjerë dakord për një kandidat të sajin. Po ashtu, nuk dihet nëse kryeministri do ta mbështeste një kandidat të opozitës nëse kjo do të ndodhte. Ai mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta”, shkroi ai në web-faqen e tij.

    Kjo, thotë Serwer, “do të rrezikonte zemërimin e elektoratit”.

    “Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte më e ulët, ashtu si edhe mbështetja për Kurtin. Popullsia dëshiron që politikanët të vazhdojnë me kryerjen e punës së tyre. Polarizimi po e bën këtë të vështirë”, shkruan ai.

    Serwer thotë se “opozita druhet se Kurti dëshiron ta ndryshojë Kushtetutën, e cila përfshin të drejta të pakicave që atij nuk i pëlqejnë”.

    “Ajo gjithashtu mendon se ai ka vepruar në mënyrë arrogante dhe madje antiamerikane ose autoritare në trajtimin e disa çështjeve. Kjo e bën kompromisin të vështirë”, shkruan Serwer.

  • Isufaj: Së shpejti finalizohen hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari

    Isufaj: Së shpejti finalizohen hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz më 1998 pritet të përfundojnë së shpejti.

    Në një konferencë për media të hënën, Kryeprokurori i Speciales tha se rasti është “i ndjeshëm dhe kërkon maturi”.

    “Hetimet në rastet që lidhen me lagjjen dhe familjen Jashari, së shpejti do të finalizohen”, tha Isufaj.

    “Hetimi do të përfundojë shumë shpejt, pastaj të shohim. Ky hetim është shumë sensitiv, shumë i ndjeshëm dhe kërkon maturi. Thjesht, ne po e bëjmë atë punë. Nuk mund të them asgjë më tepër, përveçse hetimi është në përfundim”, u shpreh Isufaj.

    Në një përmbledhje të punës së Prokurorisë Speciale në vitin e fundit, ai përmendi dy operacione të rëndësishme të zhvilluara për krimet e luftës.

    “Vlen të përmendet se këtë vit janë realizuar dy operacione të rëndësishme lidhur me krimet e luftës. Në këtë drejtim, në rastet që lidhen me Masakrën e Reçakut janë arrestuar pesë persona si të dyshuar për krime të luftës. Po ashtu, pesë persona janë arrestuar si të dyshuar për rastin e Syriganës në Skenderaj”, tha Isufaj.

    Masakra në familjen Jasharaj të Prekazit më 1998, është një nga krimet më të rënda të kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.

    55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.

  • VV: Për qeverinë i kemi votat, më pas duhet të gjejmë konsensus për Presidentin

    VV: Për qeverinë i kemi votat, më pas duhet të gjejmë konsensus për Presidentin

    Lëvizja Vetëvendosje tha se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit, proces që dështoi muaj më parë dhe e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

    “Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

    LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave apo 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh.

    Për zgjedhjen e Qeverisë kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash – pra LVV-ja do të mund ta formonte një ekzekutiv me përkrahjen e partive pakicë joserbe – të cilat e kanë mbështetur edhe ekzekutivin aktual.

    Megjithatë, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim në dy rundet e para të të paktën 80 deputetëve. Mospajtimet për zgjedhjen e presidentit çuan në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Sipas Nagavcit, LVV-ja do “të bëjë gjithçka” që është në mandatin e saj që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

    “Andaj, është e nevojshme që deputetët, të cilët kanë fituar besimin e qytetarëve, të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe ta zgjedhim presidentin/en, në mënyrë që ta tejkalojmë bllokadën në të cilën ndodhemi, të shmangim edhe një palë zgjedhje dhe të vazhdojë puna me kompetenca të plota në të gjitha institucionet”, shprehet Nagavci.

    Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që nga prilli, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar kushtetues. Ndërkohë, partitë janë në pritje të certifikimit të rezultateve për të nisur konsultimet për formimin e institucioneve të reja.

    Aktualisht, Gjykata Supreme po trajton disa ankesa dhe ka afat deri të martën që t’i shqyrtojë ato, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret vendimet e saj para se të vazhdojë me certifikimin e rezultateve.

    Duke folur për këto takime mes partive, Nagavci thekson se kreu i partisë, Albin Kurti do të udhëheqë këtë proces dhe do t’i zhvillojë ato “me synimin për të gjetur zgjidhjen më të mirë për tejkalimin e situatës”.

    “LVV-ja nuk është e gatshme për kompromis të gjerë politik”

    Por, politologu Dritëro Arifi e interpreton këtë qëndrim si shenjë se LVV-ja nuk është e gatshme për kompromis të gjerë politik.

    “Mendoj se nëse shkohet me këtë logjikën ku nuk ka asnjë negociatë mbi ndërtimin e diçkaje pozitive, rezultati do të jetë pak a shumë siç ka qenë vitin e kaluar. Pra, deklarata e Nagavcit është sinjali se ata nuk janë të gatshëm të bashkëqeverisin vetëm ta zgjedhin një president çfarëdo qoftë ai ose ajo. Pra i bie nën urdhrat e LVV-së”, thotë Arifi.

    LVV-ja kërkon që vendi të ketë një president konsensual dhe muaj më parë propozoi edhe dy figura nga shoqëria civile, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxha. Por, për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje me partitë opozitare, kandidaturat e LVV-së për president nuk arritën të merrnin votat e nevojshme.

    Lidhur me përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, Arifi thotë se deklarata e Nagavcit është “pa logjikë, pa përmbajtje, është puro politikë populliste”, teksa thekson se parti të ndryshme kanë dalë me kushte të caktuara për bashkëpunim me LVV-në e Kurtit.

    Cilat janë qëndrimet e partive?

    Radio Evropa e Lirë u ka dërguar pyetje Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhur me konsultimet për formimin e institucioneve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas zgjedhjeve deklaroi se fuqia e dytë më e madhe politike është e hapur për bisedime me të gjitha partitë, pa përjashtuar as LVV-në.

    “Mendoj se për të pasur institucione shpejt dhe të qëndrueshme, duhet të ketë marrëveshje politike qysh tash, ende pa filluar konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe pastaj zgjedhja e presidentit”, tha ai.

    Ditë më parë, ai tha se para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me partinë fituese.

    Nga LDK-ja – e cila në zgjedhje garoi me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente – janë vendosur disa parakushte për një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

    Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, në një intervistë dhënë së voni për Klan Kosovën, tha se orientimi strategjik, përfshirë gazin amerikan “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.

    Ai tha se duhet të flitet për projekte e parime qeverisëse si dhe për orientimin e Kosovës në katër vjetët e ardhshëm dhe më pas të mund të flitet për pozita.

    Abdixhiku tha se për partinë e tij, që të merret vesh për presidentin, jetike mbetet që fillimisht të merren vesh për orientimin që do të ketë shteti.

    “Para se të merremi vesh për presidentin, duhet të merremi vesh për orientimin e Kosovës, për politikat strategjike të sigurisë, për politikat zhvillimore dhe natyrën se si e zhvillojmë demokracinë në Kosovë”, tha ai.

    Ndërkaq, Aleanca ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve të reja.

    Kreu i kësaj partie, Adrian Gjini, ndër të tjera ka përmendur kushtin që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

    “Duke e kuptuar logjikën se si ka operuar kjo Qeveri, asnjë nga ato kushte zoti Kurti nuk do t’i marrë për bazë sepse ajo më pas është interferim në bashkëqeverisje. Këta nuk duan bashkëqeverisje po duan vetëm të merren vesh për presidentin”, thotë politologu Arifi duke komentuar kushtet e paraqitura nga partitë opozitare.

    Sipas tij, “nuk ka parti normale opozitare që ta japë mbështetjen bllanko për presidentin pa pasur transformim dhe ndryshim në politikat qeverisëse”.

    Qeveria në detyrë po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), të mbështetura nga SHBA-ja.

    Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.

    Politologu Dritëro Arifi thotë se çështja e gazit amerikan do të duhej të ishte një nga kushtet e partive për krijimin e institucioneve, sepse “vetëm Kosova po mbetet jashtë këtij projekti të madh të SHBA-së. Kjo duhet të jetë një nga pikat e rëndësishme, por jo e vetme”.

    Sipas tij, nëse partitë opozitare votojnë për presidentin dhe edhe nëse hipotetikisht LVV-ja pranon ta rishqyrtojë idenë e gazit amerikan “ju nuk keni garancione kushtetuese, ligjore që ata do ta mbajnë fjalën e dhënë. Në këto gjashtë vjet, ajo nuk e ka mbajtur asnjë premtim para dhe pas ardhjes në pushtet”.

    Nëse partitë nuk merren vesh për presidentin, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje. Ato do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.

    Sipas Arifit, nuk ka një klimë apo përpjekje për ndërtimin e një klime pozitive që vendi të dalë nga kjo bllokadë.

    Sipas rezultateve përfundimtare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44 për qind, apo 22 ulëse në zgjedhjet e 7 qershorit; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69 për qind, apo 18 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – që së voni ka vendosur të përdorë vetëm emrin Aleanca – 6.74 për qind, apo shtatë mandate. /REL

  • Dënohet me mbi 2 vjet burgim Aurona Pelaj për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë, lirohen dy të tjerat

    Dënohet me mbi 2 vjet burgim Aurona Pelaj për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë, lirohen dy të tjerat

    Gjykata ka shpallur vendimin në rastin e sulmit ndaj një të moshuare në një shtëpi të kujdesit për të moshuar, ngjarje e ndodhur në vitin 2022.

    Sipas vendimit të shpallur të hënën, Aurona Pelaj është shpallur fajtore dhe është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim për sulmin ndaj të moshuarës.

    Ndërkaq, të akuzuarat e tjera, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuçi, janë liruar nga akuza.

    Pas shpalljes së aktgjykimit, avokati i familjes së të moshuarës, Meshari Selimaj, tha se janë të kënaqur me dënimin e shqiptuar ndaj të pandehurës kryesore, por jo me vendimin për lirimin e dy të akuzuarave të tjera.

    “Jemi të kënaqur me vendimin për burgim ndaj të pandehurës kryesore, ndërsa sa i përket të pandehurës së dytë dhe të tretë, nuk jemi të kënaqur”, deklaroi Selimaj.

    Rasti kishte ngjallur reagime të shumta publike në vitin 2022, pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje që shfaqnin dhunën ndaj të moshuarës në një shtëpi të kujdesit për të moshuar.

  • Publikohet video gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë

    Publikohet video gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar videon gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë, në lidhje me një rrjet të pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i drogës.

    Policia informon se operacioni është realizuar në kuadër të një hetimi mbi pastrimin transnacional të të ardhurave të nxjerra nga trafikimi i drogës, i realizuar nga autoritetet italiane dhe franceze, të koordinuara nga Europol dhe Eurojust, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës.

    Video:

  • Fermerët e qumështit protestojnë në Prishtinë, derdhin qumësht para ministrisë

    Fermerët e qumështit protestojnë në Prishtinë, derdhin qumësht para ministrisë

    Fermerët kosovarë të qumështit kanë nisur protestën e paralajmëruar pranë Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave dhe gjendjes në sektorin e qumështit.

    Protestuesit kanë sjellë traktorë para objektit të ministrisë, ndërsa në shenjë revolte kanë derdhur qumësht në hyrje të institucionit dhe kanë larë me qumësht dritaret e objektit.

    Ata gjithashtu kanë tentuar të fusin qumësht edhe brenda ndërtesës së Ministrisë, por janë penguar.

    Gjatë protestës, fermerët kanë mbajtur pankarta me mesazhe si “Mos e dobësoni industrinë vendore!”, duke kërkuar nga institucionet mbështetje më të madhe për prodhuesit vendorë dhe masa konkrete për mbrojtjen e sektorit të qumështit.

    Vendimi për organizimin e protestës është marrë nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, e cila e ka cilësuar protestën si të domosdoshme pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat, situatë që, sipas tyre, rrezikon seriozisht ekzistencën e shumë prodhuesve vendorë.

    Protesta vjen edhe pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita” në Istog, pas një aksioni të autoriteteve.

    Përmes protestës, ata kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme për tejkalimin e krizës dhe kanë paraqitur tri kërkesa kryesore:

    -rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat;

    – publikimin urgjent të rezultateve të analizave, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi cilësinë e produkteve vendore;

    – rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, duke theksuar se ulja e çmimit po i çon shumë ferma drejt falimentimit.

    Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Telegrafi do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet.

  • ​Zgjidhen dy anëtarët e rinj të KGJK-së

    ​Zgjidhen dy anëtarët e rinj të KGJK-së

    Me 10 vota për, janë zgjedhur dy anëtarë të ri të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Vendin e zëvendëskryesueses së KGJK-së Arjeta Sadikut dhe gjyqtarit Fidan Hoxha, do ta zë Alban Maxhuni, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë- dega Vushtrri dhe Valentina Sopjani gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Në mbledhjen e KGJK-së, kryesuesi Rrustem Thaçi bëri të ditur se mandati i anëtarëve të rinj do të filloj nga data 8 korrik, ndërsa do përfundojë më 7 korrik 2031.

    “Me vota unanime certifikohet rezultati zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatave Themelore, Komerciale Dhomave të Shkallës së Parë dhe Gjykatave Administrative. Alban Maxhuni gjyqtarë mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dega Vushtrri, Valentina Sopjani gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Mandati i anëtarëve fillon nga data 8 korrik 2026, ndërsa përfundon më datë 7 korrik 2031. Vendimi hyn në fuqi me datë 6 korrik”, tha Thaçi. /KP/

  • Publikohet çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Publikohet çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë është 1 euro e 41 centë, ndërsa benzina 1 euro e 36 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.64 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.