ATV

Tag: Ballina

  • Policia e Kosovës në Konferencën e DEA-s në SHBA: Me amerikanët diskutuam për profesionalizmin në bashkëpunimin ndërkombëtar

    Policia e Kosovës në Konferencën e DEA-s në SHBA: Me amerikanët diskutuam për profesionalizmin në bashkëpunimin ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën e 39-të Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (IDEC), të mbajtur në Nashville, Tennessee, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një njoftim, Policia tha se nga 28 deri më 28 gusht, mori pjesë në këtë ngjarje “me mbështetjen dhe koordinimin e Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnim në Hetimet Penale të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së (DOJ-ICITAP) dhe zyrës së Administratës për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (DEA) në Athinë”.

    “Përfaqësues i Policisë së Kosovës ishte z. Reshat Murseli, Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), dhe tre anëtarë të ekipit të tij hetimor. Pjesëmarrja e tyre u bë e mundur nëpërmjet mbështetjes së vazhdueshme të ICITAP, Ekipit të DEA-s në Athinë, dhe në partneritet me Ambasadën e SHBA-së në Pristinë dhe Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), ndihma e së cilës ka qenë instrumentale në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia e Kosovës tha se në këtë konferencë ku u mblodhën zyrtarë të lartë nga mbi 130 vende, u adresuan kërcënime globale lidhur me disa çështje.

    “Me temën “Uniteti Global për një të Ardhme më të Sigurt: Forcimi i Aleancave Kundër Krimit Transnacional”, konferenca mblodhi së bashku zyrtarë të lartë nga mbi 130 vende. Pjesëmarrësit adresuan kërcënimet globale në zhvillim për drogat sintetike, qarkullimi i paligjshëm financiar dhe sfidat më të gjera të krimit të organizuar transnacional”.

    Gjatë konferencës, Policia tha se “delegacioni i Kosovës u takua me Administratorin e DEA-s, z. Terrance Cole, dhe ata diskutuan profesionalizmin dhe rolin në rritje të Policisë së Kosovës në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar lidhur me sigurinë”.

    “Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në luftën kundër narkotikëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar”.

    “Përveç kësaj, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës u angazhuan në diskutime me homologë nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, duke shqyrtuar mundësitë për bashkëpunim më të thellë, në shkëmbim te informatave, praktikat më të mira dhe përpjekjet e përbashkëta operative për të luftuar trafikimin global të drogës”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës thotë se mbetet “fort e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në zbatim të ligjit dhe shpreh mirënjohje të thellë ndaj DOJ-ICITAP, INL dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtina për mbështetjen e tyre të palëkundur në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të qëndrueshme”./ATVLIVE/

  • Arti në zi: Shuhet aktori i madh Enver Petrovci

    Arti në zi: Shuhet aktori i madh Enver Petrovci

    Ka ndërruar jetë aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Enver Petrovci, një nga figurat më të rëndësishme të skenës dhe ekranit shqiptar, transmeton “ATV”.
    Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Hapat e parë në aktrim i mori në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa studimet universitare për art dramatik i përfundoi në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd.
    Karriera e tij përfshin dhjetëra role në teatër, film dhe televizion, ku spikat interpretimi i fuqishëm dhe aftësia për të mishëruar karaktere të ndryshme. Përveç aktrimit, Petrovci ka lënë gjurmë edhe si regjisor dhe dramaturg, duke sjellë vepra të rëndësishme në skenë. Ai është gjithashtu autor i disa librave dhe dramave që kanë pasuruar letërsinë shqipe.
    Pas viteve 90-të, Petrovci e zhvendosi karrierën në trojet shqiptare, ku u angazhua si aktor, regjisor dhe pedagog.
    Enver Petrovci është themelues i disa institucioneve kulturore në Kosovë, ndër to edhe “Akademia e Arteve në Prishtinë” e “Teatri i Babës” ku ka dhënë një kontribut të madh në formimin e gjeneratave të reja të artistëve.
    Me punën e tij të pandalshme dhe përkushtimin ndaj artit, Petrovci ka fituar respekt të gjerë si në Kosovë ashtu edhe në mbarë hapësirën shqiptare. Ai konsiderohet një ikonë e kulturës dhe një personalitet që ka ndikuar në ngritjen dhe zhvillimin e skenës artistike shqiptare ndër dekada.

  • John Duncan, ish-këshilltari i Wesley Clark, dëshmitari i tretë pro Thaçit në Hagë

    John Duncan, ish-këshilltari i Wesley Clark, dëshmitari i tretë pro Thaçit në Hagë

    John Duncan, britanik, ish-këshilltar i Wesley Clark, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale të Hagës.

    Ai do të dëshmojë pro-Thaçit.

    Duncan është diplomat për 38 vite, dhe gjatë kohës 1998-2002 kishte qenë këshilltar i komandantit të NATO-s, Wesley Clark.

    Ai vjen në Hagë pas dëshmisë së ish-ndihmësit të Sekretarit të Shtetit dhe zëdhënësit të Madeleine Albright, James Rubin, si dhe Paul Williams, ish-këshilltar i Kosovës në Rambuje.

    Dëshmia e tij pritet të zgjasë tri ditë.

    Dy dëshmitarët e parë kanë qenë James Rubin dhe Paul Williams.

    “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale” do të jetë një prej akuzave e cila pritet të goditet në vazhdimësi nga avokatët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.

    Duke qenë se mbetet një prej pretendimeve më të rënda të Prokurorisë së Specializuar ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, edhe dy dëshmitarët e parë të mbrojtjes, në fokus patën strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kryesisht me pyetje nga gjyqtarët të cilët kishin për synim të merrnin informacione të detajizuara për strukturën e organizimin e UÇK-së.

    James Rubin, ish-asistenti i sekretares Albright, u pyet për funksionimin e UÇK-së. E ai, theksoi se brenda UÇK-së nuk ka pasur batalione e brigada, apo njësi.

    “Nuk ka pasur batalione, brigada, apo njësi në UÇK. Nuk ka ekzistuar nga pikëpamja ushtarake ky lloj organizimi. Asnjëherë nuk më bëri të mendoj se organizojnë gjëra të tilla”, tha Rubin, raporton Nacionale.

    Gjyqtarët e pyetën Rubinin nëse UÇK-ja kishte apo jo polici ushtarake. E Rubin, deklaroi se shumë prej ushtarëve nuk kishin as uniforma.

    “E di që kishin uniforma, disa kishin, disa nuk kishin. Ne nuk i konsideronim ata si polici ushtarake. Komandant të brigadave, apo shtab të përgjithshëm. Ne nuk kemi parë”, tha ai më tutje gjatë dëshmisë së tij 3-ditore në Hagë.

    Rubin u pyet edhe për çështjen e komunikatave të UÇK-së, të cilat gjithashtu, janë përmendur shpesh qysh nga nisja e gjykimit. Diplomati i njohur theksoi se komunikatat kanë qenë veç mjete për manipulim.

    “Kam lexuar shpesh, i kam konsideruar përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se nga ishte në realitet. Ishin veç manipulime”, tha Rubin më tutje.

    Gjyqtarët insistuan me pyetje, duke theksuar se si Rubin e kishte vërejtur se UÇK-ja nuk kishte organizim të duhur. Rubin u përgjigj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur strukturë formale ushtarake, por ka qenë e krijuar më shumë në grupe e klane.

    “Unë kam pasur shumë autoritet, nga sekretarja e shtetit. Dhe nëse do kërkoja këtë informacion nuk do ma mohonte askush. Unë kam parë shumë materiale, kam rishikuar, dhe këtë që po përshkruani do të ishin informacione prej zbulimit, dhe do të jem shumë i kujdesshëm. Nuk kam parë asnjë dokument që të përshkruante ndonjë analizë të strukturës, nuk po them që nuk ka ekzistuar fare strukturë, por kishin më shumë grupe, klane, por jo strukturë formale ushtarake. Nëse do të kishte ekzistuar informacion i tillë, analizë e aftësisë ushtarake, ky informacion do të ishte inteligjence që unë do ta kisha ditur”, tha Rubin gjatë dëshmisë në Hagë.

    Për strukturën e UÇK-së foli edhe ish-këshilltari i ekipit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams. Ai tha se struktura ishte e organizuar në formë rurale, e jo në rregulla.

    “Nuk kam qenë në dijeni të kësaj dhe do të isha habitur shumë nëse do të kishte ekzistuar diçka me shkrim dhe është një strukturë mbi baza rurale dhe nuk iu vjen në mendje mendoj ky nivel ndërveprimi dhe do të kishte qenë shumë më normatve, kulturore më shumë autoritet dhe më pak e bazuar në rregulla”, tha dëshmitari.

    Si rezultat, ai tha se ishte krejt e qartë, që komandantët duhej të bëheshin pjesë e procesit në Rambuje.

    “U bë e qartë si drita e diellit se komandantët e zonës duheshin të bëheshin pjesë e procesit”, u shpreh Williams.

  • Osmani ia thekson sekretarit të Ligës Arabe nevojën për mbështetje në procesit e njohjes së Kosovës

    Osmani ia thekson sekretarit të Ligës Arabe nevojën për mbështetje në procesit e njohjes së Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në New York të dielën me sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, të cilit ia ka theksuar nevojën për mbështetjen e procesit të njohjes së Kosovës.

    “Në NeW York, zhvillova një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Ligës Arabe, si dhe nevojën për mbështetje në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap”, ka shkruar Osmani në Facebook. /ATVLIVE/

  • Mbretëria e Bashkuar dhe Australia njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës

    Mbretëria e Bashkuar dhe Australia njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës

    Menjëherë pas njohjes së Palestinës nga Kanadaja, dhe Mbretëria e Bashkuar, edhe Australia ka ndjekur shembullin.

    Në një deklaratë, kryeministri Anthony Albanese thotë se “Australia njeh aspiratat legjitime dhe të kahershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin”.

    Ai thotë se kjo vjen paralelisht me Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar që po bëjnë të njëjtën gjë.

    Letra e Albanese vazhdon: “Presidenti i Autoritetit Palestinez ka ripohuar njohjen e së drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe ka dhënë angazhime të drejtpërdrejta ndaj Australisë, duke përfshirë angazhimet për të mbajtur zgjedhje demokratike dhe për të miratuar reforma të rëndësishme në financa, qeverisje dhe arsim.

    “Organizata terroriste Hamas nuk duhet të ketë asnjë rol në Palestinë”.

  • Çitaku: Zgjedhjet e reja të pashmangshme, pritet të mbahen në fund të vitit 2025

    Çitaku: Zgjedhjet e reja të pashmangshme, pritet të mbahen në fund të vitit 2025

    Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka deklaruar se zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme dhe sipas saj mund të mbahen kah fundi i vitit 2025.

    Në një intervistë për KosovaPress, Çitaku tha se kriza aktuale politike nuk mund të zgjidhet ndryshe, por paraprakisht duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për hapat që duhen ndërmarrë nga Kuvendi i Kosovës. Ajo shtoi se teknikisht është e pamundur që zgjedhjet të mbahen para përfundimit të balotazhit të zgjedhjeve lokale të tetorit.

    “Zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj pa institucione, por edhe vite të tëra, duke vendosur popullizmin para qeverisjes së përgjegjshme dhe duke zgjedhur konfrontimin në vend të koordinimit me aleatët”, tha Çitaku.

    Kosova vazhdon të mos ketë institucione funksionale edhe tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke u ndaluar deputetëve të ndërmarrin hapa për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit.

    Çitaku gjithashtu komentoi edhe procesin e konstituimit të Kuvendit, duke kujtuar se pavarësisht zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve, posti i nënkryetarit nga komuniteti serb mbeti vakant. Ajo tha se rregullorja e miratuar nga legjislatura e kaluar – kur Vetëvendosje kishte shumicën – parashikon votimin në pako të nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë, dhe se kjo nuk nënkupton kushtëzim apo veto të Listës Serbe.

    Në lidhje me zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Çitaku shprehu bindjen se PDK-ja do të ruajë komunat që aktualisht udhëheq, duke paralajmëruar edhe fitore në komuna të tjera, përfshirë Prishtinën.

    Ajo u bëri thirrje të rinjve të ndjekin me vëmendje dëshminë e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

  • Zbulohet plantacion i kanabisit në Dumnicë të Podujevës – 4 të arrestuar

    Zbulohet plantacion i kanabisit në Dumnicë të Podujevës – 4 të arrestuar

    Një rast i kultivimit të bimëve narkotike është zbuluar pasditen e së shtunës në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës.

    Gazeta Sinjali raporton se rreth orës 17:30, policia në bashkëpunim me DHTN Prishtinë dhe Prokurorin e Shtetit ka bastisur pronën e M. B rreth 52-vjeçar, ku ka hasur në një sipërfaqe prej rreth 1 hektari të mbjellë me misër dhe bimë të kanabisit.

    Në vendin e ngjarjes janë arrestuar katër persona: M. B. rreth 52-vjeçar dhe i biri D. B. rreth 26-vjeçar, si dhe dy shtetas të Shqipërisë, Xh. Xh rreth 33-vjeçar dhe K.S. rreth 16-vjeçar. Njëri prej tyre, Xh, u kap duke fjetur në ara dhe tentoi të ikte, por u arrestua dhe u dërgua në QKMF Podujevë për trajtim të lëndimeve të lehta.

    Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa për të miturin ka qenë i pranishëm edhe punëtori social.

    Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, tre të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri me vendim të Prokurores për të Mitur, është ndaluar për 24 orë.

    Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • Osmani e nis vizitën në SHBA në takim me mërgatën

    Osmani e nis vizitën në SHBA në takim me mërgatën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur vizitën në SHBA me një takim me mërgatën tonë në Waterbury, Connecticut.

    E para e vendit ka falëndëruar për mikpritjen dhe dashurinë që mbajnë gjithmonë për vendlindjen.

    “Mirënjohje të veçantë për Shoqatën “Hasan Prishtina” dhe për bashkëkombësit tanë për pjesëmarrjen”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

  • DASh publikon raportin për transparencën fiskale për vitin 2025, Kosova në mesin e 71 vendeve që përmbushin standardet minimale

    DASh publikon raportin për transparencën fiskale për vitin 2025, Kosova në mesin e 71 vendeve që përmbushin standardet minimale

    Departamenti i Shtetit ka publikuar sot raportin për transparencën fiskale për vitin 2025, ku Shqipëria renditet mes 71 vendeve që përmbushin standardet.

    DASH deklaron se nga 139 vende dhe Autoriteti Palestinez të vlerësuara, 71 qeveri rezultojnë se përmbushin kërkesat minimale, ndërsa 69 nuk arritën të plotësonin kriteret.

    Kosovs së bashku me disa vende të tjera, ka siguruar transparencë në dokumentet buxhetore, kontratat dhe licencat publike, duke përmbushur standardet në lidhje me publikimin, përmbajtjen dhe besueshmërinë e tyre, thuhet në raportin e DASH.

    Sakaq, vendet që përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale përfshihen edhe Brazili, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Izraeli, Turqia, Portugalia, Rumania, Afrika e Jugut, India etj.

    “Departamenti arriti në përfundimin se, nga 139 vendet (dhe Autoriteti Palestinez) të vlerësuara, 71 qeveri përmbushën kërkesat minimale të transparencës fiskale dhe 69 nuk i përmbushën kërkesat minimale. Megjithatë, nga këto 69, 26 bënë përparim të konsiderueshëm drejt përmbushjes së kërkesave minimale të transparencës fiskale.

    “Departamenti vlerësoi qeveritë e mëposhtme si qeveri që përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025: Shqipëria, Argjentina, Armenia, Bahamas, Benini, Bosnja dhe Hercegovina, Botsvana, Brazili, Bullgaria, Burkina Faso, Kepi i Gjelbër, Kili, Kolumbia, Komoret, Kosta Rika, Bregu i Fildishtë, Kroacia, Çekia, Estonia, Fixhi, Gjeorgjia, Gana, Greqia, Guatemala, Guajana, Hondurasi, Hungaria, India, Indonezia, Izraeli, Xhamajka, Jordania, Kazakistani, Kenia, Kosova, Republika e Kirgistanit, Letonia, Lituania, Malajzia, Malta, Mauritiusi, Meksika, Mikronezia (Shtetet e Federuara), Moldavia, Mali i Zi, Maroku, Namibia, Nepali, Maqedonia e Veriut, Panamaja, Paraguai, Peruja, Filipinet, Polonia, Portugalia, Rumania, Ruanda, Serbia, Sejshelet, Singapori, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Sri Lanka, Tailanda, Timori Lindor, Trinidad dhe Tobago, Tunizia, Turqia, Uganda dhe Uruguai.

    Departamenti vlerësoi se sa vijon nuk i përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025, dhe tabela më poshtë identifikon nëse secila prej tyre ka bërë përparim të rëndësishëm drejt përmbushjes së këtyre kërkesave’, teksohet ndër të tjera në raport.

  • Gjeneral Kingji: Kosova mbetet për Shqipërinë një çështje parësore e interesit strategjik kombëtar

    Gjeneral Kingji: Kosova mbetet për Shqipërinë një çështje parësore e interesit strategjik kombëtar

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant, Arben Kingji, ka vlerësuar nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe FSK-së gjatë një takimi me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

    Kingji tha se është shprehur përkushtimi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, ku së shpejti pritet të finalizohet plani trevjeçar në këtë drejtim.

    Ai theksoi se politika e dyerve të hapura mbetet parimi themelor i kësaj nisme dhe se anëtarësimi i Kosovës, i merituar dhe tashmë i vonuar, do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

    “Kosova mbetet për Shqipërinë një çështje parësore e interesit strategjik kombëtar, dhe si e tillë është gjithmonë temë diskutimi në çdo takim, forum apo nismë rajonale ku përfaqësohet vendi ynë”, shkroi ai mes të tjerash./ATVLIVE/