ATV

Tag: Ballina

  • Osmani në Fox News: Trump na ka ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimeve, majin e kaluar patëm një përpjekje nga Serbia

    Osmani në Fox News: Trump na ka ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimeve, majin e kaluar patëm një përpjekje nga Serbia

    Presidentja Vjosa Osmani e cila po qëndron në ShBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka dhënë një intervistë për televizionin republikan Fox News, ku ka lavdëruar raportet e mira në mes të SHBA-së dhe Kosovës.

    Osmani thotë se 95% e popullit Kosovar, është pro-amerikan që ‘beson në lidershipin amerikan’.

    “Që prej vitit 1999 kur ushtarët amerikanë erdhën për të ruajtur jetët tona. Sot ekzistojmë të lirë dhe si shtet Sovran falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse Amerika nuk qëndroi mënjanë dhe nuk mbylli njërin sy në përpjekjen tonë për të mbijetuar derisa po përjetonim gjenocid por erdhi që të na shpëtojë dhe të na jap të drejtën që të jemi të lirë. Sot, 95% e popullit tonë janë pro-amerikan dhe që besojnë në lidershipin amerikan dhe ne vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – thotë Osmani në Fox News.

    Ajo ka thënë se Kosova ka telashe me fqinjin e saj Serbinë, e cila kohë pas kohe, shkakton tensione.

    “Ne kemi një fqinj që shkakton probleme kohë pas kohe. Në të kaluarën, Serbia ka shkaktuar një numër konfliktesh në Ballkanin Perëndimor sepse udhëhiqej nga ‘Kasapi i Ballkanit’ – Millosheviq. Ka ende njerëz në lidershipin serb që dëshirojnë të kthehen në të kaluarën derisa ne shikojmë drejt së ardhmes”, ka thënë Osmani.

    Presidentja Osmani edhe një herë ka përmendur një rast të muajit maj të këtij viti, ku thotë se Administrata Trump parandaloi eskalimin e mundshëm të situatës.

    “Presidenti Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes dhe në një paqe të qëndrueshme. Në shtator të vitit 2023, kishte një agresion serb kundër Republikës së Kosovës. Ne e menaxhuam situatën me ndihmën e aleatëve tonë, derisa mbetet një kërcënim i vazhdueshëm që na vjen nga Serbia. Në maj po ashtu kishte një përpjekje për ngritje tensionesh dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar eskalimin”, tha Osmani në Fox News, në lidhëzën e intervistës, që ka shpërndarë edhe vetë.

  • “Hahaha, ne ishim në luftë, jo në hotel me 5 yje”: Dëshmitari ironizon pyetjen e prokurorit për disa rroba të ushtarëve të UÇK-së

    “Hahaha, ne ishim në luftë, jo në hotel me 5 yje”: Dëshmitari ironizon pyetjen e prokurorit për disa rroba të ushtarëve të UÇK-së

    Në një tjetër seancë të zhvilluar në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka ngritur një tjetër pyetje që është pritur me habi dhe ironi nga vëzhguesit diplomatikë dhe vetë dëshmitari në sallë.

    Ish-këshilltari i Clark, John Duncan u pyet për disa rroba të ushtarëve të UÇK-së, që ishin të njëjta për 3 ditë me radhë.

    “Dëshmitar e shohim zotëriun e njëjtë duke veshur të njëjtën bluzë, në atë që ju thoni është data 19. Në fakt të gjithë kanë veshur rrobat e njëjta në tri pjesët filmike. A mund të shpjegoni, a po dërgonin të gjithë sinjale optike?”, pyeti prokurori.

    “Haha. Le të jemi të sinqertë me atë që po ndodhte. Ne jemi në zone lufte, nuk mbajmë rroba të ndryshme me vete. Ishte erë beteje, shumica e njerëzve e kishin me vete, nuk ishim duke udhëtuar në hotel me 5 yje, normalisht që njerëzit do të mbanin rrobat më shumë se një ditë”.

    “Nuk e shoh nëse ka ndodnjë problem që njerëzit kanë rrobat e njëjta. Dhe ka pasur mundësi të lahen më 18, brenda dy diskutimeve”, u përgjigj John Duncan.

  • Duncan pyetet për Xhavit Halitin: Kemi hyrë në një zonë të ndjeshme, ky person kishte interes të veçantë për ne

    Duncan pyetet për Xhavit Halitin: Kemi hyrë në një zonë të ndjeshme, ky person kishte interes të veçantë për ne

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëshminë e John Duncan.

    Në fillim të dëshmisë, atij i është lëshuar një video e një takimi që ishte mbajtur në mes komandantëve të zonave dhe persona të tjerë nga UÇK-ja ku zhvilloheshin negociatat për Marrëveshjen e Demilitarizimit.

    Në pamje është shfaqur Xhavit Haliti, teksa dëshmitari është pyetur se a e njeh këtë person.

    “Zotëri kryegjykatës jemi futur në një pjesë të ndjeshme. Unë e di kush është ky zotëri. Ai ishte një person me interes të veçantë për ne, por nuk jam i sigurtë nëse jam i përgatitur ose i gatshëm të tregoj se kush është ky person”, tha Duncan.

    “Ky nuk është personi që mua më kanë thënë që ka qenë Xhavit Haliti në Tiranë, në takimin në Tiranë”, vazhdoi tutje ai.

    I pyetur se a e di se a ka qenë komandant zone Haliti, dëshmitari Duncan kërkoi që të kalohet në seancë private.

  • Formimi i qeverisë së re, Kurti nuk tregon nëse ka siguruar votat

    Formimi i qeverisë së re, Kurti nuk tregon nëse ka siguruar votat

    Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka siguruar votat për formimin e qeverisë së re.

    Kurti pasi përuroi Poliklinikën Specialistike në Podujevë nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve se ka pasur ndonjë takim me liderët e partive parlamentare për të siguruar shumicën parlamentare.

    Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
    Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

    Ankesa e tyre erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
    Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
    Kësisoj deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur kryetarin, Dimal Basha si dhe katër nënkryetarë, por jo edhe nënkryetarin nga komuniteti serb. Përkundër kësaj, kryeparlamentari Basha ka mbyllur seancën konstituive.

  • Osmani takohet me Ruge: Kosova e përkushtuar për anëtarësim në NATO

    Osmani takohet me Ruge: Kosova e përkushtuar për anëtarësim në NATO

    Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani po vazhdon takime me përfaqësues të lartë në ShBA.

    Osmani ka shkruar se në Nju Jork është takuar me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge, për çka tha se gjatë këtij takimi ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

    “Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, ka shkruar ajo.

     

  • Aksident me fatalitet, dy të vdekur në Zajm të Klinës

    Aksident me fatalitet, dy të vdekur në Zajm të Klinës

    Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur në rrugën Pejë-Prishtinë.

    Aksidenti ka konkretisht në Zajm të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit, ndërsa kanë qenë të përfshirë një kamion transportues, një kombi dhe një veturë.

    “Dy të lënduarit po trajtohen në spitalin rajonal të Pejës”, konfirmoi Gashi.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon John Duncan

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon John Duncan

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëshminë e John Duncan.

    Duncan, dje theksoi se gjatë kohës sa ka shërbyer në Kosovë nuk ka pasur asnjë dëshmi për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së sipas kuptimit ushtarak, duke shtuar se një gjë e tillë e ka dëgjuar vetëm në deklarata politike.

    “Në kohën që kam qenë atje nuk kam pasur asnjë dëshmi që të ekzistojë një Shtab i Përgjithshëm sipas kuptimësisë nga pikëpamja ushtarake. Gjatë kohës time unë kam dëgjuar që të përmendet Shtabi i Përgjithshëm, por këtë në deklarata politike kryesisht”, tha Duncan.

    Ai tutje tha se përveç kësaj, nga aktakuza e ka kuptuar që një organ i tillë pretendohet se ka ekzistuar që nga vitet e ’90-ta.

    “Nga aktakuza kam kuptuar që është krijuar në mes të viteve ’90-të, kur UÇK-ja ishte një organizatë tejet e ndryshme dhe shumë e vogël dhe po dëshironin që t’i jepnin tituj të mëdhenj”, shtoi ai.

    I pyetur nga prokuroria për ish-figurat e UÇK-së Azem Syla dhe Sokol Bashota dhe nëse i njeh ata, ai tha se për të parin është emër që e ka dëgjuar, derisa për të dytin që nuk është mirë me kujtesën e emrave.

    Kur prokurori Matt Halling i tha se çka nëse i thuhet se Azem Syla ka qenë ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe Sokol Bashota ish-zëvendëskomandant, dëshmitari Duncan tha se emrat i ka të dëgjuar, por tha se nuk i mban mend as emrat e Zonave Operative siç janë ndarë në UÇK.

    Dëshmitari theksoi se nuk kishte parë asnjë komunikatë të UÇK-së që të përmendte ekzekutime ose likuidime ndaj “kolaboracionistëve” apo “tradhtarëve të kombit”.

    Megjithatë, dëshmitari pranoi se kishte hasur shpesh komunikata të tjera të UÇK-së, të cilat i merrte përmes GDOM-it, Kryqit të Kuq ndërkombëtar ose shtypit, dhe se shumica përcillnin mesazhin se UÇK-ja ishte një organizatë e mirëstrukturuar dhe e ardhmja e Kosovës.

  • Kurti për dëshminë e Rubin-it në Hagë: Shpresojmë për më të mirën, qëndrimi im për Specialen s’ka ndryshuar

    Kurti për dëshminë e Rubin-it në Hagë: Shpresojmë për më të mirën, qëndrimi im për Specialen s’ka ndryshuar

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për dëshminë e dhënë nga James Rubin, ish-ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit, në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Ai ka thënë se e ka dëgjuar dëshminë e Rubinit për aq sa ka mundur, duke lënë të kuptohet se nuk ka arritur ta dëgjoj të tërën.“Mbrojtja është përcaktuar për një orientim të veçantë. Roli ynë është i kufizuar. Ne kemi dhënë mbështetjen financiare në mënyrë të pandërprerë dhe shpresojmë për më të mirën”– ka deklaruar Kurti.

    Ai ka shtuar se qëndrimi i tij për Specialen nuk ka ndryshuar.“Qëndrimi im për Gjykatën Speciale është i njëjti- prej fillimit” – tha ai.“Duhet të presim ecjen e këtij procesi pa dhënë ne vlerësime politike. Edhe një herë po e theksoj se qëndrimi im për Gjykatën Speciale nuk ka ndryshu asnjëherë” – shtoi ai kur u pyet për atë se Adem Demaçi po përmendet si kryesori gjatë luftës dhe se ai ka qenë bashkëpunëtor i tij.

  • Franca e zyrtarizon njohjen ndaj Palestinës

    Franca e zyrtarizon njohjen ndaj Palestinës

    Siç pritej, Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmuar njohjen e shtetit palestinez.

    Franca iu bashkua një vale vendesh që e kanë bërë këtë në javët e fundit.

    Përpara se të njoftonte njohjen e shtetit palestinez nga Franca, Macron i tha OKB-së se ka ardhur koha për të ndaluar luftën në Gaza dhe për të liruar 48 pengjet e mbetura të mbajtura nga Hamasi.

    Ai thotë se bota është vetëm pak çaste larg nga të qenit më në gjendje të arrijë paqen dhe shton: “Nuk mund të presim më.”

    Macron dënon sulmet e 7 tetorit dhe thotë se dëshiron të shohë paqe në rajon të krijuar duke pasur dy shtete që jetojnë krah për krah.

    “Asgjë nuk e justifikon luftën e vazhdueshme”, thotë Macron, duke shtuar se “gjithçka na detyron” ta çojmë atë në një fund përfundimtar.

  • Murati: Kosova ndër vendet më të sigurta për të jetuar, kjo pasqyrohet në raportin më të fundit nga Gallup

    Murati: Kosova ndër vendet më të sigurta për të jetuar, kjo pasqyrohet në raportin më të fundit nga Gallup

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në Faceobok ka shkruar se Kosova është ndër vendet më të sigurta për të jetuar, dhe kjo pasqyrohet edhe në raportin më të fundit nga instituti Gallup.

    Ai në këtë postim ka thumbuar partitë tjera, duke thënë se këtij lajmi duhet t’i gëzoj edhe ato.

    “Kosova është ndër vendet më të sigurta për të jetuar, dhe kjo pasqyrohet edhe në raportin më të fundit nga instituti Gallup. Ky është lajm që do duhej t’i gëzohej edhe opozita”, ka shkruar Murati.

    Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi poashtu në Facebook ka shkruar se sipas raportit të organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, Kosova renditet e 1-ra në Evropë dhe e 3-ta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend, me gjithsej 94/100 pikë.