ATV

Tag: Ballina

  • BE kërkon nga Serbia arrestimin e sulmuesve në Banjskë: Kërcënuan sigurinë

    BE kërkon nga Serbia arrestimin e sulmuesve në Banjskë: Kërcënuan sigurinë

    Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, i cili, sipas zyrtarëve të Brukselit, ka kërcënuar seriozisht sigurinë në rajon.

    Çështja e përgjegjësisë për Banjskën, dy vite më pas, ka qenë pjesë e bisedimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas ka zhvilluar në Nju Jork me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë evropianë, duke nënvizuar se Kallas do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje edhe në margjinat e takimeve të saj me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

    Nga zyra e shtypit të BE-së është bërë e ditur se pritet që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht, para gjykatave serbe, autorët e sulmit që ndodhen në Serbi.

    “Ne gjithashtu mbetemi të shqetësuar nga raportet për pjesëmarrjen e autorëve të dyshuar të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave në Serbi”, thuhet në një përgjigje me shkrim për RTK-në nga selia e BE-së.

    Po ashtu, nga zyra për shtyp e BE-së nënvizohet se, në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë i ka përcjellë autoriteteve serbe një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë ligjore nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërsa konfirmohet se ende nuk ka asnjë përgjigje nga Beogradi zyrtar.

    Zyrtarët evropianë presin që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këto kërkesa përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë ligjore./ATVLIVE/

  • Aksion i madh policor në Pejë, në shënjestër të dyshuar për trafikim me narkotikë

    Aksion i madh policor në Pejë, në shënjestër të dyshuar për trafikim me narkotikë

    Një aksion i gjerë policor është duke u zhvilluar në disa lokacione në rajonin e Pejës. Operacioni ka në shënjestër persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të organizuara kriminale, kryesisht të lidhura me lëndë narkotike.

    Sipas burimeve të Policisë, aksioni është i përqendruar në luftën kundër trafikimit të heroinës dhe po zbatohet nga njësi të shumta policore. Në terren janë angazhuar forca speciale dhe hetues të antidrogës, të cilët po kryejnë bastisje të koordinuara në disa pika të ndryshme

    . Objektiv i këtij operacioni mësohet të jenë dy të dyshuar kryesorë, babë e bir, të cilët hetoheshin prej kohësh nga autoritetet. Policia e Kosovës ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar, pasi aksioni është në zhvillim e sipër dhe priten informacione të reja gjatë ditës.

  • Haradinaj: Afrim Bunjaku, ra heroikisht në mbrojtje të paqes – respekt i përjetshëm për sakrificën e tij

    Haradinaj: Afrim Bunjaku, ra heroikisht në mbrojtje të paqes – respekt i përjetshëm për sakrificën e tij

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili u vra nga terroristët serbë në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

    Haradinaj ka përkujtuar sakrificën dhe trimërinë e heroit kosovar në një postim në Facebook, duke shprehur respektin për sakrificën e Bunjakut.

    “Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të ‘Heroit të Kosovës’, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e rënies, shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, shkroi ai.

  • Ambasada gjermane: Radojiçiq ende i lirë në Serbi, pandëshkueshmëria e përgjegjësve e papranueshme

    Ambasada gjermane: Radojiçiq ende i lirë në Serbi, pandëshkueshmëria e përgjegjësve e papranueshme

    Sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa Millan Radojiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, vazhdon të jetë i lirë.

    Në dyvjetorin e këtij sulmi ka reaguar edhe Ambasada gjermane në Prishtinë.

    “Dy vjet që nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë, megjithatë, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit, Radoiçiq, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.

    Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi.

    Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet në postimin e Ambasadës.

  • DASh: Trump u dha fund 7 luftërave, në listë edhe Kosova–Serbia

    DASh: Trump u dha fund 7 luftërave, në listë edhe Kosova–Serbia

    Departamenti Amerikan i Shtetit e ka cilësuar Donald Trumpin si “President të Paqes”.

    Përmes një grafike zyrtare, Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se Trump ka përfunduar shtatë luftëra në shtatë muaj, ku në listë përfshihet edhe menaxhimi i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Këtë grafikë e ka shpërndarë edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

    Ky publikim i Departamentit Amerikan të shtetit pason fjalimin e presidentit amerikan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku Trump theksoi se u dha fund konflikteve që shumë analistë dhe politikanë i kishin konsideruar si të pafundme dhe të pazgjidhshme.

    Përveç Kosovës dhe Serbisë, në listën e Departamentit të Shtetit figurojnë edhe ndërmjetësimet në konfliktet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe Pakistanit e Indisë.

    Sipas Uashingtonit, këto janë arritje historike për paqen dhe stabilitetin global.

  • Kos: BE-ja pret formimin e qeverisë së re në Kosovë për rifillim të dialogut

    Kos: BE-ja pret formimin e qeverisë së re në Kosovë për rifillim të dialogut

    Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se angazhimi i Brukselit me Kosovën për dialogun me Serbinë ka qenë më i kufizuar muajt e fundit, pasi po pritet formimi i qeverisë së re në Prishtinë.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kusht thelbësor për të dyja vendet në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

    “Ne jemi të përfshirë vazhdimisht me Serbinë për këtë çështje, ndërsa me Kosovën më pak muajt e fundit, sepse ende jemi në pritje të formimit të një qeverie të re. Por kjo mbetet një nga prioritetet e procesit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kos gjatë intervistës në Sarajevë.

    Kosova dhe Serbia janë në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011, por zbatimi i marrëveshjeve të arritura ka mbetur i pjesshëm. Që nga shtatori i vitit 2023, nuk është mbajtur asnjë rund politik i dialogut mes liderëve të dy vendeve, ndërsa takimet e fundit në nivel kryenegociatorësh nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

    Pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, Kosova ende nuk ka formuar një ekzekutiv të ri dhe aktualisht po udhëhiqet nga një qeveri në detyrë.

    Marta Kos po zhvillon një vizitë treditore në Bosnje e Hercegovinë, ku ka takuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe të rinj. Në intervistë, ajo foli edhe për situatën në Republikën Sërpska, duke theksuar se ky entitet është i domosdoshëm për të ardhmen e Bosnje e Hercegovinës dhe se qytetarët e tij meritojnë perspektivë më të mirë.

  • Maqedonci: Qëllimi i SHBA-së në Kosovë është parandalimi i konflikteve

    Maqedonci: Qëllimi i SHBA-së në Kosovë është parandalimi i konflikteve

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar mbi deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump në OKB.

    Maqedonci ka thënë se nuk ka pasur mundësi ta ndjekë këtë deklaratë për shkak të angazhimeve në një samit të ministrave të mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.

    “Deklaratën e Trump-it në OKB nuk kam mundur ta dëgjoj, tash po e dëgjoj nga ju. Normalisht kam pasur takime në kuadër të Ministerialit të ministrave të mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, që nuk ma ka lejuar koha ta ndjek me detaje këtë deklarim,” tha ai.
    Megjithatë, Maqedonci theksoi rolin historik të SHBA-ve në parandalimin e konflikteve.

    “Është për t’u theksuar se Shtetet e Bashkuara, në dimension global dhe gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së tyre, kanë parandaluar konflikte dhe janë të përkushtuar në parandalimin e konflikteve të ndryshme,” u shpreh ministri.

    Ai nënvizoi se prania e SHBA-ve në Kosovë është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

    “Prezenca e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka pikërisht atë qëllim: të kontribuojnë në stabilitetin e rajonit dhe të parandalojnë çdo rrezik të mundshëm për Republikën e Kosovës. Po ashtu, kemi arritje të përbashkëta që dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj Kosovës së tanishme,” tha Maqedonci.

  • Moti edhe sot me diell – temperaturat deri në 30°C

    Moti edhe sot me diell – temperaturat deri në 30°C

    Sot mbi vendin tonë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, të cilat vonë pasdite, sidomos në mbrëmje, pritet të dendësohen.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here prite të jetë e fuqishme, veçanërisht në regjionin e Gjakovës, me shpejtësi prej 10-45 km/h, raporton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 11 deri në 15°C, ndërsa ato maksimale prej 28 deri në 30°C

  • Këshilltari i Osmanit përplaset me ambasadorin serb në ShBA: E vërteta të djeg

    Këshilltari i Osmanit përplaset me ambasadorin serb në ShBA: E vërteta të djeg

    Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Rinor Nuhiu, ka reaguar ashpër ndaj ambasadorit të Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, pas deklaratave të tij kundër të parës së shtetit.

    Përmes një postimi në platformën X, Nuhiu e akuzoi Gjuriqin se po shpërndan të pavërteta dhe po tenton të minimizojë rolin e Presidentit amerikan, Donald Trump, në proceset e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Marko Gjuriq, ti vazhdon të shpifësh sepse e vërteta të djeg. Po përpiqesh të mohosh kontributin e @POTUS Trump, i cili sot në OKB foli me krenari për punën e tij për paqen gjatë shtatë muajve të fundit, përfshirë edhe në raportet Kosovë-Serbi”, shkroi ai.

    Ai e cilësoi si gënjeshtër të hapur pretendimin se presidentja Osmani ka marrë pjesë në Konventën Demokratike.

  • Osmani takon zyrtarin e lartë amerikan: Aleanca me SHBA-të mbetet themel i sigurisë sonë kombëtare

    Osmani takon zyrtarin e lartë amerikan: Aleanca me SHBA-të mbetet themel i sigurisë sonë kombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar në New York me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit Brendan Hanrahan.

    Takimi pason një bisedë telefonike përmbajtësore të zhvilluar më herët mes tyre, ndërsa presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë jetike të aleancës strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton IndeksOnline.

    “Aleanca me SHBA-të mbetet themel i sigurisë sonë kombëtare, i stabilitetit rajonal dhe i rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik,” është shprehur Osmani.

    Tutje ajo ka theksuar përkushtimin e saj për të mbrojtur dhe forcuar më tej këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.