ATV

Tag: Ballina

  • Operacioni “Qielli i thyer”, shtatë të arrestuarit dalin para gjykatës

    Operacioni “Qielli i thyer”, shtatë të arrestuarit dalin para gjykatës

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave që u arrestuan gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe Pejë, në kuadër të operacionit “Qielli i thyer”.

    Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta.

    “Sot me fillim nga ora 13:00 është caktuar të mbahet seanca dëgjimore”, deklaroi ajo.

    Ndryshe, të pandehurit dyshohet për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe pastrimi i parave.

    Të pandehurit dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e enkriptuar “SkyECC” për të koordinuar aktivitetet e tyre kriminale.

    Kujtojmë se gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: 638 gramë kokainë, mbi 11 mijë euro para të gatshme, 34 automjete, shtatë armë zjarri, dokumente të rreme, pajisje elektronike si dhe dokumentacion pronësor e financiar.

    Aksioni i djeshëm i policisë është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-in, duke siguruar koordinim ndërkufitar.

    Aplikacionin e njëjtë “SkyECC” e kishin përdorur 22 persona të tjerë të cilët u arrestuan një aksion të madh në qershor të këtij viti.

    Avokati Visar Rrecaj tregoi se personat qe ngarkohen me këtë vepër penale mund të dënohen dy deri në 10 vite burg.

    Ndërsa, Muharrem Ademi nga Labyrinth thotë se kokaina është droga që po përdorë më së shumti në Kosovë.

    Ndërsa vetëm gjatë 5 viteve të fundit janë arrestuar 148 persona për kultivimin bimës kanabis sativa.

     

  • Kurti udhëton në ShBA, kjo është agjenda e tij

    Kurti udhëton në ShBA, kjo është agjenda e tij

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    ZKM shton se gjatë qëndrimit atje, gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës.

    “Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, tha ZKM në njoftim.

    Udhëtimi i Kurtit drejt SHBA-së vjen pas masës së ndërmarrë nga Uashingtoni kundrejt Kosovës me pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik.

    Në ShBA nga Kosova po qëndron edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

  • Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

    Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

    Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e integrimit evropian të vendit.

    Presidentja Osmani ritheksoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet ndër prioritetet më të larta shtetërore.

    Ajo shprehu shqetësimin për masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të padrejta dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.

    Presidentja theksoi domosdoshmërinë e heqjes së këtyre masave, në mënyrë që të mos cenohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

    “Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka theksuar ajo.

    Presidentja Osmani, konfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

  • Begaj në OKB kërkon njohjen dhe vendin e Kosovës në Asamble

    Begaj në OKB kërkon njohjen dhe vendin e Kosovës në Asamble

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalimin e tij në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, vuri theksin te roli i Kosovës si kontribuuese e paqes dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dëshmuar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe vlerave demokratike.

    “Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Begaj.

    Ai kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, integrimin e tyre, përdorimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e identitetit e kulturës së tyre.

    Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si rruga e vetme drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm. “Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. E ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti,” tha ai.

    Në vijim, Kreu i Shtetit kujtoi udhëtimin e Shqipërisë nga izolimi tek integrimi euroatlantik dhe theksoi përkushtimin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.

    Begaj nënvizoi gjithashtu përparimet e Shqipërisë në energjinë e pastër, mbrojtjen nga ndryshimet klimatike, transformimin digjital, arsimin, shëndetësinë dhe barazinë gjinore, duke e konsideruar gjithëpërfshirjen si rrugën e vetme drejt zhvillimit të qëndrueshëm, shkruan RTKlive.

    Ai kujtoi angazhimin e Shqipërisë në “Paktin për të Ardhmen” dhe theksoi se është koha që fjalët të kthehen në vepra për paqen, sigurinë, klimën, bashkëpunimin digjital dhe të drejtat e njeriut. “Shqipëria do të japë shembullin duke e përfshirë Paktin në Rishikimin tonë Vullnetar Kombëtar,” theksoi presidenti Begaj.

  • Tre persona prangosën në Vushtrri, organizuan lojëra të fatit në një lokal

    Tre persona prangosën në Vushtrri, organizuan lojëra të fatit në një lokal

    Tre persona janë arrestuar të mërkurën nën dyshimin për veprën penale organizim te skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm në Vushtrri.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, tre telefona, një shumë e parave prej 525 euro, tiketa dhe dëshmi tjera relevante.

    “Në orët e pasdites së datës 24 shtator 2025, policia në Vushtrri, kanë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara se brenda një lokali po zhvillonin veprimtari te kundërligjshme të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, tre telefona, një shumë e parave prej 525 euro, tiketa dhe dëshmi tjera relevante”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq siç thuhet në njoftim, pas intervistimit me aktvendimit të prokurorit të rastit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale ”Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

  • Osmani takohet me presidentin e Guineas, e falënderon për mbështetjen e tij ndaj Kosovës

    Osmani takohet me presidentin e Guineas, e falënderon për mbështetjen e tij ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka takuar presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se e ka falënderuar atë për përkrahjen e tij ndaj Kosovës.

    “Gjithnjë kënaqësi takimi me mikun e Kosovës, Presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo”.

    “Në takimin e sotëm në selinë e OKB, e falënderova Presidentin Embalo për përkrahjen e tij për Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë si dhe për përkushtimin për ta rritur bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, ka shkruar tutje Osmani.

  • Përmes inteligjencës artificiale jetësohen fëmijët e familjes Jashari

    Përmes inteligjencës artificiale jetësohen fëmijët e familjes Jashari

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Historia e sakrifica e tyre jeton tash e gjithe këto vite ani pse jeta iu shua.

    Në Prekaz, në tokën ku lindën anëtarë të familjes Jashari, fëmijërinë s’arritën ta shijojnë, 13 prejt tyre ngase u vranë mizorisht nga ushtria e xhendarmeria serbe.

    Për 26 vjet, portretet e fytyrat e tyre të qeshura i pamw vec në fotografitë që i shpëtuan luftës.

    Por përmes tyre, Erblin Ramushi, nga komuna e Gjilanit, i jetësoi fëmijët me anë të një videoje 40 sekondshe e realizuar nga inteligjenca artificiale.

    Emocione të forta, krijimi i videos që është 40 sekondëshe sipas erblinit patën familjarët e tyre.

    Erblini që është 22-vjeç, dashurin për atdheun thotë se e ka të trashëguar andaj, edhe krijimet vijnë si frymëzim nga prindi i tij ish-ushtar i UÇK-së.

    Përveç familjes Jashari, Erblini ka krijuar video të tilla edhe për ushtarë e dëshmorë të lirisë./ATVLIVE.TV

    Për më shumë klikoni në videon e mëposhtme:

  • Dyvjetori i Banjskës, Kurti: Krimineli Radoiçiq i lirë, Arbnor Spahiu qe 110 ditë në paraburgim në Serbi

    Dyvjetori i Banjskës, Kurti: Krimineli Radoiçiq i lirë, Arbnor Spahiu qe 110 ditë në paraburgim në Serbi

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në dyvjetorin e sulmit në Banjskë, ka folur për rastin e ish-policit kosovar, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi nën akuzën se ka marrë pjesë në mbrojtjen kundër sulmit të 24 shtatorit 2023.

    Kurti theksoi se në atë kohë Spahiu nuk ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe prej kohësh jetonte në Gjermani.

    “Më lejoni të theksoj se Millan Radoiçiqi, personi për të cilin kemi dëshmi të pamohueshme se ka qenë i përfshirë dhe në krye të grupit në Banjskë, ka aktakuzë të ngritur në Kosovë dhe, ndonëse vet e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, është liruar nga paraburgimi një ditë pas arrestimit në Serbi. Tash e dy vite ai është i lirë dhe aktiv në Beograd. Ndërkaq shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, akuzohet nga Serbia si pjesëtar i Policisë së Kosovës në rastin e Banjskës, ndonëse nuk ka qenë fare pjesë e saj në atë kohë. Ai prej 7 qershorit ndodhet në paraburgim tash e 110 ditë”, tha Kurti.

    Kryeministri në detyrë shtoi se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar të trajtojë me drejtësi të dy rastet.

    “Në njërën anë kemi të bëjmë me një kriminel terrorist ndërkombëtar, ndërsa në tjetrën me një qytetar të Kosovës të cilit po i shkelen liritë dhe po i dhunohen të drejtat, ndonëse kurrë nuk ka pasur probleme me ligjin”, u shpreh Kurti.

  • Sveçla: Serbia përmes dronëve është duke shkelur hapësirën tonë ajrore

    Sveçla: Serbia përmes dronëve është duke shkelur hapësirën tonë ajrore

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se kohët e fundit Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës. Në një intervistë në KTV, ai tha se herë pas here ka lëvizje të paautorizuara përmes dronëve që qarkullojnë mbi territorin kosovar.

    Ai u pyet nëse këto lëvizje kanë ndikuar në vendimin e KFOR-it për shpalljen e zonës operacionale të KEK-ut si “zonë e ndaluar për fluturime”, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Sveçla tha se gjithmonë identifikohet infrastruktura kritike dhe ndërmerren hapa për ta mbrojtur atë.

    “Ne në vazhdimësi kërcënohemi nga Serbia. Kohët e fundit ka pasur lëvizje të paautorizuara përmes dronëve që shkelin hapësirën tonë ajrore,” tha ai.

    Ministri bëri me dije se janë regjistruar disa raste të dronëve serbë mbi Kosovë, të cilat po hetohen në bashkëpunim me KFOR-in dhe shërbimet partnere. Ai shtoi se për momentin nuk ka arsye për shqetësim për publikun, pasi të gjitha institucionet janë në krye të detyrës.

    Sveçla nënvizoi se Serbia mund të kërcënojë potencialisht vetëm dy vende në rajon: Bosnjën dhe Kosovën, ndërsa vendet fqinje që janë pjesë e NATO-s nuk mund të cenohen. Ai tha se aksionet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike janë të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë dhe synojnë parandalimin e kërcënimeve ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

    Ministri gjithashtu foli për institucionet paralele në veri, duke theksuar se përveç shëndetësisë dhe arsimit, ato janë mbyllur gjithandej Kosovës. Ai shtoi se aksionet e ndërmarra janë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe kanë për qëllim ruajtjen e rendit dhe ligjit.

    Në lidhje me zgjedhjet lokale dhe Listën Serbe, Sveçla tha se pavarësisht fituesit, të gjithë të zgjedhurit janë të obliguar të respektojnë ligjet e Kosovës.

    “Për ne është e rëndësishme që në çdo centimetër të territorit të Kosovës të mbizotërojë rendi dhe ligji. Askush nuk është imun ndaj ligjit dhe institucionet përkatëse do të veprojnë ndaj çdo shkelësi,” përfundoi ministri.

  • Video reportazh: Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë

    Video reportazh: Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë

    Sot, më 24 shtator shënohen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ngjarja më e rëndë e sigurisë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë sulm mbeti i vrarë heroikisht rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Grupi paramilitar serb kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës, duke përdorur armatim të rëndë dhe duke vendosur barrikada në fshat. Pas përleshjeve disaorëshe, policia eliminoi disa prej sulmuesve dhe arrestoi të tjerë, ndërsa një pjesë u tërhoq drejt Serbisë.

    Sot, dy vjet më vonë, Banjskë është nën kontroll të plotë të policisë së Kosovës, ndërsa rruga kryesore e fshatit mban emrin e heroit Afrim Bunjaku.

    Gazetari Driton Sadiku, sjell një reportazh nga Banjska.