ATV

Tag: Ballina

  • Aksident tragjik në Pejë: Një i vdekur dhe një i lënduar

    Aksident tragjik në Pejë: Një i vdekur dhe një i lënduar

    Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në fshatin Qungur të Pejës.

    Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një katërçikletë.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informatës, njësitë përkatëse dhe autoambulanca kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej të përfshirëve, ndërsa personi tjetër ka marrë lëndime dhe është dërguar për trajtim në QKUK.

    Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur.

     

  • Zhvillimi profesional i stafit, policia nënshkruan marrëveshje me Kolegjin AAB dhe AUK

    Zhvillimi profesional i stafit, policia nënshkruan marrëveshje me Kolegjin AAB dhe AUK

    Policia e Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshje të reja bashkëpunimi me dy institucione të arsimit të lartë, Kolegjin AAB dhe Universitetin Amerikan në Kosovë.

    Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është ngritja e mëtejme arsimore dhe zhvillimi profesional i pjesëtarëve të policisë.

    Marrëveshjet u nënshkruan nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dhe përfaqësues të dy institucioneve arsimore.

    Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit për të zhvilluar kapacitetet dhe burimet njerëzore brenda forcës policore përmes programeve të avancuara arsimore.

  • Kurti takon ministrin e Jashtëm të Omanit në OKB, diskutojnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh

    Kurti takon ministrin e Jashtëm të Omanit në OKB, diskutojnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti zhvilloi një Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Albusaidi, ministër i Punëve të Jashtme të Sulltanatit të Omanit, në në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

    Kurti përmes një postimi në platformën X bëri të ditur se gjatë takimit e informoi ministrin Albusaidi për rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës dhe klimën pozitive të investimeve.

    “Ne ramë dakord të ndërmarrim hapa konkretë drejt forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, duke përfshirë shkëmbimin arsimor; promovimin e investimeve në bujqësi dhe industri të tjera; dhe marrëveshje të reja dypalëshe”, ka shkruar në X, Kurti.

    Ndryshe, Kurti, është takuar edhe me kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

     

  • Dorëzohet sot padi në Prokurori kundër kryeparlamentarit Dimal Basha

    Dorëzohet sot padi në Prokurori kundër kryeparlamentarit Dimal Basha

    Ditën e sotme dorëzohet kallëzim penal dhe padi në Prokurorinë Speciale, ndaj kryeparlamentarit të vendit, Dimal Basha.

    Këtë do ta bëjë ish-ushtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Gent Gjini.Padia lidhet me pretendimet e Bashës për financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kartelët e drogës dhe për bashkautorësinë e tij për publikimin e këtyre pretendimeve në një revistë shkencore të një universiteti në ShBA.

    Avokati Gent Gjini bëri të ditur se të premten në ora 13:20 do të dorëzohet kallëzimi penal dhe padia.

    “Ditën e premte në Prokurorinë Speciale në ora 13:20 do të dorëzojmë kallëzimin penal dhe padinë ndaj Dimal Bashës për propagandën në përhapjen e fakteve jo të vërteta ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është financuar nga kartelët e drogës, e ku Dimal Basha këto pretendime i ka theksuar në një revistë shkencore në një universitet në SHBA, e po ashtu faktit se Dimal Basha ka bashkëpunuar me një autore dhe kanë përhapur fakte kundër UÇK-së, duke dhënë informata kësaj autore në publikimin e kësaj reviste kundër popullatës shqiptare. Andaj unë si avokat dhe një përfaqësues i UÇK-së të premten do të procedojmë kallëzimin penal, ku do të kërkojmë që gjatë hetimit të kësaj çështje të merret në tërësi revista e publikuar dhe do të kërkojmë nga Prokuroria Speciale që Dimal Bashës t’i ndalohet ushtrimi i pozitës së kryeparlamentarit, përderisa çështja të trajtohet dhe të hetohet nga Prokuroria Speciale. Universiteti amerikan do të na sigurojë revistën shkencore dhe do të shprehet vepra penale që ka kryer Dimal Basha”, tha Gjini për EO.

  • Arrestohen edhe dy persona për rrëmbimin në Veternik

    Arrestohen edhe dy persona për rrëmbimin në Veternik

    Janë arrestuar edhe dy të dyshuar për rrëmbimin që kishte ndodhur mbrëmjen e 18 shtatorit në Veternik të Prishtinës. Policia ka treguar se njërit nga të dyshuarit i është sekuestruar një pistoletë, e cila ishte përdorur në rast.

    “Lidhur me rastin, janë arrestuar edhe dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Nga njëri i dyshuar është sekuestruar një pistoletë, që dyshohet që është përdorur në rast. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Kujtojmë viktima ishte dërguar në një shtëpi të pabanuar.

    “Veternik, Prishtinë 18.09.2025 –23:10. Me 19.09.2025 është raportuar se dy të dyshuar meshkuj kosovar kanë marrë me forcë viktimën mashkull kosovar duke e futë në veturë, sipas viktimës e kanë dërguar në një shtëpi të pa banuar aty e kanë mbajtur deri në mëngjes si dhe ndaj tij është përdorë forcë fizike. Lidhur me rastin është identifikuar edhe personi i tretë i dyshuar i cili gjendet në arrati, po ashtu janë bastisur katër shtëpi & banesa ku gjatë kontrollit është gjetur e konfiskuar një armë gjuetie. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit. Rasti është duke u hetuar”, ishte bërë e ditur në raportin e Policisë.

  • ​27 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme

    ​27 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme

    Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.

    Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

    Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane.

  • Trump shpall tarifa të reja për ilaçet, kamionët dhe mobiljet – hyjnë në fuqi nga 1 tetori

    Trump shpall tarifa të reja për ilaçet, kamionët dhe mobiljet – hyjnë në fuqi nga 1 tetori

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një raund të ri tarifash të ashpra ndaj disa mallrave të importuara, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas dhe nxitjen e zhvendosjes së fabrikave në territorin amerikan.

    Njoftimi u bë publik përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, ku Trump bëri të ditur se masat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 tetor 2025.

    Sipas planit, të gjitha ilaçet e markës dhe ato të patentuara që importohen në SHBA do të përballen me një tarifë prej 100%, përveç rasteve kur kompania importuese është duke ndërtuar ose ka filluar ndërtimin e një fabrike prodhuese brenda SHBA-së.

    Trump tha se kjo masë synon t’i detyrojë kompanitë farmaceutike të transferojnë kapacitetet e tyre prodhuese në tokën amerikane, në mënyrë që të ulet varësia nga tregjet e huaja dhe të rritet siguria kombëtare.

    Përveç industrisë farmaceutike, masa të reja tarifore do të aplikohen edhe në sektorë të tjerë. Trump njoftoi vendosjen e një tarife prej 25% mbi të gjithë kamionët e rëndë të importuar, duke argumentuar se ky sektor është jetik për infrastrukturën kombëtare dhe për mirëqenien e ekonomisë amerikane.

    Ai shtoi se masa do të ndihmojë kompanitë prodhuese amerikane si Peterbilt, Kenworth dhe Freightliner, të mbrohen nga ajo që ai e quajti “konkurrencë e padrejtë nga jashtë”.

    Tarifat e reja do të prekin gjithashtu edhe sektorin e mobilieve dhe pajisjeve të shtëpisë. Një tarifë prej 50% do të vendoset për dollapët e kuzhinës dhe lavamanët e banjove, ndërsa mobiljet dhe tapiceritë do të përballen me një tarifë prej 30%.

    Sipas presidentit, këto produkte po “përmbytin tregun amerikan” dhe po dëmtojnë prodhuesit vendas, ndaj është e nevojshme të ndërmerren masa të forta për mbrojtjen e industrisë kombëtare.

  • Fëmijët e Grabocit mësimin do ta nisin një muaj me vonesë

    Fëmijët e Grabocit mësimin do ta nisin një muaj me vonesë

    Dyert e shkollës “Laura Scotti” në Graboc të Fushë-Kosovës, u hapen me një shtator por këtë herë jo për nxënësit.

    Në vend të tyre, në këtë objekt tash e katër javë vendin e kanë zënë punëtorët e kompanisë kontraktuese që u angazhua në rinovimin e shkollës.

    Për këtë shkak nxënësit mësim nuk mbajtën, e tek gjatë të mërkurës e të enjtes ata patën mundësi t’i marrin librat.

    Më shqetësuese për prindërit është humbja e orëve mësimore, për të cilat drejtoria e shkollës planifikon t’i zëvendësojë në ditë vikendi.

    Drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë gjatë të enjtes qe e paqasshme për ATV-në.

    Megjithatë ATV-ja kupton që mësimi do të nis të hënën.

  • “Pezullimi” veç edhe pesë ditë, kuvendi në pritje të kushtetueses

    “Pezullimi” veç edhe pesë ditë, kuvendi në pritje të kushtetueses

    Kanë kaluar 20 ditë që Kuvendi i Kosovës është jashtë funksionit, ndërsa afati i masës së përkohshme të pezullimit po i afrohet fundit. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka bërë të ditur nëse do të marrë vendim përfundimtar para datës 30 shtator, kur edhe skadon pezullimi aktual.

    Sipas një përgjigjeje zyrtare nga Kushtetuesja, çështja që lidhet me përbërjen e udhëheqjes së Kuvendit është ende në shqyrtim.

    “Kjo kërkesë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Për çdo vendim të Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni’’. Thuhet në përgjigjen e Gjykatës kushtetuese.

    Naim Jakajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shprehe optimist se gjykata do ta vazhdojë masën e pezullimit.

    ‘’Në bazë të ligjit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe rregullores së saj, po atë ditë kur e nxjerr vendimin, ajo e vazhdon edhe masën e përkohshme deri në publikimin e aktgjykimit, kur ai hyn në fuqi. Pra, Kuvendi nuk mund të mblidhet nëse masa vazhdohet pas 30 shtatorit’’, tha Jakaj.

    Por edhe nëse kjo nuk bëhet, Jakaj vlerëson se deputetët s’do të duhej të vepronin para se vendimi të bëhet zyrtar.

    ‘’Në rast se nuk ka një masë të përkohshme kuvendi nuk do duhej të mblidhej përsëri sepse ka cenim të kushtetutshmërisë tek komunitetet jo shumicë, dhe në këtë rast duhet të pritet vendimi i gjykatës kushtetuese’’, tha Jakaj.

    Nga ana tjetër, partia fituese e zgjedhjeve deri tani nuk ka treguar nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim, në rast se masa pezulluese skadon pa vendim të ri.

    Kuvendi është në pushim që nga 5 shtatori, meqë Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e punës, pas anekses së Listës Serbe, që kontestoi se zgjedhja e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve pakicë, u bë në mënyrë anti kushtetuese.

    Vendimi që çoi në këtë situatë u mor më 30 gusht, kur kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, shpalli të mbyllur seancën konstituive të nisur që në 15 prill, duke deklaruar se Kuvendi është konstituuar,  edhe pse pa përbërje të plotë, për shkak të mungesës së një nënkryetari nga komuniteti serb.

  • Kolegji AAB kremton 25-vjetorin e themelimit

    Kolegji AAB kremton 25-vjetorin e themelimit

    Në hapësirën ku korrën suksese, studentët e Kolegjit AAB mbollën 25 drunj.

    Rrënjët i ngulën thellë, sikur njohuritë që morën gjatë studimeve.

    Ky aktivitet u realizua në 25 vjetorin e themelimit të institucionit më të madh jopublik në vend, si simbol i degëve që vazhdojnë të zgjaten drejt së ardhmes.

    Çdo pemë është një dëshmi e një viti të rritjes, një gjenerate studentësh, e një kapitulli të ri.
    Përveç kësaj, drunjtë reflektojnë edhe një të nesërme më të gjelbër.

    Për kremtë, në teatrin Faruk Begolli, u mblodhën personalitete të rëndësishme nga sfera të ndryshme.

    Profesorët ndihen krenarë për arritjet e kolegjit, duke përcjellë gjenerata me radhë, secila më e suksesshme se tjetra.

    Prioritet dhe hallkë e rëndësishme e AAB-së ishin edhe marrëveshjet me universitete ndërkombëtare që studentet të kenë qasje edhe përtej Kosovës.
    Emocione të veçanta përjetoi Dardan Krekaj, studenti i parë që u regjistrua në AAB, para 25 vjetëve.

    Mes figurave të pranishme ishte edhe Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

    Për angazhimin e saj ndaj atyre që jetuan nën errësirën e pasluftës, AAB e shpërbleu me çmimin ndërkombëtar për të drejtat dhe liritë e njeriut.

    Organizimi shoqërohej herë pas here me pika muzikore.
    Më pas, këngët jehuan edhe jashtë teatrit, derisa pjesëmarrësit sodisnin ekspozitën me pikturat e punuara nga studentet e kolegjit.

    AAB, që tashmë është dëshmuar si një prej institucioneve më cilësore të arsimit në vend, ofron mundësi studimi në 47 drejtime të akredituara.

    Poashtu, në këtë 25 vjetor, kolegji do të ndajë 25 bursa për studentë, duke simbolizuar vazhdimësinë e dijes dhe lulëzimin e gjeneratave të ardhshme.