ATV

Tag: Ballina

  • Kuvendi nën masë të përkohshme, Kushtetuesja s’e ka publikuar ende aktgjykimin

    Kuvendi nën masë të përkohshme, Kushtetuesja s’e ka publikuar ende aktgjykimin

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë të jenë nën masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pasur të drejtë të ndërmarrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e mbajtura më shumë se gjysmë viti më parë.

    Kushtetuesja këtë të martë publikoi vendimin pas ankesës së Listës Serbe lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.

    Sipas këtij vendimi, Kuvendi ende mbetet i pakonstituuar dhe se seanca konstituive e nisur më 15 prill duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të 30 shtatorit.

    Megjithatë, aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar në faqen e Kushtetueses, andaj vazhdon të mbetet në fuqi masa e përkohshme e vendosur më 5 shtator.

  • Sot inaugurohet rruga ndërkufitare Kosovë-Shqipëri

    Sot inaugurohet rruga ndërkufitare Kosovë-Shqipëri

    Sot do të bëhet inaugurimi i rrugës ndërkufitare Kosovë-Shqipëri, konkretisht mes fshatrave Gorozhup të Kosovës e Pogaj të Shqipërisë.

    Ministria e Infrastrukturës thotë se ky projekt është rezultat i marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim të forcimit të lidhjeve infrastrukturore dhe zhvillimit rajonal.

    Në këtë ceremoni pritet të jenë të pranishëm zyrtarë shtetëror, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj e  kryetari i Bashkisë së Hasit, Miftar Dauti.

    Ditë më parë, Durmishi derisa kishte ndarë pamje nga punimet në këtë rrugë ndërkufitare,kishte shkruar. “Ne ndërtojmë ura që na bashkojnë dhe i kalojmë kufinjtë të cilët na kanë ndarë padrejtësisht”.

  • Hamasi pranon të lirojë të gjithë pengjet izraelite, por kërkon bisedime të mëtejshme mbi paqen

    Hamasi pranon të lirojë të gjithë pengjet izraelite, por kërkon bisedime të mëtejshme mbi paqen

    Hamasi ka thënë se pranon të lirojë pengjet izraelite, të vdekur dhe të gjallë, sipas planit të paqes të Donald Trump për Gazën.

    Grupi tha gjithashtu se dëshiron të angazhohet në negociata për të diskutuar detaje të mëtejshme, duke përfshirë dorëzimin e “administrimit të enklavës një organi palestinez autokratësh të pavarur”, shkruan skynews.

    Bëhet e ditur se presidenti amerikan Donald Trump kishte vendosur një afat të ri deri të dielën për t’iu përgjigjur propozimeve të tij, të mbështetura nga kombet arabe, përcjell Telegrafi.

    Korniza prej 20 pikash e Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës – e cila është pranuar tashmë nga Izraeli – përcakton që Hamasi të çarmatoset dhe të mos ketë asnjë rol në të ardhmen në qeverisjen e Gazës.

    Ndryshe, besohet se grupi i armatosur ende mban 48 pengje në territorin palestinez, vetëm 20 prej të cilëve mendohet se janë gjallë.

    Por, edhe me garancinë e Trumpit se Izraeli do t’i përmbahej kushteve, brenda grupit ekziston një mungesë besimi se Izraeli nuk do të rifillonte operacionet e tij ushtarake pasi të kishte marrë pengjet.

    Kjo pasi Izraeli u përpoq të vriste udhëheqjen e Hamasit në Doha në një sulm ajror muajin e kaluar.

  • Kriza politike rrezikon buxhetin e 2026-ës

    Kriza politike rrezikon buxhetin e 2026-ës

    Për muaj të tërë deputetët morën paga, ndonëse nuk arritën ta konstituojnë kuvendin.

    Por nëse kjo bllokadë vazhdon, arka e shtetit s’do të ketë para që t’i paguaj as ata, e as rreth 80 mijë punonjës të tjerë sa konsiderohet se ka sektori publik.
    Data 31 i këtij muaji, është edhe data e fundit kur projektbuxheti për vitin e ardhshëm, do duhej të miratohej në kuvend.

    Por veç një legjislature joaktive, vendi aktualisht s’ka as qeveri legjitime që do e procedonte tutje projektbuxhetin.

    ‘’Në rast se nuk ka miratim të ligjit për buxhetin e vitit 2026 janari dhe shkurti munden me vepru me ligjin e vitit 2025 vetëm sa i përket pjesës së pagave të punëtorëve por edhe për këtë normalisht që duhet me pas kuvend të konstituuar për ta votu një ndryshim i ligjit aktual sa i përket janarit dhe shkurtit pra për pagat e punëtorëve por në çdo rrethanë siç e kemi pa kuvend dhe pa qeveri legjitime po rrezikojmë që Kosovën me lënë pa buxhet dhe punëtorët pa paga’’, tha Demhasaj.

    Njohësit e punës së kuvendit thonë se edhe shumë projekte tjera, fare lehtë mund të pezullohen, në mungesë të parave.

    ‘’Prej një janarit asnjë cent i buxhetit nuk guxon të përdorët nëse nuk ka ligj për buxhet, pra krejt projektet të cilat janë në zbatim, prej një janarit bllokohen për shkak se nuk ka mjete financiare , nuk ka buxhet të konsolidum që munden të vazhdohen dhe implementohen ato projekte’’, tha Demhasaj.

    ‘’Nuk do të mbërrijnë të adresohen kërkesat buxhetore të komunave, të agjencive të pavarura dhe të qytetarëve të ndryshëm të cilët kanë bërë kërkesa ta zëmë për çështje mjedisore, ujore, të infrastrukturës apo bujqësisë e gjëra të tjera të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve’’, tha Jakaj.

    Këta vlerësojnë se këso bllokade, shteti nuk ka pasur ndonjëherë, teksa shtojnë se deputetët do të duhej t’i lënin anash inatet politike, meqë vendi po shkon drejt kolapsit, pasojat e të cilit mund të jenë afatgjate.

  • Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor

    Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Kosovën më 15 tetor, si pjesë e një turneu në Ballkanin Perëndimor. Vizita e saj e gjen vendin në një ngërç të thellë politik, i cili ka bllokuar fondet kyçe nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Kjo situatë shënon një kontrast të plotë me vizitën e një viti më parë, kur ajo premtonte pagesa të shpejta si shpërblim për reformat. Për shkak të moskonstituimit të institucioneve të reja, Kosova, krahas Bosnjë e Hercegovinës, mbetet i vetmi vend që ende nuk i ka pranuar këto fonde.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Von der Leyen pritet të takojë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Vizita e saj i paraprin publikimit të Raporteve vjetore të Progresit, të cilat sipas burimeve në Bruksel janë shtyrë për në fillim të muajit nëntor.

  • Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

    Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kërkon nga partitë parlamentare të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

    Sipas tij, Kushtetuesja ishte shumë e qartë se legjislatura e nëntë nuk është konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

    Duke folur për KosovaPress, ai bën thirrje për formim të shpejtë të institucioneve të reja pasi, siç thotë ai, Kosovës i duhet një qeveri legjitime për të shtyrë përpara proceset euroatlantike.

    Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë, mirëpo në njoftimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast që nuk kompletohen trupat e legjislativit.

    Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

    Diplomati suedez thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, andaj duhet të respektohen vendimet e saj.

    “Gjykata Kushtetuese ka dhënë një deklaratë shumë të qartë për këtë. Parlamenti nuk është konstituuar, por në vend të kësaj, duhet të procedohet me emërimin e një nënkryetari nga një prej komuniteteve jo-shumicë. Nuk kam ndonjë mendim për vetë përmbajtjen, por jam shumë i kënaqur që kjo është një deklaratë mjaft e qartë nga Gjykata Kushtetuese. Tani, mos harroni që Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, dhe duhet t’i përmbahemi asaj dhe të respektohen të gjitha vendimet”, thekson ai.

    Westerlund thotë tutje se Kosovës i duhet një qeveri legjitime në mënyrë që vendi të përqendrohet në anëtarësimin në Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe NATO.

    Duke e konsideruar të domosdoshme formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ambasadori përmend Shqipërinë dhe Malin e Zi, që sipas tij po ecin përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Ne po shohim tani që Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara ndoshta për t’u bërë anëtarë të BE-së pas disa vitesh. Kosova duhet të nisë të njëjtin proces, të përqendrohet në këtë, të përqendrohet në anëtarësimin në BE, të përqendrohet në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të përqendrohet në anëtarësimin në NATO. Ata kanë mbështetjen tonë për këto aspirata, por me të vërtetë u duhet një qeveri dhe të përqendrohen në anëtarësimin në BE”, shton diplomati suedez.

    Krahas kësaj, ambasadori i Suedisë në Kosovë flet edhe për fillimin e largimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

    Bashkimi Evropian, që nga muaji qershor i vitit 2025, ka nisur heqjen graduale të masave, ku kanë filluar takimet në kuadër të MSA-së dhe lirimin e disa fondeve në projekte si energjia dhe digjitalizimi.

    Westerlund thotë se heqja e masave në formë graduale do të vazhdojë, por duhet të shohin të ardhmen se çfarë do të ndodhë në heqjen totale të masave.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të vendit.

    “Ne tashmë kemi vendosur për një heqje graduale të masave, dhe ajo heqje graduale do të vazhdojë. Por do ta shohim në të ardhmen se çfarë do të ndodhë”, potencon ai.

    Në anën tjetër, ambasadori Westerlund, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, deklaron se posa të formohet qeveria në Kosovë duhet të ketë diskutime serioze në Bruksel për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

    Ai shton se është shumë i kënaqur me emërimin e diplomatit danez, Peter Sorensen, si emisar i BE-së për dialogun, duke thënë se i njëjti po ndërmerr hapa përpara në procesin e normalizimit.

    “Jam shumë i kënaqur që kemi një zë të ri të BE-së, që nga fillimi i këtij viti, Peter Sorensen. Ai po ndërmerr hapa përpara për procesin e normalizimit. Shpresoj që të mund ta përshpejtojmë procesin. Nuk kemi parë shumë progres këtë vit ende, ndaj shpresoj që të mund të kemi një qeveri në Kosovë dhe që të kemi diskutime më serioze në Bruksel mbi dialogun e normalizimit”, thekson ai.

    Pavarësisht që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, në Bruksel janë mbajtur dy takime në nivel të kryenegociatorëve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo që nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të dakorduar në vitin 2023.

  • Komandanti i ri i KFOR-it: Misioni im ka qenë gjithmonë të siguroj mjedis të sigurt në Kosovë

    Komandanti i ri i KFOR-it: Misioni im ka qenë gjithmonë të siguroj mjedis të sigurt në Kosovë

    Gjeneralmajori i Ushtrisë Turke, Özkan Ulutaş, është rikthyer tashmë në krye të komandës së KFOR-it.

    Në fjalën e tij, Ulutaş premtoi përkushtim ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të misionit për të siguruar një ambient të sigurt dhe liri lëvizjeje për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “Kam një mundësi të madhe për t’i falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer. Kjo është krijuar gjatë detyrës sime të parë si komandant. Duhet të jem i përgatitur mbi përvojat tona të mëparshme dhe mbi punën tonë të shkëlqyer. Kjo është nën drejtimin e kryekomandantit tonë, gjeneralmajor Barduani, dhe ka për qëllim të konsolidojë më tej nivelin tonë të bashkëpunimit. Ky bashkëpunim është i rëndësishëm për sigurimin e stabilitetit në Kosovë dhe për misionin e KFOR-it. Gjithashtu, theksoj bashkëpunimin e vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe me ULEX-in në të gjitha përgjegjësitë e tyre të sigurisë. KFOR-i ka shërbyer shumë mirë për Kosovën dhe është i gatshëm për çdo sfidë të sigurisë që mund të lindë. Po ashtu, dua të falënderoj KFOR-in për respektin dhe mbështetjen e dhënë ndaj partnerëve dhe komunitetit që shërben. Si pjesë e KFOR-it, prioritetet e mia gjatë këtij misioni kanë qenë gjithmonë të siguroj një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe të mbroj sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, deklaroi ai.

  • Osmani i bën thirrje Evropës të investojë në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë

    Osmani i bën thirrje Evropës të investojë në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se stabiliteti i Evropës është i pandashëm nga siguria në Ballkanin Perëndimor.

    Këtë mesazh ajo e ka përcjellë gjatë tryezës së sigurisë në kuadër të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), të mbajtur në Kopenhagë.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të ketë fokus të shtuar në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e veprimeve destabilizuese nga Serbia.

    “Siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen në rajon dhe të angazhohet në ndalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si një hap thelbësor për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjate”, ka shkruar Osmani.

  • Nga sot KFOR-i bëhet me komandant të ri

    Nga sot KFOR-i bëhet me komandant të ri

    Sot, me fillim nga ora 11:00 në Kampin Film City në Prishtinë, do të mbahet ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës në Shtabin e KFOR-it.

    Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, do t’ia dorëzojë komandën e misionit gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutash.

    Ky është një rikthim në krye të KFOR-it për Ulutash, i cili kishte mbajtur këtë post më parë deri më 11 tetor 2024, kur ia dorëzoi komandën Barduanit. Me këtë rikthim, ai rifillon përgjegjësinë për drejtimin e misionit të NATO-s në Kosovë.

    Ceremonia simbolizon vazhdimësinë e përkushtimit të Aleancës për siguri dhe stabilitet në rajon, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

  • Zelensky: Orban po bllokon integrimin evropian të Ukrainës

    Zelensky: Orban po bllokon integrimin evropian të Ukrainës

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, po bllokon integrimin evropian të Ukrainës për arsye që lidhen me fushatën zgjedhore në vendin e tij.

    Këtë deklaratë e bëri presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për shtyp në Kopenhagë, pas përfundimit të Samitit të VII të Komunitetit Politik Evropian, sipas një korrespondenti për Ukrinform.

    “Sa i përket bllokimit të afrimit tonë me Bashkimin Evropian, askush nuk mund ta bllokojë atë, sepse është vullneti i Ukrainës dhe, në përputhje me rrethanat, vendimi i Evropës për ta parë Ukrainën si pjesë të Bashkimit Evropian në të ardhmen. Por, sigurisht, gjithçka varet nga uniteti, nga një vendim i përbashkët. Ne kemi probleme të caktuara me Hungarinë, mund të flasim hapur për këtë. Sepse Viktor Orban ka zgjedhje”, ka thënë Zelensky.

    Ai shtoi se agresioni rus ndaj Ukrainës erdhi pikërisht për shkak të orientimit evropian të vendit të tij.

    “Rusia e filloi luftën për shkak të vullnetit tonë, për shkak të zgjedhjes sonë për të ecur drejt Evropës, sepse ne ndiejmë dhe ndajmë të njëjtat vlera si vendet e tjera evropiane”, theksoi presidenti ukrainas.

    Sipas raportimeve të Ukrinform, Hungaria po përdor parimin e unanimitetit në vendimet e Bashkimit Evropian për të bllokuar procesin e fillimit të negociatave për pranimin e Ukrainës në BE.