ATV

Tag: Ballina

  • Moti sot: Reshje shiu dhe bore, temperaturat deri në 5°C

    Moti sot: Reshje shiu dhe bore, temperaturat deri në 5°C

    Sot parashikohet mot i vranët, me reshje shiu dhe bore, të cilat gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të jenë më intensive. Reshjet e borës do të përqendrohen kryesisht në Rrafshin e Kosovës, ku pritet të krijojnë shtresa edhe në zonat e ulëta, me së paku 5–15 cm, njofton MeteoKosova.

    Në Rrafshin e Dukagjinit do të dominojnë reshjet e shiut, megjithatë tani ka gjasa më të mëdha që edhe në këtë pjesë të përzihen ose të shndërrohen në borë.

    Gjatë ditës, reshjet do të humbasin gradualisht intensitetin në mbarë vendin.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -1 deri në 2°C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 5°C.

  • Kosova përfaqësohet nga presidentja Osmani në Samitin e EPC-së

    Kosova përfaqësohet nga presidentja Osmani në Samitin e EPC-së

    Gjatë së enjtes në Danimarkë u mblodhën liderët evropian në samitin e shtatë të Komitetit Politik.

    Kosova në Kopenhagë po përfaqësohet nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, e cila para mediave ndërkombëtare kritikoi shtetet e BE-së për shpërblimet që po ia bëjnë Serbisë, e cila, sipas saj, është pro-ruse.

    “Unë mendoj se ka nevojë për konsistencë nga Bashkimi Evropian në trajtimin e të dy agresorëve, sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe diktator, ndërsa tjetrin si partner” shtoi Osmani.

    Ajo shtoi se këto dy vende po sjellin rrezik për rajonin.

    “Janë aktualisht dy rreziqe kyç të sigurisë që janë duke ardhur kundër shteteve në kontinentin tonë, një vjen nga Rusia, tjetra veçanërisht në rajonin tonë vjen nga sateliti i Rusisë, zgjatja e Rusisë në rajonin tonë, Serbia” deklaroi ajo

    Ajo ka përmendur rastin e Banjskës dhe ka kritikuar mungesën e përgjegjësisë nga Bashkimi Evropian ndaj agresionit serb në veri të Kosovës.

    Kësisoj ajo kërkoi që zgjerimi të vazhdojë me Ballkanin Perëndimor me ato vende që e meritojnë anëtarësimin.

    E para vendit u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të cilit ia riafirmoi gatishmërinë e Kosovës për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin vendimtar të NATO-s në stabilitetin rajonal.

    Osmani gjatë samitit të Liderëve të Komitetit Politik Evropian u mirëprit edhe nga Kryeministrja Daneze  Mette Frederiksen ku diskutuan sfidat e sigurisë dhe thëllimin e bashkëpunimit.

  • Kurti: Ulësja për komunitetin serb s’është vetëm për Listën Serbe

    Kurti: Ulësja për komunitetin serb s’është vetëm për Listën Serbe

    Një karrige e zbrazët në kryesinë e Kuvendit po mban pezull konstituimin e legjislaturës së re. Por sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kjo ulëse nuk i përket vetëm Listës Serbe, por të gjithë komunitetit serb.

    Ai përmendi Nenad Rashiqin si alternativë përfaqësuese, duke theksuar se ai ka marrë pesë herë më shumë vota se kandidati i Listës Serbe.

    “Mos harroni, serbë nuk janë vetëm ata të Listës Serbe. Serb është edhe Nenad Rashiq. Përfaqësuesi i Listës Serbe mori vetëm 10 vota, kurse Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’i jepnin opozitarët, sot nuk do të ishim në këtë situatë”, tha Kurti.

    Ai shtoi se votimi për nënkryetaren Emilja Rexhepi nuk mund të anulohet, pasi Kuvendi tashmë ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët.

    Kurti megjithatë nuk tregoi se si do të veprojnë tutje, duke thënë se do ta presin aktvendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet brenda një jave. Sipas tij, vonesat në konstituimin e Kuvendit janë humbje kohe që shteti nuk mund ta përballojë.

  • Mishetiq: S’mund ta përfundojmë çështjen më 14 nëntor, as ta dorëzojmë dosjen përfundimtare më 22 dhjetor

    Mishetiq: S’mund ta përfundojmë çështjen më 14 nëntor, as ta dorëzojmë dosjen përfundimtare më 22 dhjetor

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë dëshmitari James Peter Covey në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmitari kërkoi që të bëjë një koment, por nuk iu lejua nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk mund të zhvillohet me pyetjet pasuese, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Pasi doli dëshmitari nga salla, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se mbrojtja nuk do të jetë në gjendje që ta përfundojë çështjen e tyre më 14 nëntor ashtu siç është përcaktuar nga trupi gjykues.

    Përveç kësaj, ai tha se nuk do të mund t’i përmbahen as afatit për dorëzimin e dosjes përfundimtare.

    “Nuk do të jetë e mundur që të përfundojmë me datën 14 dhe për të dërguar mocionet e tjera që na duhen, e po ashtu edhe dosjen përfundimtare të datës 22 dhjetor”, tha Mishetiq.

    Mishetiq njoftoi se do ta bëjnë një kërkesë të përbashkët për t’i shtyrë këto afate, por pasi të bisedojnë edhe me Prokurorinë.

    “Pra, ne presim që ta bëjmë një kërkesë të përbashkët për ta shtyrë këtë afat përpara se ta bëjmë këtë kemi folur me Prokurorinë dhe do të komunikojmë inter-partes për të arritur një marrëveshje përpara se të vijmë me kërkesën tonë për këtë shtyrje afati”, tha Mishetiq.

    Kurse, avokati i Veselit, Rodeny Dixon tha se janë edhe një numër apelesh të cilat duhet të merren parasysh në kuadrin e provave të përbashkëta dhe në kuadër të asaj që do pranohet në prova.

    Dixon tha se këto apele kanë të bëjnë me raporte mjeko-ligjore, përgjime dhe me dëshmitarë të Rregullës 155. Tha se këto duhet të merren parasysh kur të merren vendimet lidhur me afatin kohor që e përmendi Mishetiq.

    Me kaq përfundoi seanca e sotme në këtë rast gjyqësor.

  • Zgjedhjet lokale, zbulohet data se kur do të mbahet balotazhi

    Zgjedhjet lokale, zbulohet data se kur do të mbahet balotazhi

    Më 12 tetor 2025 do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, ku qytetarët do të votojnë për përfaqësuesit e rinj në nivel komunal.

    Në ato komuna ku asnjëri nga kandidatët për kryetar komune nuk arrin të sigurojë mbi 50% të votave, procesi do të shkojë në balotazh.

    Sipas Valmir Elezit, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, balotazhi do të mbahet më 9 nëntor 2025.

    “Secili kryetar i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Në fletëvotim, votuesi duhet të votojë vetëm njërin nga kandidatët për kryetar të komunës. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet rundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, ka thënë ndër të tjera ai.

  • Gafa e Trump bëhet shaka nga Rama, Macronit: “Duhet të na urosh paqen me Azerbajxhanin”

    Gafa e Trump bëhet shaka nga Rama, Macronit: “Duhet të na urosh paqen me Azerbajxhanin”

    Kryeministri i Shqipëri, Edi Rama, i cili po merr pjesë në takimet e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, ka bërë shaka lidhur me një ngatërresë të bërë nga presidenti amerikan Donald Trump. Ky i fundit gjatë një konference kishte thënë se kishte arritur të shuante një konflikt mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, duke e arritur paqen mes dy vendeve.

    Për këtë, Rama, gjatë një bisede me presidentin francez Emmnauel Macron, i ka thënë këtij të fundit se duhet të kërkojë falje që s’i ka uruar të dy vendet për paqen e arritur, shkruan Gazeta Express.

    “Duhet të na kërkoni falje që nuk na uruat për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Ai punoi shumë për këtë”, tha Rama.

    Në videon e ndarë në rrjetet sociale, shihen teksa qeshin Macron dhe të pranishmit e tjerë.

    Kjo ishte gafa e Presidentit Trump.

  • Osmani: Nuk mund ta trajtosh Rusinë si agresor, ndërsa Serbinë si partner të paqes

    Osmani: Nuk mund ta trajtosh Rusinë si agresor, ndërsa Serbinë si partner të paqes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një adresimi për media në kuadër të Samitit të Komitetit Politik Evropian që po mbahet në Danimarkë, ka theksuar se ky samit është një mundësi e madhe për të diskutuar rreth kërcënimeve që vijnë nga Rusia.

    Ajo ka përmendur edhe Serbinë si një ndër dy kërcënimet kryesore me të cilat përballet rajoni, duke e quajtur atë “satelit të Rusisë”. Sipas saj, nuk mund të trajtohet njëri si agresor e tjetri si partner i paqes.

    “Duhet të themi se vetëm uniteti nuk mjafton, ka nevojë të vazhdueshme për konsistencë për t’u marrë me agresorë dhe diktatorë. Janë aktualisht dy rreziqe kyç të sigurisë që janë duke ardhur kundër shteteve në kontinentin tonë, një vjen nga Rusia, tjetra veçanërisht në rajonin tonë vjen nga sateliti i Rusisë, zgjatja e Rusisë në rajonin tonë, Serbia. Mendoj që është e nevojshme konsistenca nga BE-ja që të merren me të dy agresorët sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe tjetrin si partner të paqes”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka akuzuar Serbinë se i ka trajtuar shtetet fqinje si vende që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme dhe ka vepruar si agresor ndaj tyre.

    Duke folur para gazetarëve të huaj, presidentja ka rikujtuar edhe sulmin terrorist në Banjskë, duke theksuar se Serbia dhe Rusia përdorin metoda të ngjashme për të kërcënuar stabilitetin në rajon.

    “Natyrisht që është kopje e Rusisë. Fatkeqësisht Rusia e mbështetë Serbinë, kështu që tradicionalisht e kanë përdorur këtë koncept: Rusia flet për Rusinë e Madhe ndërkaq Serbia flet për Serbinë e Madhe dhe përdorin të dyja metodat e njëjta të kërcënimit. Ne sapo kemi shënuar dy vjet të agresionit të Serbisë në veri të vendit tonë, Bashkimi Evropian vazhdimisht ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe kanë pasur zero përgjegjësi”, ka deklaruar ajo.

    Osmani ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se po përpiqet të kopjojë taktikat e Vladimir Putinit përmes agresionit dhe destabilizimit të rajonit. Sipas saj, është e domosdoshme që shtetet e BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë që bashkëpunon me Rusinë nuk është rruga e duhur.

    “Është e rëndësishme që shtetet që janë 100 për qind të rreshtuara nga BE-ja të shpërblehen”, ka theksuar ajo.

    Duke folur për Ukrainën, presidentja ka thënë se populli ukrainas është i vendosur për liri dhe paqe.

    “Ata do ta fitojnë luftën, do ta fitojnë paqen. Për Bashkimin Evropian dua të them se historia tregon diktatorët kënaqen kur nuk çon te paqja e qëndrueshme. Thirrja jonë është që të jenë të kujdesshëm që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë të trajtohet dhe të mos lejohen që ta vazhdojnë dhunën”, ka shtuar ajo.

    Osmani ka ritheksuar se integrimi në Bashkimin Evropian është rruga e vetme për Kosovën, duke kujtuar se 97 për qind e popullit të saj mbështet anëtarësimin në këtë union.

    Megjithatë, presidentja ka pranuar se nuk mund të japë një afat për anëtarësimin e Kosovës, pasi kjo nuk varet nga vendi ynë. Ajo ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se do të punojë për t’i bindur të gjitha shtetet anëtare se Kosova nuk është barrë për Bashkimin Evropian.

  • Tetori sjell borën e parë në Kosovë

    Tetori sjell borën e parë në Kosovë

    Mëngjesi i së enjtes ka sjellë reshjet e para të borës për sivjet në Kosovë, ku zonat e larta malore, kryesisht në rajonin e Dukagjinit, janë zbardhur nga një shtresë bore.

    Disa pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë se bora ka mbuluar Prevallën, Brezovicën, Brodin, si dhe zonën malore të Strellcit në Deçan.

    Ndërkohë, në viset e ulëta të vendit, moti po karakterizohet nga reshje shiu.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Covey: Thaçi ishte vetëm një urë lidhëse

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Covey: Thaçi ishte vetëm një urë lidhëse

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes, James Peter Covey.

    Në seancën e sotme, ai deklaroi se Hashim Thaçi ishte një “urë lidhëse” kur kërkoi armë për disa anëtarë të UÇK-së.

    Sipas ish-zëvendësit të Bernard Kouchnerit, ndërkombëtarët e kuptuan se ai po kryente detyrën që i kërkuan të tjerët.

    James Peter Covey është dëshmitari i katërt i mbrojtjes, e cila nisi paraqitjen e provave të saj më 15 shtator.

    Dëshmisë së tij i paraprinë emra të njohur të diplomacisë ndërkombëtare, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin e gjeneralit Wesley Clark.

  • Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Dëshmitari i katërt i Mbrojtjes së Thaçit, James (Jock) Covey, vazhdon edhe sot dëshminë e tij në Speciale.

    Dëshmitari James Peter Covey, në dëshminë e tij në Hagë, ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka ndërlidhje me asnjë nga pretendimet e prokurorisë për veprimtari kriminale nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dëshmia e tij vazhdon me pyetjet shtesë të avokatit Luka Mishetiq.

    James (Jock) Covey është dëshmitari i thirrur nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, Covey ka shërbyer si Zëvendës Kryesor i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën gjatë periudhës përkatëse.