ATV

Tag: Ballina

  • Kurti nuk komenton kritikat e SHBA-së për moscertifikim të Listës Serbe

    Kurti nuk komenton kritikat e SHBA-së për moscertifikim të Listës Serbe

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë karshi Lëvizjes Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Pas pjesëmarrjes së tij në konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, kur u pyet nga gazetarët për kritikat karshi vendimit të partisë që ai udhëheqë për moscertifikimit të Listës Serbe, Kurti nuk foli para mediave.

    Gjatë ditës së sotme, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar ashpër pas moscerifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA thotë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse.

    Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

    “Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.

    Për moscertifikim të Listës Serbe ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph i cili tha se procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë.

    Kujtojmë se dje në votimin ndaras për certifikimin e subjekteve politike, Lista Serbe nuk u certifikua nga anëtarët e KQZ-së ku mori 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

  • Ngrihet aktakuzë kundër Mogherinit për mashtrim dhe korrupsion

    Ngrihet aktakuzë kundër Mogherinit për mashtrim dhe korrupsion

    Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër ish-shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe dy persona të tjerë, për mashtrim në prokurime dhe për korrupsion, si dhe për konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

    Ata u arrestuan të martën si pjesë e një hetimi të BE-së për mashtrim, por u liruan më vonë derisa hetimet të vazhdojnë, tha EPPO-ja, duke shtuar se nuk ka rrezik që ata të ikin, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    EPPO-ja i përshkroi dy të dyshuarit e tjerë si një punonjës të lartë të College of Europe në Bruzh dhe një zyrtar të lartë të Komisionit Evropian. Tri burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se një nga të ndaluarit ishte diplomati i lartë i BE-së, Stefano Sannino.

    “Të gjitha personat konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet nga gjykatat kompetente belge”, shtoi EPPO.Ata u arrestuan pas bastisjeve në shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel, në College of Europe – një universitet elitar në Bruzh që arsimon shumë zyrtarë të BE-së – si dhe në shtëpitë e të dyshuarve.

    Mogherini ka qenë përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe drejtore e shërbimit diplomatik nga 2014 deri në 2019. Ajo u bë rektore e College of Europe në vitin 2020.

    Mogherini ishte përfaqësuese e lartë për punët e jashtme nga viti 2014 deri në vitin 2019. Ajo u emërua drejtoreshë e kolegjit pasuniversitar College of Europe më 2020.

    Mogherini e ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas EPPO-s, hetimi lidhet me “dyshime për mashtrim që ka të bëjë me trajnime të financuara nga BE për diplomatë të rinj”.

    Mogherini dhe Sannino, që të dy shtetas italianë, janë figura të njohura në qarqet diplomatike të Brukselit, dhe lajmi i për arrestimin e tyre shkaktoi tronditje në komunitetin e BE-së të martën./REL

  • Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ-ja

    Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ-ja

    Albert Krasniqi nga organizata Democracy Plus ka kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pas reagimeve të fundit nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës lidhur me mos certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Krasniqi ka thënë se dy anëtarët e LVV-së në KQZ meritojnë të shkarkohen nga pozita e tyre, pas veprimeve të fundit.

    Sipas Krasniqit, dy anëtarët e VV-së në KQZ kanë shfaqur sjellje dhe mosnjohje elementare të ligjeve, duke synuar dëmtimin e procesit zgjedhor.

    “Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”, ka shkruar Krasniqi.

    “Anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm. Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit. Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së.

    Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Ndërsa anëtarët tjerë duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm”, thuhet në postimin e Krasniqit

  • Ramës “i del punë” me një mërgimtar, e njofton se do ta padisë për shpifje pas një komenti në Facebook

    Ramës “i del punë” me një mërgimtar, e njofton se do ta padisë për shpifje pas një komenti në Facebook

    Përparim Rama ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj një mërgimtari, pas një komenti të këtij të fundit në rrjetin social të kryetarit të Komunës së Prishtinës.

    Edmond Rexhaj, një qytetar me vendbanim në Morges të Zvicrës kishte hedhur dyshime mbi menaxhimin e mjeteve të ndara nga Ministria e Financave për ndërprerjen e grevës së transportuesve publik në kryeqytet.

    “Sa i nale për veti? A jon boll?”, thuhej në një koment të Rexhajt në postimin ku Rama kishte njoftuar se Ministria kishte alokuar mjetet buxhetore.

    Kaq kishte mjaftuar për kryetarin Rama që të njoftonte se kishte nisur përgatitjet për padi ndaj mërgimtarit Rexhaj.

    “Mirëmengjesi juve në Morges. Padia për ty sapo filloi me u përgatit. Shihemi në gjykatë Edmond Rexhaj!”, thuhet në komentin e Ramës.

    Ministria e Financave kishte ndarë 2.7 milionë euro mbrëmë me qëllim të ndërprejes së grevës së transportuesve publik në Prishtinë.

    Për nëntë ditë me radhë, Trafiku Urban dhe kompanitë private transportuese me autobusë kishin hyrë në grevë për shkak të borxheve duke shkaktuar kaos në kryeqytet.

  • Maqedonci dhe Helez dakordohen për thellim të bashkëpunimit ushtarak Kosovë – Bosnjë

    Maqedonci dhe Helez dakordohen për thellim të bashkëpunimit ushtarak Kosovë – Bosnjë

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka zhvilluar një takim bilateral me homologun e tij të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez.

    Maqedonci me Helez janë dakorduar të eksplorojnë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet dy ministrive dhe ushtrive.

    Ai ka thënë se bashkëpunimi rajonal përbën një komponent thelbësor për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për vendet.

  • Joseph: Ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO

    Joseph: Ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO

    Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins”, ka vlerësuar se për Kosovën, aktualisht, anëtarësimi në NATO është çështje më e rëndësishme sesa integrimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Joseph mori pjesë në një seancë të Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u diskutua tema “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Ai u pyet nga kongresmeni demokrat, Bill Keating, për rolin e ndihmës së SHBA-së në stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e Kosovës në BE dhe NATO.

    Duke iu përgjigjur, Joseph theksoi se ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    “Një rrugë drejt NATO-s, qoftë edhe vetëm një rrugë, do ta përfundonte në mënyrë efektive bllokadën, sepse në atë moment Serbia nuk do të kishte alternativë tjetër. Fushata e saj e mosnjohjes, varësia nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të humbnin çdo peshë”.

    Profesori amerikan shtoi se mbështetja e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake e SHBA-së për Kosovën është thelbësore për interesat e Amerikës:

    “Duhet të kujtojmë se SHBA-ja dhe NATO-ja tashmë e kanë obligimin dhe përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e Kosovës nëpërmjet KFOR-it. Forcimi i sigurisë ekonomike dhe ushtarake të Kosovës përmes marrëdhënieve dypalëshe shërben drejtpërdrejt edhe interesave tona të sigurisë”.

  • Autobusët e “Trafikut Urban” rinisin qarkullimin

    Autobusët e “Trafikut Urban” rinisin qarkullimin

    Pas grevës 1-javore, Trafiku Urban ka njoftuar se do t’i rikthehet punës nga sot

    Në njoftim thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik qysh nga sot.

    “Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.

    Punëtorët e Trafikut Urban dhe transportuesve privat kanë protestuar çdo ditë para objektit të Komunës së Prishtinës.

    Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të enjten për të miratuar bartjen e të hyrave vetanake, për t’i hapur rrugë pagesës së faturave.

    Alokimi i një pjese të këtyre mjeteve është bërë tek sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Bëhet fjalë për 2.7 milionë euro.

  • Vetëvendosje shpall zgjedhje të brendshme për listën e deputetëve

    Vetëvendosje shpall zgjedhje të brendshme për listën e deputetëve

    Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

    Përmes një njoftimi, ky subjekt politik ju ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të saj të interesuar për të kandiduar për deputet, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentet shoqëruese, raporton IndeksOnline.

    Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

    Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

    Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 02.12.2025 deri me datë 04.12.2025. Në secilën Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë ngritur Komisionet Zgjedhore Ad-Hoc të Qendrave, ku anëtarët e interesuar mund të drejtohen për çdo informacion të mëtejshëm.

    Me besimin e plotë në vlerat e demokracisë sonë të brendshme dhe në respektim të Statutit, ky proces synon të çojë përpara kandidatet dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

  • Trump shpërndan artikullin ku Presidentja Osmani ia jep atij meritat për ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Trump shpërndan artikullin ku Presidentja Osmani ia jep atij meritat për ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shpërndarë sot një opinion të publikuar në “The Washington Post”, ku vlerësohet se ai e meriton Nobelin për Paqe.

    Tek arsyet, përmendet ndalja e konflikteve nëpër botë, ku përfshihet edhe parandalimi i një konflikti mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në shkrim është theksuar edhe deklarata e Presidentes Vjosa Osmani, ku i kishte dhënë merita Trumpit

    “Për më tepër, Trump pohon se ai e parandaloi një luftë midis Serbisë dhe Kosovës (Presidentja e Kosovës mbështeti pretendimin e Trump, duke thënë se Serbia po planifikonte të sulmonte Kosovën në maj para se Trump të ndërhynte)”, thuhet në shkrim.

    Trump disa herë ka deklaruar se në mesin e luftërave që ka ndalur, është edhe ajo mes Kosovës dhe Serbisë.

    Opinioni është nga Marc A.Thiessen

  • Trafiku Urban i kthehet punës nga nesër, i paguhen faturat nga komuna

    Trafiku Urban i kthehet punës nga nesër, i paguhen faturat nga komuna

    Pas grevës 1-javore, Trafiku Urban ka njoftuar se do t’i rikthehet punës nga nesër.

    Në njoftim thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik qysh prej nesër.

    “Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.