ATV

Tag: Ballina

  • Merovci për ditëlindjen e Ibrahim Rugovës: Njeriu i tokës, fjalitë i kishte të shkurta dhe të thella

    Merovci për ditëlindjen e Ibrahim Rugovës: Njeriu i tokës, fjalitë i kishte të shkurta dhe të thella

    Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Adnan Merovci e ka përshkruar urtësinë e tij, duke thënë se çdoherë mbante kokën ulur dhe shihte tokën.

    Ai e ka quajtur Rugovën “njeriu i tokës”.

    “Njeriu i Tokës! Çdoherë mbante kokën ulur, shihte tokën, unë herë para, herë mbrapa afër tij mbaja kokën lartë duke dashur ta pushtoj qiellin derisa u binda se ai me kokë ulur shihte më shumë se të gjithë të tjerët! Folte për toke! Fjalitë i kishte të shkurta dhe të thella që flisnin më shumë ndaj frazave të gjata të tjerëve! Luftoi për tokën! Një Kosovë e pavarur dhe…, do të ishte zgjedhja më e mirë, ishte kauza e tij që nga utopia u bë realitet! Po thojnë se sot ai ka ditëlindjen, Njeriu i Tokës!”, ka shkruar Merovci.

    Ish-Presidenti Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut, ndërsa vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

  • Vazhdon edhe sot protesta e transportit publik në Prishtinë

    Vazhdon edhe sot protesta e transportit publik në Prishtinë

    Punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe sot do të protestojnë, ndërsa kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave, në mënyrë që të kthehen në punë.

    “Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban.

    Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së sektorit privat të autobusëve, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë ato sa më shpejt. “Më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport; ata janë duke e vuajtur më së shumti. Sa më shpejt të dalin mjetet, aq më shpejt fillon transporti”, tha ai.

    Nga Komuna e Prishtinës, të hënën nuk janë deklaruar lidhur me këtë situatë. Hulumtues nga Instituti GAP thonë se pritjet që problemet buxhetore të tejkalohen brenda ditës janë të gabuara.

    Që një javë, në kryeqytet nuk kanë qarkulluar autobusët e transportit publik, ndaj banorët e Prishtinës janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative.

  • E konfirmon Daut Haradinaj, kunati i Haxhiut pjesë e listës së AAK-së

    E konfirmon Daut Haradinaj, kunati i Haxhiut pjesë e listës së AAK-së

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

    Subjekti politik i udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka nisur të përforcojë radhët e veta duke sjellur edhe emra të rinj për listën e deputetëve që do të garojnë në këto zgjedhje.

    Pjesë e listës së AAK-së, do të jetë edhe Dardan Krasniqi, i cili është kunati i ish-ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut.

    Kjo u konfirmua përmes një lidhje direkte nga Daut Haradinaj, në emisionin DPT te Fidani

  • KFOR-i thotë se ushtarët e saj po i vazhdojnë patrollimet natë e ditë në veri

    KFOR-i thotë se ushtarët e saj po i vazhdojnë patrollimet natë e ditë në veri

    KFOR ka publikuar fotografi nga patrullimet e ushtarëve, teksa ka thënë se të njëjtit do të vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditore dhe natën, në veri dhe zonat tjera të përgjegjësisë, për të garantuar sigurinë në vend.

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, KFOR ka thënë se këto veprime të vazhdueshme tregojnë përkushtimin afatgjatë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    “Ushtarët e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, do të vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditore dhe natën, duke siguruar një prani të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe qetësuese si në veri të Kosovës, ashtu edhe në të gjithë zonën e përgjegjësisë. Personeli i KFOR-it vazhdon të jetë vigjilent, duke qenë i informuar për situatën dhe duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në të gjithë rajonin. Këto veprime të vazhdueshme tregojnë përkushtimin afatgjatë të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Në fund të njoftimit theksohet se “KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për çështjet e sigurisë”.

  • OEK i jep ZRRE-së 5 ditë afat: Zbatoni vendimin e Supremes ose do të dorëzojmë kallëzim penal

    OEK i jep ZRRE-së 5 ditë afat: Zbatoni vendimin e Supremes ose do të dorëzojmë kallëzim penal

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025 dhe duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të këtij institucioni, nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh.

    Në njoftimin e saj, OEK thekson se Gjykata Supreme ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit.

    Sipas OEK-ut, vendimi i Supremes është “i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm”.

    Oda kritikon ashpër komunikatën e ZRRE-së të datës 18 nëntor, duke e cilësuar si tentim për të “relativizuar këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme”.

    Në reagim thuhet se: “Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.”

    Sipas OEK-ut, bizneset janë dëmtuar rëndë nga procesi i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm, duke u përballur me rritje çmimesh, kontrata të imponuara dhe depozita të pajustifikuara.

    OEK kërkon nga ZRRE që brenda pesë ditësh kalendarikë të ndërmarrë hapat e detyrueshëm.

    “Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm dhe të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

    Nëse këto veprime nuk ndërmerren brenda afatit, OEK paralajmëron se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së, si përgjegjës për pengimin e zbatimit të një vendimi të formës së prerë.

    Sipas njoftimit, moszbatimi i vendimit dëmton rëndë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore, besueshmërinë e investitorëve, stabilitetin ekonomik, sigurinë juridike në sektorin energjetik dhe imazhin e vendit si destinacion për investime.

    OEK shton se procesi i paligjshëm ka “krijuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka pamundësuar investime të reja, duke rrezikuar mijëra vende pune”.

    Në fund të njoftimit, OEK garanton se do të vazhdojë mbrojtjen juridike të bizneseve të prekura, dhe se nuk do të lejojë që vendimet e formës së prerë të injorohen.

    “Shteti ligjor funksionon vetëm kur vendimet e gjykatave zbatohen. Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë mbi ligjin,” përfundon njoftimi i OEK-ut.

  • Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përgatitet fuqishëm për zgjedhje.

    Partia e Ramush Haradinajt do të futet në zgjedhje me dy ish-kryeministra, liderin Haradinaj dhe ish-kryeministrin Agim Çeku.

    Ky i fundit do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Më 2 mars të vitit 2006, pas dorëheqjes së kryeministrit Bajram Kosumi, partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e propozoi Çekun për kryeministër.

    Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi atëbotë ushtarakun si kryeministër të vendit.

  • Deri tani, 24 mijë e 500 aplikime për të votuar nga diaspora, refuzohen rreth 3 mijë e 500

    Deri tani, 24 mijë e 500 aplikime për të votuar nga diaspora, refuzohen rreth 3 mijë e 500

    Nga KQZ kanë bërë të ditur se vetëm nga data 26 deri më 30 nëntor kanë pranuar 24 mijë e 500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nga këto janë aprovuar 14 mijë e 500, ndërsa janë refuzuar rreth 3 mijë e 500 prej tyre. Poashtu ai tha se mbi 6 mijë të tjera janë në vlerësim e sipër.

    “Nga data 26 nëntor dhe deri më 30 nëntor, pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar rreth 24,500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosoës, prej të cilave janë aprovuar mbi 14,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,500. Në vlerësim e sipër janë rreth 6,400 aplikime”, tha Elezi.

    Sipas tij, pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

    “Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

    KQZ i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, tha Elezi.

  • LDK sot mbledh Këshillin e Përgjithshëm

    LDK sot mbledh Këshillin e Përgjithshëm

    Pasditen e së hënës pritet të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Nga LDK-ja njoftojnë se mbledhja do të mbahet në orën 17:00.

    “Sot (e hënë), në orën 17:00 mbahet mbledhja e radhës së Këshillit të përgjithshëm të LDK-së. Mbledhja mbahet në hoteglin “Venus” (magjistralja Prishtinë-Ferizaj). Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit ku kryetari Abdixhiku mban fjalën e tij, pastaj Këshilli i përgjithshëm vazhdon punimet”, thuhet në komunikatën për media.

  • Rizvanolli: Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”

    Rizvanolli: Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se do të fillojë instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”.

    Ajo thotë se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet teknike por edhe ligjore, duke theksuar se po bëhet me financimin e rreth 90 milionë euro nga Bashkimi Evropian.

    “Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B” pasi janë përmbushur të gjitha kushtet teknike e ligjore, përfshirë dilatimin e bojlerëve në vitin 2023. Këtë vit, KEK ka realizuar edhe modernizimin e turbinës në njësinë B1. Me rreth 90 milionë euro financim nga BE, filtrat do të ulin emetimet e pluhurit deri në 35 herë dhe oksideve të azotit (NOx) deri në 4 herë, duke i sjellë në përputhje me standardet e BE-së dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në Obiliq, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Faleminderit Bashkimit Evropian për mbështetjen afatgjatë në modernizimin e sektorit tonë të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe faleminderit punonjësve dhe menaxhmentit të KEK-ut për punën shumëvjeçare për ta çuar këtë projekt kompleks deri në fazën e implementimit. Ky është një hap konkret drejt furnizimit më të pastër dhe më të sigurt me energji për familjet dhe bizneset tona, dhe drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli.

  • Baca Rifat Jashari sot feston ditëlindjen e 79-të

    Baca Rifat Jashari sot feston ditëlindjen e 79-të

    Rifat Jashari, figura publike shqiptare dhe patriark i familjes Jashari, vëllai i mbijetuar i komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe Hamëz Jashari, feston sot ditëlindjen.

    Ai ka mbushur plot 79 vjet.

    Këtë 1 dhjetor, ai pranoi urime të përzemërta si nga familja, ashtu edhe nga figura të njohura politike.

    Jashari, ndër vite ka qenë zëri i luftës çlirimtare të Kosovës, të cilët iu vranë dhjetëra familjarë nga forcat e regjimit serb.