ATV

Tag: Ballina

  • MUP’i serb thotë se ka arrestuar një shtetas shqiptar në Merdare: Iu gjet një flamur me logo të UÇK’së

    MUP’i serb thotë se ka arrestuar një shtetas shqiptar në Merdare: Iu gjet një flamur me logo të UÇK’së

    Ministria e Brendshme e Serbisë, ka njoftuar se një shtetas shqiptar është arrestuar sonte në pikën kufitare në Merdare.

    Siç raporton mediumi ‘Kossev’, atij i është gjetur një flamur me mbishkrimin e UÇK-së.

    Personi i arrestuar është L.D, i lindur në vitin 1992.

    Nga raportimi kuptohet se arsyeja e vetme është flamuri i kuq me emrin e UÇK-së.

    Ky arrestim është bërë mbi akuzën për gjoja “Nxitje të Urrejtjes dhe Intolerancës Kombëtare, Racore dhe Fetare”.

  • Reagon Rrjeti i Grave: Dënojmë gjuhën denigruese, seksiste ndaj Adriana Matoshit nga Sami Lushtaku

    Reagon Rrjeti i Grave: Dënojmë gjuhën denigruese, seksiste ndaj Adriana Matoshit nga Sami Lushtaku

    Rrjeti i Grave të Kosovës, ka dënuar gjuhën denigrues dhe seksiste të kryetarit të Skenderaj, Sami Lushtakun ndaj deputetes Adriana Matoshit.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook në reagim thuhet se sulme të tilla personale, jo vetëm që ofendojnë një grua të zgjedhur nga qytetarët, por godasin të gjitha gratë që marrin pjesë në jetën publike dhe politike.

    “Dënojmë fuqishëm gjuhën denigruese, seksiste dhe krejtësisht të papranueshme të përdorur ndaj deputetes Adriana Matoshi nga Sami Lushtaku. Sulme të tilla personale, jo vetëm që ofendojnë një grua të zgjedhur nga qytetarët, por godasin të gjitha gratë që marrin pjesë në jetën publike dhe politike. Kjo retorikë ushqen kulturën e dhunës me bazë gjinore dhe përpiqet të ulë zërin e grave përmes turpërimit e diskriminimit. U bëjmë thirrje institucioneve, partive politike dhe shoqërisë që ta dënojnë këtë gjuhë dhe të angazhohen për një diskurs publik që respekton dinjitetin e secilit person, pa dallim gjinie”, thuhet në reagim.

  • ASK: Çmimet e pronave banesore u rritën me 4.2 % krahasuar me vitin 2024

    ASK: Çmimet e pronave banesore u rritën me 4.2 % krahasuar me vitin 2024

    4.2 për qind shtrenjtim të çmimit kanë pësuar banesat në nivel vendi këtë vit krahasuar me çmimet në vitin 2024. Kjo qe një nga statistikat e shpalosura sot në publikimin e Indeksit të Çmimeve të Pronave Banesore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Avni Kastrati, drejtor i ASK-së ka thënë se veçantia e këtij indeksi qëndron te fakti që po realizohet të parën herë dhe do të shërbejë edhe në arenën ndërkombëtare.

    “Është shumë i rëndësishëm sepse përveç institucioneve qendrore e lokale, do t’ju ndihmoj edhe atyre private që merren me patundshmëritë”, ka thënë ai.

    Ky indeks ka analizuar gjendjen praktike ndërmjet viteve 2018 – 2025.

    “Në nivel vendi, çmimet e pronave banesore u rritën me 4.2% në tre mujorin e dytë të vitit 2025, krahasuar me tre mujorin e dytë të vitit 2024. Rajoni i Prishtinës shënoi rritje prej 6.5%, ndërkaq rajonet e tjera të vendit pati rritje më të lehtë prej 0.7%”, ka thënë Gëzim Ahmeti, zyrtar për statistika të çmimeve.

    “Indeksi i çmimeve të pronave të banimit , ka një trend të rritjes prej 2018 që nisë me 100.0 ndërkaq në 2024 me 118. 1%”, vazhdoi Ahmeti.

    Në anën tjetër publikimi i këtij Indeksi u përkrah edhe nga Banka Qendrore e Kosovës. “Prej mënyrës se si lëviz ky indeks shohim se a kemi rritje apo ngadalësim të ekonomisë. Pikërisht për këtë arsye është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vlerësimin makro ekonomik të situatës dhe për neve për politikbërjes”, ka thënë zëvendës guvernator i BQK-së, Milot Cakaj.

  • Refuzohen mbi 6 mijë aplikime për votim nga diaspora, gati 49 mijë aprovohen

    Refuzohen mbi 6 mijë aplikime për votim nga diaspora, gati 49 mijë aprovohen

    Nga 26 nëntori deri më 4 dhjetor janë pranuar më shumë se 55.600 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar mbi 48.600, ndërkaq janë refuzuar mbi 6.400, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Ndërkohë, në vlerësim e sipër janë rreth 500 aplikime.

    KQZ ka thënë se nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, rreth 35,000 prej tyre, për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe më shumë se 1,600 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    Ndërkaq, mbi 12,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit

    Gjykata Speciale ka njoftuar se në rastin “Thaçi dhe të tjerët” të administrimit të drejtësisë, Hashim Thaçit dhe të tjerëve u është vazhduar paraburgimi.

    “Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit më 3 dhjetor 2025, Gjykatësi i Vetëm urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut. Gjykatësi Gosnell konstatoi se ekziston rreziku real që të akuzuarit, nëse do të liroheshin, mund të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera”, njofton Specialja.

    Aktakuza kundër të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor dhe u bë publike më 6 dhjetor 2024. Më 3 prill 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht apelin e ZPS-së kundër vendimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake të datës 29 nëntor 2024 për konfirmimin e aktakuzës.

    ZPS-ja kundërshtoi interpretimin e Gjykatëses të nenit 32(3) të Kodit Penal të Kosovës (KPK), me argumentin se ajo gaboi që përjashtoi përgjegjësinë penale të Hashim Thaçit për nxitje bazuar në një keqinterpretim të kritereve të dënimit. Me vendim të shumicës – gjykatësja Jorgensen ishte në mospajtim – Paneli u pajtua se neni 32(3) zbatohet për vepra penale për të cilat shkallëzimi i dënimeve përfshin pesë vjet ose më shumë se pesë vjet, edhe nëse jo dënim minimal. Paneli ia ktheu çështjen Gjykatëses së Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm.

    Më 14 prill 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ndryshoi vendimin e saj duke konfirmuar një formë përgjegjësie penale shtesë për Thaçin në bazë të nenit 32(3) të KPK në akuzat e paraqitura në Pikat 1, 2, dhe 3 të aktakuzës. Ajo urdhëroi ZPS-në të dorëzojë aktakuzën e re të konfirmuar, e cila u dorëzua më 16 prill 2025.

    Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

    Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, me Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

    Isni Kilaj u arrestua më 2 nëntor 2023 në Kosovë dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të DHSK-së më 3 nëntor 2023. Seanca e paraqitjes së parë të Kilajt, si i dyshuar, para Gjykatësit të Vetëm, u mbajt më 4 nëntor 2023, në bazë të nenit 41 të Ligjit dhe rregullës 55 të Rregullores. Në maj 2024, për shkak të vonesave të konsiderueshme të afatit të procedurave, Gjykatësi i Vetëm përcaktoi se zgjatja e paraburgimit të tij do të ishte e paarsyeshme dhe urdhëroi lirimin e Kilajt në Kosovë me kushte të rrepta. Vendimi i Gjykatësit të Vetëm u konfirmua në vijim nga Gjykata e Apelit e DHSK-së. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai u konsiderua vetëm si i dyshuar.

    Pas konfirmimit të Aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë më 6 dhjetor 2024. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë.

    Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen në formë të shkruar deri më 7 janar 2025. Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar ndërsa u bë publike më 14 janar 2025.

    Më 19 shtator 2025, ZPS-ja dorëzoi, si konfidenciale, dosjen e vet paraprake. Më 7 tetor 2025, ZPS-ja e dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të korrigjuar. Më 20 dhe 23 tetor 2025, Fadil Fazliu dhe Hashim Thaçi dorëzuan versionet e redaktuara publike të dosjeve të tyre paraprake.

    Më 11 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, Kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm në gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm.

    Konferencat për përgatitjen e gjykimit u mbajtën më 28 nëntor 2025.

  • KQZ mblidhet sërish sot, ky është rendi i ditës

    KQZ mblidhet sërish sot, ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sërish sot për përgatitjet mbi zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkruan Reporteri.net.

    Fillimisht do të bëhet certifikimi i rezultateve përfundimtare për Kuvendin Komunal në Istog, për zgjedhjet e 12 tetorit.

    Pastaj janë pikat për zgjedhjet e dhjetorit:

    -Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës së votimit dhe numërimit në vendvotim;

    – Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës së Qendrës Komunale të Numërimit;

    – Shqyrtimi dhe miratimi i korikulës së trajnimit “Trajnimi i trajnerëve”.

    – Shqyrtimi dhe miratimi i programit të trajnimit për trupat menaxhuese të zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 28.12.2025;

    Mbledhja do të mbahet në orën 15:00.

  • Skandali i korrupsionit që tronditi Brukselin – çfarë bashkëpunimi kishte Mogherini me institucionet e Serbisë?

    Skandali i korrupsionit që tronditi Brukselin – çfarë bashkëpunimi kishte Mogherini me institucionet e Serbisë?

    Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, është në qendër të një prej skandaleve më të mëdha kundër korrupsionit në institucionet e BE-së në dekadën e fundit.

    Prokuroria belge edhe zyrtarisht e ka akuzar për mashtrime procedurale, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit zyrtar, në lidhje me tenderin për trajnimin e diplomatëve të rinj në kuadër të EU Diplomatic Academy – akademisë që drejtohej nga College of Europe, raporton nova.rs.

    Akademia filloi si një pilot projekt më 2022 për të bashkuar trajnime për diplomatë, zyrtarë të institucioneve evropiane dhe ekspertë nga vendet kandidate; por tani, faza e institucionalizimit të saj po vlerësohet me dyshime serioze – prokuroria heton nëse tenderi ishte i manipuluar për t’i favorizuar College of Europe.

    Në Serbi, vëmendje të veçantë ngjalli fakti se vetëm pak muaj përpara arrestimit të ish-lehtësuesja e dialogut Kosovë-Serbi, ajo kishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Telekom Serbia.

    Bashkëpunimi i tyre filloi në vitin 2023 me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi midis Mogherinit dhe Vladimir Luçiqit. Telekomi siguroi bursa për studentët serbë që dëshirojnë të ndjekin programet pasdiplomike në Akademinë Diplomatike në Bryzh dhe Tiranë. Financimi përfshinte shkollimin, qëndrimin dhe aktivitetet akademike, dhe programi u paraqit si pjesë e kontributit strategjik për integrimin evropian të Serbisë.

    Në janar të vitit 2025, gjatë një takimi në Bruksel, u ra dakord që Telekomi të siguronte edhe dhjetë bursa të tjera, gjë që u paraqit si “investimi më i madh i Telekomit në programet evropiane arsimore deri më tani”.

    Pas arrestimit të Mogherinit, shtrohet edhe pyetja: a do ta përfshijë hetimi edhe natyrën e marrëdhënies së saj me Telekom Srbija, veçanërisht duke pasur parasysh se ky program ishte një nga partneritetet arsimore më të promovuara të kompanisë shtetërore serbe jashtë vendit? Edhe pse aktualisht nuk ka indikacione formale që Telekomi të jetë pjesë e hetimit, fakti që Mogherini pak para shpërthimit të aferës e zgjeroi bashkëpunimin me kompaninë shtetërore serbe, hap hapësirë për pyetje të reja.

    Në nëntor të vitit 2024, Mogerini qëndroi në një vizitë dyditore në Beograd, ku promovoi programet e Kolegjit të Evropës dhe u takua me presidentin, Aleksandar Vuçiq.

    Gjatë kësaj vizite ajo dërgoi disa mesazhe politike, përfshirë edhe komentin se “ata që festojnë fitoren e Donald Trump do ta kuptojnë shumë shpejt se nuk do ta kenë të lehtë”.

    Takimin me Vuçiqin e pranoi edhe Vladimir Luçiq, gjë që tregon më tej intensitetin e partneritetit mes Kolegjit dhe Telekomit.

  • Durmishi: Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët

    Durmishi: Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët

    Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se nga e hëna do të fillohet me mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët që është në kompetencës e Ministrisë që drejton ai, gjithashtu njoftoi se tashmë janë përgatitur për sezonin e dimrit.

    Në një njoftim në rrjetet sociale, Durmishi bëri të ditur takimin së bashku me drejtorin e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve, Qamil Feka, dhe me menaxherët e kontratave të mirëmbajtjes dhe me punëkryesit. Në takim morën pjesë, gjithashtu, edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, nga Departamenti për Menaxhimin e Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.

    Ai shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për më shumë siguri në rrugë dhe qarkullim më të lehtë.

    “Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët që janë në kompetencë të Ministrisë sonë. Përveç sanimit të gropave, njoftojmë edhe një herë qytetarët se jemi të përgatitur për sezonën e dimrit. Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet gjithmonë i nevojshëm”, ka shkruar Durmishi.

  • Fadil Fazliu ofron 40 mijë euro dorëzani për lirimin e tij

    Fadil Fazliu ofron 40 mijë euro dorëzani për lirimin e tij

    Fadil Fazliu i cili po mbahet në paraburgim nën akuzën se ka qenë i përfshirë në veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka kërkuar që të lirohet me kusht duke ofruar një dorëzani prej 40 mijë eurosh.

    Një shumë kaq të madhe, njëjtë kohë më parë e kishte ofruar edhe i bashkakuzuari i tij, Isni Kilaj.

    Sipas mbrojtjes së Fazliut, Gjykimi nuk do të fillojë më 15 dhjetor dhe ka pak gjasa që të fillojë përpara marsit 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtja gjithashtu thotë se ka përfunduar faza e paraqitjes së provave nga Prokuroria dhe mbrojtja në çështjen e Hashim Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte dhe rrjedhimisht çdo rrezik për pengim është zvogëluar ndjeshëm.

    Sipas mbrojtjes, sa i përket rrezikut të arratisjes, Fazliu s’ka pozitë politike dhe s’ka pasaportë shqiptare. Andaj, mbrojtja kishte sugjeruar se si kusht për lirim të përkohshëm të vendoset moslargimi i Fazliut nga Prishtina, të dorëzojë të gjitha dokumentet e udhëtimit dhe të ofrojë një dorëzani në shumën prej 40 mijë eurove.

    Ndërsa, sa i përket rrezikut që ai t’i pengojë procedurat, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë provë që tregon se Fazliu ka manifestuar sjellje të tillë.
    Rrjedhimisht, mbrojtja ka kërkuar që Fazliu të lirohet deri kur të fillojë gjykimi në këtë rast.

    Ndryshe, në sallën e gjyqit janë të pranishëm fizikisht vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Krasniqi i LVV-së shpjegon pse nuk mund të certifikohet Lista Serbe

    Krasniqi i LVV-së shpjegon pse nuk mund të certifikohet Lista Serbe

    Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi i është përgjigjur zërave se nuk ka bazë ligjore që Lista Serbe mos të certifikohet për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të 2025-ës.

    “Keqleximi i kompetencave të KQZ nga disa : një parti mundet me organizu akte terroriste e me cenu rendin kushtetues ama KQZ duhet me e çertifiku, por nëse si parti ke harru me pagu borxhin prej 200 eurosh rrezikon mos me marr pjesë në zgjedhje, sepse KQZ nuk të çertifikon. Por, neni 14, i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme shkruan qartë në pikën 1 .1: Ndalohet regjistrimi i një partie kur është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, parandalimin e çrregullimeve, dhunës dhe krimit, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve”, ka shkruar Krasniqi.