ATV

Tag: Ballina

  • Miljkoviq pranon fajësinë për sulmet ndaj KFOR-it – dënohet me dy vite burgim e gjobë me mijëra euro

    Miljkoviq pranon fajësinë për sulmet ndaj KFOR-it – dënohet me dy vite burgim e gjobë me mijëra euro

    Është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe Ljubisa Miljkoviqit, i akuzuar për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023.

    Në seancën fillestare, prokurori i rastit lexoi aktakuzën, e cila e ngarkon Miljkoviqin me dy vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë, ku kryhen vepra penale dhe huliganizëm”.

    Për veprën e parë, Miljkoviq u dënua me dy vite burgim, ndërsa për veprën e dytë me gjashtë muaj burgim, dënim i cili i zëvendësohet me një gjobë prej 14 mijë euro.

    Prokurori Bekim Kodraliu tha se i pandehuri, në koordinim me persona të tjerë, kishte marrë pjesë në veprime të dhunshme që kishin për synim pengimin e vendosjes së rendit kushtetues në Kosovë.

    “I pandehuri në kooridinim dhe bashkëkryerje me persona të tjerë ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale që përmes dhunës kanë penguar vendosjen e rendit kushtetues në Kosovë. I pandehuri kishte filluar të ushtronte dhunë të pankontrolluar me mjete të forta e armë zjarri ku seriozisht u lënduan disa zyrtarë të KFOR-it shkaktuan dëme materiale, dëmtim të veturave zyrtare, lëndimin e gazetarëve, djegien e plotë të një veture të medias, duke shkaktuar rrezik”, potencoi Kodraliu.

    Nga seanca, ekipi i Tëvë1 bën të ditur se Miljkoviq deklaroi se pranimin e fajësisë e bëri në mënyrë vullnetare, pa asnjë formë presioni.

  • Analisti i ekonomisë paralajmëron rritje të çmimeve me ardhjen e mërgatës në Kosovë

    Analisti i ekonomisë paralajmëron rritje të çmimeve me ardhjen e mërgatës në Kosovë

    Analisti i ekonomisë, Arton Muhaxheri, ka paralajmëruar se vendi rrezikon të përballet me rritje të çmimeve gjatë sezonës së ardhjes së mërgatës, sidomos çmimet e shportës së konsumatorit në markete dhe ato të derivateve.

    “Gjasat që të ndodhë një gjë e tillë janë reale, sepse këtë fenomen e kemi parë pothuajse çdo vit gjatë sezonit të ardhjes së diasporës”, deklaroi ai.

    Muhaxheri tha se kur kërkesa për konsum rritet, tregu i përgjigjet me shtrenjtim, mirëpo sipas tij “problemi kryesor është se çmimet rrallëherë kthehen në nivelin e mëparshëm pasi mërgimtarët largohen”.

    Analisti kritikoi dhe institucionet përgjegjëse, duke thënë se ato prej kohësh kanë braktisur pergjegjësitë e tyre për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet sezonale.

    “Ajo që duhet theksuar është se institucionet të cilat e kanë për detyrë ta menaxhojnë këtë proces dhe ta mbrojnë tregun nga abuzimet sezonale, prej kohësh kanë hequr dorë nga përgjegjësitë e tyre”, theksoi Muhaxheri.

    Sipas Muhaxherit, organet kompetente sillen si vëzhgues, duke lejuar tregun të funksionojë pa asnjë kontroll efektiv.

    “Në vend që të veprojnë, ato po sillen si spektatorë të rëndomtë, ndërsa qytetarëve çdo ditë po u bëhet më e vështirë të përballojnë jetesën”, përfundoi Arton Muhaxheri.

  • Shqipëria merr Presidencën e CEFTA-s në vitin 2026, këto janë katër prioritetet e mandatit

    Shqipëria merr Presidencën e CEFTA-s në vitin 2026, këto janë katër prioritetet e mandatit

    Shqipëria do të marrë Presidencën e Radhës së CEFTA-së në vitin 2026. Ministrja Delina Ibrahimi prezantoi katër prioritetet strategjike që Shqipëria do të udhëheqë gjatë këtij mandati:

    – Fuqizimi i bashkëpunimit politik dhe institucional ndërmjet palëve të CEFTA-s;

    – Rritja e transparencës dhe pjesëmarrjes së aktorëve ekonomikë dhe socialë në hartimin e politikave;

    – Prodhimi i rezultateve konkrete për bizneset, veçanërisht në lehtësimin e qarkullimit të mallrave, Green Lanes, turizmin dhe tregtinë agro-ushqimore;

    – Mbështetja e investimeve me vlerë të shtuar, përmes një tregu rajonal më të harmonizuar dhe më të parashikueshëm.

    Sipas ministres Ibrahimaj, ky është momenti që CEFTA të kalojë në një moment tjetër të rëndësishëm, duke theksuar përkushtimin e Shqipërisë për ta çuar përpara këtë proces në frymën e integrimit europian dhe të zhvillimit të përbashkët ekonomik të rajonit.

  • Mbyllet zyrtarisht paraqitja e provave në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Mbyllet zyrtarisht paraqitja e provave në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave në rastin ku klientët e tyre së bashku me Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Këtë njoftim mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit e kanë bërë ndaras më 2 dhjetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

    Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

    Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

    Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

    Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

  • Burim Ramadani i kthehet garës politike, në listë edhe një doktor dhe ish-deputetja

    Burim Ramadani i kthehet garës politike, në listë edhe një doktor dhe ish-deputetja

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zyrtarizuar kandidatët e saj nga komuna e Suharekës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke rikthyer në garë emra të njohur të skenës politike .

    Në mesin e kandidatëve është edhe Burim Ramadani, i cili i është rikthyer garës për deputet.

    Pjesë e listës është edhe ish-deputetja Albana Bytyçi, e cila synon rikthimin në Kuvend .

    Ndërkohë, AAK ka nominuar edhe doktor Refki Bytyçin kandidat për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen me 28 dhjetor.

  • Mbrojtja e Thaçit dhe e Krasniqit s’kanë më prova e dëshmitarë, gjykimi drejt fundit

    Mbrojtja e Thaçit dhe e Krasniqit s’kanë më prova e dëshmitarë, gjykimi drejt fundit

    Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.

    Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.

    Në parashtresat e publikuara, të cilat i ka parë Nacionale specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.

    “Në përputhje me urdhrin e trupit gjykues, mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para trupit hjykues”, thuhet në parashtresë.

    Ngjashëm, thuhet edhe në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

    “Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores dhe urdhrin e trupit gjykues, mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para trupit gjykues”, thuhet në parashtresë.

    Ky vendim vjen pas refuzimit të shtimit të Bislim Zyrapit në listën e dëshmitarëve.

    Në seancën e fundit, mbrojtja e krerëve të UÇK-së dhe prokuroria, kërkuan disa ndryshime në afatet që ishin dhënë paraprakisht nga gjyqtarët.

    Ato përfshinin afatet për dosjen përfundimtare, fjalën finale që do të afektonte edhe dhënien e vendimit.

    Prokuroria dhe mbrojtja kërkuan që të kenë kohë deri më 30 janar për dorëzimin e dosjeve përfundimtare, kurse 45 ditë pas kësaj, të jepen fjalët finale. Çka i bie deri në mesin e muajit mars, të jepen fjalët përfundimtare.

    Megjithatë, Gjykata Speciale nuk e aprovoi krejt kërkesën.

    Bazuar në vendimin e fundit, Gjykata Speciale ka vendosur që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 19 janar. Kurse, fjalët finale të jepen prej 9 deri më 13 shkurt.

    Si rezultat, pas dhënies së fjalëve përfundimtare, gjyqtarët kanë kohë të paktën 3 muaj për dhënien e vendimit.

    Pra, vendimi në shkallën e parë për Thaçin e të tjerët pritet në fundin e muajit maj, ose më së largu deri në fillimin e qershorit.

  • Oficerët serbë bojkotuan një ceremoni të Forcave të Armatosura të Bosnjës – për shkak të përfaqësuesve nga Kosova

    Oficerët serbë bojkotuan një ceremoni të Forcave të Armatosura të Bosnjës – për shkak të përfaqësuesve nga Kosova

    Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës nga radhët e popullit serb nuk kanë marrë pjesë të martën në akademinë ceremoniale me rastin e 20-vjetorit të Ditës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila u mbajt në Shtëpinë e Forcave të Armatosura në Sarajevë.

    Dhe siç është konfirmuar për Klix.ba, përcjell Telegrafi, arsyeja e mungesës së tyre ishte prania e delegacioneve nga konferenca A-5, konkretisht përfaqësuesve të Kosovës.

    Sipas mediumit në fjalë, Shefi i Shtabit të Përbashkët Gojko Knezheviq, si dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, nuk morën pjesë në ceremoni.

    Në pjesën zyrtare të programit, ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez ka thënë se “20 vitet e ekzistencës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës përfaqësojnë shembullin më të mirë të reformave të suksesshme pas Dejtonit dhe provën se një shtet i përbashkët mund të funksionojë kur forcimi i institucioneve është një qëllim i përbashkët”.

    “Kjo është një histori për guximin, përgjegjësinë dhe besimin në një të ardhme të përbashkët”, ka thënë Helez, duke falënderuar selinë e NATO-s në Sarajevë, EUFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Ndërsa Denis Beçiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, iu drejtua të pranishmëve dhe theksoi se zhvillimi dy-dekadësh i Forcave të Armatosura ndërtoi besueshmërinë e tyre si brenda vendit ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.

  • Shembja e terrasës së restorantit të asamblistit të PDK-së, kryetari Lladrovci thotë se e zbatoi ligjin

    Shembja e terrasës së restorantit të asamblistit të PDK-së, kryetari Lladrovci thotë se e zbatoi ligjin

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se zbatimi i ligjit dhe barazia para ligjit janë prioritetet e tij të panegociueshme. Këtë deklarim e bëri pas shembjes së terrasës së restorantit “Peshkopia” në qendër të Drenasit, si pjesë e një aksioni për lirimin e pronës publike.

    Në një deklaratë në rrjete sociale, Lladrovci thotë se prona e uzurpuar nga ky subjekt ekonomik, edhe pse pas shumë vonesave, pasi Gjykata e tha fjalën e saj, është duke u liruar.

    Ai thekson se lidhur me vonesat në realizimin e projektit dhe dëmet financiare që i janë shkaktuar komunës së Drenasit, do të zhvillojnë procedura tjera ligjore.

    “Kjo pronë me vite është shfrytëzuar paligjshëm nga ky subjekt ekonomik, andaj, lirimi i pronës së uzurpuar ishte detyrim ligjor në mbrojtje të interesit publik. Zbatimi i ligjit, barazia para ligjit, ruajtja e pronës dhe interesit publik janë prioritetet e mia të panegociueshme”, shkruan ai.

    Prona e liruar përdorej si hapësirë e restorantit që është pronë e familjes së asamblistit të dytë më të votuar të PDK-së në Drenas, Arigon Sinanit.

    Restoranti, i cili ndodhet në qendër të qytetit të Drenasit, ishte kthyer në subjekt diskutimi gjatë fushatës zgjedhore lokale të këtij viti.

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci paralajmëroi gjatë fushatës rrënimin e terrasës së restorantit me arsyetimin se ajo ishte vendosur në hapësirën publike komunale.

    Arigon Sinani, familja e të cilit zotëron restorantin “Peshkopia”, është asamblist i Kuvendit Komunal të Drenasit nga radhët e PDK-së.

    Në zgjedhjet e fundit, Sinani u rreshtua krah Petrit Hajdarit, rivalit politik të Lladrovcit.

    Përplasja mes tyre ndërlidhet me një audio-incizim inkriminues të Lladrovcit, të publikuar gjatë fushatës elektorale, në të cilin kryetari aktual i Drenasit diskuton me një biznesmen për një projekt ndërtimi në një pronë komunale.

    Lladrovci, e akuzoi Sinanin për incizimin e bisedës inkriminuese të tij.

  • Nis gjykimi në mungesë ndaj Muharrem Ibrajt – i akuzuar për vrasje, keqtrajtim e dhunim gjatë luftës

    Nis gjykimi në mungesë ndaj Muharrem Ibrajt – i akuzuar për vrasje, keqtrajtim e dhunim gjatë luftës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarit për krime lufte në fshatin Osek Hykë të Komunës së Gjakovës, Muharrem Ibraj. Ky gjykim po zhvillohet në mungesë.

    Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ajshe Ferati, të akuzuarit përmes avokates së tij, Sabrije Jashari i është njohur e drejta në paraqitje të kundërshtimeve ndaj provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

    Avokatja Jashari deklaroi se heq dorë nga paraqitja e kundërshtimeve dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës.

    Më pas, seanca kaloi në shqyrtim gjyqësor. Seanca e radhës pritet të mbahet në muajt në vijim.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 mars 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Muharrem Ibrajt, të cilin e ngarkon për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës. Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ngarkon Ibrajn për vrasje të një civili, keqtrajtim të të tjerëve, si dhe dhunimin e një viktime bashkë me babanë dhe vëllanë e tij.

    Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se më 28 shkurt 1998 rreth orës 14:30 në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Muharrem Ibraj me dashje, i armatosur, i uniformuar në uniformë policore dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë direkte në vrasjen dhe keqtrajtimin e qytetarëve civilë të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë.

    Aty thuhet se Ibraj, bashkë me forca të mëdha policore serbe rrethuan shtëpinë e viktimës S.B dhe pasi futen brenda në shtëpi, i pandehuri Ibraj i kërcënon dhe i fyen të pranishmit me fjalë të ndryshme dhe në ato momente e godet me shuplakë të dëmtuarin Q.C., dhe pasi ndërhyn viktima S.B., e urdhëron të dalë nga dhoma.

    Po ashtu, sipas aktakuzës, derisa viktima ishte duke dalë jashtë, i pandehuri në prezencë të familjarëve dhe të afërmve të viktimës që ishin prezent aty, shtie disa herë në drejtim të viktimës me një pushkë automatike të llojit AK-47, ku në ato momente viktima S.B ndërron jetë si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

    Dhe më pas, sipas aktakuzës, burrat e tjerë që ishin prezent u nxorën jashtë nga forcat policore, u rrahën dhe u transportuan në stacionin e policisë ku edhe më tej i sulmuan fizikisht dhe i morën në pyetje me pretekstin se ishin pjesëmarrës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe pastaj i liruan.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 nëntor 1998, në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Ibraj në bashkëkryerje me babanë e tij dhe vëllanë e tij, të armatosur, të uniformuar në uniformë policore, duke përdorur forcën e detyrojnë të dëmtuarën NN që të kryejë marrëdhënie seksuale me ta pa pëlqimin e saj. Aty thuhet se pandehuri Ibraj bashkë me të lartcekurit e kanë ndaluar viktimën NN posa ka zbritur nga autobusi, dhe në ato momente me forcë dhe nën kërcënimin e armëve e kanë detyruar që të shkojë me ta tek mulliri i grurit, ku e dhunojnë me radhë, duke filluar nga babai i të akuzuarit, vëllai dhe pas tij vetë i pandehuri Ibraj, ku si pasojë e dëmtuara e humb vetëdijen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas aktakuzës, pasi i kthehet vetëdija, viktima NN e sheh vëllanë e të pandehurit me një cigare të ndezur në dorë, duke ia djegur dorën dhe krahun asaj, me qëllim që t’ia kthejë vetëdijen dhe që ajo edhe në të ardhmen t’i kujtojë këto ndodhi dhe në fund babai i të pandehurit i kishte thënë të dëmtuarës NN që të vishej dhe të shkojë në shtëpi duke e kërcënuar se nëse do i tregonte dikujt për këtë ngjarje do t’ia vrasin gjithë familjen.

    Prandaj për këto veprime, Muharrem Ibraj po ngarkohet me veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ‘’LP i RSFJ-së’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

    Ndaj Ibrajt, PSRK ka propozuar që gjykimi të zhvilohet në mungesë pasi që i njëjti nuk ka qenë i arritshëm dhe se gjendet në arrati.

  • Presidentja dekoron aktivistët për të drejtat e personave me nevoja të veçanta

    Presidentja dekoron aktivistët për të drejtat e personave me nevoja të veçanta

    Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, presidentja Vjosa Osmani ka marrë vendim që t’i dekorojë me Medaljen Presidenciale të Meritave një grup aktivistësh të cilët, me angazhimin e tyre të palodhshëm, kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për fuqizimin, mbrojtjen e të drejtave dhe përfshirjen dinjitoze të kësaj kategorie në shoqërinë tonë.

    Sipas njoftimit të Presidencës, të dekoruarit e sivjetshëm janë: Halit Ferizi (post mortem), Agim Vatovci (post mortem), Sabrije Zeqa (post mortem), Merita Voca (post mortem), Mexhid Foniqi (post mortem) dhe Hiljminijeta Apuk.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se këta aktivistë, me avokimin e tyre publik, punën në terren dhe mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të personave me nevoja të veçanta, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijes shoqërore, avancimin e politikave publike dhe gjithpërfshirjen.

    “Kontributi i tyre është shembull i përkushtimit qytetar dhe i vlerave, të cilat vazhdimisht i afirmon Presidentja Osmani”.

    Medaljet e akorduara do të dorëzohen në ceremoninë e veçantë të ndarjes së dekoratave që do të mbahet në fund të muajit dhjetor 2025.

    “Presidentja Osmani ka theksuar se shoqëria jonë bëhet më e drejtë dhe më e fortë, nëpërmjet atyre që punojnë çdo ditë për barazi, dinjitet dhe përfshirje dhe se vlerësimi i tyre është një obligim institucional dhe moral”, thuhet në njoftim.