Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Dy vota ishin për, dy kundër dhe shtatë abstenim.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja serbe votuan për, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.
Anëtarët e partive tjera abstenuan.
Edhe në zgjedhjet e kaluara ka ndodhur njëjtë, ku KQZ e ka certifikuar këtë parti vetëm pas urdhërit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Janë alokuar 2.7 milionë euro, të nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake.
Kështu ka njoftuar sot ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”, ka shkruar ai.
“Vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës të enjten në mbrëmje për të hyrat vetanake, sipas legjislacionit në fuqi fillimisht duhej të kalonte verifikimin e ligjshmërisë, proces ky që bëhet nga ana e MAPL-së. Në rastet kur vendimi ka të bëjë me çështje financiare/buxhetore, ligjshmëria duhet të verifikohet edhe nga MFPT-ja. Ky proces, pra verifikimi i ligjshmërisë është kryer dje në afat rekord nga të dyja Ministritë, edhe nga MAPL edhe nga MFPT, ashtu siç u pata premtuar në takim përfaqësuesve të sindikatave të transportuesve publikë”.
Ai thotë se ky proces nuk ishte i mundur deri para ditës së djeshme, sepse e premtja dhe fundjava nuk ishin ditë pune.
Ndryshe, transportuesit publikë dhe ata privatë kanë protestuar qysh nga 24 nëntori, duke ndaluar çdo lloj transporti të tyre.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u diskutua për buxhetin e këtij institucioni për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Ani pse KQZ kishte miratuar planin e buxhetit më 25 nëntor, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim për buxhetin nga Ministria e Financave, pra KQZ ende nuk është pajisur me mjete financiare.
Kërkesa zyrtare drejtuar qeverisë me vlerë 11.5 milionë euro, nuk është përfillur ende nga ana e kësaj ministre.
“Mund të na informoni se deri ku ka shkuar çështja e miratimit të buxhetit, sepse pa buxhet nuk mund të zhvilloni asnjë operacion zgjedhor. Kisha dashur me iu pyet a është vonë mosndarja e buxhetit deri në këtë kohë, sa i përket operacioneve zgjedhore?”, pyeti Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.
“Më 25 nëntor 2025, KQZ ka miratuar planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës. Ne menjëherë të nesërmen, përmes kërkesës, përmes arkivit dhe email-it, i kemi dërguar në Ministrinë e Financave. Aktualisht nuk kemi asnjë njoftim lidhur me kërkesën që është parashtruar”, u përgjigj Buzhala.
“Protezione Civile Humint” e Italisë ka dhuruar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës një sasi të konsiderueshme materialesh higjieno-sanitare, përkatësisht 30 paleta me dezinfektues për duar, me vlerë rreth 80 mijë euro.
Ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se ky donacion është pjesë e bashkëpunimit afatgjatë mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë dhe vjen në kuadër të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”.
“Është kënaqësi të jem këtu sot për të shënuar një hap tjetër konkret në bashkëpunimin afatgjatë midis Italisë dhe Kosovës në sektorin e shëndetësisë. Donacioni i sotëm (30 paleta dezinfektues duarsh, me një vlerë totale rreth 80.000 euro) është bërë i mundur falë mbrojtjes civile italiane (protezione civile), e cila po mbulon gjithashtu të gjitha shpenzimet e transportit dhe të logjistikës. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj tyre për këtë kontribut bujar. Kjo nismë nuk është një gjest i izoluar. Ajo përshtatet në kuadrin më të gjerë të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”, përmes të cilit Italia po e asiston vazhdimisht Kosovën në forcimin e kapaciteteve të saj mjekësore. Brenda këtij programi kemi kontribuar në përmirësime të rëndësishme në kirurgjinë kardiake, si përmes trajnimeve të specializuara ashtu edhe përmes sigurimit të pajisjeve kyçe, si laboratori i sapo dhuruar i biologjisë. Gjatë pandemisë COVID-19, Italia qëndroi pranë Kosovës duke ofruar materiale mbrojtëse dhe mbështetje urgjente mjekësore, dhe pajisje të tjera janë tashmë të planifikuara për vitin e ardhshëm për të konsoliduar këto arritje. Bashkëpunimi ynë gjithmonë është bazuar në besim, solidaritet dhe vlera të përbashkëta. Jam i bindur se donacioni i sotëm do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës dhe do të forcojë lidhjen e fortë midis dy vendeve tona”, deklaroi ai.
ADVERTISING
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh mirënjohës për mbështetjen italiane, duke kujtuar ndihmën gjatë COVID-19 dhe bashkëpunimin shumëvjeçar në kardiologji, mikrobiologji e kimi.
“Atë që po flisnim më herët me ambasadorin diskutuam që kjo është një ndihmw dhe bashkëpunim shumëvjeçar mes popullit italian dhe të Kosovës. Në kohën e Covidit edhe Italia dhe Ksoova përballeshin në një situatë të rëndë miqtë tanë italian na kanë ndihmuar. Me investimet në kardiologji po ashtu edhe në mikrobiologjinë kimik që Italia ka ndihmuar në këto fusha. Ne kemi mjek nga Italia që çdo vit vijnë përveç që operojnë fëmijët tanë me probleme me zemër, tani kanë mundësinë që të përgatiten nga kolegët italianë. Për herë të parë kemi filluar bashkëpunim me SHSKUK kemi ngritur një fond rreth 1 milion euro për të gjithë profesionistët shëndetësorë që të mësojnë ndërhyrjet të cilat ma herët nuk janë bërë”, ka theksuar Vitia.
Ukë Rugova, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Lajmin e konfirmoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku vizitoi sot zonjën Fana dhe familjen Rugova, në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit Rugova, ku u zyrtarizua vendimi për përfshirjen e Ukë Rugovës në garë.
“Pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore,” tha Abdixhiku.
Ai shtoi se gjatë vizitës u diskutua për rrugën e filluar tre dekada më parë nga Rugova dhe për sakrificat e heshtura që e ndoqën.
Lumir Abdixhiku tha se mesazhi i Rugovës mbetet i njëjtë edhe sot: forcë paqësore, përkushtim demokratik dhe orientim i pandryshuar drejt botës perëndimore.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuar, Michael Doyle, ka bërë të ditur se deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, përcjell Periskopi.
Pas kësaj, siç bën të ditur ai, Trupi Gjykues do të mbyll çështjen dhe do të hyjë në fazën e shqyrtimit për të arritur një aktgjykim.
“Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga mbyllja e çështjes. Kur rrethanat kërkojnë kohë shtesë, është e mundr një zgjatje edhe për 60 ditë të tjera”, tha Doyle.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: K.R., L.B., D.M., Sh.K., F.H., M.S., A.S., E.M., dhe B.M., në lidhje me rastin e laboratorit të drogës të zbuluar më 23.04.2025 në Prizren.
Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., L.B., D.M., E.M., F.H., Sh.K., M.S., dhe A.S., nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 23.04.2025, kanë vepruar së bashku si anëtarë të grupit, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania” në Prizren, në katin e VII-të, dhe kanë krijuar një laborator të sofistikuar “in door” për kultivimin e bimës “kanabis sativa”. Laboratori ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje mbështetëse, ku të njëjtit kanë kultivuar dhe rritur 175 bimë “kanabis sativa”. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit D.M., E.M., M.S., dhe A.S., akuzohen se kanë pasur për qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të përfituar nga kultivimi i kanabisit, përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes për shpërndarje. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.
Ndërkohë, të pandehurit K.R., dhe L.B., akuzohen se deri më 07.05.2025 kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit “marihuanë” dhe “kokainë” në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë bastisjeve është sekuestruar një sasi totale prej 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje tjera që shërbejnë për ndarjen dhe peshimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, i pandehuri K.R., ka kryer shitjen e 2 kg marihuanë në këmbim të një veture “Audi A6”. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.
Ndërkaq, i pandehuri B.M., si pjesë e grupit të organizuar në bashkëkryerje ka ndihmuar në kultivimin e bimës “kanabis sativa”, duke i informuar të pandehurit e lartcekur për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera:
Një (1) banesë prej 100 m2 në Prizren;
Një (1) banesë prej 114 m2, në Prizren;
Dy (2) vetura;
Narkotiku i sekuestruar;
Telefona mobil;
Para të gatshme në shumën prej 1,020 € dhe 30 CHF.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Dushko Arsiq, i akuzuar për krime lufte të kryera në fshatin Butovc gjatë periudhës janar–qershor 1999.
Arsiq, i cili më herët është dënuar nga kjo gjykatë me 13 vjet burgim, është sjellë në sallën e gjyqit me pranga në duar, nën masa të rrepta sigurie.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Arsiq dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të armatosur që ka kryer plagosje dhe vrasje të civilëve shqiptarë. Në mesin e viktimave përmendet edhe i ndjeri Brahim Shala, i cili sipas dosjes është vrarë me armë automatike. Më pas, grupi dyshohet se ka urdhëruar Artan Krasniqin, atëkohë vetëm 15 vjeç, që të bartte trupin e pajetë të Shalës.
Seanca e sotme pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e krimeve për të cilat akuzohet Arsiq dhe do të vazhdojë me dëshmitë dhe provat e paraqitura nga Prokuroria.
Sot do të dëshmojnë dy dëshmitar, Sylë Krasniqi dhe Artan Krasniqi.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Ministria e Financave ende nuk i ka bartur mjetet financiare, dhe në këtë mënyrë ende nuk është bërë alokimi i pagave për transportuesit publikë dhe ata privatë.
Në momentin që do të mjetet alokohen në buxhetin e Komunës së Prishtinës, institucioni tha se do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
“Ju njoftojmë se më 27 nëntor 2025, Asambleja Komunale e Prishtinës ka miratuar vendimin për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024. Megjithatë, deri sot, më 02 dhjetor 2025, mjetet financiare ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave në buxhetin e Komuna e Prishtinës”.
“Në momentin që mjetet alokohen në buxhetin e Komunës së Prishtinës, qytetarët do të informohen menjëherë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, nga “Trafiku Urban” kanë bërë të ditur se rikthimi në punë varet vetëm nga alokimi i borxheve të papaguara.
Protestat e tyre filluan më 24 tetor, ndërsa ka kaluar mbi një javë që gjendja vijon të mbetet e njëjtë.
Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban, bëri të ditur për Klankosova.tv, se protesta do të vazhdojë edhe sot nga ora 10:00.