ATV

Tag: Ballina

  • Prattipati i shkon Haradinajt në zyrë, flasin për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Prattipati i shkon Haradinajt në zyrë, flasin për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.

    Haradinaj bën të ditur se me Prattipatin diskutuan mbi zhvillimet politike, zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe urgjencën e formimit të institucioneve.

    “Diskutuam mbi zhvillimet politike, zgjedhjet e ardhshme të 28 dhjetorit dhe urgjencën e formimit të institucioneve që dalin prej tyre në afatin sa më të shkurtër, kjo si parakusht për ta kthyer normalitetin në vend dhe perspektivën integruese euro-atlantike”, ka shkruar lideri i AAK-së në Facebook.

    E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane ishte e shoqëruar nga Këshilltarja për Çështje Politiko-Ekonomike, Amy Reichert.

  • FSK pëfundon trajnimin për pajisjen e avancuar të pastrimit të ujit të kontaminuar

    FSK pëfundon trajnimin për pajisjen e avancuar të pastrimit të ujit të kontaminuar

    Kompania e Materieve të Rrezikshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përmbyllur me sukses trajnimin për përdorimin e pajisjes së avancuar për pastrimin e ujit WTC-3000 GT, e cila shërben për trajtimin dhe shpërndarjen e ujit në raste kur ai kontaminohet si pasojë e fatkeqësive natyrore ose ngjarjeve të shkaktuara nga faktori njeri.

    Sipas FSK-së, pajisja WTC-3000 GT ka kapacitet të trajtojë deri në 3000 litra ujë në orë, duke ofruar një zgjidhje efikase në situata emergjente ku uji i pijshëm nuk është i sigurt për përdorim.

    Kjo pajisje, siç thuhet në njoftimin e FSK-së, funksionon duke aplikuar presion të lartë mbi ujin e kontaminuar, i cili më pas filtrohet nëpër membrana selektive përmes procesit të osmozës reverse.

    “Membranat lejojnë të kalojnë vetëm molekulat e ujit, ndërsa ndalojnë kripërat, metalet dhe ndotësit e tjerë, duke garantuar prodhim të ujit të pastër dhe të sigurt për konsum”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

  • Presidenti Begaj në Kosovë sot dhe nesër, policia do të ndërpresë përkohësisht trafikun

    Presidenti Begaj në Kosovë sot dhe nesër, policia do të ndërpresë përkohësisht trafikun

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot do të nisë një vizitë dyditore në Kosovë.

    Për vizitën e tij, Policia e Kosovës tha se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”.

    Policia e Kosovës kërkoi “mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.

  • Betohet Përparim Rama, premton punë 24/7: T’u shërbejmë qytetarëve dhe jo politikave

    Betohet Përparim Rama, premton punë 24/7: T’u shërbejmë qytetarëve dhe jo politikave

    Përparim Rama është betuar si kryetar i Komunës së Prishtinës edhe për një mandat qeverisës.

    Rama ka bërë thirrje që të mos ketë më bllokada të kalkuluara politisht dhe të ketë kritika të sinqerta ndaj punës së tij.

    “Bazuar në nenin 57-të të Ligjit për Qeverisje lokale me rastin e zgjedhjes kryetar i Komunës, bëj betimin para anëtarëve të komunës. Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryeje detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë. Do të shërbej me nder dhe besnikëri. Ka pasur bllokada të kalkuluara politikisht.Uroj që në këtë mandat të reflektojmë. T’u shërbejmë qytetarëve e jo partive politike. Të mos përjetojmë kriza artificiale. Të punojmë bashkë për të ardhmen tonë. Jemi këtu për të mirën e qytetarëve. Kritika e sinqertë është motori i zhvillimit. Le të debatojmë kur duhet, por mos të harrojmë kurrë çfarë na bashkon. Do të jem këtu 24/7 për ju” ka thënë Rama.

  • Disa lagje të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i intervenimeve nga KRU Prishtina

    Disa lagje të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i intervenimeve nga KRU Prishtina

    KRU Prishtina informon qytetarët se gjatë ditës së sotme ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë punime teknike dhe kontrolle në disa pjesë të rrjetit të ujësjellësit, me qëllim përmirësimin e shërbimit dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë.

    Punimet do të zhvillohen në këto lokacione:

    Rr. Ibrahim Pacolli
    Rr. Rexhep Shema
    Rr. Hyzri Talla
    Rr. Bislim Makolli
    Rr. Isa Kastrati
    Rr. Tringa Ismajli
    Rr. Dalip Alshiqi
    Rr. Vehat Mustafa
    Rr. Faik Ukë Hoxha
    Fsh. Lebane
    KRU Prishtina njofton se gjatë intervenimeve mund të ndodhin ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë dhe kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve.

    Punimet kanë për qëllim garantimin e shërbimit më cilësor dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

  • Mjegulla e dendur, IHK këshillon për kujdes në komunikacion

    Mjegulla e dendur, IHK këshillon për kujdes në komunikacion

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se nga e marta pritet stabilizim i kushteve meteorologjike, pasi vendi ynë do të ndikohet nga masa ajri me presion të qëndrueshëm atmosferik, të cilat do të kushtëzojnë mot më stabil dhe temperatura rreth vlerave të mesatareve për këtë periudhë.

    IHK njofton se të martën, të mërkurën dhe të enjten në mëngjes pritet paraqitje e mjegullës, e cila mund të vështirësojë qarkullimin, prandaj pjesëmarrësit në komunikacion duhet të kenë kujdes të shtuar.

    Instituti tutje njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 7 deri në 10 gradë.

  • Prebreza nis reformën në Fushë Kosovë, prezanton nënkryetarin dhe drejtuesit e parë të kabinetit

    Prebreza nis reformën në Fushë Kosovë, prezanton nënkryetarin dhe drejtuesit e parë të kabinetit

    Kryetari i ri i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka nisur formimin e kabinetit të tij drejtues, duke emëruar një sërë zyrtarësh në pozita kyçe të administratës komunale.

    Në mesin e emërimeve të para, Prebreza ka prezantuar Shpend Bardiqin si Nënkryetar të Komunës. Bardiqi, i njohur si aktivist i hershëm dhe ish-kryetar i Qendrës së Fushë Kosovës, ka qenë edhe asamblist aktiv dhe një prej kontribuuesve kryesorë në fitoren e subjektit të tij në zgjedhje. Kryetari e uroi atë për detyrën e re, duke theksuar sfidat dhe proceset që presin komunën në ditët në vijim.

    Ndërkohë, Ylber Kelmendi ka njoftuar se është emëruar Drejtor për Rini, Kulturë dhe Sport. Ai e ka cilësuar këtë pozitë si privilegj dhe përgjegjësi, duke premtuar angazhim të plotë për zhvillimin e projekteve në mbështetje të të rinjve, kulturës dhe sportit në komunë.

    Pozita tjetër kyçe është ajo e Drejtorisë së Investimeve Kapitale, të cilën tashmë do ta udhëheqë Arianit Tërmkolli. Ai shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë nga kryetari Prebreza, duke theksuar se do të punojë me profesionalizëm dhe transparencë në shërbim të qytetarëve.

    Në drejtim të rendit dhe zbatimit të ligjit, Durim Hajra është emëruar Drejtor i Inspeksionit. Hajra theksoi se kjo pozitë nuk është privilegj, por përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve dhe institucioneve. Ai u zotua për zero tolerancë ndaj shkeljeve, inspektim profesional dhe funksionim transparent të inspektoratit.

    Ndër emërimet e rëndësishme është edhe ai i Resul Makreshit, i cili është caktuar drejtor në një nga drejtoritë e komunës. Makreshi vlerësoi se ky hap paraqet një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e komuniteteve, duke potencuar se për herë të parë shihet vullneti politik për t’u dhënë atyre hapësirën dhe rolin që e meritojnë në qeverisjen lokale.

    Me këto emërime, kryetari Valon Prebreza po konsolidon strukturën e re udhëheqëse të Fushë Kosovës, duke synuar një administratë më funksionale, përfaqësuese dhe të orientuar drejt zhvillimit.

  • Trafiku Urban kompenson ditët e humbura të grevës për qytetarët me bileta mujore

    Trafiku Urban kompenson ditët e humbura të grevës për qytetarët me bileta mujore

    Prej 9 ditësh, qytetarët në Prishtinë nuk kanë pasur mundësi t’i shfrytëzojnë autobusët e Trafikut Urban për shkak të grevës. Kjo ka prekur edhe udhëtarët që paraprakisht kanë paguar bileta mujore. Megjithatë, ndërmarrja ka njoftuar se qytetarëve do t`u kompensohen të gjitha ditët e humbura.

    Zyrtarë të Trafikut Urban kanë bërë të ditur se për të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët kur shfrytëzuesit nuk kanë mundur ta përdorin shërbimin e transportit.

    Vlefshmëria e biletës mujore do të zgjatet automatikisht pas procesit të vulosjes. Sipas tyre, për të realizuar zgjatjen e vlefshmërisë së biletës, qytetarët thonë se duhet t’i ndjekin disa hapa.

    “Paraqituni në cilëndo nga kioskat e Trafikut Urban dhe paraqisni biletën tuaj mujore aktuale. Punëtori në kioskë do të vendosë vulën zyrtare të zgjatjes. Pas vulosjes, biletës do t’i shtohen automatikisht ditët e humbura. Vlen të theksohet se 50% të atyre të cilët kanë pasur bileta mujor tashmë u janë kompensu”, tha Qendrim Vitija, ud i kryeshefit të ‘Trafikut Urban’.

    Sipas tij, kompensimi i biletave mujore mund të bëhet një nga tri kioskat në kryeqytet.

    Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të kompensojnë biletat e tyre, atë mund ta bëjnë në një nga kioskat: afër objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, në lagjen Kodra e Diellit dhe afër nënkalimit në Bulevardin ‘Bill Clinton’.

    Protesta e ndërmarrjes së Trafikut Urban është mbajtur nga data 24 nëntor deri më 2 dhjetor, me gjithsej 9 ditë të humbura që do të kompensohen.

  • Ulutaş e pret në takim Kurtin me dy ministra, KFOR jep detaje nga takimi

    Ulutaş e pret në takim Kurtin me dy ministra, KFOR jep detaje nga takimi

    Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas, është takuar sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Për këtë takim ka njoftuar KFOR’i në faqen zyrtare, ku ka bërë me dije se bashkë me Kurtin kanë qenë edhe Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas njoftimit, Ulutas dhe Kurti kanë shkëmbyer mendime mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet KFOR’it dhe institucioneve të Kosovës.

    “ Gjeneral Ulutaş theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin e tij në sigurinë në gjithë Kosovën dhe rajonin më të gjerë”, theksohet në njoftim.

    Në fund të njoftimit thuhet se KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

  • KEK-u thotë se nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike

    KEK-u thotë se nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike

    Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike dhe se është duke përmbushur obligimet operacionale dhe kontraktuale për të siguruar stabilitet me furnizim me energji elektrike.

    Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli ka thënë se KEK sot është duke operuar me njësinë A4 të TC Kosova A, si dhe me njësitë B1 dhe B2 të TC Kosova B, me një kapacitet të përgjithshëm prodhues prej 14,640 MWh.

    “Vlen të theksohet se njësia A3 ka qenë në remont që nga data 31 tetor dhe, pas startimit të saj, është vlerësuar nevoja për ndërhyrje dhe sanime shtesë teknike gjatë kësaj jave. Megjithatë, sasia e energjisë së kësaj njësie është kompensuar dhe, bazuar në planin e nominuar nga KEK, nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike Gjithashtu, ju informojmë se KEK është duke përmbushur në mënyrë të rregullt të gjitha obligimet e saj operacionale dhe kontraktuale, duke siguruar stabilitet në furnizim dhe funksionim të pandërprerë të sistemit energjetik”, ka thënë ai për Tëvë1.