ATV

Tag: Ballina

  • Hidhet shorti në KQZ, renditja e partive në fletën e votimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Hidhet shorti në KQZ, renditja e partive në fletën e votimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar ceremoninë e tërheqjes së shortit për renditjen e 24 subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Tërheqja e shortit u bë nga përfaqësuesit e subjekteve politike që janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

    Sipas shortit, Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 130 , Lidhja Demokratike e Kosovës numër 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës numër 129, Nisma Socialdemokrate do të mbajë numrin 122, ndërsa Lista Serbe do të ketë numër 127.

    Për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, KQZ ka certifikuar 24 subjekte politike, prej tyre, 3 koalicione, 18 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

  • Riparohet varri i Astrit Deharit pas dëmtimit që pësoi

    Riparohet varri i Astrit Deharit pas dëmtimit që pësoi

    Varri i ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është riparuar të dielën pas dëmtimit që ndodhi të shtunën.

    Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar menjëherë lidhur me incidentin, duke bërë të ditur se shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të Deharit ishin dëmtuar.

    Në një njoftim të publikuar në Facebook, partia falënderoi Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe kërkoi zbardhjen e shkaqeve të dëmtimit.

    “Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi përmes raportit 24-orësh se hetimet lidhur me dëmtimin e varrit janë duke vazhduar.

    “Raportohet se është dëmtuar një varr. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore”, thuhet në raport.

  • Ndahet nga jeta drejtori i marketingut në ATV, Gazmend Deva

    Ndahet nga jeta drejtori i marketingut në ATV, Gazmend Deva

    Gazmend Deva (1962–2025)
    Pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë drejtori i marketingut në ATV, Gazmend Deva.

    Gazmend Deva lindi më 12 shkurt 1962 në Pejë. Studimet e larta i përfundoi në Zagreb, në Fakultetin Ekonomik, në drejtimin “Tregti e Jashtme”, duke ndërtuar një bazë solide për karrierën e tij të mëvonshme.

    Deva iu bashkua ekipit të ATV-së në shtator të vitit 2023, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Marketingut, pas një përvoje të gjatë në media e institucione të tjera.

    Karrierën e tij ai e kishte filluar në EXIMKOS, ku shpejt u dallua për etikën e punës dhe përkushtimin. Rrugëtimi i tij vazhdoi në botën e medias, ku la gjurmë të rëndësishme: drejtor i marketingut në grupin KOHA, në KTV dhe Koha Ditore, drejtor i medias në Zero Pozitive, drejtor i shitjes në PrimeDB, drejtor marketingu në Klan Kosova, dhe së fundi drejtor marketingu në ATV. Në çdo pozitë solli qasje profesionale, energji dhe standard të lartë pune.

    Gazi do të mbahet mend si një njeri i jashtëzakonshëm, gjithmonë i dashur, i qeshur dhe në humor të mirë. Ai rrezatonte pozitivitet natyral, dinte t’i lehtësonte situatat dhe t’u jepte njerëzve ndjenjën e mirëseardhjes. Miqtë dhe kolegët e kujtojnë si njeriun që sillte dritë kudo që shfaqej.

    Largimi i tij lë një boshllëk të madh, por kujtimi për Gazmend Devën mbetet i paharruar, i butë dhe i përjetshëm.

  • Analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë GUXO

    Analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë GUXO

    Partisë GUXO i është bashkuar edhe analisti i njohur, Blerim Gashi.

    Lajmin e ka bërë të ditur, Faton Peci, kryetar i këtij subjekti që garon bashkë me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Një ditë më parë, këtij subjekti i është bashkuar edhe analisti i njohur, Viktor Buzhala.

    Postimi i plotë:

    Sot, rrugëtimit tonë politik i bashkohet Blerim Gashi, jurist dhe politolog, një emër i njohur i përballjes pa kompromis kundër propagandës dhe dezinformimit si dhe për qasjen e qartë, të argumentuar dhe profesionale në debatin publik e politik.

    Me përvojë të gjatë në hartimin e politikave publike dhe komunikimin strategjik, Blerim Gashi ka dëshmuar se guximi intelektual dhe integriteti personal janë themeli i qeverisjes së mirë. Angazhimi i tij për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare e ka bërë një zë të besueshëm dhe të respektuar në hapësirën publike kosovare.

    Analizat e tij të drejtpërdrejta, shkrimet e guximshme dhe paraqitjet publike me qëndrime të qarta, kanë kontribuar në forcimin e kulturës demokratike dhe në promovimin e një shteti që u shërben qytetarëve, jo interesave të ngushta.

    Me Blerim Gashin në listën e koalicionit Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK, bashkë me profesionistë të tjerë të dëshmuar, vazhdojmë punën e angazhimin tonë për qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, në shërbim të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, me orientim të qartë drejt integrimit euroatlantik.

    Mirë se erdhe, Blerim!

  • Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar

    Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar

    Të shtunën në mesnatë është përmbyllur procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Lajmi është njoftuar të dielën paradite nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar të dhënat nga procesi i regjistrimit, derisa vlerësimi i të gjitha aplikimeve pritet të përfundojë gjatë ditës.

    “Është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71,900, ndërkaq janë refuzuar rreth 6,700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5,900 aplikime”, njoftoi Elezi.

    Ai tregoi se pjesa më e madhe e votuesve të regjistruar kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës dhe vetëm një pjesë për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Repulikës së Kosovës.

    “Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51,000 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2,500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, rreth 18,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tregoi Elezi.

  • 24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001 dhe kjo është bërë pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politik të regjimit serb.

    Ai u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.

    Procesi gjyqësore ndaj Kurtit filloi më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë” sipas nenit 116.
    Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.

    Prej nëntorit të vitit 2000 deri më 3 dhjetor të vitit 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit.

    Përveç burgut në Serbi, Kurti është arrestuar disa herë edhe në Kosovë./Kosovapress

  • KQZ del me njoftim të ri për tërheqjen e shortit

    KQZ del me njoftim të ri për tërheqjen e shortit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dal me njoftim të ri për tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.

    Në njoftim thuhet se shorti do të tërhiqet në ora 14:00 në “Sëiss Diamond”, Prishtinë.

    Njoftimi:

    ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Datë: 7 dhjetor 2025

    Ora: 14:00

    Vendi: “Swiss Diamond”, Prishtinë.

  • Sonte mbyllet dorëzimi i listave me kandidatët për deputetë

    Sonte mbyllet dorëzimi i listave me kandidatët për deputetë

    Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme në Kuvendin e Kosovës përfundon sonte në mesnatë, konkretisht në orën 23:59.

    Menjëherë para këtij afati, tashmë janë mbyllur tri etapa të rëndësishme të procesit zgjedhor, raporton Klankosova.tv.

    Bëhet fjalë për aplikimin për certifikim të subjekteve politike që synojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, regjistrimin e koalicioneve ndërmjet partive politike, si dhe njoftimin e subjekteve që kanë vendosur të mos garojnë.

    Të gjitha këto procedura janë përmbyllur më 30 nëntor, deri në orën 23:59. Ndërkohë, fushata zgjedhore për zgjedhjet nacionale do të nisë më 17 dhjetor.

  • Certifikohen 24 pjesëtarë të Njësive Speciale në “aftësi të veçanta policore operative”

    Certifikohen 24 pjesëtarë të Njësive Speciale në “aftësi të veçanta policore operative”

    24 pjesëtarë të Njësive Speciale Operative janë certifikuar në “Aftësitë e veçanta policore operative”, pas një trajnimi të zhvilluar në Kampin “Vrella” në Sllatinë.

    Ky trajnim, i realizuar nga një konsulent ndërkombëtar përmes OSBE-së, është organizuar në bazë të nevojave të identifikuara nga vetë Njësitë Speciale, ndërsa mbështetja është ofruar nga ekspertë të jashtëm të këtij mekanizmi ndërkombëtar – partner strategjik i Policisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve specialistike.

    Sipas Policisë së Kosovës, certifikimi i 24 pjesëtarëve të këtyre njësive kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e aftësive profesionale dhe gatishmërisë operative, duke forcuar standardet dhe kapacitetet e tyre për operacione të veçanta policore.

  • Komandanti i KFOR-it takon ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për situatën e sigurisë

    Komandanti i KFOR-it takon ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për situatën e sigurisë

    Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, të premten, ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it të akredituara në Kosovë, njoftoi të shtunën KFOR-i.

    “Takimi shërbeu si një mundësi e vlefshme për komandantin që të paraqiste situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë. Në këtë kontekst, gjeneral Ulutas vlerësoi kontributet e vazhdueshme të të gjitha shteteve në misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR”, u tha në komunikatë për media.

    Ulutash u takua me ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, zëvendëskreun e Misionit të Francës në Kosovë dhe një përfaqësuese të ambasadës së SHBA-së nga QUINT, si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së.