ATV

Tag: Ballina

  • Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot, për të dytën ditë me radhë po vazhdon vizitën dyditore në Kosovë.

    Presidenti Begaj, dëtën e parë të vizitës së tij në Kosovë, është pritur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e shumë personalitete të tjera.

    Sipas agjendës, presidenti Begaj do të marrë pjesë në përvjetorin e 50 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 9 dhe 10 dhjetor 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës po angazhohet me kapacitetet e saj për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë kohës së vizitës.

    Për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes sipas itinerarit zyrtar dhe zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara në agjendë, Policia e Kosovës do të realizojë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurtra kohore, në disa segmente rrugore.

  • Mblidhet KQZ-ja – Ky është rendi i ditës

    Mblidhet KQZ-ja – Ky është rendi i ditës

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite pritet të shqyrtohen dhe vendosen shumë çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se në këtë mbledhje ky institucion pritet të vendosë për rekomandimin për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Gjithashtu, sipas tij, në rend dite është edhe certifikimi i listës së votuesve brenda dhe jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit si dhe do të trajtohet rekomandimi për qendrat e votimit dhe numri i vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike.

    Ky është rendi i ditës, i plotë:

    Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;
    Aktivitetet e Zyrës:
    2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike që janë certifikuar për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 28.12.2025.
    Këshillat e KQZ:
    3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore:
    3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Rekomandimit për qendrat e votimit dhe numrin e vendvotimeve në Përfaqësi Diplomatike.
    3.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i specifikimeve për materialet e posaçme për votuesit e verbër për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28.12.2025.
    3.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit maksimal të votuesve në vendvotime të rregullta për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.
    3.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të vendvotimeve në qendrat e votimit me kusht për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.
    3.1.5. Certifikimi i Listës së Votuesve, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.
    3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i ekzemplarit (pre print) të fletëvotimit si dhe numrit të fletëvotimeve që shtypen për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28.12.2025.
    3.1.7. Shqyrtimi dhe miratimi i procedurës se pranim – dorëzimit te materialeve zgjedhore nga KVV në QKN.
    3.1.8. Shqyrtimi dhe miratimi i listës së QKN- së.
    3.1.9. Shqyrtimi i rekomandimit për ndërrimin e lokacionit të qendrës së votimit 2201 në Komunën e Shtimes.
    3.1.10. Shqyrtimi dhe miratimi i procedurës së votimit për persona me nevoja të veçanta (VPNV).
    3.2. Këshilli për Çështje Ligjore:
    3.2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal sipas komunave (Ferizaj, Gjakovë, Podujevë).
    Të ndryshme;

  • Rezervat shtetërore: Rozeta Hajdari dhe tre të tjerë në bankën e të akuzuarve

    Rezervat shtetërore: Rozeta Hajdari dhe tre të tjerë në bankën e të akuzuarve

    Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit, rreth skandalit me rezervën shtetërore.

    Seanca është caktuar të nis në ora 09:30.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

    “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, ka njoftuar Prokuroria.

    Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

    “Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”.

    Në gusht të vitit 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, u arrestuan për këtë rast. Policia arrestoi edhe afaristin Ridvan Muharremin.

    Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

    Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

    Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

    Kryeministri Albin Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit atë kohë, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

    “Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

    Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

    Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve nacionale 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt.

  • Sulmi në Ibër-Lepenc – FBI konfirmon prezencën e të pandehurve në Varagë

    Sulmi në Ibër-Lepenc – FBI konfirmon prezencën e të pandehurve në Varagë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që u krye një vit më parë. Ndër veprat penale për të cilat akuzohen, përfshihet edhe rrezikimi i rendit kushtetues përmes veprave terroriste dhe spiunazhit. Një nga të akuzuarit është pjesëtar i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Serbisë.

    Një toger i inteligjencës ushtarake serbe është në mesin e tre personave ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur të martën aktakuzë për sulmin me rreth 20 kilogramë eksplozivë, të kryer një vit më parë në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Aktakuza përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të cilët akuzohen për “Rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohen gjithashtu për armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se e realizuan sulmin mbi infrastrukturën kritike në fshatin Varagë, i cili ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.

    “J.V. dhe D.V. akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, ‘Ibër Lepenc’, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes ‘Ibër Lepenc’, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhet në njoftim.

    Sipas aktakuzës, Jovan Viqentijeviqi është edhe toger në Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake të Serbisë dhe akuzohet për spiunazh.

    “I pandehuri J.V., akuzohet edhe për veprën penale ‘Spiunazhi’. Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Toger, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

    E raporti i ekspertimit gjeologjik i FBI-së i datës 3 nëntor 2025 kishte konfirmuar se mostra e dheut e marrë nga çizmet e sekuestruara të vëllezërve Viqentijeviq më 30 nëntor 2024, nuk dallonte nga mostrat e dheut të marra në vendin e ngjarjes në fshatin Varagë tek kanali i Ibër-Lepencit.

    “Gjendja faktike e përshkruar si në këtë aktakuzë vërtetohet qartazi edhe nga Raporti i ekspertimit gjeologjik i FBI, i dt. 03.11.2025, me nr. ref: FBI/80-SP-C120 (ID e Rastit me nr. SP-2478001) i mostrave të DHEUT TË ÇIZMEVË të sekuestruara në shtëpinë e të pandehurve – vëllezërve Vicentiijević në Zubin Potok dhe në fshatin Prevllakë… nga të cilat mostra Eksperti Videntici ka konstatuar se çizmave të të pandehurve janë nga Dragisha Vicentiijević dhe me motra të tjera të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin ‘Iber Lepenc’, nuk ka dallueshmëri…”, thuhet në raport.

    Gjatë hetimeve, me pjesëmarrjen dhe asistencën e ekspertëve të FBI-së/SHBA, janë siguruar prova dhe dëshmi në vendin e ngjarjes, duke përfshirë mostrat referente të dheut nga fshati Varagë, oborri i shtëpisë së të pandehurve në Zubin Potok dhe fshati Prevllakë, për të krahasuar me dheun dhe baltën në dy palë çizme të sekuestruara.

    Sipas Prokurorisë, ngjashmëria e dheut tregon se të pandehurit ishin prezent në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe kanë kryer aktin terrorist ndaj kanalit.

    Në aktakuzë theksohet gjithashtu se Jovan Viqentijeviqi, kolonel në Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë Serbe, është parë në fotografi dhe video duke manovruar armë luftarake dhe eksplozivë ushtarakë.

    “Përfundimisht, nga provat e gjetura dhe të analizuar si më lartë, i pandehuri Jovan Vicentijeviq… arrijmë deri te konstatimi se i njëjti ka ndërmarrë veprimet konkrete në sulmin terrorist të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze”, thuhet në aktakuzë.

    Po ashtu, ai përcillte lëvizjet e ushtarëve të KFOR-it dhe ka mbledhur informacione klasifikuar, duke fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë në Jasenovik dhe duke krijuar dokumente që përpiqeshin të prezantonin një organizatë fiktive me qëllim të dëmshme për Kosovën.

    Sulmi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për shumë komuna, pasi përmes kanalit shpërndahet uji nga liqeni i Ujmanit për rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës. Autoritetet intervenuan menjëherë për të evituar dëmin në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila përdor kanalin për ftohjen e energjisë elektrike.

    Ky sulm terrorist në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut është i dyti i përmasave të mëdha, pas atij në Banjskë më 24 shtator 2023. Për të dyja rastet, institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë.

  • Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

    Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.

    E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

    “Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.

    Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.

    Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

    Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

    Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

    “Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.

    Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

    Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.

    Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

  • Letra e Hamzës për heqjen e sanksioneve të BE-së dërgohet në kabinetin e Macronit

    Letra e Hamzës për heqjen e sanksioneve të BE-së dërgohet në kabinetin e Macronit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka zhvilliuar takim me ambasadorin francez, Olivier Guerot.

    Hamza tha se diplomati francez e ka njoftuar se ia ka përcjellë kabinetit të presidentit Emmanuel Macron letrën e tij për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

    “Një takim i shkëlqyer me Ambasadorin e Francës, Olivier Guerot. Ambasadori më njoftoi se letrën time për heqjen e të gjitha sanksioneve të BE-së ia ka përcjellë kabinetit të Presidentit Macron. Populli i Kosovës e meriton mbështetjen, pavarësisht se kush është në qeveri”, shkroi Hamza në Facebook.

    Ai mes tjerash tha se me Guerot ka folur edhe për nevojën e kthimit të normalitetit në vend.

    “Ne biseduam edhe për nevojën e kthimit të normalitetit dhe stabilitetit në vend. Si kryeministër i ardhshëm, fokusi im do të jetë rikthimi te temat e bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik me aleatët tanë”, shtoi ai.

    Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, një ditë më parë, kreu i PDK-së, kërkoi heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të BE-së ndaj Kosovës, duke argumentuar se Kosova ka përmbushur çdo standard demokratik dhe ka bërë sakrifica të mëdha për integrimin evropian.

  • Mblidhet OVL-UÇK, fton shqiptarët të bashkohen në protestën 13 dhjetorit në Shkup

    Mblidhet OVL-UÇK, fton shqiptarët të bashkohen në protestën 13 dhjetorit në Shkup

    Organizatat e dala nga lufta kanë mbajtur takim me kryetarët e degëve lidhur me përgatitjet e fundit për protestën e 13 dhjetorit, e cila do të mbahet në sheshin “Skendëbeu”, në Shkup.

    OVL ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bashkohen në këtë protestë.

  • Aktakuzë për shpërthimin në “Ibër Lepenc” , njëri nga të pandehurit akuzohet edhe për spiunazh

    Aktakuzë për shpërthimin në “Ibër Lepenc” , njëri nga të pandehurit akuzohet edhe për spiunazh

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj J.V., D.V., dhe I.D për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.

    Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit. J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.

    Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V., kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” .

    Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.Ndërsa, i padnehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

  • BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollorë

    BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollorë

    Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në lidhje me tekstet që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e tetë, në të cilin kishte informacione të pasakta. Nga BDI thonë se ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës.

    “BDI shpreh shqetësim të thellë për qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup, dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025. Ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës. Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativave historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht”.

    “BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore”, thonë nga BDI.

    Në fund thonë se do të ndjekin këtë çështje deri në korrigjimin e plotë dhe sqarimin institucional, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.

  • Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takimin me Terras: Të padrejta dhe të pashpjegueshme

    Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takimin me Terras: Të padrejta dhe të pashpjegueshme

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

    Në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç`rast Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.

    Ndër të tjera bëhet e ditur se Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.

    Në këtë kontekst, e para e shtetit kërkoi mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë.

    Sipas presidentes, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave.

    Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.

    Krejt në fund, presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe.