ATV

Tag: Ballina

  • Ky është numri i qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ja sa janë nga diaspora

    Ky është numri i qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ja sa janë nga diaspora

    KQZ mori sot vendim për certifikimin e listës votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.

    Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2 milionë e 76 mijë e 290 votues.

    Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 999 mijë e 205, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77 mijë e 85 votues. Kjo listë përmban 7 mijë e 192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025.

    Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht

  • Osmani: Gjenocidi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje të thella që s’do të shuhet kurrë

    Osmani: Gjenocidi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje të thella që s’do të shuhet kurrë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për viktimat e luftës së fundit gjatë vizitës në ekspozitën “E vërteta, kujtesa, drejtësia”.

    Ajo theksoi se, fatkeqësisht, në çdo konflikt më së shumti preken ata që janë më të pambrojturit: gratë, të moshuarit dhe veçanërisht fëmijët.

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Osmani kujtoi rëndësinë e kësaj date, që simbolizon dinjitetin dhe barazinë universale.

    Ajo përmendi 10 dhjetorin e vitit 1948, kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe u formësua juridikisht e drejta për të jetuar, duke theksuar se çdo jetë njerëzore ka vlerë dhe meriton të mbrohet, ndërsa citoi edhe sloganin e asaj kohe: “Kurrë më!”.

    “Fatkeqësisht, shprehja ‘Kurrë më’ mbeti veç slogan, për shkak se ajo që njerëzimi e pa gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një masë u përsërit edhe në rajonin tonë në vitet ’90-ta”, tha presidentja, duke shtuar se edhe sot bota përballet me fatkeqësi, dhunë dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

    Osmani theksoi se populli i Kosovës e di shumë mirë çfarë nënkupton kjo: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit shkaktuan dhimbje të thella që nuk do të shuhet kurrë.

    “Mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, mijëra gra e burra të dhunuar, mijëra persona të zhdukur me dhunë që ende u mungojnë familjeve dhe gjithë Kosovës. Dhimbja e tyre nuk njeh kohë, është një plagë e hapur, plagë e gjallë, plagë që kullon çdo ditë dhe kërkon drejtësi”, theksoi Osmani.

    Presidentja përmendi edhe vuajtjet e Nënës Ferdonije, e cila humbi të gjithë anëtarët e familjes së saj gjatë luftës së fundit, përfshirë djemtë dhe burrin, si dhe vuajtjet e shumë të tjerëve që kanë pësuar rëndë nga konflikti.

  • Specialja liron me kusht Isni Kilajn

    Specialja liron me kusht Isni Kilajn

    Isni Kilaj është liruar me kusht, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara.

    Njoftimi thekson se Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij dhe po ashtu përcaktohet se në rast se Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm.

    Në vendimin e tij të 3 dhjetorit, 2025, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Kilajt në tetor 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që në qoftë se lirohet, Kilaj mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera, ai arriti në përfundimin se në rrethanat konkrete e drejta themelore e Kilajt për liri peshon më shumë se këto rreziqe tjera gjyqësore në Dhomat e Specializuara, bëhet e ditur në njoftim.

    Në njoftim thuhet po ashtu se ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim në këtë moment tejkalon dënimin minimal sipas ligjit me të cilin ai do të përballej në qoftë se do të shpallej fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar.

    “Gjykatësi gjithashtu mori parasysh se nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se Kilaj ishte orvatur të pengonte procesin gjatë periudhës së lirimit të tij të mëparshëm me kushte në vitin 2024; se ka përfunduar paraqitja e provave në ҫështjen Prokurori i Specializuar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe se rreziku që Kilaj mund të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë në Ҫështjen 12 është shumë i ulët duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike. Gjykatësi gjithashtu konstatoi se nuk ka rrezik që Kilaj të arratiset bazuar në periudhën e lirimit të tij të mëparshëm dhe shumën e ofruar të konsiderueshme si dorëzani financiare që do të humbiste”, thuhet tutje në njoftim.

    “Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij ose në ҫështje të Në vendim përcaktohet se në qoftë se Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

  • KQZ i jep tender për zgjedhjet e 28 dhjetorit kompanisë që shtypi fletëvotimet me gabime në balotazh

    KQZ i jep tender për zgjedhjet e 28 dhjetorit kompanisë që shtypi fletëvotimet me gabime në balotazh

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërblyer sërish kompaninë sllovene, “Cetis d.d” dhe “Cetkos” l.l.C. e cila kishte fituar edhe tenderin në zgjedhjet e fundit, për shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2025.

    Kompania sllovene operon në formë konsorciumi me kompaninë vendore Cetis, ndërsa vlera totale e kontratës arrin në 275 mijë euro.

    Sipas njoftimit fitues të projektit janë grupi ekonomik “Cetis d.d” dhe “Cetkos” l.l.C.

  • ​Auditori identifikon mangësi në procesin e ndërtimit të një objekti në SHSKUK

    ​Auditori identifikon mangësi në procesin e ndërtimit të një objekti në SHSKUK

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për periudhën 2018 – qershor 2025.

    Sipas njoftimit, auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e procesit të ndërtimit të objektit me rregullat dhe kërkesat ligjore që nga procesi i buxhetimit dhe planifikimit, procedurat e tenderimit deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

    “Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në procesin e buxhetimit, tenderimit dhe menaxhimit të fondeve. Auditimi vë në pah mospërputhje në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit për klinikat Hemato-Onkologji dhe Nefrologji, qasje të dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhje në mes të dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, si dhe mangësi në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë procesit të tenderimit dhe në procesin e menaxhimit të shpenzimeve”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë e evidentuara nga auditimi reflektojnë nevojën për qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve. Kjo do të mundësojë rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë pesë rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i tyre

    Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë “Ndërtimi i Objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e gjeni këtu.

  • Osmani pret në takim Begajn: Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës

    Osmani pret në takim Begajn: Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

    Osmani ka thënë se me me Begajn biseduam për “bashkëpunimin tonë të pandalshëm” dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.

    “Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, ka shkruar Osmani.

  • Murati komenton premtimin e Bedri Hamzës për rritjen e pagave

    Murati komenton premtimin e Bedri Hamzës për rritjen e pagave

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të PDK-së Bedri Hamza i cili ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve me ardhjen e tij në Qeveri.

    Murati kujton se PDK-ja ishte ndër partitë që nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për 2026-tën, e për çka thotë të ketë shpresuar se me ardhjen e Hamzës në krye të partisë do të reflektonin.

    Megjithëkëtë, Murati thotë se pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi në sjellje.

    “Bedri Hamza paska premtu që ndër vendimet e para të tij ka me qenë rritja e pagave dhe pensioneve. Mirëpo siç e dini të gjithë, as PDK-ja nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke e rrezikuar kështu kolapsimin financiar të shtetit. E për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar. Së paku tek buxheti kam pritur që PDK-ja me Bedri Hamzën në krye do të reflektonte e ta votonte, duke e dituar se ai vetë ka qenë ministër i financave dhe e din peshën e një ligji siç është buxheti. Por ja që pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi gjë në sjellje, dhe për interesa partiake është në gjendje ta sjellë shtetin buzë kolapsit financiar”, ka shkruar Murati.

    LEXONI EDHE:

    Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

  • Hajdari tha se s’ka pranuar thirrje, Gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës

    Hajdari tha se s’ka pranuar thirrje, Gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës

    Ka dështuar nisja e gjykimit në rastin e rezervave shtetërore pasi e akuzuara Rozeta Hajdari nuk ka shkuar atje. Përmes një postimi në Facebook, ministrja në detyrë ka thënë se nuk ka pranuar thirrje për seancë nga Gjykata.

    “Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!’’, ka shkruar ajo.

    Mirëpo nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë për Express se e kanë dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës.

    “Po Gjykata e ka dërgu ftesën me 19 nëntor përmes postës. Por, gjykata nuk e ka pranuar fletëkthimin nga posta se e pandehura Rozeta Hajdari e ka pranuar ftesën”, tha Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatë.

  • Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Në mungesë të kushteve ligjore, u anulua seanca e shqyrtimit fillestar për rezervat shtetërore.

    Në seancë mungoi kryefjala e këtij rasti, ministrja në detyrë i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, shkruan IndeksOnline.

    Sipas trupit gjykues, ftesa është dërguar përmes postës, por nuk ka konfirmim nga ana e saj se është pranuar, edhe pse gjykata konsideron se procedura është kryer sipas rregullit.

    Në sallë ishte prezent avokati i saj, Florent Latifaj, i cili e përfaqëson ministren në detyrë.

    Irfan Lipovica ka qenë i pranishëm në seancë.

    I akuzuari Hafiz Gara ka munguar fizikisht, por në gjykatë ka prezantuar përfaqësuesja e tij, Nazim Mehmeti.

    Edhe i akuzuari tjetër, Rivdan Muharremi po ashtu mungoi.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën më 11 nëntor ndaj Hajdarit, Lipovicës, Garës dhe Muharremit.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”

    Ridvan Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Seanca e radhës do të mbahet më 13 janar, në orën 09:30.

  • 62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 19 aksidente me të lënduar dhe 42 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1833 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 18 persona, prej të cilëve 10 i ka dërguar në mbajtje.