ATV

Tag: Ballina

  • Trupi iu gjet në një livadh rreth 1 kilometër larg shtëpisë, Policia jep detaje për 18-vjeçarin që u raportua i zhdukur

    Trupi iu gjet në një livadh rreth 1 kilometër larg shtëpisë, Policia jep detaje për 18-vjeçarin që u raportua i zhdukur

    Një 18-vjeçar që ishte raportuar i zhdukur para dy ditësh në Brod të Shtërpcës, është gjetur sot i vdekur.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se trupi është gjetur rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij në një livadh.

    “Sot më 11.12.2025 rreh orës 13:20 është gjetur, rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij, në një livadh, pa shenja jete. Vdekja e të cilit është konstatuar nga mjekët e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtërpcë. Ekipe të policisë janë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit po e hetojnë rastin”, ka deklaruar Veseli.

    18-vjeçari ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij më 10 dhjetor. Sipas tyre, ai kishte dalë nga shtëpia rreth orës 00:30 dhe nuk ishte kthyer më në shtëpi.

    Trupi është gjetur pas angazhimit të Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim.

  • Shqetësuese: Në disa objekte të Policisë dyshohet të jenë inqizuar fshehurazi avokatët me klientët e tyre, kamerat u kamufluan në dosje

    Shqetësuese: Në disa objekte të Policisë dyshohet të jenë inqizuar fshehurazi avokatët me klientët e tyre, kamerat u kamufluan në dosje

    Oda e Avokatëve të Kosovë ka ngritur një shqetësim ku thonë se në disa raste dhe në disa objekte të Policisë së Kosovës, kanë vërejtur pajisje incizimi që në dukje ngjasojnë me kamera artizanale, të vendosura në hapësira ku zhvillohen intervistat dhe konsultat konfidenciale ndërmjet avokatëve dhe palëve, raporton Periskopi.

    OAK thotë se Policia e Kosovës përmes një sqarimi zyrtar ka konfirmuar se ka kamera në hapësira ku zhvillohen intervistat dhe konsultat konfidenciale ndërmjet avokatëve dhe palëve, dhe janë të vendosura tash e tri vjet.

    Sipas PK-së, kamerat nuk “janë funksionalizuar dhe nuk kanë gjeneruar asnjë incizim”.

    Derisa, PK ka shtuar se këto kamera ‘Janë vendosur në kuadër të një projekti të koordinuar me institucionet kompetente”, ku përfshihen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.

    Postimi:

  • Kurti për moscertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe: Çështje e KQZ-së

    Kurti për moscertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe: Çështje e KQZ-së

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe dhe reagimet e Ambasadës Amerikane dhe organizatave të shoqërisë civile.

    Pyetjes për deklaratën e Ambasadës Amerikane, e cila kishte thënë se “Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse”, Kurti iu përgjigj shkurt se janë çështje të Ambasadës dhe KQZ.

    “Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha ai teksa mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të stadiumit në Podujevë.

    Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar në lidhje me vendimin për moscertifikim e Listës Serbe duke shprehur shqetësimin duke thënë se ky nuk është rasti i parë që KQZ devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.

  • Afati i fundit për pagesat, KRU Prishtina paralajmëron qytetarët

    Afati i fundit për pagesat, KRU Prishtina paralajmëron qytetarët

    KRU Prishtina ka njoftuar qytetarët se kanë mbetur vetëm 20 ditë afat për përmbushjen e obligimeve financiare për shërbimet e ujit dhe kanalizimit për vitin 2025.

    Në një postim në Facebook, kompania ka apeluar që pagesat të realizohen sa më shpejt, për të shmangur procedurat shtesë që parashihen pas përfundimit të afatit.

    “Ju lusim që t’i realizoni pagesat sa më herët, në mënyrë që të shmangen procedurat shtesë që parashihen pas afatit,” thuhet në njoftim.

    KRU Prishtina falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

  • KQZ certifikon listën votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit me 2.1 milionë votues

    KQZ certifikon listën votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit me 2.1 milionë votues

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën votuese brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,076,290 votues.

    “Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,999,205 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085 votues. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në Zgjedhjet Lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025”, tha Elezi.

    Më tej, sipas tij, procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

  • Cilat shtete kundërshtuan heqjen e masave ndaj Kosovës?

    Cilat shtete kundërshtuan heqjen e masave ndaj Kosovës?

    Qeveria ne detyrë e Kosovës është deklaruar e zhgënjyer që Bashkimi Evropian nuk i qëndroi prapa paralajmërimit për heqjen e masave pas transferimit të suksesshëm të pushtetit lokal në veri. Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, por vetëm pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Kushtëzimi i heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja me zgjedhjet parlamentare është vlerësuar i paarsyeshëm nga ekzekutivi. Klisman Kadiu, këshilltar për media në Zyrën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e heqjes së masave nga BE-ja. Ai ka thënë se Kosova e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bashkimi Evropian.

    “Së fundmi Komisioni Evropian konstatoi në Raportin për Vendin, në fillim të muajit të kaluar, se masat do të hiqen pas zgjedhjeve lokale dhe transferimit të suksesshëm të pushtetit në katër komunat në veri. Edhe kjo tashmë ka ndodhur, në mënyrë paqësore, ligjore dhe pa asnjë incident. Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, ka thënë Kadiu.

    Kadiu ka shtuar se masat u vendosen padrejtësisht ndaj Kosovës.

    “Kur janë vendosur masat ndaj Kosovës, ato fillimisht kanë qenë të padrejta. Tash e një kohë të gjatë ato nuk kanë më as kuptim dhe as bazë me realitetin në terren. Në vitin 2024, vetë Josep Borrell, atëkohë përfaqësues i lartë i BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave. Megjithatë, veprimet e para drejt largimit të masave u ndërmorën vetëm në mesin e vitit 2025, kur edhe filloi heqja graduale e tyre”, është shprehur ai.

    KOHA ka mësuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Franca ka shprehur dyshime nëse kanë qenë të sinqertë hapat që janë ndërmarrë nga palët për depërshkallëzimin në veri gjatë vitit 2025. E Italia, sipas diplomatëve ka shprehur qëndrimin se duhet pritur përfundimin e zgjedhjeve të dhjetorit para se të avancohet me heqjen “graduale” të masave.

    Sipas mediumit, së paku 13 shtete të BE-së kanë kërkuar që ato të hiqen. Për heqjen e masave, sipas burimeve diplomatike, në këto takime janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Finlanda, Malta, Austria, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Disa prej tyre kanë kërkuar që masat të hiqen menjëherë. Disa i kanë quajtur si absurde dhe kanë bërë thirrje që masa të tilla në të ardhmen të evitohen. Gjermania ka thënë se heqja duhet të ndodhë duke marrë parasysh transferimin e pushtetit lokal në veri. Diskutimi ka ndodhur para se të ndodhte betimi i kryetarëve të komunave në veri.

    Edhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) është shprehur për heqjen e masave ndaj Kosovës.

  • Avokati Hodaj sqaron kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

    Avokati Hodaj sqaron kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

    Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.

    Avokati Taulant Hodaj, në emisionin FIVE ka sqaruar se lirimi i Kilajt me kusht nuk lidhet me ose mos pranimin e fajësisë.

    Ai ka shpjeguar se vendimi për lirimin e Kilajt është bërë duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim dhe peshën e veprës penale.

    “Në rastin e caktimit të paraburgimit shikohet pesha e veprës penale, mënyra dhe lartësia e dënimit, dhe gjithmonë është në praktik që në rastet kur kalon një kohë të konsiderueshme në paraburgim kalon kohën siç parashihet me ligjin e aplikueshëm atëherë zakonisht duhet të lirohet apo të shihet masat tjera të sigurisë. Pra masa e paraburgimit është vetëm më e rënda dhe gjykata ka vlerësuar drejtë që peshojnë më shumë argumentet në favor të lirimit me kusht, sesa mbajtjen në paraburgim të tij”, ka deklaruar ai.

    Kushtet që Kilaj duhet të respektojë, sipas tij përfshijnë, moskontaktimin me dëshmitarët, mosmanipulimin me prova, mosndikimin e dëshmitarëve dhe përgjigjen ndaj thirrjeve të gjykatës.

    Avokati Hodaj ka theksuar se mund të ketë edhe kushte të tjera që nuk mund t’i bëjnë publike.

    Hodaj gjithashtu sqaron se lirimi i Kilajt nuk hap rrugë për të tjerët me akuzat për krime lufte.

    “Nuk mund të diferencohen veprat penale kundër administrimit të drejtësisë apo krimeve të luftës, pesha e veprës penale dhe lartësia e dënimit dallon. Nëse në këtë rast vepra penale kundër krimeve të lutës do të ishte dënimi minimal 1 2 3, do të ishte aplikuar e njëjta por dënimet janë të larta dhe për atë nuk e kanë aplikuar deri tani”, ka deklaruar Hodaj.

    Kilaj akuzohet së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

  • Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi nga Serbia, aktakuza e vërteton

    Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi nga Serbia, aktakuza e vërteton

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi të martën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.

    Kurti ka deklaruar se hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, kanë siguruar prova se tre të akuzuarit, shtetas serbë, kanë qenë në vendin e ngjarjes në natën kritike.

    “Që në orët e para pas shpërthimit, në bazë të informatave nga institucionet e sigurisë, kam deklaruar se sulmi ka ardhur nga Serbia. Sot, aktakuza dhe provat e siguruara e dëshmojnë këtë”, ka thënë Kurti.

    Ai ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe Byronë Federale të Hetimeve (FBI) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për, siç ka thënë, punën profesionale në zbardhjen e këtij rasti.

    Sipas Kurtit, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë të lidhur me Milan Radoiçiqin dhe me struktura të tjera shtetërore serbe, të cilat dyshohet se kanë planifikuar dhe urdhëruar sulmin terrorist.

    Ai ka kritikuar autoritetet serbe për, sipas tij, mohimin e përgjegjësisë dhe përpjekjet për dezinformim të opinionit përmes veprimeve hibride.

    “Rasti dëshmon se në Kosovë terrorizmi nuk kalon pa ndëshkim dhe se dezinformimi do të dekonstruktohet”, ka theksuar Kurti.

    Në fund, kryeministri në detyrë ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me SHBA-të dhe qytetarët për kontributin në sigurinë e vendit.

  • Këto produkte u shtrenjtuan së fundmi në Kosovë

    Këto produkte u shtrenjtuan së fundmi në Kosovë

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5. 3 për qind në muajin nëntor 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit.

    Ndërkaq, inflacioni mujor ishte 0,4 për qind në muajin nëntor 2025.

    Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve të konsumit kanë pësuar pemët me 16,1%, energjia elektrike me 15,5% për qind, bileta të fluturimeve me 14,6%, mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit me 14,1%.

    Po ashtu sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe kafe, çaji dhe kakao u shtrenjtuan me 14 %, mish me 13,7%; pushime të organizuara me 13,5%, qumështi, djathi dhe vezë me 10,5% si dhe lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 9,6%.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5,3% në muajin nëntor 2025, krahasuar me muajin nëntor 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (18,1%); pemë (16,1%); energji elektrike (15,5%); bileta të fluturimeve (14,6%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (14,1%); kafe, çaj dhe kakao (14,0%); mish (13,7%); pushime të organizuara (13,5%); qumësht, djathë dhe vezë (10,5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (9,6%); shërbime ambulantore (8,9%); shërbime hoteliere (8,8%); pajisje terapeutike (8,4%); duhan (6,4%); kujdes personal (5,9%); vajra dhe yndyra (5,9%); prodhime ushqimore (5,8%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,3%); bukë dhe drithëra (5,2%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (5,0%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (4,5%); pije alkoolike (4,4%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (4,2%); arsim (3,8%); gjëra personale (3,7%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (3,5%); perime (3,3%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3,0%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (2,9%); veshje (2,7%); dhe transport rrugor i udhëtarëve (1,4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 5,4 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 0,8%, dhe blerje e automjeteve me 0,5%.

    Ndërsa, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,4% në muajin nëntor 2025, krahasuar me muajin tetor 2025.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (5,1%); qumësht, djathë dhe vezë (4,2%); perime (3,0%); energji elektrike (1,8%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (1,6%); mish (1,1%); kujdes personal (1,0%); kafe, çaj dhe kakao (1,0%); dhe blerje e automjeteve (0,6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,6 për qind në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

    Sipas kësaj agjencie, në këtë periudhë rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: bileta të fluturimeve me 15,9%) dhe pushime të organizuara (-8,2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,2 për qind në IHÇK.

  • Hamza shpalosë programin qeverisës, premton rritje pagash për 50 për qind

    Hamza shpalosë programin qeverisës, premton rritje pagash për 50 për qind

    Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në prezantimin zyrtar të kandidaturës së tij dhe listës së kandidatëve për deputetë të PDK-së, ka zbuluar sloganin e fushatës së Zgjedhjeve të Përgjithshme të 28 dhjetorit.

    Hamza, në një tubim në mesin e strukturave dhe mbështetësve të PDK-së, ka thënë se “BASHKË, PËRPARA.” përveç slogan, është edhe zotim për t’u ribashkuar dhe për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit.

    “Kosova meriton të jetë më mirë. Dhe ne do ta bëjmë ma të mirë! Sepse, ne do të ecim BASHKË, PËRPARA. BASHKË, PËRPARA. është edhe sllogani ynë në këto zgjedhje. Sepse, ky është drejtimi ynë. Ky është misioni ynë. Sepse bashkimi, duke u bërë bashkë rreth vlerave, parimeve dhe politikave, është “pjesa që mungon” në mozaikun e Kosovës, e cila po na mban të ndarë. Shteti përparon duke u bashkuar, jo duke u përçarë”, ka theksuar ai.

    Hamza tha se Qeveria e udhëhequr nga ai do t’i përfshijë të gjitha forcat politike që janë të gatshme të ecin BASHKË, PËRPARA!

    “Le ta nisim së bashku këtë mision të ri kombëtar në vitin 2026! Le ta sjellim pjesën që mungon, që t’i kompletojë aspiratat dhe shpresat tona. Le t’i bashkojmë përpjekjet për ta ndërtuar një Kosovë që funksionon për të gjithë. Një Kosovë të mundësive. Një Kosovë stabiliteti. Një Kosovë drejtësie. Një Kosovë shprese. Një Kosovë që na bën bashkë dhe nuk e lë askënd pas! BASHKË. PËRPARA. Bashkë do të fitojmë. Kosova do të ecë përpara.
    Hamza ka thënë se programi dhe vizioni i tij mbështetet në disa shtylla: zhvillim ekonomik, drejtësi të pavarur dhe efikase, arsim dhe shëndetësi bashkëkohore, mbrojtje dhe siguri.

    “Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Do të ketë rritje të pagave 50% mbi pagën aktuale, për mësues e arsimtarë, policë e zjarrfikës, mjekë e ushtarë dhe për të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës. Do të ndryshojmë shkallën e tatimit për të ardhurat: Të ardhurat deri në 400 euro – zero tatim. 400 deri në 800 euro – vetëm 8%. Mbi 800 euro – 10%. Do ta shfuqizojmë ligjin aktual të tatimit në pronë, që të mos ketë barrë të papërballueshme mbi qytetarët dhe bizneset”, ka thënë ai.

    “Do të japim bursa – fond prej 30 milion në vit – që çdo student të ketë mundësi të shkollohet e të arrijë kapacitetet e veta. Ndërsa universitetet e Kosovës do t’i lidhim me industrinë, që të prodhojmë kuadro që i nevojiten Kosovës. Për të moshuarit do të ndërtojmë qendra të veçanta kujdesi për ta, në çdo rajon të Kosovës. E për ata me sëmundje kronike – ilaçe falas. Pa barrë financiare”, ka shtuar më tej ai.

    Sipas Hamzës, me stabilitet brenda dhe kredibilitet jashtë, Kosova më në fund do ta marrë vendin që i takon në familjen evropiane.

    “Do ta modernizojmë infrastrukturën mbrojtëse të vendit që Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo kërcënim, të brendshëm, të jashtëm. Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës, forcë operative, e shpejtë, e pajisur sipas standardeve të NATO-s. E gatshme për emergjenca, siguri dhe pjesëmarrje në misione ndërkombëtare. Anëtarësimi në NATO e në BE për ne nuk ka alternativë. Prandaj do të thellojmë partneritetin me NATO-n. Do të punojmë që sa më parë të bëhemi pjesë e Partneritetit për Paqe. Do ta rifillojmë Dialogun Strategjik me SHBA, që sa më shpejt të arrijmë te Marrëveshja Strategjike me SHBA. Dhe po, do të punojmë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe ta marrim statusin e Kandidatit në BE”, ka thënë ai.

    Hamza ka thënë se platforma e tij dhe ekipit të tij nuk është listë premtimesh, por plan koherent, i llogaritur, realist dhe i përgjegjshëm, që ua rikthen dinjitetin qytetarëve.

    “E dimë se në Kosovë mund të bëhet ma mirë vetëm me ne të bashkuar! Qytetarë të dashur, viti 2025 ishte vit i jostabilitetit. Vit i përçarjeve politike. Vit i shtrenjtë, i lodhshëm dhe i pashpresë për qytetarët. Le ta përmirësojmë këtë. Viti 2025 ishte viti i pestë pa presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, bacin Jakup e Rexhën në Kosovë. Por, në vitin 2026 edhe ata do të rikthehen pranë nesh, pranë familjeve të tyre, në shtetin e tyre. Në vitin 2026, të gjithë duhet të jemi bashkë. Me stabilitet politik. Me stabilitet ekonomik. Me stabilitet shoqëror. Tani është koha të provojmë diçka tjetër. Tani është koha ta provojmë BASHKIMIN. Kosova që funksionon fillon me bashkimin e të gjithë neve. Kosova që funksionon kërkon qeveri të qëndrueshme dhe efektive. Një qeveri stabile, që krijon konsensus sa më të gjerë, për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, ka thënë Hamza.