ATV

Tag: Ballina

  • Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh.

    Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, do të priten në audiencë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik.

    Po ashtu, presidentja do të zhvillojë takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

    Gjatë vizitës në Vatikan, Osmani do të vizitojë edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.

    “Në selinë e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, ndërkaq, Presidentja Osmani do të organizojë një pritje të fundvitit me përfaqësues të Selisë së Shenjtë, përfaqësues diplomatik dhe personalitete të tjera. Gjatë kësaj vizite ajo do të realizojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera me qëllim të thellimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” merr dy jetë – Vdes edhe një person nga plagët e marra

    Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” merr dy jetë – Vdes edhe një person nga plagët e marra

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Prizren – Suharekë, duke rezultuar me fatalitet.

    Gruaja e lënduar rëndë nga aksidenti me fatalitet sot në Autostradën “Ibrahim Rugova” nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën rrugës për në QKUK.

    Fillimisht, viktima ishte dërguar në spitalin e Prizrenit, por për shkak të gjendjes së rëndë, është vendosur të transferohet në Prishtinë. Fatkeqësisht në Klinikën Emergjente, e njëjta është dërguar pa shenja jete.

    Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

    “Është sjellë nga spitali i Prizrenit në Qendren Emergjente pa shenja jete”, është shprehur ai.

  • I rrëzohet kërkesa Haxhi Shalës për modifikim të dënimit

    I rrëzohet kërkesa Haxhi Shalës për modifikim të dënimit

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi më 11 dhjetor 2025 se dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

    Kështu u tha në një njoftim të Dhomave të Specializuara, ku u specifikua se për të marrë këtë vendim, Kryetarja u konsultua me gjykatësit e paneleve që kanë shqiptuar dënimin, siç parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

    “Kryetarja vuri në dukje konkretisht se z. Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do ta shqyrtonte modifikimin e mundshëm të dënimit të z. Shala pas dy muajsh”, u tha në njoftimin e DhSK.

    Procedurat lidhur me uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimeve, siç parashihet me Ligj, janë procedura individuale.

    Kur një person i dënuar i ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai i plotëson kriteret për shqyrtimin e uljes, modifikimit apo ndryshimit të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet apo ndryshohet.

  • Kosova nis pranimin e migrantëve të deportuar nga ShBA-ja

    Kosova nis pranimin e migrantëve të deportuar nga ShBA-ja

    Kosova ka filluar të pranojë migrantë të caktuar për deportim nga Shtetet e Bashkuara sipas një marrëveshjeje të arritur me administratën e Presidentit Donald Trump, tha të enjten kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Në një intervistë për “Kanal10”, Kurti konfirmoi se një ose dy migrantë kanë mbërritur tashmë, duke vënë në dukje se Kosova po pranon njerëz “që Shtetet e Bashkuara nuk i duan në territorin e saj”.

    Marrëveshja, e finalizuar në qershor, i lejon Kosovës të pranojë deri në 50 migrantë për një periudhë njëvjeçare, sipas qeverisë.

    Duke nënshkruar marrëveshjen, Kosova donte të shprehte “mirënjohjen e përjetshme” për mbështetjen e ShBA-së që kur u nda nga Serbia në vitin 2008, tha qeveria në qershor, shkruan “TrtWorld”.

  • Aksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një grua që po drejtonte veturën me targa të huaja

    Aksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një grua që po drejtonte veturën me targa të huaja

    Një grua ka humbur jetën në një aksident trafiku të ndodhur në mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, pasi vetura që ajo drejtonte u përplas me një kamion.

    Sipas zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, aksidenti është regjistruar rreth orës 07:40, kur drejtuesja e veturës me targa të huaja është përplasur me mjetin e rëndë transportues me targa vendore. Si pasojë, ajo ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe shoferi i kamionit.

    Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, ku këta të fundit kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti fatal.

  • “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    Sot, punëtorët e KEK-ut pritet të protesojnë sot nga ora 11:00 para zyrave të korporatës së tyre.

    Sipas njoftimit, kërkohet rritje e pagave për punëtorët e KEK-ut, nivelizimin e pagave të sigurimit fizik si dhe zbatimin e pagës së 13-të, transmeton Sinjali.

    “Pse po protestojmë? Sepse punëtorët e KEK-ut përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe rrezik profesional, përballen me rritje të kostos së jetesës nga inflacioni, nuk kanë përfituar rritje pagash si institucionet tjera publike dhe po e mbajnë mbi supe sistemin energjetik të vendit”, thuhet në njoftim.

  • Ambasada e SHBA-së: Kërkohen hapa konkret nga Kurti për uljen e tensioneve

    Ambasada e SHBA-së: Kërkohen hapa konkret nga Kurti për uljen e tensioneve

    SHBA-të nuk pritet të fillojnë dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën të cilin e kishin pezulluar në shtator të këtij viti për shkak të veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë Kurti.

    Në një përgjigje të Ambasadës së SHBA-së për RTV21 thuhet se SHBA kërkon hapa konkretë nga Kryeministri kujdestar Kurti për të uljen e tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin e përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik.

    ‘’Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë së përkohshme, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkret nga kryeministri kujdestar Kurti për të uljen e tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë së përkohshme. Nuk kemi asgjë tjetër për të njoftuar në këtë pikë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.

  • I vazhdohet paraburgimi Thaçit

    I vazhdohet paraburgimi Thaçit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masë së paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, i cili së bashku me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Vendimi është marrë më 10 dhjetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Paraburgimi ndaj Thaçit është vazhduar edhe për dy muaj, pasi trupi gjykues ka konstatuar se ka rrezik që ai të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera në këtë fushë.

    Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave.

    Ndryshe, mbrojtja kishte filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

    Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

    Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

    Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Ëesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

    Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

    “Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

    Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Dyfishohet çmimi i argjendit në Kosovë, ari është “i paprekshëm”

    Dyfishohet çmimi i argjendit në Kosovë, ari është “i paprekshëm”

    Çmimi i arit ka shënuar një rritje të konsiderueshme që nga muajt korrik–gusht deri më sot. Kjo rritje ka ndikuar edhe te ne në Kosovë, me një rritje prej rreth 40–50%

    Kryetari i Shoqatës së Artarëve të Kosovës, Enver Pakashtica, në një intervistë për Indeksonlinen, tha se kjo rritje e çmimeve ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregtinë lokale, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke ndikuar negativisht në vëllimin e shitjeve në argjendari.

    “Çmimi i arit ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti. Sipas tregtarëve dhe përfaqësuesve të sektorit, sot një gram ari shitet rreth 100 euro, krahasuar me 75 euro që ishte gjatë verës një rritje që afrohet rreth 33% në periudhën korrik dhe deri sot”, tha Pakashtica.

    Ai gjithashtu theksoi se kërkesa për produkte prej arit dhe argjendi ka rënë, ndërsa konsumatorët shpesh hezitojnë të blejnë për shkak të pritjeve për ulje të mëtejshme të çmimeve.

    Po ashtu edhe argjendi sipas tij ka shënuar një rritje nga viti i kaluar deri më sot. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimi për një kilogram argjendi ishte rreth 900 euro, ndërsa tani shkon rreth 1,600 euro që korrespondon me një rritje afërsisht 90%.

    Ai shtoi se këto lëvizje janë të ndërlidhura me trendet globale të tregut të metaleve të çmuara, të cilat ndikohen nga faktorë si normat e interesit dhe pasiguria ekonomike botërore.

  • Gjykimi për të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc nis me 24 dhjetor

    Gjykimi për të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc nis me 24 dhjetor

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 24 dhjetorin si datë për nisjen e gjykimit ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 dhjetor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.