ATV

Tag: Ballina

  • Policia jep detaje për aksidentin fatal në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë: Një 52-vjeçare humbi jetën, pesë të lënduar

    Policia jep detaje për aksidentin fatal në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë: Një 52-vjeçare humbi jetën, pesë të lënduar

    Policia e Kosovës ka dalë me raport zyrtar lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Studime të komunës së Vushtrrisë.

    Sipas njoftimit të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:00 dhe në të janë përfshirë dy automjete.

    Si pasojë e përplasjes, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një grua rreth 52-vjeçare.

    “Në aksident janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një viktimë femër, rreth 52 vjeçare, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor”, njofton policia.

    Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet obduksionit.

    Policia bëri të ditur se hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor, në koordinim me prokurorin e rastit, po zhvillojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit fatal.

  • Vazhdon të shtrenjtohet nafta dhe benzina, MINTI publikon çmimet

    Vazhdon të shtrenjtohet nafta dhe benzina, MINTI publikon çmimet

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 23 korrik.

    Sipas vendimit të MINTI-it, nafta sot është 1.68 euro për litër, një cent më shtrenjtë se të mërkurën.

    Po ashtu një cent më shtrenjtë është edhe benzina. Sot është 1.49 euro për litër, gjersa të mërkurën ishte 1.48.

    Nafta vazhdon të jetë me 0.60 euro për litër.

    Çmimet e derivateve hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë. /Telegrafi/

  • Rreth 1 mijë familje më pak marrin asistencë sociale në Kosovë gjatë vitit 2026

    Rreth 1 mijë familje më pak marrin asistencë sociale në Kosovë gjatë vitit 2026

    Numri i familjeve që përfitojnë nga skema e ndihmës sociale në Kosovë ka shënuar rënie gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për statistikat e mirëqenies sociale, të cilat tregojnë se numri i familjeve përfituese ka rënë gradualisht nga muaji janar deri në qershor.

    Sipas të dhënave të ASK-së, në muajin janar nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar gjithsej 16.110 familje, ndërsa në qershor ky numër ka zbritur në 15.090 familje, që nënkupton 1.020 familje më pak.

    Pjesa më e madhe e përfituesve vazhdojnë të jenë familjet e kategorisë së parë. Në muajin qershor, nga kjo kategori kanë përfituar 11.488 familje, krahasuar me 12.189 familje në janar.

    Ndërkohë, në kategorinë e dytë, numri i familjeve përfituese ka rënë nga 3.921 në muajin janar në 3.602 familje në muajin qershor.

    Sipas muajve, numri i përgjithshëm i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte:

    Janar – 16.110 familje

    Shkurt – 15.872 familje

    Mars – 15.595 familje

    Prill – 15.414 familje

    Maj – 15.263 familje

    Qershor – 15.090 familje

  • Sot mbahet seanca e radhës për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Sot mbahet seanca e radhës për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

    Seanca është caktuar të mbahet sot nga ora 09:00, ku pritet të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj gjashtë të pandehurve të akuzuar për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, më 9 janar të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje, më 1 prill 2025 rreth orës 23:00 në Kaçanik, kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamet Lika me armë zjarri, duke vepruar sipas Prokurorisë me përgatitje paraprake dhe me përfshirjen edhe të një personi të mitur.

    Prokuroria ka kërkuar që pas shqyrtimit të të gjitha provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit deri në përfundim të procedurës gjyqësore.

    Rasti vazhdon të jetë në shqyrtim nga organet e drejtësisë.

  • Dallavere në ministrinë e Sveçlës me lejeqëndrimet për të huaj, arrestohen tre zyrtarë të MPB-së

    Dallavere në ministrinë e Sveçlës me lejeqëndrimet për të huaj, arrestohen tre zyrtarë të MPB-së

    Dallavere në procedura dyshohet se e kanë kryer zyrtarët e MPB-së në Departamentin për të Huaj, të cilët u arrestuan sot. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri Xhelal Sveçla.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin në fjalë, duke thënë se luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta,

    Reagimi i tij i plotë:

    Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore.

    Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik. Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë.

    Luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët. Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve.

  • Testi i drogës, deputetja Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

    Testi i drogës, deputetja Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

    Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se beson se në politikën kosovare ka persona që përdorin substanca narkotike.

    E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Kadrijaj ka komentuar iniciativën e partisë së saj për testimin e deputetëve për përdorim të drogës.

    Ajo bëri të ditur se i është nënshtruar vetë testit dhe se rezultati ka dalë negativ.

    “Mendoj që nuk është i dinjitetshëm dikush që konsumon drogë me qenë në nivele të larta vendimmarrëse. Po i sfidoj, bëjeni, sikur që e bëra unë. Ne e dimë sipas statistikave që është në rritje ky fenomen në Kosovë, sidomos te fëmijët”, tha Kadrijaj.

    E pyetur nëse mendon se ka politikanë që përdorin drogë, deputetja e zgjedhur e AAK-së u përgjigj pozitivisht.

    “Mendoj që po, mendoj që ka njerëz që e përdorin drogën, shihen prej sjelljeve, prej gjesteve”, deklaroi ajo.

    Kadrijaj nuk përmendi emra konkretë, ndërsa deklaratat e saj vijnë në kohën kur iniciativa për testimin e deputetëve për përdorim të substancave narkotike ka hapur debat në skenën politike në Kosovë.

  • Thaçi kërkoi lirim nga burgu e ofroi dorëzani 50 mijë euro, ZPS-ja e do në Hagë: Procedurat po ecin shpejt

    Thaçi kërkoi lirim nga burgu e ofroi dorëzani 50 mijë euro, ZPS-ja e do në Hagë: Procedurat po ecin shpejt

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim të përkohshëm të ish-presidentit të Kosovës nga burgu. Sipas kryeprokurores ameriakne, Kimberly West, Thaçi duhet të mbetet në paraburgim.

    “Përparimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtij procesi gjyqësor, përfshirë afatin kohor për çdo mocion përfundimtar lidhur me provat, gjithashtu mbështet vazhdimin e paraburgimit të THAÇIT”, thuhet në shkresën e West.

    Gjithashtu prokurorja amerikane ka përmendur rrezikun për kryerjen e veprave të tjera penale dhe ndëhryjen në procedura.

    “Konstatimet e vazhdueshme mbi ekzistencën e rreziqeve sipas nenit 41(6)(b) që i atribuohen THAÇIT në këtë çështje mbeten të vlefshme. Ato janë bërë mbi bazën e një numri të madh faktorësh të arsyetuar dhe të individualizuar, dhe asnjë kusht i mundshëm për lirimin e tij nuk mund t’i zbusë ato në mënyrë të mjaftueshme”, shkruan dokumenti i ZPS-së.

  • Rrënimi i vilave pa leje në Ujman, reagon Bashkimi Evropian

    Rrënimi i vilave pa leje në Ujman, reagon Bashkimi Evropian

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për siç thonë rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit.

    Në reagim thuhet se rrënimi ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës.

    “BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”.

    Tutje bëhet thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur.

    “Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme.

    Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësishtë brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit.

    Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, thuhet më tej. /Telegrafi/

  • Përfundon verifikimi i nënshkrimeve në LDK, s’dihet data e Kuvendit

    Përfundon verifikimi i nënshkrimeve në LDK, s’dihet data e Kuvendit

    Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve të delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku pritet të kërkohet shkarkimi i kryetarit, Lumir Abdixhiku.

    Por, data se kur do të mbahet ky Kuvend ende nuk dihet.

    Kështu ka bërë të ditur për Radio Dukagjinin, sekretari i LDK-së, Ilir Ferati i cili tha se aktualisht janë në fazën e përgatitjeve teknike.

    “Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve tash po presim përgatitjen e pjesëve të tjera të cilat janë teknike, por si sekretariat jemi duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që me pas të mundshme që sa më shpejt me i dhënë drejtim demokratikë partisë. Në momentin që jemi të gatshëm e njoftojmë kryetarin dhe pastaj ai në një afat sa më të shpejt me bë ftesën për Kuvendin, nuk ka arsye për shtyrje të Kuvendit dhe me sa kam parë edhe kryetari është i interesuar që sa më shpejt ta kryej si proces që me krijuar njëfarë paqe brenda për brenda njerëzve të LDK-së“, tha ai.

    Edhe sot, sekretari i LDK-së ka ritheksuar se në takimin Kurti-Abdixhiku nuk është diskutuar për emra, po për parime.

    “Ne nuk kemi diskutuar me Vetëvendosjen për pozicione dhe as për emra në këtë takim janë diskutuar parimet të cilat duhet me u respektua tutje për të zhvilluar diskutimin në kuptim të pozicioneve. Ende nuk jemi në atë fazë, në momentin që diskutojmë për parime edhe pse sigurisht një prej tyre duhet të jetë zgjidhja e çështjes që na ka quar në zgjedhje i bie pjesa e presidentes. Kjo është çështje e negociatave ne e kemi kandidate me votë të këshillit të përgjithshëm Vjosa osmani, ka qenë bartëse e listë dhe njëherit edhe kandidate për presidente, por tani është ende herët me diskutua sepse nëse nuk ka dakordancë për parime nuk vazhdojmë tutje”, tha ai.

    I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet Vjosa Osmanin për presidente, Ferati tha se kjo është një çështje që i takon Vetëvendosjes dhe se do të trajtohet në kuadër të negociatave ndërmjet partive.

    “Është çështje e Lëvizjes Vetëvendosje jo e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është çështje e negociatave. Thash është herët për të folur për emra jemi ende në diskutim të parimeve nëse ka rezultat në këtë pjesë pastaj flasim për emra”, theksoi ai.

    Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje presin rikthimin e negociatave me LDK, nga kjo parti thonë se proceset e brendshme të LDK-së do të trajtohen vetëm nga strukturat e saj, ndërsa për zhvillimet e mëtejshme do të flitet pasi të përfundojë procesi i rikonfirmimit të kryetarit të partisë.

    “Ato janë çështje tona të brendshme që nuk ka nevojë as Vetëvendosja dhe as ndonjë parti tjetër me u marr. Në momentin që ne i zgjidhim njëjtë sikurse u deklarua kryetari që i ka pezulluar diskutimet besoj njëjtë deklarohet edhe pasi të rikonfimnrohet si kryetar i LDK-së, pjesën tjetër të formimit dhe konstituimit të institucioneve është obligim i partisë së parë“, tha ai.

  • Forcohet mbikëqyrja e tregut, Kusari-Lila paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve

    Forcohet mbikëqyrja e tregut, Kusari-Lila paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se mbrojtja e konsumatorëve dhe forcimi i mbikëqyrjes së tregut mbeten ndër prioritetet kryesore.

    Kusari-Lila ka njoftuar se nga muaji gusht do të rritet numri i inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut nga 25 në 43, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit ky numër të arrijë në 100 inspektorë.

    Sipas saj, rritja e kapaciteteve të inspektoratit synon të sigurojë mbrojtje më efektive për qytetarët nga manipulimet, mashtrimet dhe shkeljet në treg.

    Ajo ka falënderuar inspektorët për angazhimin e tyre, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar aksione të ndryshme, përfshirë kontrollet në tregun e derivateve të naftës, inspektimin e njehsorëve elektrikë, kontrollin e etiketimit të produkteve ushqimore, si dhe inspektimet ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari pa licencë.