ATV

Tag: Ballina

  • Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 72 centë, apo 3 centë më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 51 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

     

  • Katër persona kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë – dy nga Maqedonia e Veriut, dy nga Serbia

    Katër persona kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë – dy nga Maqedonia e Veriut, dy nga Serbia

    Policia e Kosovës ka njoftuar në raportin 24 orësh se katër persona janë kapur duke hyrë ilegalisht në Kosovë.

    Sipas raportit policor, dy janë nga Maqedonia e Veriut, ndërkaq dy nga Serbia.

    Raporti i plotë:

    Hani i Elezit 24.07.2026 – 16:30. Njësiti policor ka ndaluar të dyshuarën e mitur femër shtetase e Maqedonisë së Veriut e cila në mënyrë ilegale këmbë nga fshati Bllacë i RMV-së ka hyrë në territorin e Kosovës – Hani i Elezit.

    Hani i Elezit 24.07.2026 – 16:45. Njësiti policor ka ndaluar të dyshuarin e mitur mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili në mënyrë ilegale këmbë nga fshati Bllacë i RMV-së ka hyrë në territorin e Kosovës – Hani i Elezit. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Rr. Stublinë, Dobërqan 24.07.2026 – 10:10. Policia ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë, gjatë kontrollimit të dokumentacionit është kuptuar që e dyshuara vozitësja e veturës femër shtetase e Serbisë së bashku me pasagjeren femër shtetase e Serbisë me veturë përmes rrugëve dytësore, jashtë vendkalimit kufitar, në mënyrë ilegale nga territori i Serbisë kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në procedurë të shpejtë para gjykatës.

  • Sonte meçi Joshua-Prenga: A do të shkruaj histori boksieri shqiptar?

    Sonte meçi Joshua-Prenga: A do të shkruaj histori boksieri shqiptar?

    Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të përballet sonte me një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, teksa në Jeddah të Arabisë Saudite do të hyjë në ring kundër ish-kampionit të botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.

    Meçi mes Joshuas dhe Prengës është pjesë e një mbrëmjeje të madhe boksi, ku do të zhvillohen edhe dy përballje për tituj botërorë. Dueli kryesor mes dy boksierëve të peshave të rënda pritet të nisë rreth orës 00:00 pas mesnate sipas kohës së Kosovës, megjithëse orari mund të ndryshojë në varësi të përfundimit të meçeve paraprake.

    Anthony Joshua, 36-vjeçar, ka një karrierë të jashtëzakonshme në boksin profesionist. Britaniku ka qenë kampion bote në kategorinë e peshave të rënda dhe gjatë karrierës së tij ka zhvilluar duele me emra të mëdhenj të këtij sporti. Ai ka një bilanc prej 28 fitoresh dhe 4 humbjesh, me shumicën e fitoreve të ardhura me nokaut.

    Joshua në ringun e fundit u paraqit në dhjetor, kur mposhti Jake Paulin me nokaut teknik në raundin e gjashtë në Miami.

    Përballë tij do të jetë Kristian Prenga, 35-vjeçari shqiptar i cili njihet për fuqinë e goditjeve dhe stilin agresiv të boksimit. Prenga ka ndërtuar karrierën e tij kryesisht në kategorinë e peshave të rënda dhe synon që përmes kësaj përballjeje të fitojë një vend në mesin e emrave më të njohur të këtij divizioni.

    Megjithatë, përballja me Joshuan do të jetë testi më i madh për boksierin shqiptar, pasi britaniku ka përvojë të madhe në duele të nivelit më të lartë.

    Kjo sfidë shihet edhe si një hap përgatitor për Joshuan para një superdueli të mundshëm me bashkëkombësin e tij, Tyson Fury.

    Nëse Prenga arrin ta mposhtë Joshuan, fitorja do të ishte një nga befasitë më të mëdha në boksin e peshave të rënda dhe një moment historik për boksin shqiptar.

    Në të njëjtën mbrëmje do të zhvillohen edhe meçe të tjera, përfshirë mbrojtjen e titullit WBO në peshat super të mesme nga britaniku Hamzah Sheeraz ndaj gjermanit Simon Zachenhuber, si dhe duelin për titullin IBF në peshat e lehta-mesme mes Josh Kelly dhe Caoimhin Agyarko.

  • KEDS gjobitet me 65 mijë euro nga MINTI, 13 njehsorë elektrikë u gjetën me verifikim të skaduar

    KEDS gjobitet me 65 mijë euro nga MINTI, 13 njehsorë elektrikë u gjetën me verifikim të skaduar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që kanë qenë në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh.

    MINTI ka bërë të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.

    Ky veprim, sipas ministrisë, vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe sigurimin e respektimit të standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.

    MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi apo kanë dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë, që t’i raportojnë ato përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose përmes adresës elektronike [email protected].

  • Mimoza Kusari – Lila: S’kemi vota për presidentin, kjo mund ta çojë vendin në zgjedhje

    Mimoza Kusari – Lila: S’kemi vota për presidentin, kjo mund ta çojë vendin në zgjedhje

    Mimoza Kusari -Lila, e cila me partinë e saj “Alternativa” është pjesë e koalicionit me LVV-në që fituan zgjedhjet e fundit, në EURO n’T7 ka thënë se shkuarja eventuale në zgjedhje prapë gjatë vitit 2026 nuk mund të prodhojë rezultat ndryshe nga ai që kishim në zgjedhjet e fundit.

    Ajo ka deklaruar se çështja e presidentit mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.

    “Ne i kemi votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë dhe Kuvendin, por nuk i kemi votat për zgjedhjen e presidentit. Për me zgjedh presidentin nevojiten 80 vota të paktën dhe të jenë në tri raundet e votimit prezent në sallë dhe të jenë 80 vota në kuti. Kjo është pika ose momenti që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje ose edhe mund ta shpëtojë vendin edhe nga një palë zgjedhje gjatë vitit 2026. Nuk e kemi interesin aspak për zgjedhje të reja, sepse po e shohim që cikël pas cikli zgjedhor nuk po prodhohet diçka e re, po lëvizin dy-tre deputetë në numra të përgjithshëm. P.sh. PDK-ja nuk ka ndryshuar fare në numrin e deputetëve, ne kemi humbur 5 deputetë, por nuk ka pasur diçka që të ndërrojë dramatikisht situatën në vend. LDK-ja i fitoi 3 deputetë, nuk ka ndryshim dramatik, ata prapë mbeten në vendin e tretë, aty ku ishin edhe para këtij procesi zgjedhor”, ka thënë Kusari Lila.

  • Policia e Kosovës: Esat Shala është intervistuar si i dyshuar pasi personi që e ka përmendur ndihet i kanosur

    Policia e Kosovës: Esat Shala është intervistuar si i dyshuar pasi personi që e ka përmendur ndihet i kanosur

    Policia e Kosovës përmes një komunikate për media kanë thënë se Esat Shala është intervistuar sot në cilësinë e personit të dyshuar. Kjo pasi ndaj tij është bërë ankesë për kanosje nga personi që Shala e ka përmendur si të dyshuar për krime lufte.

    Njoftimi i plotë:

    Komunikatë për media

    Sot, më datë 24.07.2026, personi mashkull Sh.B., është paraqitur në Stacionin Policor në Prizren dhe ka paraqitur ankesë, duke pretenduar se pas publikimit të një interviste në media, në të cilën ai është përmendur si i dyshuar për krime lufte, ai ndihet i kanosur.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Kanosje”.

    Personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, mashkull E.SH., është ftuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit.

    Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari E.SH. është liruar në procedurë të rregullt.

    Për informata të tjera lidhur me rastin , ju lutemi t’i drejtoheni prokurorisë kompetente.

  • Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb

    Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që t’i refuzojë kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb për tërheqjen e dorëheqjeve të dhëna në fund të vitit 2022.

    Ai tha se braktisja ishte e organizuar politikisht si pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.

    “Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni. Por, nuk e kemi thënë e as nuk kemi të drejtë të themi kthehuni. Kishim të drejtë etike të ju themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtuese e ligjore tu themi kthehuni”, tha Kurti.

    Sipas tij, largimi nga institucionet kishte qenë akt politik, ndërsa çështja e kthimit duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    “Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor të vepronte njësoj kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë kjo çështje”, tha Kurti.

    Edhe U.D e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi sot më herët nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që t’u jap përgjigje negative të dorëhequrve.

    Veçse mbledhja e sotshme e KGjK-së, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

    Ditë më parë, Haxhiu dekretoi lirimin nga detyra të prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022. Kjo, derisa Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e tyre dhe stafit administrativ për të tërhequr dorëheqjet e mëparshme.

    Në nëntor të vitit 2022, gjyqtarë, prokurorë, punonjës administrativë dhe policë serbë kishin dhënë dorëheqje kolektive nga institucionet e drejtësisë e sigurisë në veri.

  • Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026: Kosova renditet në vendin e 60-të

    Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026: Kosova renditet në vendin e 60-të

    Pavarësisht pranisë së madhe të vendeve evropiane në listë, Singapori ka ruajtur vendin e parë në Indeksin e Pasaportave Henley për të dytin vit radhazi.

    Tre vende u renditën në vendin e dytë: Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me qasje pa viza në 188 destinacione, ndërsa Singapori kryeson me 192 destinacione.

    Indeksi, i cili përdor të dhëna nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) për numrin e vendeve ku mund të udhëtojnë qytetarët pa vizë paraprake, këtë vit shënon 20-vjetorin e tij.

    Suedia u rendit në vendin e tretë me qasje në 187 vende. Pas saj, me qasje në 186 destinacione, u renditën Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.

    Në pesëshen e parë u përfshinë edhe Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra.

    Edhe pse 29 vende evropiane janë në mesin e 10 pasaportave më të fuqishme, disa shtete vazhdojnë të mbeten prapa.

    Mbajtësit e pasaportës së Bjellorusisë mund të udhëtojnë pa vizë në vetëm 78 vende, duke u renditur në vendin e 62-të. Ndërsa pasaporta e Kosovës renditet pak më lart, në vendin e 60-të, së bashku me Kinën, me qasje pa vizë në 83 vende.

    Megjithatë, Kosova ka bërë përparim të madh vitet e fundit, duke u ngjitur 35 vende në renditje që nga viti 2016.

    Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi që ka shënuar rritjen më të madhe gjatë 20 viteve të fundit. Ato tani renditen të dytat në botë, pasi janë ngjitur 60 vende dhe kanë fituar qasje në 153 destinacione më shumë.

    Vitin e kaluar, Emiratet ishin në vendin e 10-të, ndërsa tani kanë kaluar Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka zbritur në vendin e gjashtë.

    Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 10-të, me qasje në 180 vende, duke mbetur në të njëjtën pozitë si në vitin 2025, kur kishin arritur nivelin më të ulët historik në këtë indeks.

    Christian H. Kaelin, kryetar i kompanisë Henley & Partners, tha se fuqia e pasaportës sot luan një rol të rëndësishëm në mundësitë, sigurinë dhe pjesëmarrjen ekonomike, ndërsa përfitimet e lëvizjes globale janë gjithnjë e më shumë të përqendruara te vendet më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht, shkruan Euronews.

  • Haxhiu e cakton seancën konstituive më 6 gusht, një ditë para skadimit të afatit kushtetues

    Haxhiu e cakton seancën konstituive më 6 gusht, një ditë para skadimit të afatit kushtetues

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka caktuar 6 gushtin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit.

    Seanca do të nisë nga ora 10:00.

    “Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

    Afati i fundit kushtetues për seancën konstituive ishte 7 gushti.

  • Policia njofton për masa të veçanta në trafik më 24 dhe 25 korrik në magjistralen Prishtinë-Shkup

    Policia njofton për masa të veçanta në trafik më 24 dhe 25 korrik në magjistralen Prishtinë-Shkup

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 dhe 25 korrik do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut për shkak të një koncerti që do të mbahet në Prishtina Mall.

    Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe shmangien e ngarkesave në trafik.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe kolonat.

    Po ashtu, për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me linjë nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe në drejtimin e kundërt.

    Sipas planit të menaxhimit të trafikut, për automjetet që lëvizin nga Prishtina drejt Prishtina Mall, pas rrethit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.

    Ndërsa, automjetet që vijnë nga drejtimi i Ferizajt do të kenë qasje në Prishtina Mall përmes rrugicës në anën e djathtë, para se të arrijnë te rrethi i qendrës tregtare, ndërsa në këtë drejtim do të vendosen kona në shiritin e djathtë të qarkullimit.

    Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalizimin e përkohshëm rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut.