ATV

Tag: Ballina

  • Gjendet pa shenja jete një zyrtar i Policisë së Kosovës në Morinë

    Gjendet pa shenja jete një zyrtar i Policisë së Kosovës në Morinë

    Një efektiv i Policisë së Kosovës është gjetur pa shenja jete mëngjesin e kësaj të marte në varrezat e fshatit Morinë, në Kukës.

    Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 08:25 është konstatuar i pajetë shtetasi 35 vjeç, banues në Prizren, punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.

    Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një vetëvrasjeje me armë zjarri pistoletë. Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

    Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

    Policia e Shtetit bëri të ditur se po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e sekuestruar është arma e shërbimit të efektivit, si dhe për sigurimin e të gjitha të dhënave që do t’i shërbejnë dokumentimit të plotë ligjor të rastit. /Abcnews.al/

  • Vendimi i Haxhiut për prokurorët serbë, Ambasada e SHBA: Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e serbëve, Qeveria të sigurojë barazi

    Vendimi i Haxhiut për prokurorët serbë, Ambasada e SHBA: Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e serbëve, Qeveria të sigurojë barazi

    U.d e Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar largimin përfundimtar nga puna të 20 prokurorëve serbë të cilët ishin larguar nga vendet e tyre të punës në vitin 2022. Lidhur me këtë çështje, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e garanton përfaqësimim e serbëve në institucionet e vendit.

    Ambasada tutje në përgjigje thotë se presin nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë që serbët të kenë mundësi të barabarta dhe që të kenë mundësi të marrin plotësishtë pjesë në jetën politike dhe qytetare.

    “Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve të Kosovës në institucionet e vendit. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për këtë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës për Gazetën Express.

    Lidhur me këtë dje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian duke shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe të U.d Presidentes Haxhiu.

  • Tre persona humbën jetën në Kosovë brenda një dite, dy viktima nga aksidentet në trafik

    Tre persona humbën jetën në Kosovë brenda një dite, dy viktima nga aksidentet në trafik

    Tre persona kanë humbur jetën të martën në Kosovë, dy prej tyre vdiqën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa rasti i tretë po hetohet nga autoritetet si “hetim i vdekjes”, pasi një person u gjet pa shenja jete në komunën e Vitisë.

    Aksidenti i parë me pasojë vdekjen ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Komoran të Drenasit.

    Sipas Policisë së Kosovës, një veturë me targa vendore u përfshi në aksident, ku një grua humbi jetën.

    Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore pësuan edhe tre persona të tjerë – një burrë dhe dy gra.

    “Fsh. Komoran, Gllogoc / 21.07.2026 – 05:30. Raportohet se ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku e përfshirë ka qenë një veturë me targa vendore. Si pasojë e aksidentit, një femër kosovare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare të cilat kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore ne Prishtinë për Obduksion.Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raport.

    Një tjetër aksident fatal u regjistrua rreth orës 10:00 në rrugën “Besim Ndreca” në Suharekë.

    Sipas policisë, drejtuesi i një veture humbi kontrollin mbi automjetin dhe u përplas me një objekt.

    Ai pësoi lëndime vdekjeprurëse dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

    “Rr. Besim Ndreca, Suharekë / 21.07.2026 – 10:05. Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë duke drejtuar veturën, ka humbur kontrollin mbi veturën dhe është përplasur në një objekt. Si pasojë, i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion.Edhe në këtë rast, prokurori urdhëroi që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

    Ndërkohë, në Viti, rreth orës 16:30, një burrë u gjet pa shenja jete, vdekjen e së cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    “Viti/ 21.07.2026 – 16:40. Lidhur me rastin nga mjeku kujdestar është konstatuar që viktima mashkull kosovar është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë”, thuhet në raport.

  • Ky është çmimi i derivateve të naftës për ditën e sotme

    Ky është çmimi i derivateve të naftës për ditën e sotme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 22 korrik 2026.

    Sipas njoftimit, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë:

    Nafta (dizel): 1.67 euro-litri

    Benzina: 1.48 euro-litri

    Gazi: 0.60 euro-litri

    MINT-i njofton se qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre përmes adresës elektronike [email protected] ose në numrin pa pagesë 0800 11000.

  • Mbi 1,600 zyrtarë policorë ende pa jelekë anti-plumb

    Mbi 1,600 zyrtarë policorë ende pa jelekë anti-plumb

    Ata janë gjithmonë në krye të detyrës, e në mbrotje të qytetarëve.

    Mirëpo, shumë zyrtarë të Policisë së Kosovës vazhdojnë të mos kenë pajisjet mbrojtëse në rast të rrezikimit të jetës gjatë kryerjes së detyrës

    Siç mëson Radio Dukagjini 1654 zyrtarë policorë të gjeneratës së fundit ende nuk janë pajisur me jelekët anti-plumb.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka theksuar se katër gjeneratat e fundit të Policisë së Kosovës për shkak të tenderit nuk janë të pajisur me jelekët anti-plumb

    “Është shumë me rëndësi se edhe anti-plumbët sikurse të gjitha pajisjet tjera të uniformës edhe anti-plumbi është pjesë e pajisjeve zyrtare dhe duhet çdo zyrtar policor ta ketë atë gjatë detyrës zyrtare”, ka thënë ai.

    Ndërsa, për ekspertin e sigurisë, Hysen Gecaj, mungesa e jelekëve anti-plumb shkakton problem në zbatimin e detyrave

    “Për shkak të natyrës specifike të detyrave që ka Policia e Kosovës, secili individ në Policinë e Kosovës, mungesa e jelekëve anti-plmb është një mungesë që në fakt shkakon problem në zbatimin e detyrave, për shkak se jeta e policëve vihet në rrezik. Tani kjo përgjigjja që për shkak të tenderëve paskan mbetur katër gjenerata pa jelekët anti-plumb, duket pak deklaratë qesharake”, ka thënë Gecaj.

  • BE e shqetësuar nga vendimi i KPK-së dhe Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë ri-integrimin

    BE e shqetësuar nga vendimi i KPK-së dhe Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë ri-integrimin

    Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimeve të fundit të institucioneve të Kosovës përmes të cilave është vendosur ndërprerja e kontratave të punës të Prokurorëve të komunitetit serb, të cilët ishin larguar nga sistemi qysh në vitin 2022, shkruan Gazeta Express.

    BE thotë se sipas Kushtetutës, Kosova është një shoqëri multi-etnike e cila qeveriset nga rendi dhe ligji dhe një sistem drejtësie që duhet të reflektojë llojllojshmërinë etnike.

    “BE në vazhdimësi ka bërë thirrje që Kosova të mundësojë ri-integrimin e serbëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë në linjë me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në reagim.

    BE ka theksuar se mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të bërë nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës dhe potencon se është e shqetësuar nga vendimi i KPK-së për të pranuar ato dorëheqje pasi ishin tërhequr dhe gjithashtu thonë se janë të shqetësuar edhe nga vendimi i Albulena Haxhiut si u.d e presidentit për të dekretuar dorëheqjet.

    “BE-ja mirëpret tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb të Kosovës. BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i Presidentit në detyrë që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket e papajtueshme me ligjin, me procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

    BE në fund thotë se u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të përmbahen nga veprimet që synojnë parandalimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës.

  • ATK detyron 216 subjekte t’ia paguajnë kontributet pensionale të mbetura pezull punëtorëve, shuma mbi 5.4 milionë euro

    ATK detyron 216 subjekte t’ia paguajnë kontributet pensionale të mbetura pezull punëtorëve, shuma mbi 5.4 milionë euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës janar–qershor 2026 ka trajtuar për herë të parë kontributet pensionale të mbetura pezull për 216 subjekte, duke mundësuar kreditimin e llogarive të punëtorëve me mbi 5.4 milionë euro.

    ATK këtë e quajti “një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”.

    “Sepse çdo kontribut duhet të shkojë aty ku i takon”.

  • Fermeri paralajmëron ministrin Muja: Nëse nuk përkrahemi, asnjë zyrtar s’ka me shkel më në këtë tokë

    Fermeri paralajmëron ministrin Muja: Nëse nuk përkrahemi, asnjë zyrtar s’ka me shkel më në këtë tokë

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, gjatë vizitës në Istog për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga breshëri në kulturat bujqësore, u përball me pakënaqësinë e një fermeri, i cili kërkoi mbështetje konkrete për dëmet e pësuara.

    Fermeri tha se ai dhe bujq të tjerë janë përballur vazhdimisht me humbje nga ngricat, breshëri dhe kushtet e tjera të pafavorshme atmosferike, por, sipas tij, nuk kanë marrë asnjëherë kompensim për dëmet.

    “Ne kemi pasur dëme edhe më herët dhe nuk jemi subvencionuar asnjëherë për to. Kisha bërë apel që këtë vit të përkrahemi. Nëse nuk ndodh as këtë herë, po ju them se asnjë zyrtar nuk ka më me shkelur në këtë tokë për vizita. Është momenti i fundit që Ministria, Qeveria dhe Komuna të na mbështesin”, u shpreh fermeri.

    Madje ai e dha edhe një betim.

    “Po ju betohem se nëse kemi fatkeqësi viteve të tjera, këtu asnjë zyrtar s’ka me shkel më këtë tokë”, tha fermeri.

    Ai shtoi se gjatë këtij viti kulturat bujqësore janë dëmtuar edhe nga ngricat, duke theksuar se temperaturat në zonë kishin arritur deri në minus nëntë gradë Celsius.

    Vizita e Mujës vjen një ditë pasi breshëri shkaktoi dëme të konsiderueshme në disa zona të Dukagjinit, ndërsa fermerët po kërkojnë vlerësim të shpejtë të dëmeve dhe mbështetje financiare nga institucionet.

  • Hoti: Në Britani ulen taksat për energjinë, në Kosovë qytetarët paguajnë më shumë

    Hoti: Në Britani ulen taksat për energjinë, në Kosovë qytetarët paguajnë më shumë

    Ish kryeministri i Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve.

    Hoti në një postim në Facebook shkruan se me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë, gjersa në Kosovë ndodh e kundërta.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    Me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë. Një masë e tillë është marrë më herët edhe nga disa qeveri të Bashkimit Evropian.

    Në Kosovë ndodh e kundërta.

    Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe për naftën, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori. Meqë TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, sa më i lartë çmimi i naftës, aq më e lartë është edhe shuma e TVSH-së që paguan qytetari. Përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria zyrtarisht e ka bartur tek konsumatori i fundit rritjen e çmimit të furnizimit të naftës.

    Problemi nuk mbaron këtu. Mosveprimet e qeverisë sot lënë pasoja afatgjata në zhvillimin e gjithmbarshëm njerëzor në Kosovë.

    Kur çmimet e të mirave elementare, siç janë energjia, rriten përtej trendit të zakonshëm dhe të pritshëm vjetor, zakonisht familjet i ulin shpenzimet në: arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë e rekreacion. Kjo mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

    Në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare. Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja, duke e dëmtuar kështu zhvillimin afatgjatë të anëtarëve të tyre.

    Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve.

  • Haxhiu dekreton dorëheqjet e prokurorëve serbë

    Haxhiu dekreton dorëheqjet e prokurorëve serbë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të martën dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, që ishin dorëhequr më 2022.

    Një ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve nga serbët “pishmanë”.

    Siç ka njoftuar Haxhiu në Facebook, me dekretin e saj mbyllet procesi. Ajo ka thënë se askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve e as të krijojë paqartësi juridike.

    “Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka shkruar ajo.