ATV

Tag: Ballina

  • Aksion në Ujman: Policia asiston rrënimin e 11 shtëpive të pushimit

    Aksion në Ujman: Policia asiston rrënimin e 11 shtëpive të pushimit

    Policia e Kosovës ka nisur mëngjesin e sotëm asistimin në një aksion për rrënimin e 11 shtëpive të pushimit në zonën e njohur si “Plazha e Shqiptarëve”, në Ujman, komuna e Zubin Potokut.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, bëri të ditur pwr Klankosova.tv se aksioni ka filluar në orën 07:00, me kërkesë të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    “Sot nga ora 07:00 kemi filluar asistimin e Ibër-Lepencit dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Jemi duke asistuar në vendin e quajtur ‘Plazha e Shqiptarëve’, në Ujman, Zubin Potok, ku është planifikuar të rrënohen 11 shtëpi pushimi (vikendica)”, deklaroi Elshani,

  • Vdekja tragjike e tre kosovarëve, sot ditë zie në Vushtrri

    Vdekja tragjike e tre kosovarëve, sot ditë zie në Vushtrri

    Vdekja tragjike e tre kosovarëve, sot ditë zie në Vushtrri

    Pas vdekjes në aksidentin tragjik të tre qytetarëve të saj, Komuna e Vushtrrisë e ka shpallur të martën ditë zie.

    Vendimi është marrë nga kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi.

    “Me vendim të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dita e sotme është shpallur Ditë Zie në territorin e Komunës së Vushtrrisë, në shenjë nderimi dhe pikëllimi për humbjen tragjike të jetës së bashkëqytetarëve tanë, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani.”, thuhet në njoftimin e komunës së Vushtrrisë.

    Sipas vendimit, obligohen të gjitha institucionet publike dhe subjektet afariste në Komunën e Vushtrrisë që, gjatë ditës së sotme, flamujt t’i vendosin në gjysmështizë.

    “Po ashtu, gjatë ditës së sotme pezullohen të gjitha aktivitetet politike, kulturore dhe sportive në Komunën e Vushtrrisë. Në këto momente të rënda, u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve Tërnava dhe Shabani dhe bashkëndjejmë dhimbjen për këtë humbje të rëndë.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Çmimet e derivateve për sot – nafta 1.66€, benzina 1.47€

    Çmimet e derivateve për sot – nafta 1.66€, benzina 1.47€

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë gjatë ditës së sotme.

    Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizelin) shkon në 1.66 euro për litër, dy centë më shtrenjtë se ditë më parë, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.47 euro për litër, një cent me shtrenjte se një ditë më parë.

    Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.60 euro për litër, ashtu si një ditë më parë.

  • Mungesa e masave të sigurisë: Ndalohen punimet në 13 vendpunishte në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Mungesa e masave të sigurisë: Ndalohen punimet në 13 vendpunishte në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Inspektorati Qendror i Punës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë, ka realizuar inspektime në një numër vendpunishtesh në komunën e Prishtinës dhe të Fushë Kosovës.

    Sipas njoftimit, gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    IQP ka bërë të ditur se për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë në punë, ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 13 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara.

    “Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë në mënyrë rigoroze dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm”, thuhet në njoftim.

  • Paunoviq me pagë drejtoreshe në një institucion të mbyllur në Kosovë

    Paunoviq me pagë drejtoreshe në një institucion të mbyllur në Kosovë

    Para se të emërohej ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik të Pejës në Kosovë.

    Ky institucion, me seli në Gorazhdec, nuk ekziston zyrtarisht që nga viti 2021.

    Radio Evropa e Lirë konstatoi se ai është mbyllur më 7 tetor 2021, me vendim të Qeverisë së Serbisë.

    Se farmacia nuk ekziston më, e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe gazetari i Radio Gorazhdecit, Damjan Portiq.

    Kërkesën për ta fshirë nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e kishte dorëzuar vetë Paunoviq, tregojnë dokumentet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë.

    Megjithatë, ajo vazhdoi të merrte pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u emërua ministre.

    Kjo dëshmohet nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë që vetë Paunoviq i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.

    Dorëzimi i këtyre deklarimeve është detyrim ligjor për zyrtarët publikë.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën në këtë qeveri, Fondi Republikan për Sigurime Shëndetësore, si dhe ministritë përgjegjëse për institucionet shtetërore shëndetësore nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të ardhurat e Paunoviqit dhe funksionin e saj në një institucion që ka pushuar së ekzistuari.

    Përgjigje nuk dha as kabineti i ministres Paunoviq, e cila nxiti reagime të ashpra në rajon dhe në Bashkimin Evropian pasi deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.

    Më pas, ajo pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por shtoi se qëndron pas çdo fjale të thënë.

    E vetmja gjë që do të ndryshonte, sipas saj, do të ishte përdorimi i termit “dëbim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, linçimin publik.

    Paunoviq u kërkoi falje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për reagimet që shkaktoi deklarata e saj, por jo shqiptarëve të Kosovës.

    Autoritetet e Kosovës e shpallën atë person të padëshirueshëm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e saj nuk pasqyron qëndrimin e autoriteteve në Beograd.

    Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur përgjigje ndaj kërkesave të një pjese të opozitës serbe për shkarkimin e saj.

    Sa fitoi Paunoviq si drejtoreshë?

    Në deklarimin e pasurisë dhe të ardhurave për vitin 2025, Paunoviq ka deklaruar se për 11 vjet ka qenë në krye të Institucionit Farmaceutik të Pejës.

    Sipas deklarimit, ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës nga 16 prilli 2014 deri më 15 prill 2025.

    Një ditë më vonë, ajo u emërua ministre për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale në Qeverinë e Serbisë.

    Me marrjen e postit ministror, asaj i pushuan automatikisht funksionet e tjera, në përputhje me ligjin.

    Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, gjatë 11 vjetëve sa drejtoi, sipas dokumenteve zyrtare, Institucionin Farmaceutik të Pejës, Paunoviq ka marrë rreth 146 mijë euro paga nga buxheti i Serbisë.

    Regjistri i Serbisë nuk tregon nëse ky institucion farmaceutik kishte të punësuar dhe sa ishte numri i tyre.

    Po ashtu, nuk janë të qasshme publikisht as raportet financiare që do të tregonin mënyrën se si ka funksionuar ky institucion.

    Selia e tij zyrtare nuk ishte në Pejë, por në Gorazhdec – një fshat me shumicë serbe pranë Pejës.

    Sot, ai institucion nuk ekziston më.

    Gazetari i Radios Gorazhdeci, Damjan Portiq, thotë se farmacia ka funksionuar deri para disa vitesh, por nuk ka qenë asnjëherë e furnizuar mirë.

    “Ishin në dispozicion vetëm barnat më bazike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se drejtuesit e Institucionit Farmaceutik, për vite me radhë, nuk bënë pothuajse asgjë për t’ua lehtësuar qytetarëve qasjen në barna.

    Sipas tij, sot në Gorazhdec funksionon vetëm një farmaci në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit.

    Pas luftës së vitit 1999, kur humbi kontrollin faktik mbi Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdoi të mbajë nën administrimin e tij një numër ndërmarrjesh dhe institucionesh publike, duke i zhvendosur ato në Serbi ose në komunat e Kosovës me shumicë serbe.

    Po ashtu, u krijuan institucione të reja lokale dhe organe komunale brenda sistemit serb, të cilat autoritetet në Prishtinë, me arsyetimin se ishin të paligjshme, nisën t’i mbyllnin në vitin 2024.

    Ndërkohë, institucionet shëndetësore dhe arsimore që funksionojnë sipas sistemit serb në mjediset me shumicë serbe, vazhdojnë të operojnë në Kosovë si pjesë e sistemit paralel.

    Serbia i themelon, i financon dhe i mbyll këto institucione sipas legjislacionit të saj, si dhe emëron drejtuesit e tyre.

    Kështu, Institucioni Farmaceutik i Pejës ekzistoi deri më 7 tetor 2021.

    Atë ditë, Paunoviq, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, dorëzoi kërkesën për shuarjen e institucionit.

    Në kërkesë thuhej se Institucioni Farmaceutik është fshirë nga regjistri në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë, të miratuar disa muaj më herët, në shkurt të vitit 2021.

    Në dokument sqarohej se ishte themeluar Institucioni Farmaceutik në Mitrovicën e Veriut.

    Si rezultat, pushuan së ekzistuari institucionet farmaceutike të Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Prishtinës.

    Ndonëse institucioni në Pejë është shuar zyrtarisht, Paunoviq vazhdoi ta deklaronte pagën e drejtoreshës si të ardhur të saj.

    Në deklarimet e pasurisë të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi për vitet 2023 dhe 2024, ajo deklaroi se, si ushtruese detyre e drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, merr një pagë mujore prej 131 mijë dinarësh, ose rreth 1.100 euro.

    “Kjo nuk është hera e vetme që disa persona mbajnë pozita pa kryer asnjë punë, por vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Serbisë, ndërkohë që shumë njerëz që jetojnë në Kosovë nuk kanë mundur të punësohen”, thotë Portiq.

    Vetë Paunoviq ka deklaruar më herët për mediat në Beograd se nuk ka qenë në Kosovë që nga viti 2022, pasi pretendon se autoritetet në Prishtinë nuk e lejojnë të hyjë në territorin e Kosovës.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si ka mundur të drejtojë një institucion farmaceutik në Kosovë, nëse nuk ka mundur ta kalojë kufirin.

    Në fund të vitit 2023, Qeveria e Serbisë miratoi një vendim për riorganizimin e institucioneve farmaceutike në Kosovë.

    Sipas këtij vendimi, do të rithemeloheshin barnatore në Pejë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës.

    “Nga dita e regjistrimit në regjistrin përkatës, institucioni farmaceutik fillon punën”, thuhet në vendim.

    Megjithatë, deri më sot, këto institucione nuk janë regjistruar.

    Gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave

    Deri më tani, Snezhana Paunoviq ka dorëzuar gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.

    Në deklarimin e parë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, ajo raportoi se mbante dy funksione: deputete në Kuvendin e Serbisë dhe kryetare e Bordit Mbikëqyrës të Aeroportit “Nikolla Teslla” në Beograd.

    Paunoviq u bë deputete për herë të parë në tetor të vitit 2013, ndërsa në Bordin Mbikëqyrës të aeroportit ishte emëruar në korrik të po atij viti.

    Ajo i mori këto poste në një periudhë kur Partia Përparimtare Serbe (SNS), e udhëhequr nga presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, po forconte pushtetin së bashku me partneren e saj të koalicionit, Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ku Paunoviq është zyrtare e lartë.

    Sipas deklarimit të saj, në atë kohë merrte dy paga, me një vlerë totale prej mbi 1.200 eurosh në muaj.

    Si deputete paguhej rreth 710 euro, ndërsa për postin e kryetares së Bordit Mbikëqyrës të aeroportit merrte edhe rreth 560 euro.

    Mandati i saj si deputete përfundoi në vitin 2014, kur Kuvendi u shpërnda për shkak të zgjedhjeve.

    Po atë vit, ajo mori drejtimin e Institucionit Farmaceutik në Pejë – post në të cilin do të qëndronte për 11 vjet.

    Qeveria e Serbisë miratoi vendimin për emërimin e saj si ushtruese detyre e drejtoreshës më 7 mars 2014.

    Dokumenti është nënshkruar nga Ivica Daçiq, kryeministër i atëhershëm dhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë.

    Pas një ndërprerjeje gati dyvjeçare, Paunoviq u rikthye në Kuvendin e Serbisë në vitin 2016. Ajo u rizgjodh deputete edhe pas zgjedhjeve të viteve 2020 dhe 2022.

    Gjatë kësaj periudhe, krahas pagës si drejtoreshë, ajo merrte kompensim edhe si deputete.

    Ky kompensim u takon deputetëve që, njëkohësisht, ushtrojnë edhe një funksion tjetër publik për të cilin marrin pagë.

    Nga gushti i vitit 2022 deri në prill të vitit 2025, Paunoviq ishte edhe nënkryetare e Kuvendit të Serbisë, para se të emërohej ministre.

    Çfarë tjetër ka Paunoviq?

    Në deklarimin e parë të pasurisë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, Paunoviq raportoi se ishte pronare e një shtëpie prej 90 metrash katrorë.

    Në deklarim nuk specifikohej se ku ndodhej ajo shtëpi dhe as vlera e saj.

    Aty thuhej vetëm se ishte blerë me hua financiare, pa u bërë e ditur shuma.

    Katër vjet më vonë, në deklarimin e radhës, kjo shtëpi nuk figuronte më në listën e pasurisë.

    As në deklarimet e mëvonshme të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Paunoviq nuk raportoi se kishte ndonjë pronë të paluajtshme në emrin e saj.

    Se ku jeton aktualisht, nuk dihet.

    Në një deklaratë për mediat, ajo ka thënë se posedon dokumente personale serbe me adresë në Pejë.

    Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë këto dokumente të paligjshme.

    Konflikti i interesit

    Në vitin 2018, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi konstatoi se Paunoviq kishte shkelur legjislacionin kundër korrupsionit.

    Në vendimin e saj thuhej se, si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, ajo kishte nisur njëkohësisht të ushtronte edhe funksionin e deputetes në Kuvendin e Serbisë, pa marrë më parë pëlqimin e Agjencisë për të vlerësuar nëse ekzistonte konflikt interesi.

    Për këtë shkelje, Agjencia i shqiptoi masën e publikimit të vendimit për shkelje të ligjit.

    Sipas një analize të Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS), të publikuar në vitin 2020, Paunoviq ishte deputetja e Partisë Socialiste që kishte shkelur më së shumti Ligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit.

    Ajo kishte vonuar në dy raste dorëzimin e deklarimeve të pasurisë dhe të ardhurave.

    Shpenzimet e udhëtimit nga Peja

    Qendra për Gazetari Hulumtuese e Serbisë (CINS) kishte raportuar më herët se Snezhana Paunoviq kishte përfituar rreth 22 mijë euro nga Kuvendi i Serbisë si kompensim për shpenzimet e udhëtimit në relacionin Beograd-Pejë.

    Këto shpenzime ishin rimbursuar gjatë mandatit të saj si deputete, nga viti 2016 deri më 2020.

    Megjithatë, sipas hulumtimit të CINS-it, gjatë asaj periudhe, Paunoviq jetonte me familjen e saj në Beograd, e jo në Kosovë.

    Në një deklaratë për mediat më 16 korrik, ministrja tha se lidhur me shpenzimet e saj të udhëtimit, “po gënjehet në mënyrë kolektive”, por nuk dha sqarime për shumën e përfituar dhe as për mënyrën se si ishin krijuar këto shpenzime.

    Në Partinë Socialiste që nga vitet ‘90

    Snezhana Paunoviq ka lindur në Pejë.

    Në biografinë e publikuar në faqen e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), ajo thotë se është ekonomiste, por nuk specifikon se në cilin fakultet ka diplomuar.

    Sipas biografisë, ajo është anëtare e SPS-së që nga viti 1992.

    Ishte periudha e luftërave në territorin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, kur si partinë, ashtu edhe shtetin, e udhëhiqte Sllobodan Millosheviq.

    Më vonë, ai u akuzua nga Tribunali i Hagës, ndër të tjera, për krime kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

    Deklaratën për “spastrimin etnik” të shqiptarëve, Paunoviq e bëri për televizionin serb, Kurir, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë do të kishte bërë ndryshe në vitin 1998, po të ishte në vend të Millosheviqit.

    “Ndoshta termi nuk ishte i duhuri. Ndoshta do të duhej të thosha dëbim, vetëm që të mos më kryqëzojnë nga të gjitha anët”, deklaroi Paunoviq disa ditë më vonë.

    Çfarë mund ta ndalë gjuhën e ashpër të Serbisë karshi Kosovës?

    Duke folur për jetën në Kosovë, Paunoviq tha se gjatë luftës ka qenë “viktimë e spastrimit etnik” nga shqiptarët.

    Me këtë vlerësim “u pajtua” edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, megjithatë, tha se kjo nuk e zbeh nevojën për “një paraqitje të përgjegjshme publike”.

    “Vetë Snezhana është viktimë e spastrimit etnik, por kjo porosi duhet të jetë krejtësisht e qartë. Politika jonë është paqja, stabiliteti dhe nuk ka vend për spastrim etnik”, tha Vuçiq.

    Çfarë ndodhi gjatë luftës në Kosovë?

    Gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë, shumica prej tyre shqiptarë, ndërsa mbi 1.500 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

    Udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme, përfshirë drejtuesit e forcave të sigurisë, u cilësuan nga Tribunali i Hagës si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, që kishte për synim dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, në periudhën mars-qershor 1999.

    Ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsha Pavkoviq, u dënua me 22 vjet burg për dëbim, zhvendosje të detyrueshme, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë.

    Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

    I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgimin e Tribunalit të Hagës para se të përfundonte gjykimi, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.

    Paunoviq në biografinë e saj deklaron gjithashtu se, nga viti 2006 deri në vitin 2013, ka qenë koordinatore në komunat e Gjakovës dhe Deçanit në Kosovë.

    Në këto poste ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë.

    Gjatë karrierës së saj ka mbajtur edhe funksione të tjera në Partinë Socialiste të Serbisë, ndërsa që nga viti 2024 është edhe nënkryetare e partisë. /REL

  • Kurti uron kryeministrin e ri britanik, pret forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Kurti uron kryeministrin e ri britanik, pret forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar Andy Burnham për marrjen e detyrës së kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.

    Kurti tha se pret “me padurim” që të vazhdojë bashkëpunimi “i ngushtë” ndërmjet dy qeverive.

    “Shumë urime Kryeministrit të ri të Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet qeverive tona në një gamë të gjerë vlerash dhe prioritetesh të përbashkëta, përfshirë promovimin e tregtisë dhe investimeve, mbrojtjen e demokracisë nga ndikimi dashakeq i Rusisë dhe proxy-ve të saj në Evropën Juglindore, si dhe rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura Britanike”, shkroi ai në X.

    Postimin e Kurtit në X e ndau edhe në Facebook Qeveria në detyrë e Kosovës.

    Andy Burnham është bërë kryeministri i gjashtë i Mbretërisë së Bashkuar në dhjetë vjetët e fundit, pas dorëheqjes së Keir Starmer.

  • OVL-UÇK dënon fushatën serbe ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kërkon shmangien e udhëtimeve nëpër Serbi

    OVL-UÇK dënon fushatën serbe ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kërkon shmangien e udhëtimeve nëpër Serbi

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj, siç e cilëson, “fushatës së vazhdueshme të institucioneve serbe dhe qarqeve të lidhura me to për kriminalizimin e luftëtarëve të UÇK-së”.

    OVL-UÇK ka kundërshtuar akuzat ndaj pjesëtarëve të Brigadave 111 dhe 121, si dhe njësive të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i cilësuar ato si “përndjekje politike të motivuar nga urrejtja ndaj UÇK-së”.

    Sipas tyre, Serbia po ndjek një “politikë të vjetër të veshur me petk juridik”, me qëllim të barazimit të agresorit me viktimën dhe njollosjes së luftës së UÇK-së.

    “Serbia nuk ka asnjë autoritet moral t’i mbajë leksione askujt për krime lufte, ndërsa i shmanget përgjegjësisë për atë që bënë në të vërtetë forcat e saj ushtarake, policore dhe paraushtarake. Listat e hartuara në Beograd nuk mund të rishkruajnë historinë, nuk mund të fshijnë varret dhe nuk mund të përmbysin të vërtetën e një populli të detyruar të mbrojë ekzistencën e vet”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK ka deklaruar se listat e hartuara në Beograd “nuk mund të rishkruajnë historinë dhe nuk mund të përmbysin të vërtetën e një populli që u detyrua të mbrojë ekzistencën e vet”.

    Organizata u ka bërë thirrje ish-pjesëtarëve të UÇK-së që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë, duke thënë se thirrjet për arrestimin e tyre dëshmojnë, sipas saj, vazhdimin e së njëjtës qasje politike ndaj luftës së Kosovës.

  • KPK merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë

    KPK merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës, vendosi për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.

    KPK-ja dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.

    Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

    Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi mbështetës serb, votuan katër anëtarët: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Ndërkaq kundër votuan: kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit- Zejnullah Gahsi dhe anëtari Milot Krasniqi.

    Deri te ky vendim erdhi me propozim të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi, raporton Betimi për Drejtësi.

    Kryesuesi Arian Gashi propozoi që për këtë çështje të diskutohet në takimet e radhës, me arsyetimin se duhet konsultim me Këshillin Gjyqësor.

    Ai shtoi se po ashtu duhet të përgatiten edhe materialet. Propozimi i tij u përkrah nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

    Në anën tjetër, anëtarja Arlinda Muqa tha se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, mund të ndodh vetëm nëse i nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Propozoi që të mbështetet propozimi i Vuniqit që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve dhe të dërgohen te Presidentja për lirim nga detyra.

    Gjithashtu, edhe anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se nuk vlerëson se ka dicka për t’u diskutuar, duke shtuar se secili dha mendimin e vet, andaj propozoi që të vazhdohet me votim.

    Propozimin e Vuniqit e përkrahu edhe anëtari Visar Krasniqi.

    Më pas, me katër vota për, u miratua propozimi që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe të dërgohen tek Presidentja për lirim nga detyra.

    Po ashtu, u shfuqizua vendimi për pezullimin e pagave të tyre, vendim i cili ishte marrë nga KPK-ja kur të njëjtit kishin ofruar dorëheqjet.

  • Aksidenti tragjik në Bllacë, ambasadori Qehaja jep detaje për kthimin e trupave

    Aksidenti tragjik në Bllacë, ambasadori Qehaja jep detaje për kthimin e trupave

    Tre persona nga Kosova, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani, kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku të ndodhur mbrëmë në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja, ka shprehur ngushëllimet për familjarët, të afërmit dhe miqtë e viktimave, duke konfirmuar angazhimin e institucioneve për trajtimin e rastit.

    “U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë”, ka shkruar Qehaja.

    Sipas tij, që nga marrja e informacionit për rastin, Ambasada e Republikës së Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e të ndjerëve, për të ofruar ndihmën e nevojshme.

    “Që nga marrja e informacionit për rastin, Ambasada e Republikës së Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e të ndjerëve”, është shprehur ambasadori.

    Pas përfundimit të procedurave përkatëse nga autoritetet kompetente, trupat e pajetë pritet të transportohen në Republikën e Kosovës.

    “Në këto çaste të rënda shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe!”, ka deklaruar Florian Qehaja.

  • Ndërpritet përkohësisht gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Ndërpritet përkohësisht gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut është ndërprerë përkohësisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të disa problemeve teknike.

    Për këtë ka njoftuar Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Bëhet fjalë për çështjen penale, ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq, për shkak të veprës penale Krimet e “Luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook.

    Seanca po mbahej në mungesë të të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

    Gjykata ende nuk ka njoftuar se kur do të vazhdojë seanca.