ATV

Tag: Ballina

  • Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falenderuar qytetarët që e kanë votuar më 28 dhjetor, duke ia siguruar kështu mandatin e shtatë si deputete e Kuvendit të Kosovës.

    Bajrami ka thënë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, në të cilat kjo parti pësoi debakël duke rënë në 13%, dorëzimi nuk është opsion, shkruan Reporteri.net.

    Ajo ka shtuar se rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi, mësim dhe reflektim secilin.

    “Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie. E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, ka shkruar Bajrami.

    Tutje, Bajrami ka thënë se votat janë përgjegjësi e madhe.

    “Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara”, ka shkruar Bajrami.

  • Nga sa vota morën liderët e partive

    Nga sa vota morën liderët e partive

    KQZ tashmë ka përfunduar 100 për qind të numërimit të votave, të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka 57 ulëse. PDK është e dyta me 22 ulëse, LDK e treta me 15 ulëse dhe AAK e katërta me 6 ulëse.

    Por nga sa vota arritën të siguronin liderët e partive politike shqiptare.Lideri i VV-së, Albin Kurti mori 404 mijë e 23 vota, duke hyrë në histori si politikani më i votuar në historinë zgjedhore të Kosovës.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza mori 161 mijë e 931 vota. Njëshi i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk arriti të prek 100 mijë vota. Ai siguroi 88 mijë e 445 vota.Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj pati 43 mijë e 997 vota.Ndërsa, Fatmir Limaj i Nismës mori 12 mijë e 546 vota dhe nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.

  • Numërimi i të gjitha votave, LVV-ja mbi 51 për qind – kështu do të jetë ndarja e ulëseve në Kuvend

    Numërimi i të gjitha votave, LVV-ja mbi 51 për qind – kështu do të jetë ndarja e ulëseve në Kuvend

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Mbrëmë është përmbyllur edhe numërimi i votave të fundit me postë. Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Sipas rezultateve të përmbledhura, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.11 për qind, apo 486,994 vota. Në këtë mënyrë, Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvend.

    Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 22 ulëse. Ajo mori 20.19 për qind të votave, duke siguruar 22 ulëse në Kuvend. Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 15 ulëse nga 20 sa kishte. Ajo mori 13.23 për qind të votave.

    Në Kuvend gjashtë ulëse i ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.5 për qind.

    Lista Serbe me 9 ulëse dhe Za Zlobodu Pravdu i Opstanak me një ulëse përmbushin normën prej 10 ulëseve të rezervuara për komunitetin serb.

    10 ulëset për komunitetet tjera janë siguruar nga Kosova Demokratik Turk Partisi me dy ulëse dhe Vakat, Nova Demokratska Stranka, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, PSA, Jedinstvena Goranska Partija dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës me nga një ulëse.

    Me përmbylljen e këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka thënë është i gatshëm të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

    Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike kanë të drejtë të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve nga momenti i ndodhjes së shkeljes së supozuar që lidhet me administrimin e numërimit në QNR.

  • Përfundon procesi i numërimit të votave, KQZ gati të shpallë rezultatet përfundimtare

    Përfundon procesi i numërimit të votave, KQZ gati të shpallë rezultatet përfundimtare

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orën 02:00 të mëngjesit të së premtes, më 9 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve të fundit nga votimi me postë jashtë Kosovës.

    Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se është mbyllur i gjithë procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    “Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.

  • Një miliard euro për Kosovën po presin një “po” nga deputetët

    Një miliard euro për Kosovën po presin një “po” nga deputetët

    Mbi një miliard euro po presin të shfrytëzohen nga Kosova që më shumë se një vit. Marrja e këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.

    Mungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.

    Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.

    Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?

    Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë e bëri të qartë se do të ketë një shumicë të thjeshtë për konstituimin e Kuvendit 120-anëtarësh dhe për formimin e Qeverisë së re. Por, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, duhen 80 vota.

    Nëse Kuvendi nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin as në votimin e tretë, që kërkon të paktën 61 vota nga jo më pak se 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë, vendin mund ta presin zgjedhje të reja në pranverë.

    A do t’i miratojë Kuvendi marrëveshjet ndërkombëtare para se të rrezikojë një shpërndarje të radhës?

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që i fitoi zgjedhjet parlamentare, llogarit në bashkëpunimin e opozitës që të zhbllokohen fondet e huaja për Kosovën.

    Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se LVV-ja pret nga partitë opozitare që të mos e kushtëzojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me çështjen e presidentit.

    “Nuk besoj që marrëveshjet ndërkombëtare duhet të futen në diskutimet për çështjen e presidentit. Është e rëndësishme që Kuvendi t’i kryejë obligimet në lidhje me këto marrëveshje, ndërsa çështja e presidentit është një fazë tjetër, ku do të ketë diskutime. Presim vullnetin e tyre [të opozitës] për t’i votuar, dhe jo kushtëzime”, u shpreh Haxhiu.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thonë se nuk do të jenë bllokues për sa i përket aprovimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “LDK-ja i ka votuar, dhe do të vazhdojë t’i votojë ato marrëveshje që janë në interes të Republikës së Kosovës”, tha Anton Quni, nënkryetar i LDK-së, në një deklaratë për REL-in.

    Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për të komentuar për këtë çështje.

    Megjithatë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi ditë më parë para mediave se partia e tij i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare edhe në të kaluarën, dhe se do të kontribuojë për gjithçka që është në interes dhe në dobi të Kosovës.

    Çka përmbajnë këto marrëveshje?

    Nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.

    Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.

    Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.

    E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove.

    A po u skadon afati fondeve?

    Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë për REL-in se Kosova është vonuar në miratimin e këtyre marrëveshjeve, dhe se po i nisë me vonesë reformat e kërkuara nga BE-ja.

    “Fondet e Planit të Rritjes vlejnë deri në vitin 2027, ndërkohë që Kosova hyri në vitin 2026 pa i alokuar fondet, dhe pa i nisur reformat. Dhe, rreziku shtesë është që mund mungojë konsensusi politik në Kuvend për t’i miratuar”.

    Për skadimin e afatit kishte paralajmëruar edhe Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, vitin e kaluar.

    Të rrezikuara janë edhe miliona euro të tjera, për të cilat marrëveshja ishte nënshkruar në prillin e 2024-tës.

    Javë më parë, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë pohoi për REL-in se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes është 13 shkurti i vitit 2026.

    Këto marrëveshje dështuan të miratoheshin në një seancë të mbajtur më 19 nëntor 2025, një ditë para se të shpërndahej Kuvendi, pasi opozita kishte refuzuar të shkonte në seancë, me arsyetimin se LVV-ja kishte zvarritur procesin e formimit të institucioneve gjatë tërë vitit.

    Mbetet të shihet se a do t’i japë përbërja e re e Kuvendit dritën e gjelbër fondeve të huaja, edhe nëse rrezikon t’i shkurtojë jetëgjatësinë legjislaturës së dhjetë /REL/

  • I dolën fotot me serben në Zvicër, reagon Kusari – Lila: Unë dhe Fitore Pacolli kemi përfaqësuar qëndrimet e Republikës së Kosovës

    I dolën fotot me serben në Zvicër, reagon Kusari – Lila: Unë dhe Fitore Pacolli kemi përfaqësuar qëndrimet e Republikës së Kosovës

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj, siç i quan ajo, aludimeve dhe pretendimeve për takime të fshehta me Serbinë, duke sqaruar se takimet e organizuara nga Center for Inclusive Governance (CIG) janë transparente dhe zhvillohen prej vitesh me pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare.

    Në një postim në Facebook, Kusari-Lila ka theksuar se këto takime organizohen që nga viti 2010, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës.

    Sipas saj, në to kanë marrë pjesë përfaqësues nga spektri i gjerë politik i Kosovës dhe Serbisë, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, si dhe përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës.

    Ajo ka sqaruar se takimet nuk janë të fshehta, nuk kanë karakter negociues dhe nuk merren vendime në to.

    “Takimet e organizuara nga CIG (Center for Inclusive Governance), me seli në SHBA dhe të mbështetura nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, zhvillohen që nga viti 2010. Në to kanë marrë pjesë në vazhdimësi përfaqësues të spektrit të gjerë politik nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, me prani të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës.”, ka shkruar ajo.

    Postimi i plotë:

  • Votat e fundit/ Kur pritet të numërohen mbi 3 mijë vota të mërgimtarëve?

    Votat e fundit/ Kur pritet të numërohen mbi 3 mijë vota të mërgimtarëve?

    Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave me postë që kanë arritur në Kosovë. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka mbetur numërimi vetëm i 3185 pakove me fletëvotime, që pritet të arrijnë sot.

    Sipas rezultateteve të përmbledhura nga KQZ, LVV-ja ka arritur në 51.01%, me 57 ulëse në kuvend. Partia e dytë më e votuar është Partia Demokratike e Kosovës me 20.24 për qind, me 22 ulëse, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, duke siguruar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind të votave, me 6 ulëse në kuvend.

    “Ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, për pakot që pritet të sillen sot.

  • Reshjet e borës, kjo është gjendja e rrugëve që çojnë në pikëkalimet kufitare

    Reshjet e borës, kjo është gjendja e rrugëve që çojnë në pikëkalimet kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi gjendjen e rrugëve që cojnë në pikëkalimet kufitare.

    Sipas përditësimit të fundit, të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç Mitrovicë- Bërnjak, Mitrovicë- Jarinjë, Prishtinë- Mutivodë janë të kalueshme por me vështirësi.

  • Nga janari i këtij viti, Komuna e Rahovecit jep 600 euro për çdo lindje

    Nga janari i këtij viti, Komuna e Rahovecit jep 600 euro për çdo lindje

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka nënshkruar vendimin për rritje të subvencionimit për çdo lindje, në 600 euro.

    Nga 500 sa ishte më parë, Latifi ka marrë vendim që nga janari i këtij viti të jetë 600 euro.

    Ndërsa shton se deri në fund të mandatit do të rritet në 750 euro.

    Postimi:

    Nis zbatimi i zotimit tim publik, rritet subvencionimi për çdo lindje në 600€

    Sot, nënshkrova vendimet e para për subvencionimin e dy lindjeve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec.

    Nga janari i këtij viti, çdo lindje e realizuar në repartin e maternitetit të QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti”, do të mbështetet nga Komuna e Rahovecit me 600€, nga 500€ sa ishte më parë, ndërsa deri në fund të mandatit, në përputhje me zotimin e dhënë, subvencionimi do të rritet në 750€.

  • Kurti thyen rekord me mbi 400 mijë vota, LVV-ja fiton mbi 51%

    Kurti thyen rekord me mbi 400 mijë vota, LVV-ja fiton mbi 51%

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shënuar një rezultat historik në zgjedhjet parlamentare, duke kaluar shifrën prej 400 mijë votash individuale dhe duke u renditur si kandidati më i votuar ndonjëherë në Kosovë.

    Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 janar 2026, në orën 09:36, kreun i Lëvizjes Vetëvendosje ka grumbulluar gjithsej 401,241 vota, ndërsa partia që drejton ka siguruar shumicën absolute të votave, me 51.01 për qind apo 484,049 vota, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, gjithsej 2,836.

    Duke shikuar nga historiku i zgjedhjeve në Kosovë, Kurti është bërë kandidati më i votuar, duke kaluar edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova, që kishte marrë 359,851 vota në vitin 2001.

    Kryetari i LVV-së ishte votuar në masë të madhe edhe më 9 shkurt 2025, ku kishte marrë 337.791 vota, ndërsa Glauk Konjufca ishte votuar në 315.300 sosh. Mbi 300 mijë vota kishte marrë edhe Vjosa Osmani, presidentja aktuale e vendit, saktësisht 300.756 sosh në vitin 2021.

    Kur jemi tek partitë, pas Vetëvendosjes, renditja e subjekteve politike vijon me Partinë Demokratike e Kosovës, e cila ka marrë 20.24 për qind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind.

    Bazuar në këto rezultate preliminare, shpërndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës parasheh që LVV-ja të ketë 57 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa 20 ulëse u takojnë përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.

    Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, sipas KQZ-së, në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 45.03 për qind e votuesve, përkatësisht 900,330 qytetarë nga gjithsej 1,999,204 votues sa ishin të regjistruar në Listën Votuese brenda vendit. Ndërkohë, 77,086 qytetarë ishin të regjistruar për votim jashtë Kosovës.

    Procesi zgjedhor brenda Kosovës është zhvilluar në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, përfshirë votimin e rregullt dhe atë me kusht. Ndërkaq, votimi jashtë vendit është organizuar më 27 dhjetor në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete, ku të drejtë vote kanë pasur 19,187 votues të regjistruar.