ATV

Tag: Ballina

  • Kosova pajiset me sisteme raketore anti-tank OMTAS

    Kosova pajiset me sisteme raketore anti-tank OMTAS

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot është pranuar dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të cilat janë kontraktuar me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

    Në një postim në Facebook, Maqedonci ka theksuar se OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.

    Ai ka sqaruar se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë e Kosovës ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit.

    “Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional”, ka shkruar Maqedonci.

  • KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se sot pritet të përfundojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara.

    “Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025. Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Deri më tani (e martë, 6 janar 2026, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht.”

    Ai tha se kanë qenë 9900 votues të regjistruar për të votuar me kusht dhe 2860 votues me aftësi të kufizuara.

    “Sipas të dhënave, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.”

    Ai tha se në platformën e KQZ-së për rezultate ka filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.

  • Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave me kusht të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Derisa janë numëruar 90% e votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 50.31% apo 3 mijë e 997 vota, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.20% apo 1605 vota.

    E treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.51% apo 835 vota.

    Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga votat me kusht ka marrë 5.855 apo 465 vota.

    Bazuar nw dinamiken e numërimit të votave që po ndodh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, sonte pritet që të përfundoj edhe numërimi i votave me kusht.

  • Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video nga Mirusha e Malishevës.

    Ai tha se gjendja është stabile.

    “Momentalisht gjendemi në fshatin Mirushë të Malishevës, ku po bëjmë inspektimin lidhur me situatën pas vërshimeve këtu por edhe gjithandej Republikës së Kosovës. Situata është stabile e përkundër vështirësive ekipet e ngarkuara për të menaxhuar situatën po ia dalin me sukses”, tha ai.

    Sveçla shkroi se institucionet janë të angazhuara në të gjitha zonat e prekura, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe ofrimit të ndihmës së nevojshme për qytetarët.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për çdo rast nevoje.”

    Sveçla ka publikuar edhe numrat emergjentë:

    112 – Qendra e thirrjeve emergjente;

    192 – Policia e Kosovës;

    193 – Zjarrfikësit;

    194 – Ndihma e shpejtë.

  • Vazhdojnë reshjet e shiut, disa komuna pa ujë e rrymë – shumë familje evakuohen

    Vazhdojnë reshjet e shiut, disa komuna pa ujë e rrymë – shumë familje evakuohen

    Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës. Disa komuna kanë mbetur pa ujë të pijes e po ashtu edhe pa rrymë. Shumë familje janë evakuuar.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.

    Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar vërshimet nga reshjet e shiut. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se janë në terren dhe po ndërhyjnë për të përmirësuar kushtet e qarkullimit.

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të rritjes së turbullueshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Kjo ndërmarrje ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë ujin dhe se masa merret me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.

    “Ekipet tona teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbulleshmërisë dhe krijimit të kushteve të sigurta për distribuim”, thuhet në njoftimin e të martës në mëngjes.

    Nga ndalja e furnizimit me ujë janë prekur Fushë-Kosova, Drenasi, Obiliqi dhe një pjesë e lagjes “Kalabria” në Prishtinë, ka bërë të ditur Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”. Pritet që me reduktime të furnizimit të preken edhe zona të tjera në kryeqytet.

    KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.

    Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica. Shumë familja janë evakuuar.

    Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.

    Edhe në Gjakovë në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri te dritaret e shtëpive, ndërsa në disa raste ka depërtuar edhe brenda tyre. Disa familje janë evakuuar edhe atje. Evakuuimi u bë nga zjarrfikësit e Gjakovës.

  • Emrat e 120 deputetëve të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës sipas rezultateve te deritashme

    Emrat e 120 deputetëve të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës sipas rezultateve te deritashme

    Në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashmë mund të shihet edhe se cilët kandidatë për deputetë kanë arritur të sigurojnë ulëse për legjislaturën e radhës.

    Sipas rezultateve të deritanishme, VV ka marrë 57 deputetë, PDK 23 deputetë, LDK 14 deputetë dhe AAK 6 sosh.

    Deputetët e VV’së:

    ALBIN KURTI, GLAUK KONJUFCA, ALBULENA HAXHIU, HEKURAN MURATI, DONIKA GËRVALLA- SCHËARZ, XHELAL SVEÇLA, HAJRULLA ÇEKO, AVNI DEHARI, MIMOZA KUSARI LILA, EJUP MAQEDONCI, SHQIPE MEHMETI SELIMI, ANDIN HOTI, ARBEN VITIA, SARANDA BOGUJEVCI, ALBAN BAJRAMI, EDONA LLALLOSHI, MEFAIL BAJQINOVCI, NEZIR KRAKI, RUFKI SUMA, JETA STATOVCI, ADRIANA MATOSHI, ARMEND MUJA, ARDIAN GOLA, HAXHI AVDYLI, ADELINA GRAINCA, BLERIM GASHI, ALBENA RESHITAJ, TAULANT KELMENDI, FATOS GECI. FITORE PACOLLI DALIPI, AGIM BAHTIRI, ARTANE RIZVANOLLI BERISHA, DIMAL BASHA, ARBËR REXHAJ, LABINOTË DEMI MURTEZI, ARBËRESHË KRYEZIU HYSENI, HYSEN DURMISHI, ARJETA FEJZA, ARTAN ABRASHI, ARBËRIE NAGAVCI, ENVER HALITI, LIZA GASHI, VALON RAMADANI, ADNAN RRUSTEMI, FATMIRE KOLLÇAKU, DRITA PAJAZITI, JETON RAKA, ARSIM ADEMI, ROZETA HAJDARI, FITIM HAZIRI, SALIH ZYBA, FJOLLA UJKANI, ILIR KËRÇELI, SYLEJMAN MEHOLLI, VALON HOTI, VIGAN QORROLLI, NAIM BARDIQI

    Deputetët e PDK’së:

    BEDRI HAMZA, ARIAN TAHIRI, PËRPARIM GRUDA, URAN ISMAILI, SALA JASHARI, VLORA ÇITAKU, ENVER HOXHAJ, ARBEN MUSTAFA, NAIT HASANI, RRAHMAN RAMA, EMAN RRAHMANI, GANIMETE MUSLIU, KUJTIM GASHI, ELMI REÇICA, ARTAN BEHRAMI, XHAVIT HALITI, BESA KABASHI RAMAJ, MERGIM LUSHTAKU, FERAT SHALA, BEKIM HAXHIU, BLERTA DELIU KODRA, ARIANA MUSLIU SHOSHI, ARBNORE SALIHU

    Deputetët e LDK’së:

    LUMIR ABDIXHIKU, HYKMETE BAJRAMI, UKË RUGOVA, AVDULLAH HOTI, DOARSA KICA XHELILI, KUJTIM SHALA, ANTON QUNI, ARMEND ZEMAJ, LUTFI HAZIRI, JEHONA LUSHAKU SADRIU, JANINA YMERI, BESIAN MUSTAFA ADELINA THAQI META, ERMAL SADIKU

    Deputetët e AAK’së:

    RAMUSH HARADINAJ, DAUT HARADINAJ, BESNIK TAHIRI, BEKË BERISHA, TIME KADRIJAJ, ALBANA BYTYQI

    Deputetët nga komunitetet:

    Lista Serbe: SLAVKO SIMIĆ, IGOR SIMIĆ, LJILJANA STEFANOVIĆ, MILAN KOSTIĆ, ZLATAN ELEK, MILJANA NIKOLIĆ, SRDJAN POPOVIĆ, BRANISLAV NIKOLIĆ, VERICA ĆERANIĆ.

    Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë: NENAD RAŠIĆ

    KDTP: FİKRİM DAMKA, ERGÜL MAZREK

    Koalicioni Vakat: RASIM DEMIRI

    Partia e Re Demokratike: EMILIJA REDŽEPI

    IRDK: ELBERT KRASNIQI

    SDU: DUDA BALJE

    PLE: VETON BERISHA

    PSA: ARTAN ASLLANI

    Partia Unike Gorane: ADEM HODŽA

    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës: ERXHAN GALUSHI

  • Këta janë deputetët e LDK-së që fituan ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Këta janë deputetët e LDK-së që fituan ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Sipas rezultateve preleminare, Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Kosovës do ti ketë 14 deputetë.

    Këta janë të zgjedhurit:

    LUMIR ABDIXHIKU 86,618 Vota

    HYKMETE BAJRAMI 55,659 Vota

    UKË RUGOVA 48,260 Vota

    AVDULLAH HOTI 43,383 Vota

    DOARSA KICA XHELILI 42,988 Vota

    KUJTIM SHALA 39,959 Vota

    ANTON QUNI 31,017 Vota

    ARMEND ZEMAJ 28,000 Vota

    LUTFI HAZIRI 25,993 Vota

    JEHONA LUSHAKU SADRIU 20,916 Vota

    JANINA YMERI 19,928 Vota

    BESIAN MUSTAFA 18,936 Vota

    ADELINA THAQI META 17,712 Vota

    ERMAL SADIKU 17,293 Vota.

  • Raportimi i mediumit zviceran, këshilltari i Bislimit: Nuk ka pasur asnjë takim me Gjuriqin në Zvicër

    Raportimi i mediumit zviceran, këshilltari i Bislimit: Nuk ka pasur asnjë takim me Gjuriqin në Zvicër

    Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se ky i fundit nuk ka pasur asnjë takim me Marko Gjuriqin në Zvicër.

    Reagimi i tij vjen pasi gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ, ka publikuar sot një artikull në të cilin raportohet se shteti zviceran ka organizuar takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas raportimit, në këto takime ka marrë pjesë zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator, Besnik Bislimi, dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.

    Kadiu në reagimin e tij ka shkruar se krahas BE-së, edhe Zvicra organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    Ai ka konfirmuar se në një nga këto takime ka qenë pjesëmarrëse edhe kryenegociatori Bislimi, por aty nuk ka qenë prezent Gjuriqi, e për rrjedhojë nuk ka pasur as takime mes tyre.

    “Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj.

    Por këto takime nuk janë “të fshehta”. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime “të fshehta”, e aq më pak me Marko Gjuriq. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriq. Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, ka shkruar Kadiu.

  • Rashiq: Kam siguruar një mandat në Kuvend, i gatshëm ta votoj “Kurti 3”

    Rashiq: Kam siguruar një mandat në Kuvend, i gatshëm ta votoj “Kurti 3”

    Kryetari i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka konfirmuar se sipas rezultateve të deritanishme ka fituar një ulëse në Kuvend.

    Me këtë rast, Rashiq u shpreh se do ta votojë Qeverinë “Kurti 3”, por paraprakisht ka kërkuar një takim me Kurtin, në të cilin do t’i sqarohen disa çështje.

    “Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik sa i përket mandatit. Një mandat, por i vlefshëm. Unë kam përvoja të mira sa i përket bashkëpunimit me zotin Kurti. Ende nuk kemi biseduar për ndonjë lloj bashkëpunimi, por jam i sigurt se në ditët në vijim do të takohemi dhe do të bisedojmë. Jam i gatshëm për bashkëpunim, por normalisht ka detaje sa i përket përmirësimit të performancës. Nuk e shoh pengesën për vazhdimin e bashkëpunimit. Kushte nuk kemi për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por ka kërkesa për korrigjime teknike për një drejtim më të mirë në interes të qytetarëve serbë. Vetë Kushtetuta thotë se një ministri duhet të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt bashkëpunimit. Nuk e shoh pengesën në këtë moment që të vazhdojmë të bashkëpunojmë.” – tha ai për Rtv21.

    Rashiq e ka lënë të hapur mundësinë e rizgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit, por fillimisht tha se është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të sqarojë nëse posti i nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb i takon Listës Serbe, si shumicë në parlament, apo nëse ky post mund t’i takojë atij.

  • Faturat e larta të energjisë elektrike, bëhet thirrje për protestë masive

    Faturat e larta të energjisë elektrike, bëhet thirrje për protestë masive

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se çmimet e faturave janë edhe më të larta se vitin e kaluar. Në komunikatë përmenden gjithashtu çmimet e larta që kanë ndodhur gjatë vitit 2025, për çka u është bërë thirrje qytetarëve për protesta masive dhe bllokim të zyrave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), KESCO-s, por edhe operatorëve privatë.

    KMDLNj ka shprehur shqetësimin se me ngritjen e çmimit të faturave të ujit do të paguhet shumë më shtrenjtë edhe për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë.

    Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike në vitin që shkoi, edhe ky vit nuk po sjell lajme të mira për qytetarët. Faturat e ujit, që nga janari i vitit 2026, do të jenë më të larta deri në 40 për qind krahasuar me vitin paraprak. ZRrE ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit për energjinë e shpenzuar, që nënkupton fatura më të larta për energjinë elektrike, në kohën kur këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare, ndërkohë që në masë të madhe po i ngufasin edhe bizneset, një numër jo i vogël i të cilave janë buzë falimentimit.

    Si pasojë e moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në mafien energjetike. Prandaj, KMDLNj ka kërkuar që të hetohet ky institucion, i cili pamëshirshëm po e dëmton buxhetin e familjeve kosovare.

    KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe i rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe, për pasojë, qytetarët do të paguajnë fatura shumë më të larta për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë, si dhe për shërbime. Nëse faturat për ujë dhe mbeturina, edhe me rritje, janë të përballueshme, faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe për bizneset”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

    KMDLNj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kundërshtojnë shtrenjtimet që po i varfërojnë edhe më shumë dhe të protestojnë duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. Po ashtu, ka pasur thirrje edhe për opozitën.

    “KMDLNj i thërret qytetarët e Kosovës që t’i kundërshtojnë këto shtrenjtimе, të cilat po i varfërojnë gjithnjë e më shumë, duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. KMDLNj fton pozitën dhe opozitën që të mbrojnë interesin e qytetarëve e jo interesat e mafies energjetike. ZRrE dhe qeveria duhet t’i sqarojnë qytetarët se sa është shkalla e inkasimit në veri të Kosovës dhe pse çmimi i rrymës atje është më i lirë se në pjesët e tjera të Kosovës. Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, atëherë spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet. Shtrenjtimi i paralajmëruar, i cili është në shpërputhje të madhe me mundësitë e shumicës së ekonomive familjare dhe bizneseve, në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentimin e bizneseve”, përfundon komunikata.