ATV

Tag: Ballina

  • Homazhe poetike pranë varreve të ujit

    Homazhe poetike pranë varreve të ujit

    Lulzim Tafa

    Rreth librit të fundit me poezi të Ismail Syles, “Ëndërr në zarf”, botimet Artini, Prishtinë, 2025

    Secili krijim letrar e ka një identitet të vetin, një lloj veçantie që e bën të duket më ndryshe nga krijimet e tjera. Janë së paku tri elemente që i japin vulë identitetit të kësaj vepre letrare: topika, tmerri dhe, normalisht pas tmerrit, trauma.

    Topika është vendi, Kosova (më saktë emblema e saj, Drenica), tmerri është lufta, respektivisht masakra, dhe e treta është trauma.

    Poezitë e Ismail Syles duken si balada, sepse seç kanë diçka prej atyre këngëve e vajeve popullore shqiptare; mbase e përbashkëta e tyre është toka, njerëzit, gjuha dhe historia. E përbashkëta është pikërisht kjo lloj traume që vjen si pasojë e tmerreve të masakrave që u bënë mbi popullatën civile të Kosovës, pa dallim pleq, gra e fëmijë. Kur nga këto veprime edhe Zoti trishtohet dhe Zotit i vjen keq, s’ka se si të mos ketë traumë poeti. Nuk është traumë e tipit fragmentar. Është traumë që ka një lidhje të vazhdueshme dhe që prek tragjeditë, nga një fëmijë i vrarë te një tjetër, nga një familje e shuar te një tjetër, e kështu për ta përgjithësuar në tërësi fatin e popullit shqiptar.

    E tërë poezia, e cila është një rrëfim për tragjeditë e ndodhura, ka për bazë realitetin e masakrave të kryera mbi njerëz të pafajshëm. E tërë përmbledhja është si një album ku poeti shpalos përjetimet e veta, duke u ndalur dhe duke i bërë jehonë një detaji të vetëm, që shpesh, për nga mënyra si e thotë poeti, lexuesin e lë pa frymë.

    Ai detaj mund të jetë një lodër fëmijësh, një kukull, një biçikletë apo një top me të cilin një fëmijë nuk do të luajë më kurrë, ngase vdekja e mori.

    Libri zbulon tri adresa/pjesë prej nga poeti e nis rrëfimin:

    · Pjesa e parë, Abria e Imer Deliut – Duart që bien erë, që është një shpalim tragjik i kujtesës, një lloj biografie poetike për të masakruarit e familjes Deliu.

    · Pjesa e dytë, Poklek – Bunari që bari s’e mbulon, pusi ku u hodhën trupat e të vrarëve, është rrëfim poetik për 53 viktimat e një masakre.

    · Pjesa e tretë, Homazh për gjësendet – Homazh për shqiptarët e zhdukur dhe të vrarë nga policia dhe ushtria serbe në vitet 1998–1999.

    Ndonëse rrëfimet ngjasojnë si me gojëdhëna, ato reflektojnë ngjarje të ndodhura në fund të shekullit njëzet. Janë vargje që të tmerrojnë me peshën e rëndë të dhunës, që të trishtojnë me mungesën e humanitetit të atyre që i bënë këto masakra dhe që të lënë pa frymë me egërsinë e treguar mbi njerëz të pafajshëm, madje edhe mbi fëmijë.

    Përjetimin, kujtesën e vet, poeti e bën art, e bën poezi përmes gjetjeve befasuese që të tronditin me simbole poetike e me figura të tjera:

    një e çarë në murin e shtëpisë / nuk e mbyllën kurrë / ndoshta shpirti i fundit ka dalë nga ajo vrimë…Kështu e përshkruan poeti dhomën ku ka ndodhur masakra.

    Ngjarjet godasin çdo pjesë të ndërgjegjes së poetit dhe, kur godasin poetin, ato e godasin ndërgjegjen njerëzore. Nuk thuhet kot se poetët janë ndërgjegjja njerëzore.

    Thuajse secila poezi mbaron me një figurë, me thënie të tipit aforistik e befasues, që mëton të mbahet në mend në kujtesën e lexuesit:

    çupën që nuk pati kohë të mësojë …

    që me thikë ia pret fijet jetës,

    me lehtësi siç thërret një rosë.

    (Ata, nuk i ndali as gjumi,

    as lodrat, as fustani i saj rozë.)…

    (Mu duk se Zoti po kërkonte falje)

    Në poezitë e Ismail Syles, në përgjithësi, ka gjetje të hatashme, të cilat aq sa të mahnitin me forcën shprehëse, po aq edhe të tronditin me tragjedinë që i mbështjell.

    Një nënë e kërkoi të bijën

    pesëmbëdhjetë vjet.

    Kur e gjeti,

    nuk kërkoi drejtësi…

    veç pak tokë për ta mbuluar.

    Secila poezi është një tablo që tregon shkatërrimin e një idili fshati dhe të një gëzimi fëmije nga tmerri i luftës.

    Çdo vit e kërkonte.

    Një biçikletë të kuqe.

    Më në fund, e bleu babi.

    Por kur erdhi dita…

    ajo mbeti e pashaluar

    si një gëzim pa këmbë.

    (Biçikleta e kuqe)

    Kështu, secila poezi e Ismail Syles është një epitaf i veçantë poetik, është shkrim, poezi mbi gurët e varreve. Është kujtesë që nuk duhet ta fshijë kurrë rrjedha e historisë.

  • Rasti BKS, caktohet masa e sigurisë ndaj 39 të pandehurve në Prizren

    Rasti BKS, caktohet masa e sigurisë ndaj 39 të pandehurve në Prizren

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masa sigurie ndaj 39 (tridhjetenëntë) të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka vendosur masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj katër (4) të pandehurve: S.M., V.B., F.S. dhe Y.Ç., masë e cila mund të zgjasë deri më 08 shkurt 2026.

    Sipas vendimit të gjykatës:

    S.M. dhe V.B. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi dhe Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike.
    V.B., së bashku me të pandehur të tjerë, dyshohet edhe për veprën penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.
    F.S. dyshohet për Falsifikim dokumentesh dhe Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.
    Y.Ç. dyshohet për Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.

    Ndërkohë, ndaj 35 të pandehurve të tjerë, të cilët dyshohen për Keqpërdorim të besimit në ndihmë, gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor një herë në javë, si dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, përfshirë të dëmtuarën BKS dhe të pandehurit e tjerë. Këto masa vlejnë gjithashtu deri më 08 shkurt 2026.

    Gjykata ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e paraburgimit edhe për këta të pandehur.

    Sipas vlerësimit të gjykatës, ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masave të sigurisë, pasi nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Caktimi i paraburgimit për katër të pandehurit është vlerësuar si i domosdoshëm për të parandaluar arratisjen, ndikimin në dëshmitarë apo pengimin e procedurës hetimore.

    Gjykata Themelore në Prizren ka sqaruar se vendimi është marrë në përputhje me nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale, duke marrë parasysh edhe faktin se rasti konsiderohet çështje e ndërlikuar, pasi përfshin më shumë se 10 të pandehur, konkretisht 39.

  • AME me raport të përditësuar për vërshimet: Situata e menaxhueshme, s’raportohet për humbje jete

    AME me raport të përditësuar për vërshimet: Situata e menaxhueshme, s’raportohet për humbje jete

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka dhënë një raport të përditësuar të situatës më vërshime që ka përshirë vendin.

    Sipas informatave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, NJPZSH-të, DSHPE-të dhe raportimeve të qytetarëve, kjo agjenci thotë se situata e vërshimeve në nivel vendi gjatë intervalit kohor të raportimit paraqitet “kryesisht stabile dhe e menaxhueshme”.

    Pas rënies së intensitetit me të reshura të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i gjendjes, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj.

    Nuk raportohet për humbje jete.

    Po ashtu, AME tha se nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës.

    AME ka dhënë edhe një pasqyrë të situatës sipas rajoneve:

    2.1 Rajoni i Prishtinës

    – Prishtinë: vërshime në rrugën “Rifat Berisha” (Kodra e Diellit) dhe në fshatin Hajvali – rruga “Brigada 153”.

    – Lipjan: vërshime në fshatin Smallush – rruga “11 Qershori”.

    – Shtime: vërshime në rrugën Shtime–Reçak.

    – Graçanicë: vërshime në Motel “Villa Hilton” dhe rrugën te Prishtina Mall.

    – Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, – Podujevë: situata e qetë, pa raste për ndërhyrje.

    Të gjitha intervenimet janë realizuar nga NJPZSH, DSHPE dhe kompani të kontraktuara nga Komunat.

    2.2 Rajoni i Prizrenit

    – Prizren, Suharekë, Rahovec, Mamushë: pa thirrje dhe pa intervenime; rrugët të kalueshme.

    – Malishevë: dy intervenime për rrugë të bllokuara nga uji.

    – Dragash: një intervenim teknik në fshatin Rapçë (pusetë e bllokuar).

    2.3 Rajoni i Mitrovicës

    – Mitrovicë: në kompleksin “Amina” është evakuuar një familje nga NJPZSH;

    -aktualisht gjendja është më e qetë dhe pa rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja.

    – Skenderaj & Vushtrri: pa raste që kërkojnë ndërhyrje.

    – KEK – Termocentrali Kosova A: në orën 07:05 është kërkuar intervenim urgjent për pompë thithëse me kapacitet të madh; kërkesa është adresuar dhe NJPZSH ka intervenuar.

    2.4 Rajoni i Pejës

    – Pejë, Deçan, Klinë, Istog, Junik: situata stabile, pa kërkesa për intervenim.

    Trafiku:

    Pejë–Rugovë: segmente me ujë në rrugë – kërkohet kujdes i shtuar.

    Pejë–Kullë: e kalueshme, me kujdes.

    2.5 Rajoni i Gjakovës

    Situata e qetë dhe stabile.

    Niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie.

    Raportohet një bllokim rruge nga shembja e dheut.

    2.6 Rajoni i Gjilanit

    – Gjilan: vërshim në rrugën e Kufcës.

    – Komunat tjera (Ferizaj, Kamenicë, Viti, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpcë, Artanë/Novobërdë, Kllokot, Partesh, Ranillug): pa vërshime, situata e qetë.

    3. KËRKESA DHE NDËRHYRJE SPECIFIKE

    Kërkesë urgjente nga KEK për pompë thithëse me kapacitet të madh në Kosovën A – e adresuar dhe e realizuar nga kapaciteti i Agjencise MenaxhimitEmergjent.

    Nuk janë pranuar kërkesa shtesë për ndihmë apo koordinim nga komunat gjatë intervalit 22:00–08:00.

    4. VLERËSIMI I SITUATËS

    Situata paraqitet stabile dhe e menaxhueshme.

    Rreziku kryesor aktual lidhet me:

    reshjet e borës,

    ngricat në rrugë,

    vështirësitë në qarkullim.

    Nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës.

    5. GATISHMËRIA INSTITUCIONALE

    Qendra Operative e AME-së dhe strukturat përgjegjëse për Mbrojtje Shpëtim dhe Ndihmë mbesin në gatishmëri të plotë 24/7, për monitorim dhe reagim të menjëhershëm sipas nevojës.

  • Grumbullim uji, rrëshqitje dheu: Ku ka vështirësi dhe bllokim të rrugëve si pasojë e vërshimeve?

    Grumbullim uji, rrëshqitje dheu: Ku ka vështirësi dhe bllokim të rrugëve si pasojë e vërshimeve?

    Reshjet e fundit të shiut dhe borës kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme në qarkullimin rrugor në disa pjesë të Kosovës, për shkak të vërshimeve, grumbullimit të ujit dhe rrëshqitjeve të dheut.

    Hysen Durmishi, ushtrues i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, ka bërë të ditur se në rrugën Prishtinë–Ferizaj qarkullimi është bllokuar për shkak të grumbullimit të ujit, që sipas tij ndodh për shkak të kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike.

    Ai ka sqaruar se ekipet janë në terren duke punuar për shkarkimin e ujit dhe se rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës.

    Probleme janë raportuar edhe te nënkalimi në Mazgit, në drejtim të autostradës, ku ka grumbullim të ujit për shkak të bllokimit të kanalit atmosferik.

    Sipas Durmishit, ekipet po punojnë intensivisht për zhbllokimin e këtij segmenti.

    Në autostradën “Ibrahim Rugova”, autoritetet kanë regjistruar rrëshqitje të dheut, ndërsa po vazhdojnë punimet për sanimin e saj me qëllim rikthimin e qarkullimit normal.

    Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë, ku ka grumbullim të ujit në rrugë. Ekipet emergjente janë duke ndërhyrë dhe pritet që qarkullimi të normalizohet së shpejti.

    Në rrugën Zhur–Dragash është evidentuar lëvizje e trupit të rrugës. Autoritetet kanë vendosur sinjalizim përkatës, ndërsa qarkullimi aktualisht zhvillohet vetëm në një shirit.

    Po ashtu, me reshjet që kanë nisur që mbrëmjen e së premtes, disa zona në Suharekë janë përfshirë sërish nga vërshimet, duke vështirësuar qarkullimin rrugor.

    Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për kujdes në disa rrugë të vërshuara dhe ka treguar se cilat segmente janë të pakalueshme.

    “Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpëbishtit është e bllokuar”, ka thënë ai përmes një videoje të publikuar në Facebook.

    Autoritetet kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të këtyre problemeve dhe kanë apeluar që, nëse është e mundur, të shmanget qarkullimi i panevojshëm në këto segmente rrugore.

  • Gratë cak i dhunës nga bashkëshortët e tyre – gjashtë raste të raportuara në Polici brenda një dite

    Gratë cak i dhunës nga bashkëshortët e tyre – gjashtë raste të raportuara në Polici brenda një dite

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda një dite në Policinë e Kosovës. Në secilin prej rasteve dhuna fizike por edhe psikike është ushtruar nga garave pikërisht nga bashkëshortët e tyre. E në një rast në Prishtinë, raportohet se gruaja pësoi dhunë fizike e psikike edhe nga bashkëshorti por edhe nga prindi i bashkëshortit.

    Nga këto gjashtë raste, në tri prej tyre raportohet se të dyshuarit janë liruar me procedurë të rregullt dhe në tri rast tjera të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    ·         Prishtinë  09.01.2026 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes se tij. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    ·         Prishtinë  06.01.2026 – 17:58. Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi  ka pësuar dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti dhe  prindi i bashkëshortit të saj. E njëjta ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Lipjan  09.01.2026 – 22:40.  Është raportuar se viktima femër kosovare dhe vajza e saj, kanë pësuar dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar.  Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Klinë 09.01.2026 – 17:10.  Është raportuar se viktima femër kosovare, pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Raport shtesë:

    DHUNË NË FAMILJE

    Malishevë 06.01.2026 – 19:20. Në lidhje me rastin më 09.01.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Raport shtesë:

    DHUNË NË FAMILJE & KANOSJE

    Malishevë 08.01.2026 – 16:30.  Në lidhje me rastin më datë 09.01.2026  është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Ndalohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në një segment të rrugës Ferizaj – Prishtinë

    Ndalohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në një segment të rrugës Ferizaj – Prishtinë

    Shkaku i pranisë së madhe të ujit në rrugë, në një segment të rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë, ndalohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve.

    Policia ka njoftuar se qarkullimi do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës.

    “Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, në koordinim me zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugës, është marrë vendim që të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar. Qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës. Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik”, njofton Policia e Kosovës.

  • Këto ligje që u miratuan nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 mbetën në fuqi e këto u shfuqizuan nga Kushtetuesja

    Këto ligje që u miratuan nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 mbetën në fuqi e këto u shfuqizuan nga Kushtetuesja

    Një sërë ligjesh të miratuara nga Kuvendi i Kosovës natën e 5 dhjetorit 2024 janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin që e publikoi sot dhe vetëm disa mbetën në fuqi.

    Këto ligje në Kushtetuese i kishte dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Partia Demokratike e Kosovës.

    Ligjet që mbetën në fuqi:

    1. Ligji Nr. 08/L-304 për Bankat

    2. Ligji Nr. 07/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut

    3. Ligji Nr. 08/L-291 për Gjykatën Administrative

    Ligjet që u shfuqizuan:

    1. Ligji Nr. 08/L-328 për Shërbimet e Pagesave

    2. Ligji Nr. 08/L-326 kundër dukurive negative në sport

    3. Ligji Nr. 08/L-333 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit

    4. Ligji Nr. 08/L-300 për provimin e maturës shtetërore

    5. Ligji Nr. 08/L-315 për Banim Social dhe të Përballueshëm

    6. Ligji Nr. 08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim

    7. Ligji Nr. 08/L-320 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

    8. Ligji Nr. 08/L-323 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-168 për Prokurorinë Speciale

    9. Ligji Nr. 08/L-325 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore

    10. Ligji Nr. 08/L-324 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore

    11. Ligji Nr. 08/L-330 për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore

    12. Ligji Nr. 08/L-334 për Lojërat Mesdhetare

  • Hoti flet pas gjetjeve mortore në Gjakovë: Po presim përfundimin e ekzaminimeve dhe identifikimit përmes ADN-së

    Hoti flet pas gjetjeve mortore në Gjakovë: Po presim përfundimin e ekzaminimeve dhe identifikimit përmes ADN-së

    Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999 vazhdon të mbetet një nga temat më të pazgjidhura pasluftës.

    Të enjten, në Gjakovë, janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se i përkasin së paku një personi që figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës.

    Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka bërë të ditur për Front Online se aktiviteti i zhvilluar ditën e djeshme ka qenë i planifikuar dhe lidhet kryesisht me rastet për konfirmim të identitetit.

    “Ajo që ka ndodh dje, ka qenë zhvarrim i mbetjeve mortore të një personi, që më shumë ndërlidhet me rastet për konfirmim identiteti. Ka qenë aktivitet i planifikuar, që është realizuar dje. Presim përfundimin e ekzaminimeve dhe identifikimit përmes ADN-së, për hollësitë tjera që fillimisht do t’i bëhen të ditura familjeve”, tha ai.

    Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha për Front Online se gjatë këtij viti pritet të zhvillohen gërmime në tri lokacione të reja, përfshirë vazhdimin e gërmimeve në Rahovec.

    Sipas tij, lokacionet janë identifikuar në bazë të analizave të dokumenteve të pranuara nga Tribunali i Hagës.

    “Aktualisht edhe tri lokacione i kemi, për të cilat tanimë janë siguruar urdhëresat, përfshirë vazhdimin e gërmimeve në Rahovec. Lokacionet tjera dalin si rezultat i analizave që po bëhen në dokumentet që tashmë kemi pranuar nga Tribunali i Hagës”, tha Hoti.

    Në fund, Hoti bëri të ditur se numri aktual i personave të zhdukur në Kosovë është 1 570, por kjo shifër pritet të ulet pas përfundimit të analizave të ADN-së për gjetjet e vitit 2025.

    “1570 mbetet numri i personave të zhdukur, ky numër do te zvogëlohet edhe për shkak të gjetjeve të vitit 2025, por që nuk kemi pranuar ende raportet e ADN-së”, tha ai për Front Online.

    Zbulohen mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

  • Elezi: S’ka më fletëvotime për t’u numëruar, palët mund të ankohen brenda 48 orëve

    Elezi: S’ka më fletëvotime për t’u numëruar, palët mund të ankohen brenda 48 orëve

    12 ditë pas ditës së zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka arritur që ta përfundojë numërimin e votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit të 2025-ës

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Ekonomia Online ka thënë se tani palët kanë 48 orë kohë për t’u ankuar, e ku pas përfundimit të këtyre, atëherë KQZ do t’i shpall rezultatet përfundimtare.

    “Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.

    Elezi tha se numërimi i votave për 12 ditë, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase.

    “Të premten, në ora 02:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Përfundimi i krejt këtij procesi vjen vetëm 12 ditë pas ditës së zgjedhjeve, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase të përmbylljes së procesit të numërimit”, tha Elezi.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën me 28 dhjetor të 2025-ës, pasi fituesi i zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit të 2025-ës, që ishte Vetëvendosje nuk arriti që ta formojë Qeverinë, ndonëse dy pati dy përpjekje, njëherë duke propozuar për kryeministër liderin e tyre Albin Kurtin e së dyti, njeriun e dytë pas liderit, Glauk Konjufca. Por asnjëri e as tjetri nuk morën 61 vota, të cilat do ta mundësonin formimin e Qeverisë.

    Vetëvendosje është fitues i këtyre zgjedhjeve, por këtë herë, kjo parti rezulton të ketë marrë besimin e 486,994 qytetarëve apo 51.11%. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me një përqindje 20.19 % të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte humbësja më e madhe e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kjo parti ka rënë në 15 ulëse nga 20 sa kishte. Ajo mori 13.23 për qind të votave.

  • Sindikata e Policisë njofton: Pagesat e dhjetorit për familjet e policëve të rënë nuk janë realizuar

    Sindikata e Policisë njofton: Pagesat e dhjetorit për familjet e policëve të rënë nuk janë realizuar

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se familjet e policëve të rënë gjatë detyrës nuk kanë marrë pagesën për muajin dhjetor, përkundër kërkesës së bërë nga Drejtoria e Financave.

    Në një komunikatë zyrtare, sindikata thekson se pavarësisht kërkesës për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 290,000 euro, ato ende nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave:

    “Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, thuhet në komunikatë.

    Sindikata e ka quajtur këtë situatë të papranueshme dhe të dhimbshme për familjet e prekur dhe i bën thirrje institucioneve për zgjidhje urgjente:

    “Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve”, thuhet tutje.