ATV

Tag: Ballina

  • Aksioni i gjerë i Prokurorisë, Byroja Kosovare e Sigurimit: Është iniciuar nga vetë BKS-ja, pas raportit të Auditimit të Brendshëm

    Aksioni i gjerë i Prokurorisë, Byroja Kosovare e Sigurimit: Është iniciuar nga vetë BKS-ja, pas raportit të Auditimit të Brendshëm

    Prokuroria Themelore e Prizrenit sot në orët e mëngjesit ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa qytete, ndërsa objekt i bastisjeve janë pronat e ish-zyrtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

    E lidhur me këto bastisje ka reaguar vetë Byroja Kosovare e Sigurimeve.

    BKS thekson se kjo është iniciuar vetë nga ta, në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

    Lexoni të plotë reagimin e BKS:

    Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) njofton opinionin publik se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

    Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

    Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Byrosë.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional në trajtimin e këtij rasti. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e keqpërdorimeve dhe mbrojtjen e interesit publik.

  • Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është duke zhvilluar një aksion të gjerë policor në disa qytete të Kosovës.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi” se vlera e dëmit të shkaktuar nga ky rast dyshohet të jetë mbi 1 milion euro, ndërsa cak i aksionit janë mbi 40 persona. Sipas të njëjtit raportim, viktimë e veprimeve të dyshuara penale është një organizatë.

    Në mesin e personave të arrestuar deri më tani raportohet të jetë janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i Financave në BKS.

    Aksioni është duke u zhvilluar në disa rajone të vendit, përfshirë Prizrenin, Prishtinën, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe Gjakovën, ndërsa deri më tani janë ndaluar disa persona.

    Për realizimin e këtij operacioni, në terren janë angazhuar nëntë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilët po e udhëheqin aksionin në koordinim me Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

    Aksioni lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” si dhe “falsifikim të dokumenteve”.

    Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe priten detaje të tjera nga organet e drejtësisë në orët në vijim.

  • FSK-ja ndihmon në evakuimin e familjeve në Rahovec pas reshjeve të dendura

    FSK-ja ndihmon në evakuimin e familjeve në Rahovec pas reshjeve të dendura

    Reshjet e shumta që kanë rënë në Kosovë gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi të mëdha, duke bllokuar rrugë, përmbytur zona të ndryshme dhe duke rritur rrezikun për qytetarët.

    Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar vështirësi të mëdha për disa familje në komunën e Rahovecit, të cilat kanë mbetur të bllokuara brenda shtëpive të tyre.

    “Bashkë me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sot u realizua evakuimi i dy familjeve në fshatin Xërxë, duke siguruar daljen e tyre të sigurt nga zonat e rrezikuara“, njofton komuna e Rahovecit.

    Për t’u siguruar që qytetarët e evakuar të kenë kujdes shëndetësor, stafi i Qendrës për Kujdesin Mjekësor Familjar në Rahovec ka ofruar ndihmën e parë mjekësore, ndërsa ata janë dërguar për trajtim të mëtejshëm në spital.

  • Kurti: Situata nga vërshimet në Kosovë është nën kontroll

    Kurti: Situata nga vërshimet në Kosovë është nën kontroll

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet e djeshme në disa komuna të vendit është aktualisht nën kontroll, ndërsa institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara pa ndërprerë në terren.

    “Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka bërë të ditur se institucionet qendrore kanë mbështetur edhe autoritetet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.

    “Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike.

    Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, vërshimet kanë prekur një numër të madh komunash, përfshirë: Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimen, Graçanicën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.

    “Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll”, ka bërë të ditur Kurti, duke shtuar se përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.

    Ai ka theksuar se gjatë natës ka pasur intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për pastrimin e pusetave të bllokuara, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gatishmëri.

    Në fund, Kurti ka falënderuar të gjitha ekipet e angazhuara dhe qytetarët për bashkëpunimin.

    “Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues. Falënderoj qytetarët për solidaritetin dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes”, ka përfunduar ai.

  • KQZ përditëson të dhënat – LDK’së i rikthehet një mandat, merr 15, PDK bie në 22

    KQZ përditëson të dhënat – LDK’së i rikthehet një mandat, merr 15, PDK bie në 22

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit nga rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Në këtë përditësim bëhet e ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka marrë edhe një mandat, duke e çuar kështu, në 15 deputet grupin e tyre parlamentare.

    Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, ka rënë nga 23 në 22 deputet, duke humbur kështu një mandat.

    Deputeti që hyn në parlament nga rezultatet e tanishme është Fadil Haderxhonaj i LDK’së. Ndërsa deputeti nga PDK që e humb ulësen në kuvend është Bekim Haxhiu.

    Ndryshe, është duke vazhduar numërimi i votave me postë, ku deri tani janë numëruar 73,79%.

  • Hoti: Viti 2026 nis me tarifa të rritura të ujit dhe kanalizimeve, në prill do të shtrenjtohet rryma

    Hoti: Viti 2026 nis me tarifa të rritura të ujit dhe kanalizimeve, në prill do të shtrenjtohet rryma

    Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se vitit 2026 ka nisur me tarifa të rritura të ujit dhe kanalizimeve.

    Ai ka theksuar se në regjionin e Prishtinës rritja është 43.85% për amvisëri dhe 40.01% për biznese.

    “Viti 2026 nis me tarifa të rritura të ujit dhe kanalizimeve. Në regjionin e Prishtinës, rritja është 43.85% për amvisëri dhe 40.01% për biznese. Në anën tjetër, furnizimi me ujë nuk është përmirësuar mjaftueshëm, humbjet e ujit në rrjet mbesin të larta, kompanitë e ujësjellësit vazhojnë të kenë raporte të auditimit me plot vërejtje substanciale. Brenda këtyre tarifave të rritura paguhet edhe për derdhjen e ujërave të zeza, por ato ujëra të zeza nuk trajtohen. Ato derdhen në lumenj”, ka shkruar Hoti, duke paralajmëruar edhe shtrenjtim tjetër të energjisë elektrike.

    “Në prill pritet të shqyrtohet rritja e sërishme e energjisë elektrike. Tatimi në pronë për biznese sivjet nis me rritje substanicale gjithashtu”, ka shkruar ai.

  • Policia paralajmëron qytetarët për mesazhet mashtruese: Mos kryeni pagesa e mos jepni të dhëna personale

    Policia paralajmëron qytetarët për mesazhet mashtruese: Mos kryeni pagesa e mos jepni të dhëna personale

    Policia e Kosovës, ka reaguar lidhur me mesazhet që qytetarët po marrin në telefon kinse ‘’njoftim për gjobat në trafik’’’. Policia ka njoftuar se këto lloj mesazhesh janë të rreme, të cilat përmbajnë linqe mashtruese të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët.

    Policia ka theksuar se nuk kanë dërguar mesazhe të tilla, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos i klikojnë asnjë link, dhe të mos japin të dhëna personale.

    Postimi:

    Njoftim i Policisë së Kosovës për Mesazhet (SMS) mashtruese lidhur me Njoftimin per Gjobat në Trafik

    Prishtinë, 7 janar 2026

    Policia e Kosovës njofton qytetarët për një fushatë mashtruese që aktualisht po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar siq shkruhet nga Autoritetet e Trafikut të Kosovës. Këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët.

    Policia e Kosovës thekson nuk ka dërguar mesazhe të tilla si dhe:

    U bëjmë thirrje qytetarëve që:

    · të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë;

    · të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare;

    · të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve;

    · të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese; dhe

    · nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës. Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve dhe fton qytetarët për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar.

  • Pakicat japin sinjale për votimin e Qeverisë Kurti 3

    Pakicat japin sinjale për votimin e Qeverisë Kurti 3

    Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 57 ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, por ky numër nuk është i mjaftueshëm për ta konstituuar e vetme Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë e re, pasi për këto procedura nevojiten së paku 61 vota.

    Megjithatë, kjo pengesë pritet të tejkalohet pa nevojë për koalicion paraprak me partitë shqiptare, pasi deputetë nga komunitetet serbe dhe joserbe kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me kryeministrin Albin Kurti.

    Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, i cili sipas rezultateve ka siguruar një mandat deputeti, ka deklaruar se është i gatshëm ta votojë formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Ai ka theksuar se paraprakisht kërkon një takim me Kurtin për sqarimin e disa çështjeve.

    “Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik. Kam përvoja të mira bashkëpunimi me zotin Kurti. Ende nuk kemi biseduar konkretisht, por jam i sigurt se në ditët në vijim do të takohemi. Jam i gatshëm për bashkëpunim. Nuk kemi kushte për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por kemi disa kërkesa për përmirësime teknike në interes të qytetarëve serbë. Kushtetuta parasheh që një ministri të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt vazhdimit të bashkëpunimit”, ka deklaruar Rashiq.

    Ndërkohë, nga komunitetet tjera, përfaqësuesit e romëve dhe ashkalinjve janë në pritje të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate të Ashkalinjëve, Artan Asllani, i cili ka siguruar mandat deputeti, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kurtin për formimin e institucioneve.

    “Po, do të jemi pro konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe të japim kontributin tonë. Ende nuk kemi zhvilluar takim, pasi KQZ-ja është në proces të numërimit të votave”, ka deklaruar Asllani për RTV21.

    Gatishmëri për bashkëpunim ka shprehur edhe përfaqësuesi i komunitetit rom, Alber Kinolli. Sipas tij, nga grupi multietnik pritet që së paku 8 nga 10 deputetë ta votojnë formimin e Qeverisë së re.

    “Nëse fitojmë mandat dhe bëhemi pjesë e Kuvendit, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do të luajë rol konstruktiv dhe do ta japë votën për formimin e Qeverisë. Shpresoj që minimumi të jenë tetë deputetë, por shpresoj që në të ardhmen të reflektojë edhe ndonjëri nga tre deputetët që deri tani nuk kanë dhënë votë pro Qeverisë”, ka thënë Kinolli.

    Ndërkohë, përfaqësuesja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, si dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, të cilët kanë siguruar mandate në Kuvend, ende nuk kanë bërë të ditur nëse kanë ndryshuar qëndrimin e tyre, pasi më herët ishin shprehur kundër formimit të Qeverisë nga Kurti.

    Sipas kalkulimeve të deritanishme dhe deklarimeve publike të përfaqësuesve të komuniteteve serbe dhe joserbe, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i sigurojë rreth 65 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

  • Vazhdon numërimi i pjesës së dytë të votave me postë, rezultatet nga përditësimi i fundit i KQZ-së

    Vazhdon numërimi i pjesës së dytë të votave me postë, rezultatet nga përditësimi i fundit i KQZ-së

    Ka ngelur vetëm një pjesë e votave me postë për t’u numëruar që të përfundojë procesi i numërimit të votave të 28 dhjetorit.

    Në QNR ka vazhduar numërimi i pjesë së dytë të votave me postë. Bëhet fjalë për fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës.

    Sipas përditësimit ët fundit të KQZ-së, deri më tani janë procesuar 86,84% prej tyre.

    Nga rezultatet aktuale, Vetëvendosje prin me 72.97% apo 21,103 vota, pasuar nga LDK me 9.86% apo 2,852 vota, PDK me 9.33% apo 2,699 vota dhe AAK me 3.82%1, apo 104 vota.

  • Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar, shkaku i vërshimeve në vend.

    Nagavci ka deklaruar se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

    “Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar”, ka shkruar Nagavci.

    Ajo ka deklaruar se MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur.

    “Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor”, thuhet në postim.