ATV

Tag: Ballina

  • Sorensen: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon me shpresën që 2026-ta sjellë atë që 2025 s’mundi

    Sorensen: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon me shpresën që 2026-ta sjellë atë që 2025 s’mundi

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka deklaruar se BE-ja vazhdon të punojë për çështjet e dialogut “me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë”, raporton Ekonomia Online.

    Pas vizitës zyrtare që pati në Prishtinë, Sorensen ka thënë se palët duhet të ulen dhe të bisedojnë e se një takim mes tyre do të thirret nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së kur të jetë koha e duhur.

    Tutje, Sorensen tha se pret me interes të lartë formimin e institutvcioneve në Kosovë, pas zgjedhjeve të fundit.

    “Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë këtu dhe më pas në Beograd gjatë kësaj jave”.

    “Ajo që synojmë është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë, duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë i ka vizituar vendet vitin e kaluar dhe ka theksuar se do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur”.

    “Ajo do ta thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë dhe më pas do të shohim se si do të ecet përpara”, ka deklaruar Sorensen.

  • KQZ: Rinumërohen 23 vendvotimet e para nga 914 vendvotime

    KQZ: Rinumërohen 23 vendvotimet e para nga 914 vendvotime

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.

    Ky proces ka filluar të martën në orën 18:00, ndërsa deri më tani, e mërkurë, 14 janar 2026, ora 10:00, janë rinumëruar 23 vendvotime nga gjithsej 914 vendvotime për të cilat është vendosur rinumërimi.

    Rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi do të publikohen në platfomën e KQZ-së për rezultate, në hapësirën QNR > Rinumërim: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/.

    Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen të gjitha vendvotimet: Dragash, Kaçanik, Lespovci, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

    Ndërkaq, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen rreth 10% e vendvotimeve: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

  • Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën një të dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të saj si dhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në maj të vitit 2023.

    Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në koordinim me hetuesit policorë ka bërë arrestimin e të dyshuarit me inicialet S.R.

    Ai dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.

  • KOSTT-i paralajmëron reduktime të rrymës gjatë ditës për shkak të rrezikut në sistem

    KOSTT-i paralajmëron reduktime të rrymës gjatë ditës për shkak të rrezikut në sistem

    Kompania Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka paralajmëruar se është e detyruar të reduktojë energjinë elektrike gjatë ditës së sotme, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së sistemit.

    Nga kjo kompani është sqaruar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, por se këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme.

    “Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, po rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikimin e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhet në komunikatën e KOSTT-it.

    Ndërkaq, është thënë se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin e stabilitetit të sistemit.

  • Orav: Zgjedhjet në Kosovë treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

    Orav: Zgjedhjet në Kosovë treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën me ministrin në Detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave.

    “Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, ka thënë Orav.

     

  • Lëndohet edukatorja e një kopshti në Pejë, një fëmijë e goditi me një shufër metalike

    Lëndohet edukatorja e një kopshti në Pejë, një fëmijë e goditi me një shufër metalike

    Një edukatore e një kopshti në Pejë ka marrë lëndime pasi është goditur me një shufër metalike nga një fëmijë.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Pejës, e cila ka njoftuar se rasti ka ndodh sot.

    “Sot në orën 10:40, Policia është njoftuar se në një kopsht, një nxënës me një shufër metalike e ka goditur edukatoren me mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime”.

    “E njëjta është dërguar në emergjencën në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe Prokurori”, tha Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

  • “Gatishmëri për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit” – KFOR, EULEX dhe Policia e Kosovës kryejnë ushtrim të përbashkët

    “Gatishmëri për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit” – KFOR, EULEX dhe Policia e Kosovës kryejnë ushtrim të përbashkët

    Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM), ka njoftuar se KFOR së bashku me EULEX’in dhe Policinë e Kosovës kanë kryer ushtrim të përbashkët.

    Në njoftimin e EUCOM theksohet se me këto ushtrime ndërtohet bashkëpunim dhe gatishmëri për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

    “SIGURI PËRMES BASHKËPUNIMIT – 🤝 Ushtarë shumëkombësh nga Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) u stërvitën së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Policinë e Kosovës gjatë Ushtrimit #GoldenSabre2025 ⚔🌟, duke ndërtuar bashkëpunim dhe gatishmëri për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës’’, thuhet në njoftim.

  • Rasti “Rezervat”, Gjykata mbyll seancën për publikun

    Rasti “Rezervat”, Gjykata mbyll seancën për publikun

    Gjyqtari Avni Syla ka aprovuar propozimet e paraqitura nga Florent Latifaj dhe Feim Malaj në rastin e Rezervave Shtetërore, duke vendosur që seanca gjyqësore të zhvillohet me dyer të mbyllura për publikun.

    Sipas gjykatës, janë përmbushur kushtet ligjore për këtë vendim, pasi çështja lidhet me ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit, publikimi i të cilit mund të rrezikohet nga prania e publikut. Lidhur me këtë, pritet të nxirret një aktvendim i veçantë.

    “Seanca mbyllet për publikun. Gjykata konsideron se janë përmbushur kushtet ligjore. Kemi të bëjmë me ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit që do të rrezikohej nga publiku”, tha ai.

    Gjithashtu, gjyqtari Syla u ka tërhequr vëmendjen të gjithë personave që do të jenë pjesë e procesit gjyqësor, duke paralajmëruar se çdo zbulim i informacionit nga kjo çështje do t’i bëjë ata përgjegjës përballë ligjit.

  • Rozeta Hajdari dhe tre të tjerët dalin sot para gjykatës lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore

    Rozeta Hajdari dhe tre të tjerët dalin sot para gjykatës lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore

    Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuave të tjerë lidhur me skandalin e rezervës shtetërore

    Seanca do të mbahet me fillim nga ora 09:30.

    Shqyrtimi fillestar ishte caktuar njëherë për 10 dhjetor, por që kishte dështuar meqë Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë.

    Më pas ishte arsyetuar se nuk ka marrë thirrje nga ana e Gjykatë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. T

    re të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

    “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, ka njoftuar Prokuroria.

    Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

    “Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”.

    Në gusht të vitit 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, u arrestuan për këtë rast. Policia arrestoi edhe afaristin Ridvan Muharremin.

    Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

    Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

    Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

    Kryeministri Albin Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit atë kohë, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

    “Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

    Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

    Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve nacionale 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt.

  • Të shtëna me armë mbrëmë pas mesnate në Deçan, plagosen tre persona

    Të shtëna me armë mbrëmë pas mesnate në Deçan, plagosen tre persona

    Tre persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit në një lokal në Deçanit, teksa një person është arrestuar në cilësinë e të dyshuarit.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë, një karikator dhe nëntë fishekë.

    “Më datë 13, rreth orës 00:18, policia është njoftuar se në një lokal ka të shtëna me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në një lokal ka vërejtur tre persona të shtrirë, të lënduar nga arma e zjarrit. Të njëjtit janë dërguar në QMF dhe pastaj në Emergjencës e Spitalit të Pejës”, tha Gashi.