ATV

Tag: Ballina

  • Haradinaj kërkon rinumërim të plotë të votave: Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh

    Haradinaj kërkon rinumërim të plotë të votave: Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar një rinumërim të plotë të votave pas gjetjeve të skemave të mundshme të manipulimit.

    Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj thekson se rinumërimi i pjesshëm po tregon manipulime të përmasave shqetësuese, duke shtuar se pa një rinumërim të tërësishëm nuk mund të garantohet integriteti i zgjedhjeve.

    “Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.

    Haradinaj apelon gjithashtu tek mekanizmat e drejtësisë dhe institucionet e vendit që të veprojnë për të mbrojtur votën e qytetarit dhe për të rikthyer integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    “E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai paralajmëron se çdo drejtim tjetër mund të ketë pasoja të pariparueshme.

  • Bajrami kërkon rinumërim të votave në gjithë Kosovën dhe veprim të menjëhershëm të drejtësisë

    Bajrami kërkon rinumërim të votave në gjithë Kosovën dhe veprim të menjëhershëm të drejtësisë

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar rinumërimin e votave në të gjithë Kosovën, duke apeluar për reagim të shpejtë dhe efikas nga institucionet e drejtësisë lidhur me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.

    Në një reagim publik, Bajrami thekson se çdo person që ka ndërhyrë apo prekur votën e qytetarëve duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe morale.

    “Kushdo që ka prekur votën duhet të japë përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve,” ka deklaruar Bajrami.

    Ajo ka theksuar se mbrojtja e votës është thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore.

  • Manipulim industrial i votave në disa komuna, Cakolli kërkon që Prokuroria të nisë hetimet

    Manipulim industrial i votave në disa komuna, Cakolli kërkon që Prokuroria të nisë hetimet

    Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar ashpër lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve gjatë procesit të numërimit, duke kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimet dhe ndjekjet penale.

    Në një reagim publik, Cakolli thekson se manipulimet e evidentuara në disa vendvotime dhe komuna kanë marrë përmasa industriale dhe nuk mund të konsiderohen si gabime njerëzore apo rastësi.

    “Ku është dhe çka po pret Prokuroria që nuk po nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve – që në disa vendvotime e komuna kanë marrë përmasa industriale”, ka shkruar Cakolli.
    Sipas tij, emrat e komisionerëve për secilën tavolinë të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dihen, por manipulimet nuk janë kryer vetëm nga ta.

    “Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor,” ka shkruar Cakolli.

    Ai vlerëson se përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është e mundshme dhe se hetimet duhet të përfshijnë edhe ta, për të zbardhur plotësisht rastin.

    Cakolli apelon që organet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë, në mënyrë që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor dhe besimi i qytetarëve.

    “Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”, ka shkruar Cakolli.

  • Vetura e godet një këmbësore në Prishtinë – përfundon në spital me lëndime trupore

    Vetura e godet një këmbësore në Prishtinë – përfundon në spital me lëndime trupore

    Një këmbësore është goditur nga një veturë gjatë ditës së djeshme në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

    Siç njofton Policia e Kosovës, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të pakujdesisë nga ana e shoferit të veturës.

    Për pasojë, këmbësorja ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor në QKUK.

  • 51 aksidente dhe mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku për një ditë në Kosovë

    51 aksidente dhe mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku për një ditë në Kosovë

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 2 mijë e 107 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, janë shënuar edhe 17 aksidente trafiku me persona të lënduar, si dhe 34 aksidente me dëme materiale.

    Në aspektin e sigurisë publike, janë arrestuar 16 persona, ndërsa 10 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Ndërsa, një person është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • Arrestohet shtetasi i huaj në Kamenicë, hyri përmes rrugëve ilegale

    Arrestohet shtetasi i huaj në Kamenicë, hyri përmes rrugëve ilegale

    Një shtetas i huaj është ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka hyrë ilegalisht në Kosovë.

    Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 të së shtunës, në fshatin Rogaqicë të komunës së Kamenicës.

    Gjatë patrullimit rutinë, policia ka ndaluar një automjet, ngasësi i të cilit dyshohet se ka kaluar kufirin përmes rrugëve ilegale.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërsa i dyshuari është dërguar në gjykatë për kundërvajtje.

  • Ambasadori suedez: Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit duhet të zbatohen

    Ambasadori suedez: Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit duhet të zbatohen

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se sa më shpejt duhet të formohen institucionet e Kosovës në mënyrë që të kryhen shumë punë të cilat nuk u kryen si shkak i mungesës së tyre.

    Ai ka thënë se është e rëndësishme që të formohet një qeveri stabile, qoftë e vetme apo edhe e koalicionit.

    “Nëse flasim për situatën parlamentare, mund të argumentohet se vrulli është humbur prej kohësh. Por le të fokusohemi te viti 2026-të. Zgjedhjet janë mbajtur, së shpejti do të kemi një qeveri të re dhe ka shumë çështje që duhen zgjidhur, veçanërisht sa i përket vendeve të punës, pensioneve dhe mirëqenies sociale. Për këto arsye, besoj se viti 2026 do të jetë një vit i mirë”, ka deklaruar Westerlund për EO.

    Derisa përmend miratimin e buxhetit dhe kredive nga Banka Botërore, ambasadori suedez thekson se duhet të ecet përpara me dialogun Kosovë – Serbi.

    “Natyrisht, nuk kam asnjë mendim se cila qeveri apo cili subjekt politik do të fitojë. Është gjithmonë mirë të kemi një qeveri stabile, qoftë ajo një qeveri koalicioni apo një qeveri e vetme. Duhet të miratohet buxheti, duhet të miratohen një sërë kredish nga Banka Botërore. Duhet të ecim përpara sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, theksoi ai.

    Ambasadori potencon se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura, ajo e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.

    “Mendoj se e ardhmja e Kosovës është shumë e ndritshme, si në aspektin e punësimit dhe zhvillimit të kompanive, ashtu edhe në lidhje me dialogun e normalizimit. Dialogu ka qenë në vazhdim që nga viti 2011. Kemi mbi 90 marrëveshje, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023 dhe aneksin e Ohrit. Këto marrëveshje duhet të zbatohen”, deklaroi ai.

  • Arrestohet një burrë në Kaçanik, dyshohet se sulmoi fizikishr prindërit dhe motrën e tij

    Arrestohet një burrë në Kaçanik, dyshohet se sulmoi fizikishr prindërit dhe motrën e tij

    Të premten në Kaçanik një person është arrestuar për dhunë në familje.

    Ai dyshohet se ka rrahur nënën, babanë dhe motrën e tij.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait, nënës dhe motrës së tij”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    “I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Rasti i krerëve të UÇK-së: Më 19 janar dorëzohen dosjet përfundimtare në Speciale

    Rasti i krerëve të UÇK-së: Më 19 janar dorëzohen dosjet përfundimtare në Speciale

    Të hënën, më 19 janar, në Gjykatën Speciale të Hagës do të dorëzohen dosjet përfundimtare në rastin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Prokuroria, avokati i viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’i dorëzojnë dosjet përkatëse trupit gjykues.

    Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, mbetet fjala përfundimtare, e cila pritet të mbahet nga 9 deri më 18 shkurt, ndërsa me përfundimin e saj procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.

    Krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.

    Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për të shpallur vendimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.

    Detajet për procesin:

    Në nëntor 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan pas konfirmimit të një aktakuze dhe lëshimit të fletarrestimeve nga një gjykatës. Prokuroria pretendon se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Pretendohet se këtu përfshiheshin persona që konsideroheshin se bashkëpunonin me forcat jugosllave dhe kundërshtarë politikë.

    Gjatë fazës paraprake, Prokuroria i tregoi Mbrojtjes mijëra faqe prova. Mbrojtja kreu hetimet e veta dhe ngriti kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Viktimat aplikuan për të marrë pjesë. Në proces marrin pjesë 155 viktima. Midis prillit 2023 dhe prillit 2025, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë. Midis shtatorit dhe nëntorit 2025, ekipet e Mbrojtjes thirrën 7 dëshmitarë. Secila palë pati mundësinë të bëjë pyetje dhe të kundërshtojë dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga pala tjetër.

    Sipas ligjit, një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim vetëm nëse gjykatësit konstatojnë se ekzistojnë rreziqe që e përligjin atë. Deri tani, në më shumë se 25 rishikime të paraburgimit, gjykatësit kanë konstatuar se z. Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë paraqisnin rrezik të kryerjes së veprave penale të tjera, konkretisht kundër personave që kishin dhënë dëshmi ose që pritej të jepnin dëshmi para Dhomave të Specializuara.

    Gjykatësit kanë theksuar gjithashtu se paraburgimi synon të parandalojë rrezikun e hakmarrjes kundër dëshmitarëve ose përpjekjet për të nxitur një dëshmitar që të tërheqë dëshminë e tij. Gjykatësit do të vazhdojnë të vlerësojnë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i nevojshëm për trajtimin e këtyre rreziqeve.

    Sa i takon parimit të procesit publik, 134 dëshmitarë që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit gjatë gjykimit, e bënë këtë në seancë publike, 61 prej këtyre dëshmitarëve dhanë dëshmi pas asnjë masë mbrojtëse. Kjo pavarësisht se transparenca, është kritikuar dukshëm.

  • Ministria del me njoftim për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, i paralajmëron për rregullat dhe pasojat nëse s’i respektojnë

    Ministria del me njoftim për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, i paralajmëron për rregullat dhe pasojat nëse s’i respektojnë

    Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë më një njoftim lidhur me shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për të Huajt.

    MPB ua ka kujtuar se me rastin e hyrjes në Kosovë, të huajt duhet të posedojnë document të vlefshëm udhëtimi, të posedojnë vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, të respektojnë qëllimin apo afatin e qëndrimit, të lajmërojnë adresën e qëndrimit në afat prej ditës nga dita e hyrjes dhe të kenë mjete të mjaftueshme për jetesë, shkruan Reporteri.net.

    Me rast të qëndrimit afatshkurtër, Ministria ka sqaruar se të huajt mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda periudhës 180 ditësh pa vizë dhe se nuk lejohet puna gjatë kësaj periudhe pa leje.

    “Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim”, thuhet në njoftim.

    Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi, MPJD ka bërë me dije se kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;

    “Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë”, duke theksuar se puna pa leje është e ndaluar.

    Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.

    Sa i përket qëndrimit për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.

    “Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë”, thuhet në njoftim.

    Ministria ka paralajmëruar pasoja në rast shkeljeje, si:

    – anulimin e lejeqëndrimit,

    – shqiptimin e gjobës,

    – urdhërimin e largimit dhe

    – ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, theksohet në njoftim.