ATV

Tag: Ballina

  • Pas rinumërimit, ja sa vota humbi Fatmir Limaj në vendlindjen e tij

    Pas rinumërimit, ja sa vota humbi Fatmir Limaj në vendlindjen e tij

    Procesi i rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në disa komuna ka përfunduar, përfshirë edhe komunën e Malishevës.

    Pas këtij procesi, kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, i janë hequr 50 vota. Limaj, i cili pretendonte të kalonte pragun zgjedhor, nuk arriti të fitojë as në vendlindjen e tij.

    Më shumë vota se Nisma në Malishevë ka marrë Lëvizja Vetëvendosje.

    Sipas rezultateve përfundimtare pas rinumërimit, Limaj si kandidat ka grumbulluar gjithsej 6,885 vota në këtë komunë.

  • Rihapja e kutive të 28 dhjetorit, rinumërohen gati gjysma e votave

    Rihapja e kutive të 28 dhjetorit, rinumërohen gati gjysma e votave

    Pothuajse gjysma e vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit janë rinumëruar tashmë, teksa procesi është përmbyllur në 11 komuna.

    Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë rinumëruar 1 mijë e 240 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë, e që përkthyer në përqindje i bie 48.49 përqind e vendvotimeve, shkruan Reporteri.net.

    KQZ pati paralajmëruar se i gjithë procesi pritet të marrë deri në 2 javë kohë.

    Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.

    Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

    Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.

    Për pasojë, ditën e hënë, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej që në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

  • Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

    Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

    Dyshimet për manipulime të votave brenda partive janë shfaqur edhe në Skenderaj, ndonëse jo në një masë të theksuar.

    Pas rinumërimit të 100 për qind të votave, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i janë hequr 94 vota. Nga e njëjta parti, Shahin Dervishajt i janë zbritur 42 vota, ndërsa Sala Jasharit 36 vota.

    Dallime në numrin e votave janë evidentuar edhe te Lëvizja Vetëvendosje.

    Kaltrina Gruda ka rezultuar me 30 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Fatos Geci me 13 vota më pak.

    Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Halil Gecit i janë hequr 22 vota pas procesit të rinumërimit shkruan Telegrafi, transmeton Atvlive.tv

  • Çka thuhet në dokumentin e Bordit të Paqes që e nënshkroi edhe Osmani në emër të Kosovës?

    Çka thuhet në dokumentin e Bordit të Paqes që e nënshkroi edhe Osmani në emër të Kosovës?

    Kosova është ndër 19 shtetet që të enjten nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, një iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump, gjatë një ceremonie në Davos, Zvicër.

    Bordi i Paqes është një organ ndërkombëtar i ri, i krijuar për të mbikëqyrur zbatimin e planeve të paqes në zona të konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës, raporton timesofisrael.

    Ai përshkruhet si një “organ ndërkombëtar tranzitor” që synon rindërtimin e enklavës palestineze, me presidentin Trump në krye.

    Krijimi i tij është mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të SHBA-së, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar.

    Sipas dokumentit të nënshkruar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, Bordi i Paqes:

    Synon të promovojë stabilitet, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e konfliktit.
    Do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes sipas së drejtës ndërkombëtare dhe do të zhvillojë praktika të mira që mund të zbatohen nga kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

    Anëtarësia:

    Është e kufizuar në shtetet e ftuara nga kryetari dhe përfaqësohet nga presidenti ose kryeministri.
    Mandati standard është tre vjet, me mundësi rinovimi, përjashtuar shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë.
    Anëtarët mund të tërhiqen me njoftim me shkrim dhe mund të riftohen më vonë.
    Qeverisja e Bordit:

    Përbëhet nga shtetet anëtare dhe Bordi Ekzekutiv, që përfshin liderë botërorë.
    Mbledhjet për vendime organizohen të paktën një herë në vit, ndërsa Bordet Ekzekutive takohen çdo dy javë për tre muajt e parë dhe më pas çdo muaj.
    Vendimet merren me shumicë votash, me mundësi vetoje nga kryetari.

    Roli i kryetarit:

    Donald J. Trump është kryetar inaugurues dhe përfaqësues i SHBA-së.
    Ka autoritet ekskluziv për të krijuar, modifikuar ose shpërndarë subjekte ndihmëse dhe për të themeluar nënkomitete.
    Mund të caktojë pasues në rast dorëheqjeje ose paaftësie dhe të miratojë rezoluta për të zbatuar misionin e Bordit.
    Financimi:

    Bazohet në kontribute vullnetare.
    Bordi ka të drejtë të hapë llogari dhe të krijojë mekanizma kontrolli për buxhetin dhe shpenzimet.

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe ndryshimet në Kartë:

    Mosmarrëveshjet zgjidhen nëpërmjet bashkëpunimit miqësor, me kryetarin si autoritet përfundimtar.
    Ndryshimet mund të propozojnë Bordi Ekzekutiv ose një e treta e shteteve anëtare dhe miratohen me shumicë dy të tretash dhe konfirmim nga kryetari.
    Depozitimi dhe zyrtarizimi:

    Teksti origjinal dhe ndryshimet ruhen në SHBA dhe kopje u dorëzohen të gjithë nënshkruesve.
    Gjuha zyrtare është anglisht.
    Bordi mund të krijojë seli dhe zyra terreni dhe ka vulë zyrtare të miratuar nga kryetari.
    Në thelb, Bordi i Paqes është një strukturë ndërkombëtare me kryetar të caktuar, me mandat të qartë, procedura të vendosura për qeverisje, anëtarësim, financim dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që ka për qëllim të ndihmojë vendet në situata konflikti.

    Ndryshe, Osmani ka deklaruar se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin përfundimtar të përfaqësuesve të popullit.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Ferizaj, ishte dorëzuar dje në polici

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Ferizaj, ishte dorëzuar dje në polici

    Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Argjent Ramës, të dyshuarit për plagosjen e ndodhur në Ferizaj, i cili një ditë më parë është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, masa e paraburgimit është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës nga gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ilir Bytyqi.

    Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri Argjent Rama, me qëllim që ta privojë nga jeta viktimën A.D., ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të tij.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri me qëllim që të privoj nga jeta ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës A.D., duke i shkaktuar plagë nga arma e zjarrit në abdomen, dorë dhe regjion femoral, për pasojë i dëmtuari i`u është nënshtruar operimit në QKUK -Prishtinë. Si dhe se i pandehuri me datë, kohë dhe vend të shënuar si më lartë tek pika e parë e dispozitivit, në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm lidhur me armët ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën e zjarrit të llojit CZ, modeli 70, kalibri 7.65 MM”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

  • Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes do të dërgohet në Kuvend për ratifikim

    Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes do të dërgohet në Kuvend për ratifikim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot në Davos Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Osmani theksoi se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës, fuqizon sovranitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.

    “Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt!”, ka shkruar Osmani në facebook.

    Osmani shtoi se kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin final nga përfaqësuesit e popullit.

    “Faleminderit presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë!”, tha presidentja.

  • Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë duke qëndruar sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut me të cilin nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.

    Kjo u konfirmua për Telegrafin nga Yuliya Matsyk, zyrtare shtypi për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, fqinjësinë dhe zgjerimin.

    “Mund të konfirmojmë se EUSR Sorensen po organizon sot në Bruksel një takim të rregullt të Kryenegociatorëve mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Më shumë informacion mund të ndahet pas takimit”, tha Matsyk.

    Ndërkaq, këto takime zakonisht zhvillohen së pari ndaras mes lehtësuesit të BE-së me palët e pastaj, nëse palët bien dakord zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh. /Telegrafi/

  • Inaugurohet skaneri mobil për automjetet në Merdare, donacion nga SHBA në vlerë prej 2 milionë euro

    Inaugurohet skaneri mobil për automjetet në Merdare, donacion nga SHBA në vlerë prej 2 milionë euro

    Dogana e Kosovës inaguron sot një skaner mobil të automjeteve në pikën kufitare të Merdares.Pajisja mundëson skenimin e automjeteve pa nevojën e kontrollit fizik nga zyrtarët.

    Me rëndësi të veçantë është skenimi i pjesëve ku mundet të ketë pjesë të fshehura.Ky skaner, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka një vlerë prej rreth dy milionë eurosh.

  • Liderët e shteteve prapa, Trump ia shtrëngon duart presidentes Osmani pasi nënshkruan rezolutën për Bordin e Paqes

    Liderët e shteteve prapa, Trump ia shtrëngon duart presidentes Osmani pasi nënshkruan rezolutën për Bordin e Paqes

    Presidenti amerikan, Donald Trump e nënshkroi rezolutën inauguruese që do të përcaktojë mandatin e Bordit të Paqes për Gazën.

    Me liderët pjesëmarrës prapa, Trump hodhi nënshkrimin dhe më pas u kthye duke ia kapur dorën presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u rreshtua menjëherë pas tij.

    Ajo – sikur edhe liderët e tjerë të pranishëm – nënshkroi paraprakisht dokumentin për themelimin e Bordit të Paqes.

    Trump i quajti “yje” dhe “njerëzit më të mëdhenj, më të fuqishëm në botë”, liderët që po marrin pjesë në ceremoni.

  • Përfundon rinumërimi në 9 komuna, KQZ paraqet rezultatet

    Përfundon rinumërimi në 9 komuna, KQZ paraqet rezultatet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i rinumërimit të votave është përmbyllur plotësisht në 9 komuna.

    Rrjedhimisht, në QNR tashmë janë rinumëruar 1,029 nga 2,557 vendvotime.

    Në këtë qendër po vazhdon ky proces i verifikimit të tërësishëm të të gjitha vendvotimeve, pas vendimit të KQZ-së që i gjithë vendi të shkojë në rinumërim.

    Rezultatet e paraqitura mund t’i shihni në këtë LINK.