ATV

Tag: Ballina

  • Zgjatet për 12 muaj, afati për legalizimin e ndërtimeve pa leje

    Zgjatet për 12 muaj, afati për legalizimin e ndërtimeve pa leje

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka marrë vendim për vazhdimin e afatit për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në përputhje me nenin 9, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 06/L-024 për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

    Sipas këtij vendimi, afati për aplikim është vazhduar për herë të parë për një periudhë prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, duke filluar nga dita e nënshkrimit të vendimit. Vendimi është marrë duke marrë parasysh nevojën për kohë shtesë, me qëllim të realizimit të plotë të objektivave të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

    Nga autoritetet komunale bëhet e ditur se qytetarët e interesuar për legalizimin e objekteve të tyre mund të aplikojnë në Zyrat e Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUPMM), të vendosura në objektin e ri të Komunës së Vitisë.

    Institucionet përkatëse u bëjnë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë këtë afat shtesë dhe të kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit të përcaktuar.

  • Presidentja Osmani publikon pamje prej Davos, ku u ftua nga Trump për Bordin e Paqes

    Presidentja Osmani publikon pamje prej Davos, ku u ftua nga Trump për Bordin e Paqes

    Presidentja Vjosa Osmani ka arritur në Davos për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.

    Osmani është ftuar për ta përfaqësuar Kosovën në këtë bord nga Presidenti amerikan, Donald Trump.

    “Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes. 🇽🇰🇺🇸”, ka shkruar Osmani.

  • ​Sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari, publikohen video ku flasin Shaban e Hamëz Jashari

    ​Sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari, publikohen video ku flasin Shaban e Hamëz Jashari

    Sot janë bërë 28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

    Ishte 22 janari i vitit 1998 kur nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë (Skenderaj), kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve për t’i sulmuar.

    E sot, 28 vjet pas, Bekim Hamëz Jashari ka publikuar një video në Facebook, ku flet Shaban Murat Jashari, i cili tregon për këtë sulm të forcave serbe.

    Po në këtë video, flet Hamëz Jashari i cili thotë se “kurrë nuk do ta lëshojmë vendin, do të përgjigjemi me aq sa kemi mundësi”.

    E në postimin e tij në Facebook, Bekim Jashari shkruan se “gjithmonë gati, në çdo kohë, në mbrojtje të familjes dhe atdheut”.

    “22 Janar 1998 Prekaz. Gjithmonë gati, në çdo kohë, në mbrojtje të familjes dhe Atdheut. Frymëzimi i forcuar brez pas brezi kulmoi më 5, 6 dhe 7 mars, kur qëndresa u bë kushtrim, e kushtrimi histori, dhe sakrifica u shndërrua në përjetësi…”, shkruan Bekim Hamëz Jashari.

  • Rinumërohen 1.027 vendvotime

    Rinumërohen 1.027 vendvotime

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 1.027 kuti të votimit nga 2.557 sa do të rinumërohen në tërësi.

    Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit janë përfshirë edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të hënën të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.

    Të martën e kaluar, pas pranimit të një raporti ku ishin gjetur abuzime në QKN, KQZ-ja vendosi të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet në 10 komuna e në 28 të tjera nga 10%.

    Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin, për shpallje të rezultateve përfundimtare.

    Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.

    Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.

  • Sot në Bruksel mbahet takimi i parë për rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi

    Sot në Bruksel mbahet takimi i parë për rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi

    Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi i parë për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Burime të televizionit Teve1 bëjnë të ditur se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar në Bruksel, ku do të takohet me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Sipas të njëjtave burime, një nga temat kryesore të diskutimit në këtë takim do të jetë çështja e personave të pagjetur, një prej temave më të ndjeshme dhe të pazgjidhura të dialogut.

    Ky takim vjen pas vizitave të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, në Kosovë dhe Serbi, vizita që u panë si përpjekje për të riaktivizuar procesin e dialogut pas një periudhe stagnimi.

  • Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se ishte lider i shquar politik, intelektual i angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Ibrahim Rugova është në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Postimi i plotë i Albin Kurtit:

    Në 20 vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës

    Në ditën kur janë bërë dy dekada nga dita e vdekjes së tij, e përkujtojmë Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e Parë të Kosovës, liderin e shquar politik, intelektualin e angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe deri kur ai vdiq më 21 janar 2006. Andaj, i tërë roli dhe kontributi politik i Dr. Rugovës ishte i prejardhur dhe i artikuluar bashkë me një plejadë njerëzish me profile të ndryshme profesionale, që veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, u angazhuan publikisht dhe politikisht përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i qëndruan pranë Kryetarit Rugova.

    Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton.

    Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova.

    Ibrahim Rugova ka lindur në Cerrcë të Istogut, në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, më 2 dhjetor 1944, në një kohë kur po riokupoheshim në emër të çlirimit e kur Serbia po e operacionalizonte projektin e saj për pushtimin e Kosovës. Ai nuk e njohu fare babain e tij Ukën, meqë pikërisht në atë kohë të trazuar, si luftëtar vullnetar për mbrojtjen e Kosovës nga formacionet çetnike serbe, ai u zhduk së bashku me babain e tij prej shërbimit të fshehtë jugosllav, më 10 janar 1945.

    Pas përfundimit të shkollimit fillor në Istog dhe atij të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke i ndjekur të gjitha nivelet e studimit deri më 1984, kur doktoroi. Ai punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime, artikuj dhe libra studimorë. Ky studiues i letërsisë dhe i gjuhës, u fut në skenën politike në moshën 45 vjeçare, bashkë me kujdesin e tij për gjuhën dhe fjalën e shkruar.

    Trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës, është e kudondodhur gjithandej universit të politikëbërjes në Kosovë: nga LDK-ja te Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës dhe nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të tij, te trasuesit e rrugës së tij politike. Dr. Ibrahim Rugova, ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Mes kujtimesh dhe nderimesh për Dr. Ibrahim Rugovën, të parin President të Kosovës, në historinë e shtetndërtimit të saj.

  • ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se në dhjetor 2025 ka pasur rritje të përfituesve të disa skemave pensionale, përfshirë pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike (+12,6%), pensionet e FSK-së (+8,6%) dhe për veteranët e luftës (+2,7%).

    Ndërkohë, disa skema të tjera shënuan rënie, si pensionet invalidore (-27,5%), pensionet e Trepçës (-20,6%) dhe ndihma sociale (-10,3%).

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (12,6 %); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (8,6 %); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (8,0 %); skema e pensioneve bazike të moshës (7,5 %); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1 %); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (4,5 %); skema për veteranët e luftës (2,7 %). skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (0,8 %); skema e kompensimeve për personat e verbër (1,2 %)”

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-27,5 %); skema për pensionet e Trepçës (-20,6 %); skema për pensionet familjare (-10,6 %); skema e ndihmës sociale (-10,3 %); skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës (-2,0 %); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,4 %)”, deklaroi ASK.

  • “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    Me moton “Drejtësi, jo politikë”, do të protestohet më 17 shkurt në ora 14 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që qëllim ka vetëm mbrojtjen e çlirimtarëve të cilët po mbahen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Protesta do të organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, e cila gjatë një konference për media, Eliza Hoxha e Ismail Tasholli theksuan se data 17 shkurt nuk është zgjedhur rastësisht, por se ajo përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe me momentin historik të shpalljes së saj, duke e bërë këtë protestë një akt simbolik dhe qytetar në mbrojtje të parimit të drejtësisë.

    Platforma “Liria ka Emër” vlerëson se procesi gjyqësor në Hagë, i cili ka hyrë në fazën përmbyllëse pas më shumë se pesë vitesh, ka krijuar shqetësime serioze në opinionin publik. Zvarritja e procedurave, kompleksiteti i tyre, informacionet kontradiktore, si dhe perceptimi i ndikimit politik, kanë cenuar besimin qytetar se drejtësia po trajtohet si një proces thjesht juridik.

  • “Na bëj hallall oj hallë”, reagimi prekës i nipit pas vdekjes së gruas nga zjarri në Malishevë

    “Na bëj hallall oj hallë”, reagimi prekës i nipit pas vdekjes së gruas nga zjarri në Malishevë

    Zjarri që përfshiu një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës, ia mori jetën një gruaje 50-vjeçare. Rasti i rëndë ndodhi rreth orës 22:30 të së martës dhe vdekja e saj u konstatua në vendin e ngjarjes.

    Nga Policia e kanë konfirmuar për Klanin incidentin tragjik, ndërsa kanë reaguar edhe familjarët e së ndjerës.

    Nipi i viktimës që vjen nga familja Mazreku, në një postim në rrjete sociale, ka shkruar fjalë prekëse për vdekjen e hallës.

    Përkundër përpjekjeve, ajo tha se nuk arritën ta shpëtojnë.

    “Sot në orët e mbrëmjes e përfshiu zjarri njërën prej shtëpive në oborrin tonë. Pas gjitha përpjekjeve, fatkeqësisht nuk arriteëm ta shpëtojmë Hallën tonë me aftësi të kufizuara.

    Na bëjë hallall oj hallë. Kom mendu që për ty jemi në gjendje me bo gjithçka po ja që nuk arritëm t’i perballojmë flakës. Allahu ta past mëshiru shpirtin e bardhë. Falemnderit prej të gjithëve që i kishim afër e u munduan drejt qëllimit të mirë” – thuhet në postimin e saj.

    Digjet një shtëpi në Malishevë ku humb jetën një grua

  • Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 7 komuna

    Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 7 komuna

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Siç bëri të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një prononcim për Klankosova.tv, ky proces është përmbyllur plotësisht në shtatë komuna.

    “Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime. Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna”, tha ai.