ATV

Tag: Ballina

  • Paralajmërohet erë e fortë për nesër në Prishtinë, Komuna del me njoftim për qytetarët

    Paralajmërohet erë e fortë për nesër në Prishtinë, Komuna del me njoftim për qytetarët

    Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar për erë të fortë për të dielën krahas thirrjes për qytetarët që të kenë kujdes të shtuar.

    “Bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të kryeqytetit.

    Në këtë njoftim, qytetarët u udhëzuan që të sigurojnë objektet e lehta në ballkone, çati apo oborre dhe që të kenë kujdes kur lëvizin në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.

    Njoftimi i Drejtorisë:

     Shpejtësia e erës

     • Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë)

     • Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë)

    Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.

     Udhëzime dhe këshilla për qytetarët

    Pa krijuar panik, ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel:

     • Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).

     • Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.

     • Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.

     • Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.

     • Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 0800 122 44 ose 0800 122 33.

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.

    Qëndroni të informuar, tregoni kujdes dhe bashkëpunim.

  • Rinumërohen mbi 55% e vendvotimeve, kjo është renditja e partive

    Rinumërohen mbi 55% e vendvotimeve, kjo është renditja e partive

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të kontrollojë.

    Sipas të dhënave të përditësuara nga KQZ, deri më tani janë rinumëruar mbi 55,65% e fletëvotimeve.

    Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin me 46.81% të votave, ndërsa e ndjek Partia Demokratike e Kosovës me 22.05%.

    Në vendin e tretë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.48%, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.92% të votave.

    Njëherësh, KQZ ka bërë të ditur se deri dje procesi i rinumërimit është përmbyllur plotësisht në 21 komuna.

  • 109 të arrestuar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore

    109 të arrestuar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore

    Kryeprokurori Petrit Kryeziu në konferencën për media tha se 109 të ndaluar për veprat penale për falsifikim të rezultateve zgjedhore, dhënie e marrje të ryshfetit dhe kanosje.

    “Secili prej atyre që ka guxuar ti fusë duart në votat e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit.

    Për manipulime brenda llojit aty ku katër subjektet më të mëdha i kanë dërguar të preferuarit e tyre.

    Mund të kuptoheshin gabimet e vogla të dhjetëra votave. Edhe pse KQZ-ja s’ka ndonjë marzhë tolerance. Këtu bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara e falsifikuara. Pra, ka kandidatë që kanë nga 100-200 e deri mbi 6 mijë vota. Pra, mbi 6 mijë vota janë të flasifikuara për një kandidat. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim numri i manipuluar numri i manipuluar ka shkuar deri mbi 2 mijë vota. Pra, praktikisht në një klasë ku kanë votuar qytetarët.

    Në rajonin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim, pra vetëm një klasë që s’është keqpërdorur.

    Në komunën e Prizrenit janë shtuar hiç më pak se 40, 497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27,520. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota. Po, flasim për një organizim dhe dashje direkte për ta përmbytur rezultatin.

    Do të ishte e pamundur gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të të gjithë komisionerëve atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë më të mëdha të Kosovës”.

  • Aksioni për votat e manipuluara në Prizren, prokuroria thërret konferencë

    Aksioni për votat e manipuluara në Prizren, prokuroria thërret konferencë

    Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht kryeprokurori Petrit Kryeziu, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot, më 23 janar 2026, një konferencë për media lidhur me një aksion të zhvilluar nga kjo prokurori.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht kryeprokurori z. Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot (23 janar 2026) konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në rajonin e Komunës së Prizrenit.

    Konferenca do të mbahet në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren, kati tretë, salla e takimeve, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

  • Rexhepi merr ftesë nga gjykata serbe për flamurin shqiptar në Luginën e Preshevës

    Rexhepi merr ftesë nga gjykata serbe për flamurin shqiptar në Luginën e Preshevës

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, njoftoi se ka marrë sot një ftesë nga gjykata lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në institucionin zyrtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Në një postim në rrjetin social Facebook,, Rexhepi theksoi se kjo është një dëshmi e presionit institucional ndaj shqiptarëve në Preshevë, duke shtuar:

    “Flamuri trajtohet si shkelje, ndërsa diskriminimi si politikë shtetërore. Nuk do të tërhiqemi. Dinjiteti nuk gjykohet”, shkruan ai.

    Rexhepi riafirmoi vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e komunitetit shqiptar në rajon, pavarësisht sfidave institucionale.

  • Rinumërohen 50% të votave, në këtë link i gjeni rezultatet

    Rinumërohen 50% të votave, në këtë link i gjeni rezultatet

    Procesi i numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNE) është përmbyllur plotësisht në 19 komuna, ku tashmë janë përditësuar mbi 50% e vendvotimeve në gjithë vendin.

    Për pjesën tjetër po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas vendimit të KQZ-së.

    Në këtë LINK mund t’i gjeni rezultatet që tashmë janë procesuar.

    Kujtojmë se vendi shkoi në rinumërim të tërësishëm pas dallavereve gjatë numërimit, për çka sot pati edhe aksion në Prizren, ku u arrestuan mbi 100 zyrtarë komisionerë.

  • Takimi në Bruksel, Sorensen: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve

    Takimi në Bruksel, Sorensen: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve

    Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, konfirmoi se gjatë ditës së djeshme është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në përputhje me deklaratën e arritur mes liderëve në maj të vitit 2023.

    “Objektivi i Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të sigurojë mbyllje për familjet e tyre dhe të nxisë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”, deklaroi Sorensen.

    Komisioni do të mbështesë përpjekjet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i cili udhëhiqet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Roli i tij përfshin lehtësimin e aktivitetit të palëve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shqyrtimin e progresit.

    Sipas dakordimit, çdo palë – Lehtësuesi i BE-së, Kosova, Serbia apo Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq – mund t’i referojë Komisionit çështje që lidhen me zbatimin ose interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë rishikimin e Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të Grupit të Punës.

    “BE-ja i kushton shumë vëmendje faktit që Komisioni i Përbashkët do të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur shumë gjatë për përgjigje”, shtoi Sorensen.

    Takimi i 22 janarit në nivel kryenegociatorësh është vazhdimësi e ujdisë së arritur në dhjetor të vitit 2024 për Termat e Referencës të Komisionit. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq përfaqësojnë Kosovën dhe Serbinë, ndërsa në takimet e ardhshme, sipas paralajmërimeve, Kosovën pritet ta përfaqësojë Andin Hoti.

  • OVL-UÇK ngre dyshime që Specialja po përdor shkollat për fushatë kundër UÇK-së dhe ish-krerëve në Hagë

    OVL-UÇK ngre dyshime që Specialja po përdor shkollat për fushatë kundër UÇK-së dhe ish-krerëve në Hagë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim se ligjëratat që lidhen me Gjykatën Speciale nëpër shkolla në Kosovë mund të jenë përpjekje për të ndikuar opinionin publik dhe nxënësit kundër UÇK-së dhe ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë, duke paralajmëruar se këto veprime mund të shërbejnë si “fushatë” për krijimin e një terreni kundërshtues ndaj luftës çlirimtare.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha për EO se është i befasuar nga zhvillimet dhe se sipas tij një veprim i tillë është i papranueshëm.

    “Na ka ardhur befasi, sinqerisht nuk e kemi pritur që ndodh që një Gjykatë Speciale apo një Gjykatë që është e njëanshme, ju e dini që ajo është edhe një Gjykatë që nuk e kemi pranuar kurrë dhe nuk do ta pranojmë kurrë, që shkon dhe bën fushatë nëpër shkolla. Kjo ka ndodhur për herë të parë, unë nuk kam dëgjuar më herët, unë nuk e di se si drejtori i shkollës e ka pranuar ata përfaqësues të asaj gjykate që kanë shkuar dhe kanë bërë fushatë në shkolla. Ne nuk e dimë a kanë bërë fushatë anti-UÇK apo fushatë kundër UÇK dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe kundër atyre që janë në Hagë, presidentit dhe të tjerët. Apo janë duke përgatitur një terren që ta bindin opinionin, ku tash kanë filluar që të shkojnë edhe te fëmijët dhe nëpër shkolla që dëshirojnë me i bind edhe fëmijët me i kthy kundër UÇK-së”, tha ai.

    Gucati u bëri thirrje shkollave që të mos pranojnë aktivitete të tilla dhe kërkoi që autoritetet komunale të marrin masa ndaj drejtuesve të institucioneve arsimore që, sipas tij, kanë lejuar këto ligjërata.

    “Janë duke përgatitur ndonjë terren, me siguri për ne është e papranueshme, ne e dënojmë si akt të tillë. Ju bëj apel gjitha shkollave në Kosovë që mos t’i pranojnë gjykatën speciale që të bëjë fushatë apo ligjërata nëpër shkolla tona në Kosovë askund. Është mirë kryetari i komunës që të marrë masa ndaj atij drejtori, nuk po them me suspenduar nga puna, larg asaj, por me marrë masa disiplinore ndaj tij, kënd e ka pyetur, kush i ka dërguar atij. Që të japë llogari edhe ai, sepse atij nuk i kanë pikur nga qielli, dikush e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë le t’i pranojë përfaqësuesit e Gjykatës Speciale që të shkojnë në shkollën “Xhevdet Doda” me mbajt ligjërata apo me bërë fushatë në shkolla”, tha ai.

    Ai bëri thirrje që me këtë çështje të merret edhe Ministria e Arsimit. Gucati komentoi edhe reagimin e një nxënësi lidhur me këtë çështje.

    “Unë besoj që edhe nga Ministria e Arsimit edhe nga drejtorit e arsimit nëpër komuna, kush është ajo organizatë joqeveritare që organizon organizime të tilla dhe shkon në shkolla. Këta nuk kanë pyetur fare hiq, do të thotë drejtori e ka bërë krye në veti, pa pyetur drejtorin komunal. Mua më erdhi mirë nga ai nxënës që e shkruan, që në gjuhën shqipe i bie që ka kërkuar lirimin për presidentin dhe të tjerët. Më vjen mirë prej atij djali shumë, se ai nxënës është për meritë, me siguri ai ka dikë në familje pjesëtar të UÇK-së. Ndoshta tash kanë me sulmu, siç kanë me sulmu neve në Facebook, kanë me sulmu atë djalin në ‘Facebook’. Ai ka kallëzuar karakterin e vetë që është shqiptar, që e do vendin e vetë, që e do UÇK-në”, tha ai.

    Ndërkohë Gjimnazi “Xhevdet Doda” ka reaguar lidhur me, siç i ka quajtur, disa informacione të pasakta që po qarkullojnë në opinionin publik, duke sqaruar se në ambientet e saj nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

    Sipas reagimit zyrtar të shkollës, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon aktivitete edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

    Shkolla thekson se qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme dhe edukative.

    “Në ligjëratë janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative. Çdo interpretim apo pretendim që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar”, thuhet në reagim.

    Tutje, shkolla bën të ditur se organizata YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla të mesme dhe fakultete në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.

    Në reagim sqarohet gjithashtu se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për këtë aktivitet dhe se autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH).

    Në fund, shkolla kërkon ndjesë për çdo shqetësim apo keqkuptim të shkaktuar te nxënësit, prindërit dhe opinioni publik, duke garantuar se në të ardhmen do të ketë kujdes të shtuar në vlerësimin dhe miratimin e aktiviteteve të ngjashme.

    “Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik”, përfundon reagimi.

  • Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë eurosh, të ndara nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë, në Prishtinë.

    Hamiti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

    Lexoni të plotë njoftimin e tij:

    Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë

    Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

    Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.

    Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

  • Osmani: Në Davos shkova me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, biseda me Trump jashtëzakonisht pozitive për Kosovën

    Osmani: Në Davos shkova me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, biseda me Trump jashtëzakonisht pozitive për Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani ka zbuluar se Kosova e mori më 20 janar ftesën nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

    Osmani tha se ka shkuar në Davos vetëm pas kërkesës Shtëpisë së Bardhë që të jetë prezente për ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e kësaj organizate, shkruan Reporteri.net.

    Ajo deklaroi mbrëmë se shkoi atje vetëm për ta vënë firmën dhe se menjëherë do të niset për Kosovë.

    “Ne kemi marrë ftesën me datën 20 janar, por ka qenë shumë vonë në fakt kur ka arritur ftesa dhe në momentin që kemi marrë ftesën për t’u bërë anëtare themeluese e Bordit të Paqes, në të njëjtën kohë kemi marrë edhe kërkesën nga ana e Shtëpisë së Bardhë që të jemi në Davos me datën 22 janar për nënshkrim. Unë nuk kam qenë në Davos. Nuk e kam pas në plan fare në fakt të udhëtoj kësaj radhe, megjithatë pas ftesës nga Presidenti Trump që të jem në mesin e nënshkruesve të kësaj organizate të paqes, e cila udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht që menjëherë kemi udhëtuar. Jemi vetëm sot këtu, menjëherë pas mesnate nisemi për Kosovë”, ka deklaruar Osmani.

    E para e vendit e cilësoi ditën e djeshme me peshë historike.

    “Pra, është një ditë do të thoja me peshë historike për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, porn ë veçanti për Republikën e Kosovës. Për ne si shtet, anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi”, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në Bordin e Paqes si anëtare themeluese e me të drejta të plota.

    Osmani foli edhe për bisedën që pati me Trump gjatë nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, që e cilësoi si jashtëzakonisht pozitive.

    Tha se biseda ishte vazhdimësi e asaj që e kishin filluar në shtator të vitit të kalaur.

    “Mund ta ndaj që ka qenë një bisedë jashtëzakonisht pozitive për Kosovën dhe që është në interes të qytetarëve të Kosovës, këtë mund ta ndaj për momentin. Ka qenë vazhdimësi e bisedës që e kemi filluar në Kombet e Bashkuara në Neë York me datën 23 shtator, ka qenë vazhdimësi e kësaj”, ka thënë Osmani për Top Chanel.

    Marrëveshja do t’i dërgohet për ratifikim Kuvendit të Kosovës për ta marrë miratimin final.

    Liderët e Argjentinës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Bullgarisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Hungarisë, Indonezisë, Jordanisë, Katarit, Kazakistanit, Kosovës, Marokut, Mongolisë, Pakistanit, Paraguait, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Uzbekistanit janë ata që kanë vënë firmat e tyre në ditën e themelimit të këtij bordi.

    Trump e ka përshkruar organin e sapokrijuar si potencialisht “bordin më prestigjioz të formuar ndonjëherë”. Projekti e ka origjinën në planin e tij me 20 pika për armëpushim në Gaza, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por është zgjeruar shumë përtej mandatit të tij fillestar.