ATV

Tag: Ballina

  • Pas arrestimit për ryshfet, Rama pezullon nga puna tre zyrtarët komunalë

    Pas arrestimit për ryshfet, Rama pezullon nga puna tre zyrtarët komunalë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka pezulluar nga puna tre zyrtarë komunalë të cilët u arrestuan dje për marrje ryshfeti.

    Rama ka thënë se pezullimi nga puna të zyrtarëve komunalë do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore.

    Ai ka thënë se institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe do të ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin.

    “Njoftoj opinioni publik se, sot, kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre! Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që Kryeqyteti rithekson përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin. Kryeqyteti mbetet i përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”, ka thënë ai.

  • Manipulimi i votave, Qalaj mbledh kryeprokurorët – kërkon unifikim të hetimeve

    Manipulimi i votave, Qalaj mbledh kryeprokurorët – kërkon unifikim të hetimeve

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u diskutua trajtimi i rasteve që lidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë takimit, Qalaj ka vlerësuar angazhimin e prokurorëve të shtetit gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se institucionet e prokurorisë kanë vepruar me profesionalizëm dhe vigjilencë.

    “Gjatë procesit zgjedhor, prokuroritë kanë vepruar në përputhje me kompetencat ligjore, me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë”, ka deklaruar Qalaj.

    Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka informuar të pranishmit për koordinimin ndërmjet Koordinatores Nacionale dhe prokurorive, lidhur me rastet kur është evidentuar ose dyshuar për cenim të procesit zgjedhor.

    Ajo ka bërë të ditur se prokuroritë themelore kanë ndërmarrë veprime konkrete në rastet e dyshimeve për keqpërdorim apo falsifikim të votave, duke përfshirë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante.

    Edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore kanë raportuar për veprimet hetimore të zhvilluara, veçanërisht në rastet e dyshimeve për manipulim të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    Në përmbyllje të kolegjiumit, u.d. Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar unifikim të veprimeve dhe praktikave hetimore në të gjitha prokuroritë.

    “Është e domosdoshme që trajtimi i rasteve që ndërlidhen me keqpërdorimin apo falsifikimin e votave të bëhet në mënyrë të unifikuar dhe sa më efikase në nivel vendi”, ka theksuar Qalaj. /Telegrafi/

  • Kurti me ministra ndërojnë 17 civilët e vrarë në komunën e Gjakovës

    Kurti me ministra ndërojnë 17 civilët e vrarë në komunën e Gjakovës

    Kryeministri i në detyrë, Albin Kurti i shoqëruar nga ministra të kabinetit të tij dhe zyrtarë të Vetëvendosjes kanë marrë pjesë në përkujtim të 17 civilëve të pafajshëm ndër ta edhe katër martirët e familjes Lleshi.

    Ejup Maqedoni ka thënë se kjo tragjedi mbetet një nga plagët më të rënda të Gjakovës dhe dëshmi e çmimit të lartë të lirisë sonë.

  • Bordi i Paqes mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës

    Bordi i Paqes mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës

    Bordi i Paqes, iniciativë kjo e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, ka mirëpritur Republikën e Kosovës si anëtare themeluese e organizatës.

    Kështu ka shkruar Bordi në një postim në X.

    “Bordi i Paqes e mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, thuhet në postim.

    Bordi i Paqes është themeluar zyrtarisht të enjten e 22 janarit gjatë një ceremonie të posaçme në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos. Presidenti amerikan, Donald Trump firmosi kartën e nismës së re ndërkombëtare dhe më pas këtë e bënë edhe anëtarët themelues të Bordit të Paqes, 19 shtete që ishin prezente, mes tyre edhe Kosova.

    Presidentja Vjosa Osmani nënshkroi anëtarësimin e Kosovës në Borin e Paqes.

    Ajo ishte e vetmja lidere grua nënshkruese e iniciativës.

  • Rinumërohen 80 për qind e votave

    Rinumërohen 80 për qind e votave

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Deri në orën 07:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë rinumëruar gjithsej 80.60% e votave, apo 2.061 nga 2557 vendvotime.

    Ndërkohë, të martën, KQZ kishte bërë të ditur se procesi i rinumërimit ishte përmbyllur në 28 komuna.

  • Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit së bashku me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetarin në detyrë të Kuvendit, Dimal Basha kanë vënë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Kurti ka thënë se këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit.

    “Pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha vumë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë me plumba dhe gaz, që u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    Mbi 75 për qind e vendvotimeve janë rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi tha për Ekonomia Online se që nga 13 janari në QNR po zbatohen dy vendime të KQZ-së për rinumërimin e gjithsej 2 557 vendvotimeve, ku është zhvilluar procesi zgjedhor më 28 dhjetor.

    “Që nga data 13 janar dhe deri më sot, kur ka filluar dita e 15, në QNR është duke vazhduar zbatimi i dy vendimeve të KQZ-së, për rinumërimin e 914 vendvotimeve dhe ai për rinumërimin edhe të 1.643 vendvotimeve, që në përgjithësi kemi të bëjmë me rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2.557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor. Numri i vendvotimeve që janë rinumëruar, kur shënon pak pas mesditës, është më shumë se 75 për qind dhe sigurisht se këto të dhëna do të ndryshojnë deri në orën 16:00, kur do të përfundojë orari i punës për ndërrimin e parë”, tha ai.

    Sipas Elezit, procesi po zhvillohet sipas planit të paraparë dhe në QNR janë të angazhuara 76 ekipe numërimi.

    “Fillimisht procesi i rinumërimit, i cili ka filluar me datë 13 janar, është duke vazhduar sipas planifikimeve të KQZ-së. Në përgjithësi në QNR janë 76 ekipe numërimi të cilat angazhohen gjatë gjithë ditës. Sipas planifikimeve dhe dinamikës që është duke u zhvilluar këtu në QNR, atëherë KQZ planifikon që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, që i bie ditë e shtunë”, tha ai.

    Ai sqaroi se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të shkurtit, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa para certifikimit të zgjedhjeve.

    “Fillimisht pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të muajit shkurt, KQZ planifikon që të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme. Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtij rezultati fillimisht në PZAP dhe pastaj palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme nëse janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së. Pra, KQZ duhet të presë të kalojnë këto afate kohore para se të bëjë procedime të tjera. Koha se sa duhet që KQZ ta certifikojë rezultatin përfundimtar pasi të bëjë shpalljen e këtij rezultati varet krejtësisht nga ankesat të cilat mund të paraqiten ndaj rezultatit përfundimtar”, tha ai.

  • Kryeprokurori i Prishtinës për arrestimin e tre zyrtarëve të Komunës: Njëri nga ta është zënë në flagrancë

    Kryeprokurori i Prishtinës për arrestimin e tre zyrtarëve të Komunës: Njëri nga ta është zënë në flagrancë

    Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar për marrje ryshfeti, ndërsa njëri nga ta është kapur në flagrancë në mëngjesin e sotën, raporton Ekonomia Online.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka treguar për Ekonomia Online se arrestimi ndodhi mëngjesin e sotëm dhe se hetimet janë duke vazhduar. Ai nuk dha më shumë detaje.

    “Janë shoqëruar tre persona të dyshuar, zyrtarë të komunës së Prishtinë nën dyshimin për marrje të ryshfetit. Njëri nga ta është zënë në flagrancë në kryerje të veprës penale”, tha shkurt Gashi.

    Ndërsa përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, me masa të veçanta hetimore ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin e veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ në bazë të nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

    Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari I komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qellim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për të gjitha veprat penale të natyrës së korrupsionit.

  • Veliu kërkon reformim në degën e Podujevës: Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet  do të vazhdojnë

    Veliu kërkon reformim në degën e Podujevës: Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet do të vazhdojnë

    Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Agim Veliu, ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të degës së partisë në Podujevë.

    Ai ka thënë se kjo degë Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative.

    “ Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi. Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ai ka thënë se nuk kërkon privilegje, por se do të angazhohet për reformim.

    “Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur. Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël. LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj. Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë”, ka shkruar Veliu.

  • I zhdukur gjatë luftës, gjendet trupi i Rasim Mehmet Kocit

    I zhdukur gjatë luftës, gjendet trupi i Rasim Mehmet Kocit

    Pas 26 vitesh e 10 muajsh pritjeje, është gjetur trupi i pajetë i Rasim Mehmet Koci (i lindur më 1957), i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë, gjatë luftës në Kosovë.

    Sipas familjarëve, Rasim Mehmet Koci ishte arrestuar nga forcat serbe, më pas ishte vrarë dhe trupi i tij ishte zhdukur.

    Pas rreth 27 vitesh ankthi dhe pasigurie, mbetjet mortore të tij janë identifikuar dhe do t’i dorëzohen familjes të premten, më 30 janar 2026.Familja Koci është një nga familjet që ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës në Kosovë.

    Përveç Rasim Mehmet Kocit, kjo familje ka dhënë edhe dy martirë të tjerë:Afrim Idriz Koci dhe Besim Idriz Koci, të cilët u vranë brutalisht më 25 mars 1999 nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.Homazhet për viktimën e luftës Rasim Mehmet Koci do të mbahen më 31 janar 2026, nga ora 12:00 deri në 13:00, në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 13:30, në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat.Familja Koci fton qytetarët, institucionet dhe mediat që të marrin pjesë në nderimin e jetës, sakrificës dhe kujtimit të martirëve të saj.Familja Koci – Gjakovë. /Indeksonline