ATV

Tag: Ballina

  • Shtyhet për 27 shkurt fillimi i procesit të dytë gjyqësor ndaj Hashim Thaçit

    Shtyhet për 27 shkurt fillimi i procesit të dytë gjyqësor ndaj Hashim Thaçit

    Gjykata Speciale ka njoftuar se fillimi i gjykimit në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit është shtyrë për datën 27 shkurt.

    Rasti ishte paraparë të niste më 24 shkurt.

    “Më 28 janar 2026, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe urdhëroi që gjykimi në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të fillojë të premten, 27 shkurt 2026, në vend se më 24 shkurt, siç ishte caktuar më parë”, thuhet në një njoftim.

    Ky është procesi i dytë në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Në këtë që pritet të nisë tash më 27 shkurt do të paraqiten tre dëshmitarë, natyra dhe përmbajtja e të cilëve është zbuluar nga Prokuroria.

  • Njofton KQZ: Të premten pritet të përfundojë rinumërimi

    Njofton KQZ: Të premten pritet të përfundojë rinumërimi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke planifikuar që procesin e rinumërimit të vendvotimeve ta përmbyllë të premtën, më 30 janar.

    Lajmi është konfimuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se sot, rinumërimi ka hyrë në ditën e 17-të.

    “Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 29 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar rreth 88% apo 2,245 nga 2,557 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që deri më tani kanë përmbyllur rinumërimin janë 34, ndërkaq kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 312 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces”, tha Elezi.

    Sipas tij, “rinumërimi i vendvotimeve të mbetura besojmë se do të kryhet gjatë këtyre dy ditëve”.

    I pyetur se nëse rezultatet përfundimtare do të shpallen të premtën, pas përfunimit të rinumërimit, Elezi tha se kjo varet nga ora se kur do të përfundojë rinumërimi dhe se për këtë do të vendosë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Elezi ka njoftuar ditë më parë se “pas përfundimit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”.

    Për rinumërim, KQZ kishte marrë dy vendime, sipas të cilave, ky proces përfshin të gjitha vendvotimet ku është zhvilluar votimi i rregullt më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Por, pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit u përfshin edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.

  • Rinumërimi në Pejë, ish-kandidatit të VV-së për kryetar komune i hiqen rreth 1 mijë vota

    Rinumërimi në Pejë, ish-kandidatit të VV-së për kryetar komune i hiqen rreth 1 mijë vota

    Ish-kandidatit për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, pas përmbylljes së rinumërimit në Komunën e Pejës, i janë hequr 955 vota.

    Procesi i rinumërimit në nivel të vendit ka nisur me vendim të KQZ-së, meqë përgjatë procesit të rinumërimit të pjesshëm në Prizren ishin shfaqur manipulime të mëdha në votat e deputetëve brenda partive politike.

    Deri tani në faqen e KQZ-së tregohet se procesi i rinumërimit në të gjithë vendin ka shkuar afër 90% dhe me shumë gjasë mund të përmbyllet gjatë ditës.

  • Prokuroria vazhdon aksionin kundër grupit të dytë të të dyshuarve për manipulim me vota në Prizren, intervistohen disa persona

    Prokuroria vazhdon aksionin kundër grupit të dytë të të dyshuarve për manipulim me vota në Prizren, intervistohen disa persona

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.

    Hetimet, siç thuhet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Duke marrë parasysh interesimin e madh të mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin për media.

  • AUV nis asgjësimin e produktit APTAMIL AR 2, largohen nga tregu 212 pako

    AUV nis asgjësimin e produktit APTAMIL AR 2, largohen nga tregu 212 pako

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se do të asgjësojë produktin ushqimor APTAMIL AR 2 – 400 gram, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pas njoftimit të pranuar nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).

    Sipas AUV-së, situata është nën kontroll të plotë dhe institucionet përkatëse janë duke vepruar me përgjegjësi maksimale, ndërsa veprimet janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informacionit nga RASFF.

    “Nga momenti i njoftimit e deri më sot, nga tregu janë tërhequr 212 pako të produktit APTAMIL AR 2 – 400 g, me datë skadimi 02.01.2027, të cilat, sipas AUV-së, “do të asgjësohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

    AUV njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnje “APTAMIL AR 2″

    Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me gjurmueshmërinë e shpërndarjes së produktit APTAMIL AR 2 dhe me tërheqjen e tij nga tregu, deri në eliminimin e plotë të produktit nga qarkullimi.

    Në komunikatë theksohet se, pavarësisht mungesës së theksuar të inspektorëve, AUV garanton se “mekanizmat e sigurisë ushqimore janë funksionalë dhe se shëndeti i konsumatorëve mbetet prioritet absolut i Agjencisë”.

    Në fund, AUV riafirmon përkushtimin e saj në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, me qëllim ruajtjen e besimit të qytetarëve, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.

  • Osmani tregon detaje për takimin me Trump: Roli i SHBA-së në paqen dhe sigurinë e Kosovës është i pazëvendësueshëm

    Osmani tregon detaje për takimin me Trump: Roli i SHBA-së në paqen dhe sigurinë e Kosovës është i pazëvendësueshëm

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

    Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

    “Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.

    Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

    “Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.

    Presidentja sqaroi se diskutimet me Trump kanë qenë edhe të natyrës diskrete dhe se detajet do të bëhen publike në një periudhë tjetër.

    “Këto janë diskutime diskrete dhe është mirë që, për hir të ecjes përpara të shtetit tonë dhe të relacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detajet t’i themi në një moment tjetër”, tha Osmani.

    Ajo theksoi se takimet me Presidentin amerikan janë zhvilluar në frymën e falënderimit për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.

    “Ka qenë një diskutim falënderimi për rolin që Shtetet e Bashkuara po e luajnë për Kosovën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Amerika i jep shtetit tonë”, përfundoi Osmani.

  • Naim Murseli deklarohet në Gjykatë: Liridona ishte nënë e mrekullueshme dhe grua e devotshme

    Naim Murseli deklarohet në Gjykatë: Liridona ishte nënë e mrekullueshme dhe grua e devotshme

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademjat, ku të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, Granit Palva dhe Kushtrim Kokalla.

    I akuzuari kryesor, Nami Murseli po deklarohet në gjykatë.

    Mbrojtësi i Naim Murselit, avokati Shemsedin Piraj është duke e marrë në pyetje të akuzuarin.

    Murseli e ka përshkruar marrëdhënien e tij me Liridonën si shumë të mirë, të cilën e ka përshkruar si nënë të mrekullueshme dhe grua të devotshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kemi pasë 11 vite martesë me Liridonën, si rezultat kemi dy fëmijë dhe marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mire. Ka qenë një grua e mrekulleshme, nënë e përkushtuar dhe shumë e devotshme. Liridona kishte shumë dëshirë të bëhet nënë dhe kishte probleme me mbetë shtatzënë, por më pas na u realizua ëndrra ajo u bë nënë dhe unë u bëra babë. Çdo gjë ka qenë në rregull mes neve”, tha Murseli në Gjykatë.

  • Rinumërohen gati 88% e votave

    Rinumërohen gati 88% e votave

    Procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është drejt përfundimit.

    Sipas përditësimit më të fundit të KQZ-së, deri në mëngjesin e së enjtes janë rinumëruar 2,244 vendvotime, që përbëjnë 87,76% të totalit prej 2,557 vendvotimeve të parashikuara për rinumërim.

    Ky proces, i cili ka nisur më 13 janar 2026, ka përfunduar tashmë plotësisht në 30 komuna.

    Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.

  • Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

    Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

    Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar më 22 janar një operacion policor në kuadër të hetimeve të koordinuara ndërkombëtarisht, përmes EUROPOL-it dhe Prokurorisë Distriktuale të Republikës së Katanias. Operacioni, i njohur si “Switch Off”, që synon goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive.

    Gjatë aksionit në Kosovë, janë bastisur dy lokacione – një në Prishtinë dhe një në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit – nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Cenim i të drejtave të autorit” dhe “Shpëlarja e parave”.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy lokacione, ku është sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të implikuar”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicialet P.B.

    Operacioni është zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali dhe Rumani, duke çrrënjosur një infrastrukturë informatike që shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, përmes një sistemi sofistikuar IPTV. Në hetim kanë bashkëpunuar gjithashtu Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.

    “Operacioni tregon përkushtimin tonë të palëkundur në luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.

    Sekuestrimi i paisjeve kompjuterike dhe bazave të të dhënave ka ndërprerë aktivitetet e paligjshme të këtij grupi në Kosovë dhe në disa shtete të tjera, duke dërguar një mesazh të qartë për goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive.

  • Kryeprokurori i Gjakovës pas aksionit në Malishevë: 15 kryesues janë ndaluar për 48 orë, hetimet do të vazhdojnë

    Kryeprokurori i Gjakovës pas aksionit në Malishevë: 15 kryesues janë ndaluar për 48 orë, hetimet do të vazhdojnë

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Enis Gashi në konferencën e sotme ka thënë se nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar 15 kryesues dhe 43 komisionerë.

    “15 kryesues janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të vendosë në lidhje me masën e sigurisë, ndërsa për 43 komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale”, tha ai.

    Ai tha se në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të departamentit për krime të rënda.

    Gashi shtoi se hetimet do të vazhdojnë edhe më tutje, edhe për kryesuesit e komisionerët e tjerë që “nuk kanë arritur t’i kenë prezent”.