ATV

Tag: Ballina

  • Sot afati i fundit për ankesa në PZAP

    Sot afati i fundit për ankesa në PZAP

    Afati për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përfundon sot në ora 11:00, para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të procedojë me certifikimin e rezultateve zgjedhore.

    Një ankesë tashmë është paralajmëruar nga Igor Simiq, kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe.

    Ky reagim vjen pas vendimit të së shtunës në KQZ, ku lista e kandidatëve të kësaj partie nuk u miratua, me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë të komisionit abstenuan.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP ka në dispozicion katër ditë për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me ankesat e paraqitura.

    Pas shpalljes së vendimit, palët kanë të drejtë ankese edhe në Gjykatën Supreme brenda dy ditësh, ndërsa kjo e fundit duhet të marrë vendim brenda afatit prej tri ditësh.

  • Prokuroria në Mitrovicë kërkon paraburgimin e 10 personave për manipulim me vota

    Prokuroria në Mitrovicë kërkon paraburgimin e 10 personave për manipulim me vota

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 10 personave të cilët janë ndaluar të dielën nën dyshimin se kanë kryer veprën “falsifikim i rezultateve të votimit”.

    Lajmin e ka bërë të ditur për Reporteri.net Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    34 persona janë ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për shkak të dyshimeve se kanë manipuluar me rezultatin zgjedhor në dy komunat e Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Të dielën janë intervistuar 43 persona të përfshirë në numërimin e votave në pesë komuna.

    Ditëve të kaluara janë ndaluar e paraburgosur edhe komisionerë e vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren, Malishevë e komuna të tjera.

  • Shaip Kamberi kritikon Aleksandar Vuçiqin, paralajmëron tensione për shqiptarët e Luginës

    Shaip Kamberi kritikon Aleksandar Vuçiqin, paralajmëron tensione për shqiptarët e Luginës

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke paralajmëruar se ky vendim mund të sjellë tensione serioze për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

    Në një prononcim për “Bota sot”, Kamberi vlerëson se Serbia nuk përballet me kërcënime reale të sigurisë dhe se ky hap reflekton frikë dhe pasiguri politike të pushtetit në Beograd.

    Sipas tij, Vuçiq e përdor shërbimin ushtarak për të mobilizuar nacionalizmin, për t’u paraqitur si “mbrojtës i shtetit” dhe për të forcuar kontrollin politik dhe ideologjik mbi shoqërinë, veçanërisht mbi të rinjtë.

    Kamberi ka theksuar se ky vendim ngjall shqetësime të thella për shqiptarët e Lugina e Preshevës, të cilët historikisht kanë qenë të diskriminuar në institucionet shtetërore serbe, përfshirë ushtrinë.

    Ai ka rikujtuar edhe vrasjen e 135 të rinjve shqiptarë që shërbyen në ish-APJ gjatë viteve ’80, raste që nuk u hetuan kurrë, duke e cilësuar rikthimin e shërbimit ushtarak si burim frike dhe pasigurie për komunitetin shqiptar.

    Në fund, Kamberi i ka bërë thirrje Serbisë që të ndalë militarizimin dhe të investojë në demokraci, barazi dhe respektimin e të drejtave të pakicave, duke paralajmëruar se pa këto reforma, shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të mbetet burim tensioni dhe padrejtësie për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

  • Osmani kujton Elfete e Mentor Humollin: Guximi i tyre na frymëzon përjetësisht

    Osmani kujton Elfete e Mentor Humollin: Guximi i tyre na frymëzon përjetësisht

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Elfete Humollin në përvjetorin e vrasjes së saj, duke e cilësuar si simbol të guximit dhe dashurisë për atdheun.

    “Në moshën vetëm 16 vjeçare, Elfete Humolli u ngrit kundër shtypjes dhe dhunës së regjimit kriminal serb, duke na treguar se guximi dhe dashuria për atdheun nuk kanë çmim. Në përvjetorin e vrasjes së saj, vizituam familjen Humolli në Lupç të Poshtëm, vendosëm kurorë lulesh dhe nderuam kujtimin e vëllait, Mentorit, i cili ra dëshmor në Koshare në mars 1999. Motra dhe vëllai u bashkuan në të njëjtën kauzë të shenjtë për lirinë e vendit. Kosova, sot është e lirë, ndërsa guximi i Elfetës dhe Mentorit na frymëzojnë përjetësisht!”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

  • Vdes një grua në QKUK, Policia po e trajton rastin si shtytje në vetëvrasje

    Vdes një grua në QKUK, Policia po e trajton rastin si shtytje në vetëvrasje

    Policia ka nisur hetimet lidhur me një rast ku një femër kosovare ndërroi jetë gjatë trajtimit në QKUK. Ngjarja është regjistruar si shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje.

    Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është bërë e ditur se një femër kosovare, e cila po trajtohej në institucionin shëndetësor, pësoi keqësim të gjendjes dhe ndërroi jetë.

    Rasti është regjistruar nga autoritetet si shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

    Hetimet për rrethanat e ngjarjes janë duke vazhduar, raporton RTK.

  • Skandali “Epstein”: Jep dorëheqjen Miroslav Lajçak, publikohen mesazhet tronditëse për “vashat ruse” dhe takimet në SHBA

    Skandali “Epstein”: Jep dorëheqjen Miroslav Lajçak, publikohen mesazhet tronditëse për “vashat ruse” dhe takimet në SHBA

    Ish-emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është larguar nga pozita e këshilltarit të Kryeministrit sllovak, Robert Fico. Dorëheqja vjen pas publikimit të mbi 3 milionë dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, ku zbardhet komunikimi i tij me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

    Oferta për gra dhe motrat e tyre: “Nuk e dinë si jam në aksion”

    Dokumentet gjyqësore të publikuara të premten në SHBA shpërfaqin një marrëdhënie jashtëzakonisht të afërt mes Lajçakut dhe Epstein. Sipas mesazheve të vitit 2018 të publikuara nga gazeta Dnevnik N, komunikimi mes tyre kalonte përtej diplomacisë.
    Në një prej shkëmbimeve, Epstein i ofronte Lajçakut gra, duke ironizuar se ato mund të ishin shumë të reja për të (nën moshën 30-vjeçare). Përgjigjja e Lajçakut, sipas dosjes, ishte: “Mos u bë i keq. Nuk e dinë si jam në aksion.”

    Bisedat e tjera përfshijnë komente për vajza në Kiev dhe Moskë. Për një foto nga Rusia, Epstein shkruante se ato janë “eksporti më i mirë rus”, ndërsa Lajçaku i përgjigjej me shaka: “Pas naftës”, shkruan Dnevnik N.

    Emri i Lajçakut përmendet qindra herë

    Përkundër mohimeve të Lajçakut, dokumentet e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së tregojnë se kontakti nuk ishte sporadik. Ai identifikohet me emrin e afërt “Miro”, ndërsa bisedat datojnë kryesisht nga koha kur ai shërbente si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Dosja përmban të dhëna për:

    Takime dhe dërgesa të përbashkëta.

    Vizita të mundshme në rezidencën e Epstein në Florida, vendi ku u abuzuan vajza të mitura.

    Mbi 180 mijë fotografi dhe 2 mijë regjistrime video që janë pjesë e grupit të ri të dokumenteve.

    Fico pranon dorëheqjen, sulmon opozitën

    Kryeministri sllovak, Robert Fico, njoftoi se e ka pranuar ofertën e Lajçakut për të ndërprerë bashkëpunimin, ndonëse e cilësoi atë si një “humbje të një burimi të jashtëzakonshëm përvoje”. Në një deklaratë të transmetuar nga Dnevnik N, Fico sulmoi kundërshtarët politikë:

    “Miro e ka dëshmuar veten si një diplomat i shkëlqyer… Është e çuditshme që media dhe opozita nuk shënjestrojnë liderin e opozitës Simecek, i cili paraqet rrezik më të madh se Lajçaku,” deklaroi Fico.

    Mohimi i Lajçakut

    Miroslav Lajçak ka mohuar kategorikisht interpretimet e mesazheve, duke thënë se kurrë nuk ka komunikuar me Epstein për gra. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka specifikuar se publikimi i këtyre dokumenteve (shumë prej të cilave raporte të paverifikuara) nuk do të thotë domosdoshmërisht konfirmim i vërtetësisë së çdo pretendimi.

    Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për trafikim seksual. Vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje.

  • 43 kryesues të QNR-ve në Mitrovicë do të intervistohen pas dyshimeve për manipulim me vota

    43 kryesues të QNR-ve në Mitrovicë do të intervistohen pas dyshimeve për manipulim me vota

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar Hetimet Rajonale që të intervistohen 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit të Komunave Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Kjo për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit nëpër këto komuna.

    Rinumërimi i plotë i votave ka zbuluar manipulime të mijëra votave të kandidatëve për deputetë dhe ka vënë prapa grilave të paraburgimit dhjetëra zyrtarë. Hetimet janë zgjeruar në disa komuna, por ato ende nuk kanë prekur kandidatët për deputetë. Prokurorja Laura Pula ka paralajmëruar se edhe ata mund të jenë objekt hetimi.

    Provat e siguruara deri më tani kanë treguar se për manipulimin e rezultatit zgjedhor, përveç ryshfetit, është përdorur edhe kanosja.

  • Ditë vendimtare për LDK-në: Abdixhiku vazhdon apo zgjidhet kryetar i ri?

    Ditë vendimtare për LDK-në: Abdixhiku vazhdon apo zgjidhet kryetar i ri?

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot, për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, një mbledhje që pritet të përcaktojë të ardhmen e udhëheqjes së partisë.

    Kuvendarët e LDK-së do të përballen me vendimin nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, do të vazhdojë në detyrë apo do të zgjidhet një kryetar i ri.

    Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku kishte njoftuar se do të ofronte dorëheqjen e tij në Kuvend, duke lënë vendim për pranimin e saj te kuvendarët.

    Megjithatë, anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, ka cilësuar dorëheqjen si akt të kryer dhe ka shpallur kandidaturën për kryetar.

    Disa anëtarë të partisë kanë shprehur publikisht mbështetjen për Abdixhikun, ndërsa të tjerë i kanë kërkuar dorëheqjen, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, e cila dha dorëheqje nga pozita e nënkryetares.

    Kuvendi i Punës, i thirrur nga LDK-ja, do të nisë punimet nga ora 12:00. Sipas njoftimit zyrtar, mediat do të lejohen të përcjellin fjalën e Abdixhikut, ndërsa më pas Kuvendi do të mbahet i mbyllur për diskutime dhe vendime të brendshme.

  • 29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

    29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

    Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

    Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët e tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë.

    Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan. Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake.

    Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në vitin 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

    Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

    Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

    Për të gjithë aktivitetin e tij ndihmën më të madhe ia ka dhënë kushëriri i tij Fadil Pajaziti i cili ishte një biznesmen dhe pothuajse të gjithë financimin e ka pasur nga ai.

    Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.

    Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo.

    Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

    Hakif Zejnullahu ka një kontradiktë mes heshtjes së tij dhe punës së bërë prej tij. Nëse heshtjen e ka të jashtëzakonshme, punën e ka po ashtu të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

    Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme.

  • Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024 në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe (VBA).

    Sipas Hoxhës, njëri nga tre të arrestuarit është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në këtë shërbim.

    “Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, tha Hoxha për RTK.

    Drejtori i Policisë ka shtuar se nga terreni janë mbledhur fakte të mjaftueshme, të ekzaminuara nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat tregojnë se personat e përfshirë, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer aktin terrorist.

    “Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat me krimin”, tha Hoxha.

    Ai ka folur gjithashtu edhe për situatën në veri, luftën kundër armëve ilegale, si dhe sfidat dhe sukseset e Policisë së Kosovës. Sipas raportit vjetor të policisë, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e veprave penale, veçanërisht vjedhjeve dhe grabitjeve. /rtk