ATV

Tag: Ballina

  • Republika e Kosovës sot feston 18-vjetorin e Pavarësisë

    Republika e Kosovës sot feston 18-vjetorin e Pavarësisë

    Sot, Republika e Kosovës shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Me rastin e këtij përvjetori, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të ndryshme festive.

    Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 minuta, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

    Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

    Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

    Programi i manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

    Agjenda:

    7:00 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverise)

    7:20 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Ndërtesa e Qeverisë)

    7:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi “Ibrahim Rugova”)

    7:35 – Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)

    8:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)

    8:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)

    9:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz (Prekaz)

    10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Kuvendi i Kosovës)

    11:25 – Nderime te Monumenti Heroinat (Rr. Luan Haradinaj)

    11:30 – Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës (Rr. Luan Haradinaj)

    17:30 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës

    20:00 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë)

  • Edi Rama arrin në qeveri, pritet me ceremoni shtetëtore nga Kurti

    Edi Rama arrin në qeveri, pritet me ceremoni shtetëtore nga Kurti

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Prishtinë në prag të 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Rama është pritur në qeveri me ceremoni shtetërore nga Kryeministri Kurti.

    Fillimisht me të arritur në Prishtinë, Rama pati një takim me Presidenten Vjosa Osmani.

    Kjo e fundit bëri të ditur se me të kishin biseduar angazhimin në Bordin e Paqes.

    Osmani dhe Rama theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, duke vlerësuar rolin konstruktiv të të dy shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin.

  • Avokati e përfundon deklaratën me fjalët e Byrnes: “E ndjeja njerzillëkun e Krasniqit, e donte paqen”

    Avokati e përfundon deklaratën me fjalët e Byrnes: “E ndjeja njerzillëkun e Krasniqit, e donte paqen”

    Mbrojtja e Jakup Krasniqit po vazhdon me paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Avokati Aiden Ellis u shpreh se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që Krasniqi ka ushtruar autoritetin e tij, siç pretendohet, për të kryer arrestime apo ndalime.

    “[Prokuroria] pretendon në mënyrë të pabazuar sipas nesh, që Jakup Krasniqi ka ushtruar autoritetin e vet për arrestimin dhe ndalimin e Blerim Kuqit. Prokuroria e di që këto pretendime, këto akuza nuk i ka provuar, kështu që është munduar të largohet nga to me argumentet me gojë”, tha Ellis.

    “Prokuroria as nuk ka prova që Kuqi është arrestuar në praninë e Krasniqit, dhe sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ia vlen të shkruhet një libër të tërë. Prokuroria nuk ka thirrur asnjë person që ka qenë prezent në momentin e arrestimit”, tha Ellis.

    Ai shtoi se para mbrojtjes, sipas tij, kanë lindur dyshime mbi dëshmitë e ZPS-së.

    Para trupit gjykues, Ellis po ashtu tha se forcat serbe kanë shkatërruar disa zona të Kosovës, teksa shtoi se Kuqi mund të jetë arrestuar për shkak të dezertimit.

    Fjalën e tij ai e përfundoi me fjalët e një dëshmitari ndërkombëtar, Shaun Byrnes.

    “Unë e ndjeja njerzillëkun dhe seriozitetin e tij, ai ishte në thelb një burrë që e donte paqen”, u shpreh Ellis.

  • Hamza dhe Abdixhiku kërkojnë që Prishtina të përfshihet në buxhetin e Kosovës

    Hamza dhe Abdixhiku kërkojnë që Prishtina të përfshihet në buxhetin e Kosovës

    Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet rreth miratimit të buxhetit të vendit, derisa nga opozita ka vërejtje rreth tij.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ndal edhe tek pjesa e buxhetit të Prishtinës, ku kërkoi nga Hekuran Murati, si ministër i Financave që ta bëjë pjesë të buxhetit.

    “Buxheti i Komunës së Prishtinës nuk është pjesë e këtij buxheti, andaj po i drejtohem ministrit të Financave që të bëhet pjesë e këtij buxheti”, tha Hamza.

    “Për disa çështjeve teknike, nuk duhet që Prishtina të mbetet jashtë këtij buxheti, andaj hapeni sistemin dhe të bëhet pjesë e tij”, shtoi ai.

    Edhe Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjës Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që Prishtina të përfshihet në buxhetin e vendit.

    E treta, shumë e rëndësishme për LDK-në që buxheti të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetushmërinë

    “Fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht ky buxhet i Kosovës nuk e merr parqasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jashtëzakonisht shqetësuese që Kuvendit i sillet një dokument që se respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet, dhe së këndejmi bëhet menjëherë jokushtetues”, potencoi ai.

    “Prishtina e ka miratuar buxhetin me 6 shkurt 2026, buxheti është sjellë në kuvend për herë të parë më 13 shkurt. Nuk ka asnjë arsye as ligjore as logjike e as kushtetuese që një buxhet nacional të mos e merr parasysh vendimin e kuvendit komunal të Prishtinës”, shtoi më tej Abdixhiku.

    Opozita ka kërkuar më shumë kohë që ta trajtojë buxhetin, që sipas tyre një dokument prej 700 faqesh, do të duhej të analizohej më gjatë nga ta dhe jo të kërkohej miratimi me urgjencë.

    Nga Qeveria u bë e ditur se për shkak të bllokadës njëvjeçare, kjo urgjencë ka bërë që të kërkohet votimi sa më i shpejtë.

  • Edi Rama në Kosovë një ditë para festës së Pavarësisë së Kosovës, takon Osmanin e Kurtin (Agjenda e plotë)

    Edi Rama në Kosovë një ditë para festës së Pavarësisë së Kosovës, takon Osmanin e Kurtin (Agjenda e plotë)

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë sot, një vizitë pune në Kosovë.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kryeministri Rama do të takohet me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe më pas me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Kryeministri Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

    Vizita e kreut të qeverisë vjen një ditë para Ditës së Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht protestës që do të bëhet në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK.

    Ndërkohë, policia e Kosovës ka lajmëruar masat që do merret gjatë parakalimit të eskortës së kryeministrit Rama.

    “Më datën 16 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Fillon seanca në Hagë, ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit vazhdon deklaratat përmbyllëse

    Fillon seanca në Hagë, ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit vazhdon deklaratat përmbyllëse

    Ka nisur paraqitja e fjalëve përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Seanca po vazhdon sot me fjalët përmbyllëse të ekipit mbrojtës të Jakup Krasniqi, i cili e nisi paraqitjen të premten.

    Mbrojtja pritet ta përmbyllë sot paraqitjen e saj, ndërsa më pas Zyra e Prokurorit të Specializuar do t’u përgjigjet pyetjeve të trupit gjykues.

    Gazetarja e Klan Kosova, Rina Mujku, ka bërë të ditur se sot pritet të dëgjohet edhe zëri i një tjetër avokati shqiptar në këtë proces.

    “Furtuna Sheremeti nuk do të jetë avokatja e vetme shqiptare, zëri i së cilës do të dëgjohet në fjalët përmbyllëse këtu në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Është e rëndësishme që edhe një avokat tjetër do të flasë në këtë proces gjyqësor, sepse gjatë ditës së [sotme] avokati tjetër, Mentor Beqiri, do të marrë fjalën. Ai do flasë për mënyrën e krijimit të UÇK-së, zakonet dhe të drejtën zakonore të shqiptarëve për mbrojtjen e shtëpisë dhe tokës, si dhe arsyet që çuan në krijimin e guerilës me synim mbrojtjen e vendit dhe luftën për liri e pavarësi”, tha Mujku.

  • Kurti pas takimit me Orav: E nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat

    Kurti pas takimit me Orav: E nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka thënë se BE është organizata e paqes dhe sigurisë e ku nënvizon se është e nevojshme që Kosova ta marr statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian.

    Kurti poashtu thotë të kenë biseduar edhe për marrëveshjen për Planin e Rritjes që u miratua në Kuvend të premten.

    “E falënderova ambasadorin Orav, shefin e misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimin e tij me rastin e konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së 10-të dhe për formimin e Qeverisë, si dhe për aprovimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë të gjithmbarshme për Republikën tonë prej 882.6 milionë euro. Nga këto, afër 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi”, tha Kurti, raporton EO.

    I pari i ekzekutivit nënvizoi se BE është partner i besueshëm i Kosovës.

    “Gjithashtu, i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë, siç ka qenë përherë, partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë t’i përshpejtojmë agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i Qeverisë sonë”, theksoi Kurti.

  • Rezolutë nga 30 deputetë zviceranë dërgohet në Dhomat e Specializuara

    Rezolutë nga 30 deputetë zviceranë dërgohet në Dhomat e Specializuara

    Një rezolutë e mbështetur nga 30 deputetë zviceranë është adresuar sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka bërë të ditur OVL-UÇK.

    Kjo iniciativë ka ardhur si rezultat i angazhimit të veprimtarit Sali Bislimi dhe është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Rezoluta është dorëzuar në Hagë në bashkëpunim me kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

    Bislimi ka theksuar se përmes rezolutës kërkohet një proces i drejtë dhe i paanshëm.
    “Është një thirrje edhe nga parlamentarët zviceranë, në emër të Organizatës Joqeveritare ‘Zëri Perëndimor i Kosovës’, që kemi kërkuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë”, ka theksuar Bislimi.

    Sipas tij, Gjykata nuk i ka përmbushur këto standarde dhe ai ka kritikuar kërkesën e Prokurorisë për dënime të rënda.
    “Në realitet, kjo Gjykatë asnjërën nga këto nuk i ka pasur. Jemi këtu edhe për të protestuar dhe është shumë e vështirë që një Prokurori e tillë të bëjë një skandal duke kërkuar 45 vite dënim. Kjo është edhe një ofendim për drejtësinë kombëtare, për vetë Hagën dhe për krejt këtë Gjykatë”, ka deklaruar ai.

    Sipas Bislimit, prania e qytetarëve në Hagë është për të mbrojtur historinë dhe luftën e UÇK-së.
    “Ne s’mund të jemi pa zë. Jemi këtu për ta dëshmuar veten, kulturën tonë, historinë dhe për ta mbrojtur atë, e cila nuk guxon për asnjë çmim të njolloset”, përfundoi ai.

    Ndërkaq, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se ky proces gjyqësor synon ta njollosë luftën e UÇK-së, por sipas tij kjo nuk do të ketë sukses.
    “Ky gjykim është i panevojshëm, me fabrikim dhe falsifikim dosjesh, me njerëz të paguar e të infiltruar, të cilët kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe tani kanë ardhur të dëshmojnë këtu duke u munduar ta njollosin luftën e UÇK-së. Besoj se s’do t’ia arrijnë qëllimit, sepse lufta ka qenë e shenjtë dhe e popullit. Ne kemi luftuar për ta çliruar vendin tonë një herë e përgjithmonë”, deklaroi Gucati para gazetarëve.

    Ndërkohë, në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

    Gjatë ditës së sotme pritet që mbrojtja e Krasniqit të paraqesë fjalën përfundimtare, duke përmbyllur fazën e deklaratave përfundimtare. Pas kësaj, çështja do të kalojë në shqyrtim nga trupi gjykues, i cili, sipas procedurave, ka afat deri në tre muaj për të marrë vendimin ose për të shtyrë shpalljen e aktgjykimit. /RTK

  • Trump dërgon urime për 18 vjetorin e pavarësisë: SHBA mbështetet fort sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

    Trump dërgon urime për 18 vjetorin e pavarësisë: SHBA mbështetet fort sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

    Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar letër urimi Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit të Presidencës, në mesazhin e tij Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

    Ai ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me qëllim avancimin e prosperitetit të përbashkët. Në letër theksohet se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për forcimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë.

    Presidenti Trump ka falënderuar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, iniciativë që synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

    Në përmbyllje të mesazhit, ai ka shprehur besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy shteteve.

    Urimi i plotë:

  • Zbulohet koncepti i pamjes së re të “NEWBORN” për 18 vjetorin e Pavarsisë së Kosovës

    Zbulohet koncepti i pamjes së re të “NEWBORN” për 18 vjetorin e Pavarsisë së Kosovës

    Ideatori i monumentit simbolik të pavarësisë NEWBORN, Fisnik Ismajli, ka njoftuar konceptin e ri artistik për përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjete sociale, Ismajli ka shpërndarë një referencë për “Kintsugi”, artin japonez të riparimit të objekteve të thyera me ar, një filozofi që simbolizon shërimin, forcimin dhe vlerën e shtuar pas përballjes me sfida.

    Ky mesazh është interpretuar si një paralajmërim për transformimin e monumentit NEWBORN këtë vit, duke pasqyruar rrugëtimin dhe forcimin e Kosovës përmes vështirësive. Monumenti ndryshon çdo vit për të shënuar pavarësinë, duke përcjellë mesazhe artistike dhe shoqërore.