ATV

Tag: Ballina

  • Kurti: Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës

    Kurti: Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës

    Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe procesi gjyqësore në Hagë u përmendën si çështje qendrore në fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorin e pavarësisë.

    Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e sakrificës së luftëtarëve dhe aktivistëve për krijimin e shtetit, duke e cilësuar Republikën si institucion të lirisë dhe sovranitetit, ndërsa foli edhe për akuzat ndaj ish-udhëheqësve të luftës.

    “Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës. Republika, në radhë të parë, është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur bëhet fjalë për Republikën dhe sovranitetin, ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe me zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve edhe të luftëtarëve që e kanë dëshiruar Republikën, sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë, dhe mu ato na frymëzojnë e na orientojnë për ta forcuar edhe më shumë atë”, tha ai.

    Kurti theksoi se akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk qëndrojnë, dhe se ish-drejtuesit e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, vetëm pse guxuan të marrin armët për liri.

    “Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të viteve të 90-ta dhe ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përkulemi me nderim para dëshmorëve edhe përpiqemi që ta ruajmë e ta lartësojmë Republikën tonë edhe në emrin e tyre. Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk morën parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, secilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha ai.

    Më tej i pari i ekzekutivit tha se brazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm.

    “Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne. Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim, edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje demokratike”, theksoi kryeministrit Kurti.

  • 17 Shkurti 2008: Ngjarjet dhe faktet kryesore të shpalljes së Pavarësisë

    17 Shkurti 2008: Ngjarjet dhe faktet kryesore të shpalljes së Pavarësisë

    Kosova sot feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e cila është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe është njohur nga 121 shtete.

    Kosova e shpalli pavarësinë duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor, shkruan Demokracia.com.

    Këto janë 10 faktet që lidhen më 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë të Kosovës:

    1) Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

    2) Kryeministri Hashim Thaçi është lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

    3) Dizajnuesi i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi

    4) Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi

    5) Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

    6) Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

    6) Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

    7) Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë!

    8) Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

    9) Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    10) Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

  • Osmani në Ditën e Pavarësisë: UÇK-ja ishte shtylla e shpresës, historia s’mund të rishkruhet

    Osmani në Ditën e Pavarësisë: UÇK-ja ishte shtylla e shpresës, historia s’mund të rishkruhet

    Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani tha se 18 vjet më parë, vendi u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.

    E para e vendit tha se Pavarësia e Kosovës u fitua me mund e gjak, dhe nga njerëz që s’u dorëzuan kurrë për liri, transmeton Klankosova.tv.

    “18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë, Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dënuan por asnjëherë nuk u dorëzuan”, tha Osmani.

    Nga ana tjetër, Osmani tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj.

    “Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigja e një populli të shtypur nga regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër dhe gjithnjë e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, për ta barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjinden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, për dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar të lirë. Lufta e UÇK-së ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës”, tha e para e vendit.

  • Më 27 shkurt fillon gjykimi i dytë ndaj Thaçit, Specialja del me njoftim

    Më 27 shkurt fillon gjykimi i dytë ndaj Thaçit, Specialja del me njoftim

    Gjykata Speciale ka njoftuar se më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e dytë ndaj Thaçit ku përfshihen edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

    Sipas një njoftimi të Speciales, seanca mbahet në orën 09:30 dhe do të përfundojë në orën 16:00.

    Aktakuza fillestare ndaj tyre u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025.

    Sipas aktakuzës, midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, duke i udhëzuar ata “që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.

    Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga Smakaj, Fazliu, Kilaj, Kuçi dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
    “Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024. Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm. Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake të saj më 19 shtator 2025. Z. Smakaj, z. Thaçi dhe z. Fazliu dorëzuan dosjet paraprake të tyre më 19 dhe 20 tetor 2025. Dosja e çështjes iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025. Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për të dytën herë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm më 10 dhjetor 2025. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026 në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm”, theksohet më tej në aktakuzë.

  • Këta janë flamujt që fillimisht u propozuan për flamur të shtetit të Kosovës

    Këta janë flamujt që fillimisht u propozuan për flamur të shtetit të Kosovës

    Para se të zgjidhej flamuri që valon sot, në qershor të vitit 2007 u hap një konkurs ndërkombëtar për dizajnin e flamurit shtetëror, ku morën pjesë 993 konkurrentë me propozime të ndryshme. Nga ky proces u përzgjodh edhe flamuri aktual, që sot përfaqëson identitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

    OKB caktoi disa rregulla se si duhet të ishte flamuri i Kosovës. Sipas OKB-së të gjitha simbolet duhet të reflektonin natyrën multi-etnike të Kosovës, dhe duhet të shmangin përdorimin e shqiponjave me dy koka shqiptare apo përdorimin e vetëm ngjyrës së kuqe dhe të zezës, ose të kuqes, të kaltrës dhe të bardhë. E kuqja dhe e zeza janë ngjyrat e përdorura në flamurin shqiptar, ndërsa e kuqja, e kaltra dhe e bardha janë ngjyrat kryesore të flamurit serb. Përveç kësaj, të gjitha modelet duhet të ishin drejtkëndore.

    Një grup politikanësh dhe ekspertësh kosovarë të njohur si “Ekipi i Unitetit” zgjodhi dizajne të cilat do të shkonin përpara për votim nga Kuvendi i Kosovës.

    Një sipërfaqe e kaltër me një hartë të bardhë të Kosovës e rrethuar me 5 yje. Yjet ndryshojnë në madhësi dhe përfaqësojnë grupet e ndryshme etnike që banojnë në Kosovë. Ylli më i madh do të përfaqësonte shqiptarët etnikë.

    Flamuri u propozua nga Joseph J. DioGuardi për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e Shqipërisë dhe SHBA-së.

    Një flamur që ishte sinonim i flamurit kombëtar të Shqipërisë me gjashtë yje të shoqëruar me sfond gjysmë të kuqe dhe gjysma tjetër e kaltër.

    Flamuri u propozua më 2005 për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e OKB-së dhe shqiponjës së Shqipërisë.

    Një trengjyrëshe vertikale e zezë, e bardhë dhe e kuqe me një simbol spirale në qendër të shiritit të bardhë, i cili është një simbol dardan për diellin rrotullues.

    Është Muhamer Ibrahimi i cili e kishte fituar garën për dizajnimin e flamurit dhe të stemës së Republikës së Kosovës, me të cilat simbole edhe u shpall pavarësia e vendit.

  • Diaspora dërgoi 15 miliardë euro në 18 vjet në Kosovë

    Diaspora dërgoi 15 miliardë euro në 18 vjet në Kosovë

    Që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, komuniteti shqiptar në diasporë ka mbështetur vendin me remitenca që kanë prekur çdo sferë të jetës ekonomike dhe sociale, duke kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës së familjeve shqiptare dhe të vendit në tërësi.

    Kosova feston këtë vit 18 vjet Pavarësi, një rrugëtim historik i ndërtuar mbi sakrificë, guxim dhe përkushtim. Një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi janë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët i janë gëzuar më së shumti Pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke investuar në shumë sfera.

    Diaspora ka dërguar mbi 15 miliardë euro remitenca në Kosovë nga viti 2008 deri më 2025. Në fakt, kjo mbështetje e vazhdueshme nuk është thjesht financiare, ajo pasqyron lidhje të forta emocionale, solidaritet dhe përgjegjësi ndaj familjeve dhe vendit.

    Diaspora, një shtyllë e qëndrueshme e ekonomisë

    Përtej ndihmës familjare, remitencat e diasporës kanë transformuar ekonominë e Kosovës. Paratë që vijnë nga jashtë vendit përdoren për ushqim, veshmbathje, shërbime arsimore dhe shëndetësore, duke përmirësuar jetesën e mijëra familjeve. Ato stimulojnë tregun vendas, mbështesin bizneset lokale, lehtësojnë aksesin në shërbime financiare për individët dhe krijojnë mundësi të reja investimi. Çdo euro që arrin nga diaspora ka ndikim të drejtpërdrejtë në blerjet për ushqim, veshmbathje dhe shpenzime të tjera jetësore, duke reduktuar varfërinë dhe duke ndihmuar familjet të jetojnë më mirë.

    Revista Albinfo.ch ka siguruar të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas të cilave remitencat kanë shënuar një rritje të qëndrueshme, duke kaluar nga 608.7 milionë euro në vitin 2008 në mbi 1.4 miliardë euro në vitin 2025.

    Këto shifra tregojnë se diaspora ka qenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, veçanërisht në muajt e pushimeve verore dhe dimërore, kur shumë bashkatdhetarë vizitojnë vendin dhe dërgojnë përfitime shtesë për familjet.

    Lidhja emocionale dhe sociale me Kosovën

    Përveç ndikimit ekonomik, diaspora ka ruajtur identitetin, kulturën dhe traditat kosovare. Shumë familje presin kthimin e bashkatdhetarëve gjatë pushimeve për të ndarë histori, për të festuar së bashku dhe për të forcuar lidhjet familjare

    Investimet dhe remitencat nuk janë thjesht para, ato janë shprehje e kujdesit, dashurisë dhe përgjegjësisë ndaj vendit të lindjes.

    18 vjet Pavarësi tregojnë se sukseset e Kosovës nuk janë vetëm arritje politike, por edhe rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të diasporës.

    Përmes remitencave, shqiptarët jashtë vendit kanë ndihmuar vendin të rritet, të forcojë ekonominë, dhe të përmirësojë jetën e çdo qytetari.

    Historia e suksesit ekonomik të Kosovës është pjesërisht edhe historia e përkushtimit dhe sakrificës së diasporës, prandaj ajo ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një simbol i lidhjes së pandashme me Kosovën./Albinfo

  • Kryetari i Obiliqit i dhuron veturën zyrtare OVL-UÇK-së

    Kryetari i Obiliqit i dhuron veturën zyrtare OVL-UÇK-së

    Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi në Ditën e Pavarësisë, i ka dhuruar veturën e tij zyrtare, degës së OVL –UÇK-së në këtë komunë.

    Ai ka thënë se këtë e ka bërë në shenjë nderimi dhe vlerësimi për ata që kontribuuan në lirinë.

    “Për nderë të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, OVL-së së UÇK-së në Obiliq sot i dhurova veturën zyrtare që më takon mua si Kryetar i Komunës.Me këtë gjest dua t’i nderoj dhe vlerësoj të gjithë ata që kontribuan për lirinë e atdheut tonë.Lavdia u takon dëshmorëve, ndërsa nderi dhe respekti i përjetshëm shokëve të tyre luftëtarë”, ka shkruar ai.

  • “Drejtësi, jo politikë” – Sot marshohet në Prishtinë për drejtësi në Hagë

    “Drejtësi, jo politikë” – Sot marshohet në Prishtinë për drejtësi në Hagë

    ot në Prishtinë, në sheshin “Skenderbeu” do të marshohet me moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

    Marshi do të mbahet në nisë në ora 14:00, ndërkaq është organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

    Ditë më parë, Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka Emër” theksoi se të martën sheshi i kryeqytetit “nuk do të jetë thjesht një hapësirë publike, por zemra e Kosovës që rreh njëzëri”, duke e cilësuar marshin si dëshmi të unitetit qytetar në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe respektit ndaj historisë së vendit.

    Platforma “Liria ka Emër” u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 17 shkurt të dalin në shesh me familjet e tyre, në një marsh të qetë, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës

  • Krerët e shtetit: Sot kujtojmë ata që sakrifikuan gjithçka që ne ta gëzojmë shtetin

    Krerët e shtetit: Sot kujtojmë ata që sakrifikuan gjithçka që ne ta gëzojmë shtetin

    Krerët e vendit kanë filluar aktivitetet shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Pas ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës, ata thanë se sot përpos festës, përkujtohen ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

    Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.

    “I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran e të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin”, tha e para e vendit.

    “Rrnoftë Republika e Kosovës”, përfundoi Osmani fjalimin.

    Kryeministri Albin Kurti tha se sot festohet, por njëkohësisht edhe nderohet rezistenca paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat, siç tha ai, kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të Pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, ka kontribuuar, është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, dhe kremtofshin të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti.

    Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se sot kujtohen dhe nderohen të gjithë ata që dhanë jetën për lirimin e Kosovës.

    “Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Mbase një Republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar që liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për Pavarësinë që sot ne e gëzojmë. Sot nderojmë po ashtu figurat e larta, që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, tha Haxhiu.

  • Kjo është domethënia e dizajnit të NEWBORN-it për këtë vit

    Kjo është domethënia e dizajnit të NEWBORN-it për këtë vit

    Autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka njoftuar se ka përfunduar ngjyrosja e obeliskut për këtë vit, duke zbuluar edhe simbolikën që përcjell instalacioni në edicionin e radhës.

    Përmes një postimi, Ismaili ka bërë të ditur se tema e sivjetme përfaqësohet nga fjalët: “Nationhood / Shtetësi, Endurance / Qëndresë, Work / Punë, Bravery / Trimëri, Obligation / Obligim, Resilience / Rimëkëmbje, New Beginnings / Fillime të reja”.

    Sipas tij, koncepti i këtij viti i kushtohet Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt lirisë e shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare, si dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi si aleatin kyç në mbështetjen e kësaj lirie.

    “Kushtuar Kosovës, rrugëtimit të saj drejt lirisë dhe shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati kyç në mbështetjen e kësaj lirie”, ka shkruar Ismaili.

    Në fund të mesazhit, ai ka theksuar edhe simbolikën numerike “KOSOVA 18” dhe “USA 250”, që lidhet me përvjetorët përkatës.

    Monumenti NEWBORN, i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është një skulpturë tipografike dhe një pikë referimi simbolike që përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e cila për pesë vjet qëndroi me pamjen e njëjtë dhe më pas është ringjyrosur çdo vit për t’iu përshtatur temave të ndryshme që nxjerrin në pah situata dhe aspirata të shoqërisë kosovare.

    Çdo paraqitje e re e monumentit NEWBORN ka një mesazh artistik dhe social, duke shërbyer si platformë reflektimi për qytetarët dhe vizitorët.

    Monumenti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare që nga shpallja e tij si pjesë e përvjetorit të pavarësisë dhe vazhdon të jetë një nga atraksionet më të vizituara dhe më të diskutueshme kulturore të kryeqytetit kosovar.

    NEWBORN-i ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të “Luanit të Artë” në Kanë.