ATV

Tag: Ballina

  • Hotit merr vendimin e parë si ministër

    Hotit merr vendimin e parë si ministër

    Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar Komisionin e Ankesave për shqyrtim të ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës.

    Kështu kanë njoftuar nga ministria që drejtohet nga Andin Hoti.

    “Me qëllim të adresimit të çdo ankese ose paqartësie në raport me vendimet e Inspektoratit Qendror të Punës, sot ministri Andin Hoti ka marrë vendim për themelimin e Komisionit të Ankesave për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare fton të gjithë qytetarët që në përputhje me ligjin dhe me afatet e parapara, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’i adresuar ankesat në ministri”, njofton ministria.

  • Kuleta digjitale dhe lirimi i disa kategorive nga pagesa, ‘Trafiku Urban’ jep detaje

    Kuleta digjitale dhe lirimi i disa kategorive nga pagesa, ‘Trafiku Urban’ jep detaje

    “Trafiku Urban” ka dalë me një njoftim që nga pagesa janë liruar disa kategori që kanë nevojë më shumë, duke përfshi këtu edhe veteranët, dëshmorët dhe nxënësit, e këtë e vlerësn si të duhur Kryeshefi i Trafikut Urban, Qendrim Vitija i cili gjatë intervistës për Ekonomia Online ka thënë se këto kategori janë edhe përdoruesit më të shpeshtë të trafikut publik.

    Sipas tij për disa kategori ky vendim është marrë si një akt përkrahjeje siç janë stafi i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe stafi shëndetësor.

    “Ne e publikuam edhe lirimin në pagesa, në transportin publik janë gjithsej 15 kategori, të cilat kanë qenë të liruara nga pagesa për shkak të ligjit në disa kategori të caktuara, ndërsa në vjeshtën e vitit 2025, kryetari Përparim Rama ka mendu që kësaj liste t’i shtohen disa kategori tjera. Janë kryesisht kategori që kanë pernime nevojë të lirohen nga pagesat, duke filluar nga nxënësit, studentët, penisonistët, për organizatat e dala nga lufta, veteranët dhe dëshmorët, e gjithashtu janë të liruar edhe stafi administrativ të komunës së Prishtinës, stafi i Drejtorisë së Shëndetësisë që përfshin Qendrat Klinike Familjare dhe janë stafi i Drejtorisë së Arsimit që përfshin arsimtarët dhe stafin arsimor në Drejtorinë e Arsimit, s’domethënë që kanë nevojë për me i liru mirëpo si akt përkrahjeje për punën që e bëjnë edhe janë realisht kategori që e përdorin më së shpeshti trafikun urban”, thotë Vitija.

    Vitija thotë se duhet gjithsesi përdorimi i kuletës digjitale për t’u identifikuar këto kategori.

    “Kuleta digjitale është hapi i parë drejt digjitalizimit të procesit të biletimit të trafikut urban në transportin publik. Ne përmes kuletës digjitale nga data 1 mars i kemi obligu që të gjitha kategoritë të liruara të përdorin kuletën digjitale në mënyrë që të përfitojnë nga lirimi i pagesës, mirëpo në ato raste për të përdorur biletën digjitale duhet një paisje një telefon, duhet të shkarkojnë një aplikacion dhe të ngarkojnë dëshmitë e nevojshme në mënyrë qe të përfitojnë nga lirimi nga pagesa. Për të gjithë qytetarët që nuk kanë telefon ne e kemi të mundur që përmes një linku të aplikojnë dikush tjetër, për atë qytetarë që nuk ka telefon edhe të furnizohet me kartelë që është e barazvlefshme me kuletën digjitale”, tha i pari i Trafikut Urban.

    E Visar Ballofci i cili është edhe ish veteran i UÇK-së e mirëpret vendimin për lirimin e pagesave dhe thotë se ia ka ndihmuar shumë për fëmijët.

    “Kjo çështja e kuletës digjitale është shumë e saktë, faleminderit prej kryetarit që e ka mendu këtë kuletën digjitale se ua lehtësuar shumë qytetarëve sidomos tash këto shtrenjtimeve që janë bërë me të madhe rreth çështjes së çmimeve atëherë kanë vepru në mënyrë të drejtë, faleminderit si kryetar atyre iu kanë mundësu shumë lehtë dhe është shumë e thjeshtë për me apliku në kuletë digjitale”, tha Ballofci

    “Unë jam në atë kategorinë e veteranëve edhe të përndjekurit e luftës, unë ashtu kështu jam me ligj i liruar prej kësaj pagese dhe tjerët sidomos rinisë edhe këtyre të shkollave të mesme dhe fillore, edhe fëmijët ma kanë lehtësu mua si prind, në atë kuptimin që duhej që çdo muaj me ua bërë pagesën”, tha ai.

    Për moshat më të shtyra është pak më e vështirë se e-kosova e ka një ngarkesë shumë të madhe me këtë formën, ka dikush që ka pritje, duhet me pritë deri sa të kyçet në kuletën digjitale.

  • Tahiri i shokuar se si u caktua në sinkronizim Kurti-Osmani data e zgjedhjeve 28 dhjetor

    Tahiri i shokuar se si u caktua në sinkronizim Kurti-Osmani data e zgjedhjeve 28 dhjetor

    Besnik Tahiri është shprehur i shokuar pasi e ka dëgjuar Vjosa Osmanin të rrëfejë sesi e kishte caktuar datën e zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor vitin e shkuar, duke ia përshtatur atë ish-aleatit të saj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka thënë se është “bukur shokuese” të dëgjojë këtë rrëfim nga presidentja.

    “Për mua është bukur shokuese të dëgjoj se Presidentja Vjosa Osmani kishte vepruar në sinkronizim të plotë kundër opozitës, duke i shërbyer kauzës elektorale të Albin Kurtit”, ka shkruar ai.

  • Çka u tha pas pezullimit të dekretit për zgjedhje

    Çka u tha pas pezullimit të dekretit për zgjedhje

    Deri më 31 mars, është ndaluar çdo veprim i presidentes Vjosa Osmani në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa është pezulluar edhe puna e Kuvendit. Kjo si masë e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese pasi Vetëvendosje e çoi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Masa e përkohshme u përcoll me shumë reagime. Qeveria e cila e kishte dërguar në Kushtetuese dekretin, ka thënë se vendimi krijon hapësirë që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë, në përputhje me rendin kushtetues.

    “Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

    Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se pezullimi ndalon veprimin “që cenoi rendin kushtetues”.

    “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ndalon një veprim të nxituar dhe të pajustifikuar që cenoi rendin kushtetues dhe demokracinë parlamentare në vend. Vendosja e kësaj mase të përkohshme ndaj Dekretit që shpërndau Kuvendin siguron që të mos krijohen pasoja të pariparueshme derisa Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë në themel çështjen e kushtetutshmërisë së këtij dekreti. I cili për bindjen tonë të thellë është antikushtetues. Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se vullneti i qytetarëve nuk mund të anashkalohet apo të zëvendësohet me vendime të njëanshme. Ai shprehet në përfaqësimin demokratik parlamentar”, është thënë nga Lëvizja Vetëvendosje. “Aktualisht sipas masës së Gjykatës Kuvendi mbetet pa aktivitet dhe pa i shërbyer të mirës publike me vendimet e tij. Edhe pse për të dalë me vendim Gjykata po i kërkon 3 javë kohë, presim që vendimi përfundimtar të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës”.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për të shpërndarë Kuvendin.

    “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është një hap i rëndësishëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Kuvendi i Republikës përfaqëson drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe roli i tij në jetën demokratike të vendit është i pazëvendësueshëm. Vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik. Në këtë periudhë, për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e institucionit për të ushtruar funksionin e tij në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka përsëritur bindjen se Gjykata do të vendosë në përputhje me dekretin e saj. Megjithatë, ajo shtoi se “nuk është pejgamere për të mos gabuar asnjëherë”.

    “Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për median e Shqipërisë, TV Syri.

    Menjëherë pas pezullimit nga Kushtetuesja, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita. Në një postim në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.

    “A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.

    Në vendimin e Kushtetueses, ndër të tjera theksohet se gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

    Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

    “Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

    Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

    “Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.

    Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

    Në mungesë kuorumi nuk u nis as procedura e votimit për kandidatët Glauk Konjufca e Fatmire Mullhaxha – Kollçaku.

  • E konfirmon Haradinaj, Ardian Gjini do jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme

    E konfirmon Haradinaj, Ardian Gjini do jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar se Ardian Gjini do të jetë kandidat për kryeministër.,

    Ai tha në “Frontal” të T7 se Gjini do t’i prijë listës, teksa tha se edhe ai do të jetë pjesës e listës për deputet.

    “Ardian Gjini do t’i prijë listës sonë, po e them Ardian Gjini do të jetë mandatar për kryeministër”, ka thënë Haradinaj.

  • Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit.

    Nga data 9 mars e deri më 31 mars, Kushtetuesja ua ndalon çdo veprim Kuvendit dhe Presidentes lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.

    Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pretenduar se presidentja Vjosa Osmani ka bërë, siç thotë ai, “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të premten e kaluar.

    Në kërkesën e tij, Kurti ka kërkuar nga Kushtetuesja që sa më shpejt të vendosë masë të përkohshme, pasi sipas tij zhvillimet e mëtejshme mund të kenë ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.

    Ai konsideron se vendosja e kësaj mase ishte e domosdoshme edhe për faktin se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    “Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: ‘Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme’”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

    Kurti thotë se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që presidentja t’i shpallte zgjedhjet e reja.

    “Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real…”, thuhet tutje në kërkesë.

    Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, me të cilën i ndalohet presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji.

  • Pas masës së përkohshme, VV pret nga Kushtetuesja ta anulojë dekretin dhe të urdhërojë deputetët në përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit

    Pas masës së përkohshme, VV pret nga Kushtetuesja ta anulojë dekretin dhe të urdhërojë deputetët në përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit

    Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme deri më 31 mars, ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

    Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Arbërie Nagavci ka thënë se presin nga Gjykata ta anulojë këtë dekret dhe “të urdhërojë deputetët e Kuvendit Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi”.

    Sipas saj, kërkesa është e drejtë dhe argumentet e qarta e të bazuara në Kushtetutë.

    “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend”, ka shkruar Nagavci.

    Sipas vendimit të Kushtetueses, masa e përkohshme hynë në fuqi sot dhe vlen deri më 31 mars.

  • Kur mund të ketë zgjedhje, Ramadani: Nëse Kushtetuesja i jep të drejtë Presidentes mbahen në maj, nëse jo në korrik

    Kur mund të ketë zgjedhje, Ramadani: Nëse Kushtetuesja i jep të drejtë Presidentes mbahen në maj, nëse jo në korrik

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.

    Burim Ramadani, ka treguar dy variante kur mund të mbahen zgjedhjet.

    Sipas tij, nëse Gjykata i jep të drejtë presidentes atëherë zgjedhjet mbahen me 10 apo 17 maj.

    Por, nëse nuk i jep të drejtë presidentes atëherë fillon afati 60-ditor dhe zgjedhjet mbahen më 12 apo 19 korrik.

    Postimi i plotë:

    Dy opsione kur mund të mbahen zgjedhet e parakohshme:

    1. Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Presidentes, atëherë zgjedhjet më së hershmi mund të mbahen më 10 ose 17 maj.

    2. Nëse Gjykata Kushtetuese ia anulon Dekretin Presidentes dhe i jep edhe 60 ditë për zgjedhjen e Presidentit, atëherë zgjedhjet e parakohshme i bjen që mbahen më 12 ose 19 korrik.

    P.S

    Qëndroj në thirrjen e para një jave që Kuvendi duhet ta zgjedh Presidentin e ri dhe nuk NUK DUHET shkuar në zgjedhje!

  • LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kushtetuese ankesën lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, bëjnë të ditur nga Zyra për media e kësaj partie për KosovaPress.

    Osmani shpërndau Kuvendin në një konferencë për media të premten, ku nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

    Ky veprim i saj nxiti reagime të shumta, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje u konsiderua të jetë akt kundërkushtetues.

    Të enjten, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedh presidentin.

    Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu tha mbrëmjen e së enjtes se nuk mund të vazhdohet me votimin, meqë në sallë nuk ishin prezent 80 deputetë. Ndërkohë që Haxhiu njoftoi se LVV i ishte drejtuar mënjherë Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, vendimi i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit erdhi mëngjesin e së premtes.

    Në konferencën për media Osmani madje tha se se deri në shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e kanë sjellë vendin, siç tha ajo, “njerëz me qëllime të rrezikshme”. E nga LVV kanë thënë se ajo duhet të tregojë se për kënd e kishte fjalën. Megjithatë, deri më sot (e hënë), presidentja Osmani nuk ka pasur ndonjë paraqitje mediale lidhur me këtë çështje.

    SPAK publikon raportin vjetor: Mbi 45 milionë euro dhe kriptomonedha të bllokuara
    Read more

  • Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo

    Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo

    Deputeti nga Guxo, pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në partinë e tij, duke e lidhur vendimin me atë që ai e quan fushatë linçimi dhe urrejtjeje ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në një deklarim publik në Facebook, Avdyli tha se sulmet ndaj Osmanit, përfshirë edhe thirrjet për dhunë dhe sulmet ndaj familjes së saj, janë të papranueshme dhe i përkasin një politike që do të duhej të ishte lënë pas.

    “Sulmet e paskrupullta ndaj Presidentes Osmani, deri edhe në thirrje për pushkatim, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, janë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës së hidhur.

    Manipulimet me inteligjencë artificiale, të cilat e dehumanizojnë Presidenten dhe ata që mendojnë ndryshe, vetëm që të nxisin urrejtje të pakontrollueshme, e për qëllime elektorale me të vërtet janë të gërditshme.

    Kjo fushatë e thirrje për dhunë është sa rrezikshme dhe tërësisht e papranueshme për mua, dhe më ka prekur shumë.

    Si njeri që gjithmonë ka promovuar paqen, dialogun, mirëkuptimin dhe respektin edhe me njerëz me të cilët kemi dallime politike, unë nuk mund të rri i heshtur e i strukur përballë një situate të tillë.

    Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju, apo vajza e djali juaj që mund të kenë një bindje apo ambicje legjitime të dallueshme nga Partia .

    Qëndrimin tim për procesin e fundit politik, e kam thënë publikisht në mbledhjen GP të VV-së në prani edhe të zotit Kurti, e poashtu edhe në kryesi të Guxo.

    Ne disa, me respekt të ndërsjelltë, jemi pajtuar, që spo pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e grupit tonë politik.

    Por edhe pse ishte ky mospajtim politik i rrallë mes nesh, nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte kjo fushatë bazuar në linqim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime nga kolegë deputetë, politikanë , miqë të mi të njohur e panjohur, nga mu ata që deri para 5 ditësh e quanin Vjosa Osmanin krenari të Kosovës.

    Prandaj, në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme, nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo.
    Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e ime, si deputet në 5 mandate, 3 mandate nga lista me VV, të ju shërbej sa do pak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51% , që ta ndrroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës.

    Mbani qëndrime politike, por aman shpërndani më shumë respekt e dashuri mesh nesh, sepse ajo është që na duhet.

    Rrugët politike mund të na ndahen, e mund të na bashkohen, por njerzillëkun brenda nesh sbën ta vrasim.

    Sepse Liria e ardhmëria e Republikës sonë duhet të jetë mbi gjithçka”, ka shkruar Avdyli.