ATV

Tag: Ballina

  • Grenell për zgjedhjet e reja në Kosovë: Zoti po na përgatit për rikthimin e Hashim Thaçit

    Grenell për zgjedhjet e reja në Kosovë: Zoti po na përgatit për rikthimin e Hashim Thaçit

    I Dërguari Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka përshëndetur vendimin për zgjedhjet e reja në Kosovë.

    Ai e ka cilësuar shpërbërjen e Kuvendi i Kosovës dhe paralajmërimin për shpalljen e zgjedhjeve të reja si një “lajm të mirë”.

    Në llogarinë e tij në platformën X, diplomati amerikan ka shkruar se Zoti po përgatit rikthimin e Hashim Thaçi.

    “Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për rikthimin e Hashim Thaçi! Thaçi për Kryeministër”, ka shkruar ai në X.

  • PDK-ja do të dërgojë komente në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur dekretin e presidentes

    PDK-ja do të dërgojë komente në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur dekretin e presidentes

    Deputet i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë me dije se kjo parti do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese komentet e saj në mbrojtje të dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

    Ai ka bërë me dije se një gjë të tillë do ta bëjnë të hënën.

    Në emisionin Pressing, Gruda ka paralajmëruar se zgjedhjet mund të shpallen në fund të javës së ardhshme.

    “Na mendojmë që krejt pushtet s’duhet me u bartë krejt të një njeri, se këtu synohet që një njeri me i pas krejt pushtetet. Ju e shihni që Glauk Konjufca është xhoker universal, propozohet për kryeministër, tash për president. Dita e zgjedhjeve duhet të jetë 45 ditë nga dita e nesërme, që i bjen afër fundit të prillit. Mendoj që në fund të javës së ardhshme do të caktohen zgjedhjet. Do ta kemi edhe (qëndrimin) e Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën, dhe ne do të bëjmë komentet tona në Kushtetuese do t’i dorëzojmë që dekrete është plotësisht kushtetues’’, ka thënë ai.

  • Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Aktivitetet përmbyllëse për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisin sot nga ora 18:00 në disa qytete të vendit.

    Në Prekaz do të mbahet manifestimi tradicional “Nata e Zjarreve”, ndërsa në të njëjtën kohë, nga ora 18:00, edhe Prishtina do të organizojë ndezjen e flakadanëve në amfiteatrin e sheshit Sheshi Zahir Pajaziti, ku do të hapet edhe një ekspozitë me punime të nxënësve.

    Më pas, nga ora 18:15 do të bëhet ndezja e flakadanëve në shtatë rajonet e Republikës së Kosovës.

    Ndërkohë, aktivitetet do të vazhdojnë në ora 19:00 në Skenderaj, ku në Sheshi Adem Jashari do të mbahet një program artistik.

  • Kryetarja Haxhiu ia dërgon Kushtetueses emrat e deptuetëve që munguan

    Kryetarja Haxhiu ia dërgon Kushtetueses emrat e deptuetëve që munguan

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu bashkë me nëntë deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit.

    Ky veprim ka ardhur pas seancës së mbajtur të enjten mbrëma, kur në mungesë kuroumi Haxhiu ndërpreu seancën ku pritej të votoheshin për president dy kandidatët e VV-së, Glauk Konjufca e Fatmir Mullhaxha Kollçaku.

    Në shkresën e deponuar në Gjykatë, Haxhiu me kolegë kanë kërkuar që Gjykata të detyrojë deputetët të marrin pjesë në seancë, të votojnë për president dhe të konstatojë se kanë shkelur Kushtetutën që s’kanë marrë pjesë në seancën e 5 marsit.

    “ Të konstatojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, qoftë pro, kundër apo abstenim dhe të mos pengojnë krijimin e kuorumit të nevojshëm në raundin e parë dhe të dytë të votimit, si dhe masat/sanksionet përkatëse në rast se ndodh një gjë e tillë.”, thuhet në shkresë.

    Për këtë, Haxhiu ia ka bashkuar shkresës edhe emrat e deputetëve që s’kanë marrë pjesë në seancë, e ku përfshihen edhe deputetët e Listës Serbe.

  • AAK-ja formon Shtabin Qendror Zgjedhor në krye me Ardian Gjinin

    AAK-ja formon Shtabin Qendror Zgjedhor në krye me Ardian Gjinin

    Sot u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku u diskutuan plani i Aleancës për këto zgjedhje, duke trajtuar çështje kyçe si lista zgjedhore, programi zgjedhor dhe organizimi i strukturave të fushatës.

    Këshilli i Përgjithshëm mori vendim edhe për themelimin e Shtabit Qendror Zgjedhor të Aleancës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Në krye të shtabit u emërua nënkryetari i parë i Aleancës, Ardian Gjini, ndërsa do të përbëhet nga anëtarët e Komisionit për organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme të Aleancës.

    Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte pezullimi i zgjedhjeve të brendshme të partisë në të gjitha nivelet e organizimit.

  • Dokument: Ky është dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Dokument: Ky është dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Presidentja Vjosa Osmani sot nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pasi ai dështoi të zgjidhte Presidentin e ri brenda afatit.

    Këtë dekret e konsideroi jokushtetues kryeministri Albin Kurti, i cili njoftoi se është duke u dërguar në Gjykatën Kushtetuese për kontestim.

    Ndërkaq, partitë tjerë opozitare e kanë mirëpritur këtë vendim të presidentes, por thanë se do të respektojnë çfarëdo vendimi që nxjerr Kushtetuesja për ankesat e dërguara në lidhjen me zgjedhjen e presidentit.

    Më poshtë teksti i dekretit:

    Presidentja e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 86 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, ndërlidhur me nenin 82 (1.3) të Kushtetutës, si dhe duke u bazuar në nenin 84 (4) të Kushtetutës, nenin 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës dhe nenin 4 (4) të Rregullores (P) Nr. 02/2022 për Organizimin dhe Funksionimin e Presidencës (30.12.2022), nxjerr:

    DEKRET

    Shpërndahet Legjislatura e Dhjetë (X) e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ky dekret hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.

  • Kurti: S’mund të flasim për zgjedhjet e reja pa e thënë fjalën e vetë Gjykata Kushtetuese

    Kurti: S’mund të flasim për zgjedhjet e reja pa e thënë fjalën e vetë Gjykata Kushtetuese

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media ka folur për situatën politike tashmë të krijuar edhe pasi nuk munden ta zgjedhin presidenten/in, e që pasoi edhe me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin.

    Në këtë konferencë, Kurti ka thënë se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja apo jo.

    “Nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

    Kryeministri Kurti tha se sipas Kushtetutës, ai nuk është dashur të shpërndahej tani.

    “Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.

    “Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars”, shtoi ai.

  • Aksion në gjithë Kosovën për çmimet e derivateve, dalin në terren inspektorët

    Aksion në gjithë Kosovën për çmimet e derivateve, dalin në terren inspektorët

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar sot një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe ata të Autoritetit të Konkurrencës.

    Aksioni është realizuar në kuadër të mbikëqyrjes së çmimeve të derivateve të naftës.

    Sipas njoftimit, qëllimi i këtij aksioni ka qenë kontrollimi i zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.

    “Qëllimi i këtij aksioni ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse. Veprimet kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës në treg, sigurimin e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve të mundshme në treg”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të tregut, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, luftimin e informalitetit dhe eliminimin e praktikave të padrejta tregtare.

  • Haradinaj pas takimit me Osmanin: Datat e mundshme për zgjedhjet e reja 5, 12 ose 19 prill

    Haradinaj pas takimit me Osmanin: Datat e mundshme për zgjedhjet e reja 5, 12 ose 19 prill

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.

    Haradinaj bëri të ditur se në këtë takim janë diskutuar disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa si opsione janë përmendur 5, 12 dhe 19 prilli megjithëse sipas tij mund të ketë edhe data të tjera në varësi të zhvillimeve.

    “Sapo përfundoi takimi dhe rrjedhimisht presidentja ka vepruar në bazë të kompetencave që i ka, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Haradinaj.

    Ai komentoi edhe mungesën në takim të kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

    “Mospjesëmarrja e LVV-së, kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në këtë takim. Mosardhja e tyre sot, qoftë edhe me mendime të kundërta për t’i ballafaquar dhe për t’i paraqitur në këtë takim që është më i larti i mundshëm i partive politike me presidenten e vendit për një temë kaq të ndjeshme, është një lloj thyerje për vendin dhe institucionet”, u shpreh ai.

    Haradinaj shtoi se lideri i LVV-së në të kaluarën është takuar shpesh me partitë opozitare për konsultime, prandaj sipas tij mosprania në këtë takim nuk është veprim i duhur.

    Ai kritikoi gjithashtu dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si një veprim të panevojshëm.

    “Mendoj që adresimi në Kushtetuese është një fyerje në vetvete me procesin. Ata e kanë ditur afatin 30-ditor dhe kanë bërë hajgare edhe me thirrjen e seancës dje. Në çfarëdo situate duhet ta ruajmë nderin. Askush nuk ia ka fajin LVV-së për sjelljen e tyre”, tha Haradinaj.

    Sa i përket datës së zgjedhjeve, ai theksoi se partia që ai drejton nuk ka ndonjë preferencë të veçantë.

    “Datat mund të jenë opsionet 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër për shkak të zhvillimeve, por ne nuk kemi ndonjë datë të preferuar. Ne e respektojmë cilëndo datë nga këto data”, deklaroi Haradinaj. /Telegrafi/

  • Hamza, Abdixhiku e Haradinaj konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Osmani për datën e zgjedhjeve

    Hamza, Abdixhiku e Haradinaj konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Osmani për datën e zgjedhjeve

    Presidentja Vjosa Osmani do të presë në takim liderët e partive nga ora 13:00 për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve pasi nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Në këtë takim prezentë do të jenë liderët e partive opozitare shqiptare.

    Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express pjesëmarrjen e kryetarit Bedri Hamza në takim.

    Po ashtu edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, konfirmoi për Express se kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në këtë takim.

    “Po në takimin e orës 13:00 do të merr pjesë Kryetari Haradinaj”, tha Xhemaili.

    Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi vetë pjesëmarrjen e tij në një postim në Facebook ku e mbështeti presidenten Osmani për vendimin për shpërndarjen e Kuvendit.

    “Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike”, tha Abdixhiku më herët.

    Por, nuk dihet nëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të shkojë në takimin e thirrur nga Osmani.

    Në një deklarim për gazetarë nga Prekazi ku shkoi për homazhe, Kurti përmendi një ekspozitë në orën 13:00 në hollin e Kuvendit.