ATV

Tag: Ballina

  • Raporti i UNFPA: Mbi 39% e grave në Kosovë të pakënaqura me përvojën e lindjes

    Raporti i UNFPA: Mbi 39% e grave në Kosovë të pakënaqura me përvojën e lindjes

    Keqtrajtimi gjatë lindjes, mungesa e informacionit dhe vonesa në kujdesin shëndetësor janë disa nga problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit më të ri të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, UNFPA.

    Kjo situatë, sipas komunikatës së Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, pasqyron trendet e gjetura në të gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

    Sipas komunikatës raporti thekson dallime të rëndësishme rajonale dhe konstaton se gratë nga Ballkani Perëndimor raportuan disa nga nivelet më të larta të pakënaqësisë me përvojën e tyre të lindjes.

    Sipas raportit nga gratë e anketuara, 42.7 për qind në Shqipëri dhe 39.2 për qind në Kosovë deklaruan se ishin të pakënaqura me përvojën e tyre të lindjes. Kjo thuhet se është ndër përqindjet më të larta të regjistruara në mesin e vendeve të përfshira në studim.

    Raporti me titull “Kujdesi Respektues gjatë Lindjes: Përvojat dhe Perspektivat e Grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, thuhet se nxjerr në pah një krizë të përhapur, por shpesh të padukshme, të dhunës obstetrike që shkel të drejtat themelore të njeriut dhe dinjitetin e grave.

    Sipas raportit, gjetjet e të cilit bazohen në një anketë online me më shumë se 2,600 gra që kanë lindur së fundmi, e realizuar në 16 vende dhe territore të rajonit, gati 70 për qind e grave të anketuara në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore thonë se kanë përjetuar një formë keqtrajtimi gjatë lindjes.

    “Anketa përfshiu gjithashtu të anketuara nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku përvojat e grave tregojnë se ende ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme në sigurimin e kujdesit respektues gjatë lindjes” thuhet në komunikatë.

    Sipas anketës, dy në tre gra raportuan se kanë përjetuar të paktën një formë keqtrajtimi gjatë procesit të lindjes. “Këto përfshijnë procedura mjekësore pa pëlqim të informuar, abuzim verbal dhe fizik, si dhe shkelje serioze të privatësisë”, thuhet në komunikatë.

    “Këto gjetje janë një sinjal i fortë alarmi. Çdo grua ka të drejtë për standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit, i cili duhet të përfshijë kujdes dinjitoz dhe respektues gjatë lindjes”, citohet të ketë thënë Florence Bauer, drejtoreshë rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

    Sipas saj dhuna obstetrike nuk është vetëm një çështje klinike, por është shkelje e të drejtave të njeriut që i bën gratë të ndihen të pafuqishme dhe të lënduara, me pasoja afatgjata për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

    Ndër gjetjet kryesore të raportit është keqtrajtim i përhapur. Sipas raportit 67 për qind e grave të anketuara përjetuan të paktën një formë keqtrajtimi gjatë lindjes.

    Tjetër gjetje është “procedura pa pëlqim”. Sipas raportit pothuajse gjysma (48.1 për qind) e grave iu nënshtruan procedurave obstetrike – si epiziotomia, prerja cezariane apo administrimi i oksitocinës – pa pëlqimin e tyre të informuar.

    Raporti ka konstatuar gjithashtu se abuzimi është i zakonshëm. Sipas gjetjeve rreth 24 për qind e grave të anketuara raportuan se kanë përjetuar abuzim verbal, përfshirë bërtitje dhe poshtërim, ndërsa 1 në 10 gra raportuan abuzim fizik ose seksual gjatë lindjes ose gjatë ekzaminimeve gjinekologjike.

    Një tjetër gjetje e raportit është se ka vetëdije dhe raportim të ulët. Sipas raportit më shumë se gjysma (53.7 për qind) e grave të anketuara nuk ishin të njohura me termin “dhunë obstetrike”, dhe vetëm 2 për qind e atyre që përjetuan keqtrajtim e raportuan zyrtarisht përvojën e tyre, siç thuhet shpesh për shkak të mungesës së besimit në mekanizmat e llogaridhënies ose frikës nga pasojat.

    Gjithashtu është konstatuar se ka pabarazi në cenueshmëri. Sipas raportit gratë më të reja 18–24 vjeç, dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike ose me nivel më të ulët arsimor kishin dukshëm më shumë gjasa të raportojnë përjetime të keqtrajtimit.

    Në kuadër të publikimit të raportit, UNFPA dhe Bordi dhe Kolegji Evropian i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (EBCOG) kanë publikuar edhe një Thirrje të përbashkët për veprim, duke u bërë thirrje institucioneve dhe komunitetit mjekësor në të gjithë rajonin të ndërmarrin hapa konkretë për eliminimin e dhunës obstetrike.

    “Thirrja për Veprim përfshin disa masa kyçe: Miratimin e legjislacionit, forcimin e trajnimit profesional, fuqizimin e grave dhe familjeve, sigurimin e llogaridhënies dhe angazhimin e shoqërisë për këtë çështje.

  • Ngordhin tre lopë, Bruceloza prek fermën në Lubishtë të Vitisë, sëmundja mund të kalojë edhe te njerëzit

    Ngordhin tre lopë, Bruceloza prek fermën në Lubishtë të Vitisë, sëmundja mund të kalojë edhe te njerëzit

    Në fshatin Lubishtë të Vitisë, 12 lopë të një fermeri kanë rezultuar pozitive me brucelozë, sëmundje bakteriale ngjitëse që mund të kalojë edhe tek njerëzit. Ndërsa Fermeri dhe banorët janë të shqetësuar, autoritetet ende nuk kanë ndërmarr masa për asgjësimin e kafshëve të infektuara.

    Fermeri Izet Ferizi nga Lubishta e Vitisë kujdeset çdo ditë për 60 krerë lopë.

    Por, 12 nga to, së fundi i janë sëmurë me Burculoza, sëmundje kjo bakteriale ngjitëse që prek kryesisht lopët, delet dhe dhitë, por mund të kaloj edhe tek njerëzit.

    Nga kjo sëmundje Ferizit deri tash i kanë ngordhur 3 lopë.

    Ferizi nuk e ka frikën që po i infektohen lopët e tjera, por që sëmundja mund të bartet edhe tek njerëzit.

    Andaj ai kërkon nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që sa më shpejt të asgjësoj lopët e infektuara.

    Ai thotë se do tw detyrohet që nga nesër do t’i lëshoj lopët në kullosë, pavarësisht kërkesës së bashkëfshatarëve që t’i mbaj në shtallë.

    Edhe Kryetari i fshatit, Vehbi Xhymshiti është i shqetësuar për këtë situatë.

    ATV ka provuar që të marrë në përgjigje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Ministria e Bujqësisë lidhur me atë se kur pritet të ndërmarrin masa lidhur me këtë situatë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

  • “Koha kërkon bashkim”, çka po paralajmëron Abdixhiku?

    “Koha kërkon bashkim”, çka po paralajmëron Abdixhiku?

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët.

    Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se të gjithë të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike, të gjithë kanë një shtëpi të përbashkët, LDK-në.

    “Koha kërkon bashkim.

    Të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike.

    Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme.

    Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim.

    Le ta bëjmë. Do ta bëjmë”, shkruan Abdixhiku.

    E pas zhvillimeve të fundit politike, ka pas zëra se presidentja aktuale, Vjosa Osmani mund të kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

  • Çfarë parashihet me strategjinë e miratuar për zgjerim të BE’së – te Kosova përmendet rëndësia e dialogut

    Çfarë parashihet me strategjinë e miratuar për zgjerim të BE’së – te Kosova përmendet rëndësia e dialogut

    Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar një strategji për zgjerim të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut evropian.

    Sipas dokumentit të miratuar më 11 mars, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, dhe do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.

    Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan.

    Autori i dokumentit, eurodeputeti Petras Austrevicius, tha se marrë parasysh sfidat e sotme, modeli i integrimit të BE-së duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e BE-së dhe pritjet nga vendet kandidate.

    “Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në”, tha eurodeputeti Austrevicius.

    Sipas dokumentit të miratuar, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri më 2026-2027.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, mirëpo aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

    Kështu, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat.

    Kur përmendet Kosova në raport, aty theksohet rëndësia e dialogut të saj me Serbinë për avancim në rrugën drejt anëtarësimit.

    Mes tjerash në raport bëhet thirrje që të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që asnjë vend të mos trajtohet si pjesë e një pakete.

    “Sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në krye të prioriteteve të procesit të zgjerimit, me mbështetje të qëndrueshme për shoqërinë civile”, thuhet në dokument.

    Ai, gjithashtu, nënvizon domosdoshmërinë e përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila vlerësohet si “një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të vendit kandidat”.

    Në këtë drejtim, Serbia është kritikuar shpesh për mospërputhje të politikës së jashtme me atë të bllokut, meqë është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka sanksionuar Rusinë për nisjen e luftës në Ukrainë.

    Para votimit të këtij raporti, në Parlamentin Evropian është zhvilluar një debat, në të cilin mori pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se BE-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund t’i minojnë fshehurazi vlerat ose institucionet e BE-së.

    “Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”, tha mes tjerash Kos.

    Bashkimi Evropian është zgjeruar herën e fundit më 2013, me pranimin e Kroacisë./REL

  • Ambasada e Kosovës në Zagreb: Fluturimi Riad–Prishtinë mundësoi riatdhesimin e shtetasve të Bosnjës

    Ambasada e Kosovës në Zagreb: Fluturimi Riad–Prishtinë mundësoi riatdhesimin e shtetasve të Bosnjës

    Ambasada e Kosovës në Kroaci ka bërë të ditur se pas një kërkese të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës u bë i mundshëm fluturimi i mbrëmshëm Riad-Prishtinë për riatdhesimi e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës nga Arabia Saudite.

    Ambasada, mes tjerash, bën të ditur se kërkesa ishte drejtuar përmes kanaleve diplomatike, ndërsa operacioni u organizua dhe u realizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me institucione të tjera të vendit.

    “Republika e Kosovës edhe një herë dëshmoi se bashkëpunimi ndërmjet shteteve në rajon është thelbësor në tejkalimin e vështirësive që mund të kenë qytetarët e vendeve në rajonin tonë. Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb, falënderon institucionet e përfshira dhe të gjithë ata që kontribuan, për përgjigjen e shpejtë dhe efikasitetin e treguar”, thuhet në njoftim.

  • AAK mban konferencë për media

    AAK mban konferencë për media

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, do të mbajë sot një konferencë për media.

    Sipas njoftimit të AAK-së, konferenca do të zhvillohet në ora 10:00, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në hyrjen nga Sheshi “Ibrahim Rugova”.

    Nga AAK nuk janë dhënë detaje shtesë.

  • KQZ-ja mblidhet sot, shqyrtohet pezullimi i AKR-së

    KQZ-ja mblidhet sot, shqyrtohet pezullimi i AKR-së

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbaj sot mbledhjen e radhës.

    Në mbledhjen që pritet të fillojë në orën 13:30, në rend dite janë shtatë pika. Sipas njoftimit për media, një nga pikat e renit të ditës shtë shqyrtimi i rekomandimit për pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR).

    Përveç kësaj, gjatë mbledhjes pritet të diskutohen edhe disa çështje të tjera që lidhen me aktivitetet e KQZ-së dhe funksionimin e institucioneve zgjedhore.

    Rendi i plotë i ditës:

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;
    2. Aktivitetet e Zyrës

    2.1. Rekomandim për pezullim të partisë politike ALEANCA KOSOVA E RE me akronimin AKR;

    3. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    3.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së KQZ për vitin 2026;
    4. Këshilli për Buxhet dhe Financa

    4.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Prokurimit të KQZ për vitin 2026
    5. Këshilli për Çështje Ligjore

    5.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të kuvendit komunal në Istog;

    6. Vlerësimi i rezultateve në punë për vitin 2025 për:

    – U.D. Drejtorin e Sekretariatit të KQZ;
    – Zëdhënësin e KQZ;
    – Auditorin e brendshëm.

    7. Të ndryshme.

  • Osmani edhe tri javë presidente, pëfundon mandatin 5 vjeçar

    Osmani edhe tri javë presidente, pëfundon mandatin 5 vjeçar

    Më 4 prill, me 71 vota për, Kuvendi e zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

    5 vjet pas, Osmanit në këtë detyrë i kanë mbetur edhe 24 ditë.

    Deri në përmbyllje të mandatit, ajo do ta ushtrojë pozitën e kreut të shtetit me kompetenca të plota. Por, si do t’i kalojë Osmani tri javët e mbetura në Presidencë si kryetare shteti?

    “Këto tri javë janë më tepër të nevojshme për ta përmbyllë mandatin, për të përgatitur dorëzimin e detyrës, për të proceduar ndoshta me njoftimin e partnerëve ndërkombëtarë, kjo puna e prezantimit të Kosovës në Bordin e Paqes mbetët të shihet se si do të funksionalizohet”, tha Besa Luzha- njohëse politike

    Në presidencë nuk i kthyen përgjigje RTK-së në pyetjet e dërguara.

    Tashmë, Osmani po pret emrat e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së, nga subjektet politike. Afati i fundit për dorëzimin e emrave është 15 marsi, ndërsa Osmani, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të ketë 5 ditë kohë për emërimin e tyre.

    “Ju ka kërkua partive të rekomandojnë përfaqësuesit për KQZ sepse është diçka që është e domosdoshme sepse nëse shkojmë në zgjedhje, KQZ-ja duhet të funksionalizohet”, tha Luzha.

    Osmani, është gruaja e dytë, pas Atifete Jahjagës, e zgjedhur presidente në historinë e shtetit të Kosovës. Në zgjedhjet e atëhershme të 14 shkurtit, ajo ishte personi më i votuar, me mbi 300 mijë vota.

  • Abdixhiku zbulon bisedën me Kurtin për presidentin: A duam marrëveshje apo zgjedhje?

    Abdixhiku zbulon bisedën me Kurtin për presidentin: A duam marrëveshje apo zgjedhje?

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar detaje nga diskutimi që kishte me kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

    Abdixhiku tha se gjatë takimit e kishte pyetur Kurtin nëse synimi është arritja e një marrëveshjeje apo shkuarja në zgjedhje.

    “A i kemi këto takime sa për sy e faqe? Që bëhemi se po takohemi dhe në fund përfundojmë në zgjedhje dhe këtë punë e marrim vesh për pak ditë, apo do të shkojmë drejt zgjedhjes së presidentit?”, deklaroi Abdixhiku në Klan Kosova.

    Sipas tij, ekzistojnë tri alternativa për procesin e zgjedhjes së presidentit. E para, tha ai, është imponimi i një kandidature, gjë që sipas Abdixhikut do të çonte vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.

    “Në qoftë se imponon kandidaturë, atëherë shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nënshtrim, nuk nënshtrohet askush”, theksoi ai.

    Abdixhiku shtoi se Kurti i ka thënë se nuk ka qëllim për imponim të kandidatit. Në këtë rast, sipas tij, mbeten edhe dy mundësi të tjera: gjetja e një kandidati konsensual pa përkatësi partiake, ose arritja e një marrëveshjeje klasike politike mes partive.

    “Mu tha që jemi për këto të dyja. Preferojmë konsensusin e gjerë”, u shpreh Abdixhiku.

  • OVL e UÇK reagon ndaj deklaratave të Speciales për respektimin e të drejtave të të akuzuarve

    OVL e UÇK reagon ndaj deklaratave të Speciales për respektimin e të drejtave të të akuzuarve

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK) ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila përmes faqes së saj zyrtare në “X” deklaroi se gjyqtarët sigurojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Në reagimin e saj, OVL e UÇK e konsideron deklaratën e gjykatës si një përpjekje për të “hedhur hi syve popullit të Kosovës”. Organizata thekson se qytetarët kanë parë gjatë gjithë këtyre viteve shkeljet e të drejtave themelore të të akuzuarve dhe nuk besojnë në respektimin real të Kushtetutës gjatë procesit.

    “Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse gjykimi është në fazën përmbyllëse, pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?” thuhet në reagim.

    OVL e UÇK thekson se mbajtja e të akuzuarve në paraburgim të pafund është e paarsyeshme, duke kërkuar një përgjigje të qartë dhe jo deklarata formale.

    Organizata thekson se kërkon drejtësi të vërtetë dhe standarde të barabarta, siç aplikohen në çdo sistem gjyqësor demokratik.

    Ky reagim vjen në një kohë kur Gjykata Speciale po afrohet drejt përfundimit të proceseve të saj, ndërsa tensionet dhe polemikat për të drejtat e të akuzuarve mbeten një çështje me rëndësi të madhe për opinionin publik në Kosovë.