ATV

Tag: Ballina

  • “Çka ka shtëpija, tregon fëmija” – Haradinaj reagon pas deklaratës së Rashiq për 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit

    “Çka ka shtëpija, tregon fëmija” – Haradinaj reagon pas deklaratës së Rashiq për 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqit, i cili tha se për “hatër të tij”, Kurti i kishte dhënë 24 hektarët Manastirit të Deçanit.

    Për këtë, Haradinaj ka ironizuar me një fjalë popullore.

    “Çka ka shtëpija, tregon fëmija”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor

    KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor

    Nuk ka kaluar as një muaj që nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit 2025. Megjithatë, zgjedhje të tjera të parakohshme mund të ndodhin së shpejti.

    KQZ, që përmbylli vitin 2025 me organizimin e dy proceseve zgjedhore parlamentare të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit, si dhe dy proceseve zgjedhore për nivelin lokal më 12 tetor dhe raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave më 9 nëntor, do t’i duhet sërish të organizojë zgjedhje të reja.

    Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se nuk komentojnë zhvillimet politike dhe se qëndrimi i KQZ-së mbetet i njëjtë, si në rastet tjera.

    Sipas tij, organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një kohe të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e tij, megjithkëtë, ky institucion do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

    “Organizimi edhe i një procesi të ri dhe të parakohshëm zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, vetëm brenda një kohe të shkurtër pas përmbylljes së zgjedhjeve, gjithashtu të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij. Megjithkëtë, KQZ, si institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve, do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kurdo që kjo do të kërkohet”, tha Elezi.

    Elezi tha se nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor KQZ do të diskutojë për çështjet e buxhetit.

    “Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka diskutuar lidhur me këto çështje, por sigurisht se nëse do të ketë pra një proces të ri zgjedhor atëherë KQZ fillimisht në forumet e veta do të diskutojë për çështjet e buxhetit dhe pastaj do të bëjë edhe planifikimin e nevojshëm i cili si zakonisht i dërgohet për miratim Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

    Ai shtoi se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që KQZ-ja të bëjë shkurtimin e afateve kohore për organizimin e tyre.

    “Nëse pra do të kemi një proces të parakohshëm zgjedhor, pra ai do të organizohej në afate të shkurtra kohore, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë shkurtimin e afateve kohore të aktiviteteve të ndryshme dhe t’i përshtasë ato me rrethanat, pra me ditët që ka në dispozicion për organizimin e këtij procesi zgjedhor”, tha ai.

    Më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekretin për të shpërndarë legjislaturën e 10-të pasi deri më 5 mars dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës.

    Osmani mori këtë vendim duke u mbështetur në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se “zgjedhja e Presidentit të Repubikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.

    Aktualisht, çështja e dekretit të nxjerrë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, nga ku është kërkuar vendosja e masës pezulluese, deri në shqyrtimin përfundimtar.

  • Kosova nënshkruan një marrëveshje me SPAK-un e Shqipërisë

    Kosova nënshkruan një marrëveshje me SPAK-un e Shqipërisë

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, priti sot në një takim pune drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, Klodjan Braho.

    Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të bashkëpunimit SPAK dhe PSRK nënshkruan një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.

    “Gjatë takimit, z. Braho dhe z. Isufaj shprehën gatishmërinë për angazhim të përbashkët me qëllim avancimin e mëtejshëm të koordinimit ndërinstitucional. z.Braho, riafirmoi rëndësinë e partneritetit me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në takim.

  • “24 hektarë për hatër të tij”, Rashiq: Gabova, i kam ngatërruar dy ngjarje, bëra permutacion të fjalëve të Kurtit

    “24 hektarë për hatër të tij”, Rashiq: Gabova, i kam ngatërruar dy ngjarje, bëra permutacion të fjalëve të Kurtit

    Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka deklaruar se ka bërë ngatërresë kur ka thënë se Albin Kurti vendosi t’ia jap Manastirit të Deçanit 24 hektarë për hatër të tij.

    Ai thotë se i është ngatërruar ky rast me rastin e pranimit të kërkesës për vizitën e patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.

    “E vërteta është që, me keqardhje po them, i kam ngatërruar këto dy ngjarje të cilat kanë qenë afër [njëra-tjetrës] dhe tash kanë kaluar tri vjet apo më shumë. Gabimisht kam thënë që lidhet me kthimin e tokës së Deçanit. Gabimisht kam bërë një permutacion duke përdorë fjalët e kryeministrit për vizitën e patriarkut në Kosovë”- tha Rashiq për Kallxo.com, duke shtuar se i vie keq nëse kjo deklaratë ka krijuar konfuzion por që nuk e ka bërë qëllimisht.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë për Radio Gorazhdecin ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe vendimet e Qeverisë që prekin komunitetin serb.

    Ndër të tjera, ai ka deklaruar se këmbëngulja e tij çoi në zbatimin e vendimit për bartjen e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, me ç’rast, siç ka shtuar ai, Kurti i kishte thënë se “po e bëj për shkakun tënd”.

    “Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd” – deklaroi Rashiq.

  • Besart Jashari emërohet zv/ministër në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Besart Jashari emërohet zv/ministër në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Besart Jasharin në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

    Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi zyrtar nga Zyra e Kryeministrit.

    Në njoftim thuhet se Kurti e uroi Jasharin për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

  • Kurti sot merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas

    Kurti sot merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi, me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”.

    Kjo është organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit, ngjarja do të nis në ora 10:00.

  • Nga 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë, mbi 10 mijë zyrtarë i nënshtrohen procesit

    Nga 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë, mbi 10 mijë zyrtarë i nënshtrohen procesit

    Nga 1 marsi ka nisur zyrtarisht afati ligjor për deklarimin e pasurisë për vitin kalendarik 2025, një obligim që përfshin mijëra bartës të funksioneve publike në vend.

    Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit shprehen se respektimi i këtij afati është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien në institucionet publike, ndërsa paralajmërojnë masa ndëshkuese për ata që nuk e përmbushin detyrimin brenda kohës së përcaktuar.

    Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 përfundon më 31 mars 2026, kështu kanë bërë të ditur për “Front Online” nga APK-ja.

    “Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 (1 janar – 31 dhjetor 2025) ka filluar më 1 mars 2026 dhe përfundon më 31 mars 2026, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigje.

    Nga APK bëhet e ditur se nuk ka pasur ndryshime në legjislacionin që rregullon kategoritë e zyrtarëve të obliguar për deklarim.

    “Gjatë viteve të fundit nuk ka pasur ndryshime në legjislacionin përkatës që rregullon kategoritë e subjekteve deklaruese. Rrjedhimisht, lista e pozitave që i nënshtrohen deklarimit mbetet e njëjtë me vitin paraprak 2025 dhe nuk ka kategori apo pozita të reja të shtuara”, thuhet në përgjigjen e APK-së.

    Sipas Agjencisë, lista e zyrtarëve që obligohen të deklarojnë pasurinë nuk përcaktohet me vendime administrative por bazohet në ligjin në fuqi.

    “Kategoritë e subjekteve deklaruese përcaktohen ekskluzivisht në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, ndërsa çdo zgjerim eventual i kësaj liste mund të bëhet përmes ndryshimeve apo plotësim-ndryshimeve ligjore, sipas procedurave të parapara”.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se për ciklin aktual të deklarimit vjetor të pasurisë për vitin 2025, numri i përgjithshëm i subjekteve që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor është 10,340.

    “Numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor për këtë cikël deklarimi është 10340”, thuhet në përgjigje.

    Në mesin e subjekteve deklaruese për deklarimin e pasurisë janë edhe mjekët dhe profesorët.

    Sipas Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, këto kategori janë të përfshira në regjistrin e subjekteve deklaruese dhe i nënshtrohen të njëjtit afat ligjor për deklarim.

    Në përgjigjen e APK-së dhënë “Front Online”, thuhet se numri aktual i mjekëve dhe profesorëve të regjistruar si subjekte deklaruese është 1,360.

    “Këto kategori, mjekët dhe profesorët tashmë janë të përfshirë si subjekte deklaruese bazuar në legjislacionin në fuqi. Ata i nënshtrohen të njëjtit afat ligjor për deklarim vjetor, pra periudhës 1-31 mars 2026. Numri aktual i tyre në regjistrin e subjekteve deklaruese është 1360”, thuhet në përgjigje.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka bërë të ditur se vitin e kaluar ka ndërmarrë masa ndaj subjekteve deklaruese që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë brenda afatit të përcaktuar.

    Sipas Agjencisë, gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar gjithsej 135 gjoba.

    Ndërkaq, për vonesa mbi 15 ditë, 16 raste janë referuar në organet kompetente.

    “Në rastet kur subjektet deklaruese nuk kanë përmbushur obligimin ligjor brenda afatit të përcaktuar, Agjencia ka ndërmarrë veprimet e parapara me ligj. Për vonesa deri në 15 ditë janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore. Gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar 135 gjoba për këtë kategori shkeljesh. Për vonesa mbi 15 ditë dhe varësisht natyrës së shkeljes në përputhje me legjislacionin në fuqi 16 raste janë përcjellë edhe në organet kompetente – prokurori”, thuhet në përgjigje.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) vazhdon në mënyrë të rregullt procedurat administrative dhe verifikimet për zyrtarët publikë, përfshirë edhe rastet që lidhen me mosdeklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë.

    Sipas Agjencisë, APK ka referuar 61 informata dhe 17 kallëzime penale në prokurori dhe institucione të tjera të ndjekjes për shkelje të ndryshme në këtë fushë.

    “Agjencia zhvillon në mënyrë të vazhdueshme procedura administrative dhe verifikime, përfshirë raste që mund të jenë në trajtim për mosdeklarim apo deklarim të pasaktë. Në çdo rast kur gjatë procedurës konstatohet dyshim i bazuar për vepër penale, çështja referohet në institucionet kompetente të drejtësisë. Gjatë vitit të kaluar nga Agjencia për raste të ndryshme janë referuar 61 informata dhe 17 kallëzime penale në prokurori dhe institucione të tjera të ndjekjes”, thuhet në përgjigjen e APK-së

  • Deklarata e Rashiqit për tokën që iu transferua Manastirit të Deçanit, Haradinaj: Nëse Kurti s’e demanton, më shumë se tradhti kombëtare

    Deklarata e Rashiqit për tokën që iu transferua Manastirit të Deçanit, Haradinaj: Nëse Kurti s’e demanton, më shumë se tradhti kombëtare

    Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron”më shumë se tradhti kombëtare”, nëse është e vërtetë ajo që tha ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

    “Nëse Kurti nuk e demanton, kjo përbën më shumë se tradhti kombëtare”, shkroi ai në një postim në Facebook.

  • “Do ta bëj për ty”, Rashiq tregon se si Kurti vendosi t’ia transferonte Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë

    “Do ta bëj për ty”, Rashiq tregon se si Kurti vendosi t’ia transferonte Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka folur për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevcin lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    Ai tha se ka pasur situata kur kanë pasur kundërshtime, por shpjegoi se si Kurti e kishte bërë, siç tha, për shkak të tij, transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.

    Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.

    “Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq, siç transmeton Kossev.

    Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai.

  • “Vërtet zhgënjyese”, Torres: Kosova përballet me pasiguri të re politike

    “Vërtet zhgënjyese”, Torres: Kosova përballet me pasiguri të re politike

    Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka reaguar pasi të enjten Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjidhte presidentin e ri, ndërsa të premten në orët e mëngjesit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e shpërndau Kuvendin e Kosovës.

    E pas kësaj, ka reaguar raportuesi i Parlamentit të Kosovës, Riho Terras.

    Ai në një postim në platformën X shkruan se kjo është serioze dhe zhgënjyese.

    “Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë Presidentin. Kjo është një pengesë serioze. Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkruan Terras.

    Ndryshe, të premten, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka nxjerr dekretin që të shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

    Sipas saj, nëpërmjet këtij dekreti ka kryer detyrimin e saj që është përcaktuar me Kushtetutë.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është informuar përmes mediave për dekretin lidhur me shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

    Sipas tij, nga momenti i fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta parasheh një afat prej 60 ditësh që duhet të kalojnë para se të mund të shpërndahet Kuvendi.

    “Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti. /Telegrafi/