ATV

Tag: Ballina

  • Ligji për të Huajt, Kallas: Moment i ri për dialogun Kosovë-Serbi, jam gati të organizoj takim të nivelit të lartë

    Ligji për të Huajt, Kallas: Moment i ri për dialogun Kosovë-Serbi, jam gati të organizoj takim të nivelit të lartë

    Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka quajtur hap të rëndësishëm marrëveshjen për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se ky përparim shënon një moment të ri në dialogun Kosovë–Serbi.

    Kallas ka shtuar se është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë së shpejti.

    “Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd–Prishtinë, dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar ajo në X.

  • Kurti: Qeveria do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj studentëve dhe punëtorëve serbë

    Kurti: Qeveria do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj studentëve dhe punëtorëve serbë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka thënë se procesi i zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së.

    Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë, dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme.

    Kurti ka theksuar se nuk është në interesin e Kosovës që zbatimi i Ligjit të krijojë pengesa në ofrimin e shërbimeve, por se qëndrimi i Kosovës është se në vend “nuk mund të ketë mekanizma ilegalë”.

    “Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista do të shërbejë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do të ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë ai.

    Kurti ka shtuar se për tre muaj qytetarët serbë do të mund të regjistrojnë gjendjen civile.

    “Qeveria po ashtu do hapë një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do t’u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, ka shtuar ai.

  • Sorensen mirëpret zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet në Kosovë

    Sorensen mirëpret zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet në Kosovë

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka mirëpritur angazhimin e Kosovës për zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet.

    Pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, Sørensen tha para mediave se gjatë bisedimit kanë diskutuar për hapat që po ndërmerren nga institucionet e Kosovës për zbatimin e këtyre ligjeve dhe për informimin e qytetarëve që preken nga to.

    “Patëm një takim të mirë këtë mëngjes ku mirëpritëm angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken”, tha Sørensen.

    Sørensen bëri të ditur gjithashtu se gjatë procesit është kërkuar që të ketë konsultime të strukturuara me përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet mbështetja e tyre.

    “Ne këmbëngulëm në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me mua si përfaqësues i BE-së për dialogun dhe me procesin që unë ndjek në kuadër të tij. Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, shtoi tutje ai.

  • Orav: Ligji për të huajt do të zbatohet me disa masa shtesë

    Orav: Ligji për të huajt do të zbatohet me disa masa shtesë

    Zbatimi i Ligjit për të huajt do të nisë nga nesër, por me masa shtesë veçanërisht për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm, ka konfirmuar shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

    “Shpresojmë shumë që të gjitha ato çështje të brendshme të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Por para së gjithash, sot në takim u përqendruam në zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt. Diskutuam për zbatimin, të cilin do ta fillojmë nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot ka dakordim për zbatimin e Ligjit për të Huajt me hapa shtesë thelbësorë, para së gjithash sa i përket procesit të regjistrimit të serbëve të Kosovës dhe lejeve të qëndrimit të përkohshëm. Pra, kryeministër Kurti, ju faleminderit shumë për konstruktivitetin tuaj. Dua të falënderoj gjithashtu për qasjen konstruktive të liderëve politikë serbë në Kosovë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Sørensen, ka qenë gjithashtu në kontakt të ngushtë me Qeverinë e Serbisë për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha ai.

  • Sorensen pas tri javësh kthehet në Prishtinë, nesër në mëngjes takon Kurtin, flasin edhe për media

    Sorensen pas tri javësh kthehet në Prishtinë, nesër në mëngjes takon Kurtin, flasin edhe për media

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mëngjesin e nesërm do të pres në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbis, Peter Sorensen.

    Në njoftimin për media, bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet nga ora 08:30.

    Po ashtu, zyra e kryeministrit në komunikatë bën të ditur edhe se, pas takimit do të ketë deklarim për media.

    ”Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 14.3.2026

    1.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, z. Peter Sørensen.

    Pas takimit do të ketë deklarim për media.

    VENDI: Ndërtesa e Qeverisë

    KOHA: 08:30”, thuhet nga ZKM.

  • Haradinaj nënshkruan peticionin kombëtar në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

    Haradinaj nënshkruan peticionin kombëtar në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se gjatë ditës së premte ka nënshkruar peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Përmes në njoftimi në Facebook, Haradinaj tha me besim të plotë se kësaj radhe drejtësia ndërkombëtare do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës të drejtë çlirimtare.

    “Sot nënshkrova peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë. Besojmë se edhe kësaj radhe drejtësia ndërkombëtare do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës sonë të drejtë çlirimtare. Rroftë UÇK-ja!”, ka shkruar ai.

  • Maqedonci për blerjet e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve

    Maqedonci për blerjet e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndron, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende.

    Maqedonci i bëri këto deklarata pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur një ditë më parë se Serbia ka blerë raketa kineze “shkatërruese”.

    Bëhet fjalë për raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina.

    “Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci, duke përmendur se është Serbia ajo e cila shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.

    Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se Serbia i ka integruar me sukses raketat e blera kineze në aeroplanët ushtarakë rusë MiG-29, që veçse i zotëron.

    “Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

    Presidenti serb nuk tregoi se sa kushtuan raketat por tha se ato “janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”.

    Ministri Maqedonci beson se blerjet e Serbisë nga Kina janë vazhdimësi e politikës së Vuçiqit.

    “Republika e Serbisë blerjet ushtarake kryesisht i realizon nga vendet joanëtare të NATO-s. Kryesisht blerjet strategjike Serbia i ka realizuar nga Federata Ruse dhe Kina. Nga Kina, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka prokuruar sistemet raketore kundër-ajrore FK3, HQ-17 dhe HQ-9 si dhe fluturake pa pilot dhe radarë të ndryshëm”.

    Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

    Ndaj kësaj blerjeje të Serbisë ka reaguar kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili paralajmëroi se për këtë çështje do të diskutojë me aleancën e NATO-s.

    Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

    Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

    Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë./REL/

  • Këta janë kandidatët për antarë të bordit të RTK-së

    Këta janë kandidatët për antarë të bordit të RTK-së

    Tashmë janë bërë publikë emrat e kandidatëve për anëtarë të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Sipas njoftimit të Flutura Kusarit, në konkursin për anëtarë të bordit të RTK-së kanë aplikuar 67 persona për pozitat e anëtarëve shqiptarë. Në dokument gjenden të dhënat edhe për pozitat e tjera.

    Siç është bërë e ditur, janë 8 pozita të lira për anëtarë të bordit: 6 për shqiptarët dhe 2 për komunitetet joshumicë.

  • Komiteti i Rajoneve i BE-së ia hoqi Kosovës fusnotën, ministri Konjufca e mirëpret vendimin

    Komiteti i Rajoneve i BE-së ia hoqi Kosovës fusnotën, ministri Konjufca e mirëpret vendimin

    Ditë më parë u bë e ditur se Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian për të harmonizuar terminologjinë e përdorur për Kosovën me atë të Parlamentit Evropian, ka hequr asteriskun dhe shënimin në fund të faqes.

    E lidhur me këtë ka shkruar sot në rrjetin social X zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

    “Ne mirëpresim vendimin e Komitetit të Rajoneve për të ndërprerë përdorimin e ‘Kosovo*’ dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet e tij publike. Ky hap e rreshton Komitetin me Parlamentin Evropian dhe pasqyron një qartësi më të madhe institucionale sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës.

    Falënderime të veçanta për Gillian Coughlan, Kryetare e Grupit të Punës për Kosovën në Komitetin e Rajoneve të Bashkimit Evropian dhe Raportuese për Zgjerimin, për mbështetjen e saj parimore dhe angazhimin e vazhdueshëm për Kosovën”, shkruan Konjufca.

  • Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Prokurori Arian Gashi është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Gashi u zgjodh kryesues me katër vota pro.

    “Me katër vota për, z.Arian Gashi, zgjidhet Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës”, u konstatua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK’së.

    Ai u zotua se detyrën do ta ushtroj me paanshmëri dhe transparencë.

    Gashi menjëherë pas zgjedhjes dha dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Komisionit për çështje normative, e cila iu miratua pa asnjë votë kundër dhe abstenim.

    Mandati i Gashit fillon sot dhe zgjat deri në përfundim të mandatit si anëtar i KPK’së. Gashi ishte betuar si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës në janar të vitit 2023.

    Në garë për pozitën e kryesuesit ishte edhe prokurori special, Milot Krasniqi.