ATV

Tag: Ballina

  • 27 vjet nga masakra e tregut në Mitrovicë

    27 vjet nga masakra e tregut në Mitrovicë

    Sot shënohet 27-vjetori i masakrës së tregun e Mitrovicës.

    Më 13 mars 1999, forcat serbe sulmuan me minahedhës derisa tregu ishte plot me njerëz, ndërsa si pasojë mbetën të vdekur gjashtë qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa u plagosën edhe 128 të tjerë.

    Përfaqësues të institucioneve komunale dhe asociacioneve të tjera në Mitrovicë, familjarë të viktimave e martirëve, si dhe qytetarë tjerë, çdo vit mblidhen në vendin e ngjarjes në nderim të viktimave të kësaj masakre.

  • Ngritja e çmimeve: Shtrenjtohen edhe vitrat e BIK-ut

    Ngritja e çmimeve: Shtrenjtohen edhe vitrat e BIK-ut

    Bashkësia Islame e Kosovës ka rritur vlerën e Sadakatul Fitrit për këtë Ramazani, duke e përcaktuar atë në 5, 10 dhe 15 euro, varësisht nga gjendja ekonomike e besimtarëve.

    Vitin e kaluar këto shuma ishin 3, 5 dhe 10 euro.

    Sadakatul Fitri është obligim fetar që jepet në fund të Ramazanit për të ndihmuar familjet në nevojë para festës së Fitër Bajrami.

  • Kosova me inflacionin më të lartë në Ballkan – çmimet rriten më shpejt se në tërë rajonin

    Kosova me inflacionin më të lartë në Ballkan – çmimet rriten më shpejt se në tërë rajonin

    Kosova ka shënuar normën më të lartë të inflacionit në rajonin e Ballkanit për muajin shkurt 2026, sipas të dhënave të publikuara nga platforma analitike ekonomike Kos Data.

    Sipas këtyre të dhënave, inflacioni në Kosovë ka arritur në 6%, duke e vendosur vendin në krye të listës së shteteve të rajonit për rritjen e çmimeve.

    Pas Kosovës renditen disa vende të tjera të rajonit me norma dukshëm më të ulëta të inflacionit:

    Kroacia – 3.8%

    Bosnja dhe Hercegovina – 3.6%

    Bullgaria – 3.3%

    Mali i Zi – 2.9%

    Maqedonia e Veriut – 2.9%

    Sllovenia – 2.9%

    Greqia – 2.7%

    Shqipëria – 2.5%

    Serbia – 2.4%

    Shifrat tregojnë se Kosova ka pothuajse dyfishin e inflacionit krahasuar me disa vende të rajonit, duke reflektuar një presion më të madh në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

    Inflacioni ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve, pasi rritja e çmimeve prek veçanërisht produktet bazë, energjinë dhe shërbimet.

    Ndërkohë, ekspertët ekonomikë vazhdojnë të theksojnë se kontrolli i inflacionit dhe stabiliteti i çmimeve mbeten një nga sfidat kryesore për ekonominë e vendit.

  • Haxhi Avdyli i ‘mbyll derën’ LDK-së: Jam pjesë e grupit parlamentar të LVV

    Haxhi Avdyli i ‘mbyll derën’ LDK-së: Jam pjesë e grupit parlamentar të LVV

    Deputeti nga radhët e Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, që u reshtua në krah me presidenten Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e rikthimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Në një deklaratë për Kanal 10, Avdyli tha se nuk ka asnjë plan për t’u rikthyer në LDK dhe se do të vazhdojë të mbetet pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht dorëheqjes nga të gjitha pozitat në partinë Guxo.

    Deklarata e tij vjen vetëm pak orë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri thirrje për bashkim brenda spektrit politik, një thirrje që u interpretua si ftesë për rikthimin e presidentes Vjosa Osmani dhe ish-anëtarëve të tjerë që u larguan nga LDK-ja.

    Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku bëri thirrje për bashkimin e asaj që ai e quajti “kampi institucionalist”, duke theksuar se mbështetësit e Republikës dhe të rrugës euroatlantike kanë një shtëpi të përbashkët politike.

    Sipas tij, koha kërkon një projekt të përbashkët që tejkalon ndarjet dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës.

    “Koha kërkon bashkim, të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike.

    Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës, prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët, një projekti që tejkalon secilin prej nesh, që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës.’’

    Thirrja për bashkim vjen në një periudhë kur skena politike është përfshirë nga diskutime për ripozicionime të mundshme mes figurave që dikur kanë qenë pjesë e LDK-së.

  • MPJD konfirmon se qindra kosovarë ndodhen ende në Lindjen e Mesme

    MPJD konfirmon se qindra kosovarë ndodhen ende në Lindjen e Mesme

    Një numër i “konsiderueshëm” shtetasve të Kosovë janë kthyer në vendlindje nga Lindja e Mesme, por qindra të tjerë vazhdojnë të mbeten në rajonin e përfshirë nga luftimet e ditëve të fundit mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, tha për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

    Ministria, në një përgjigje të enjten, megjithatë nuk tregoi numrin e saktë e kosovarëve të kthyer nga rajoni.

    Ajo tha se institucionet e Kosovës janë duke u marrë me kërkesat për kthim në bashkërendim me autoritetet e vendeve përkatëse dhe me partnerët ndërkombëtarë.

    Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i nisën bombardimet kundër Iranit më 28 shkurt, duke sulmuar caqet e ushtrisë dhe të regjimit klerik.

    Pas bombardimeve të mëdha fillestare, që vranë edhe liderin suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, Teherani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit dhe disa vendeve në Lindjen e Mesme që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Bahrejnin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Katarin dhe Arabinë Saudite.

    Luftimet nuk janë ndalur prej atëherë dhe Ministria kosovare theksoi se në vendet e Gjirit gjenden rreth një mijë qytetarë të Kosovës, duke përfshirë rezidentë dhe vizitorë të përkohshëm .

    “Sipas informacioneve më të fundit të pranuara nga misionet tona diplomatike, aktualisht vlerësohet se rreth 600 shtetas të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në këto zona”, thuhet në përgjigje.

    Ajo tha se procesi i evakuimit të shtetasve nga Izraeli pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji.

    Sipas ministrisë, Ambasada e Kosovës në Riad është duke punuar që të mundësojë kalimin e qytetarëve nga Katari, Kuvajti, Bahreini dhe Iraku në Arabinë Saudite, duke lehtësuar procesin e pajisjes me viza saudite.

    “Kjo bëhet me qëllim që qytetarët të mund të shfrytëzojnë fluturimet komerciale drejt Kosovës nga aeroportet në Jeddah, Dammam dhe Riad. Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Katar ka mbuluar transportin rrugor të qytetarëve nga Katari dhe Iraku, në mënyrë që ata të vazhdojnë më tej udhëtimin drejt Kosovës. Në Emiratet e Bashkuara Arabe ndërkohë kanë rifilluar fluturimet komerciale, dhe ambasada jonë atje është duke asistuar qytetarët për të organizuar kthimin e tyre drejt Kosovës”, shtoi ajo.

    Ndërkohë, të enjten, Ambasada e Kosovës në Zagreb njoftoi se në Prishtinë nga Riadi kanë arritur edhe disa shtetas të Bosnje e Hercegovinës, por nuk ka bërë të ditur numrin e tyre.

    Sipas njoftimit, kërkesa ka ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës.

    Përmes Aeroportit të Prishtinë janë kthyer edhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut.

    Shërbimi i Maqedonisë së Veriut i Radios Evropa e Lirë raportoi se një grup prej 153 pasagjerësh është evakuuar të mërkurën, derisa autoritetet maqedonase kanë paralajmëruar edhe kthime të tjera.

    Ministri i Jashtëm, Timcho Mucunski informoi të hënën se është duke u zhvilluar një proces i koordinuar i evakuimit të qytetarëve maqedonas nga disa vende në Lindjen e Mesme, i cili pritet të finalizohet deri në fund të kësaj jave.

    Në mesin e pasagjerëve që janë evakuar që nga 8 marsi, sipas raportimit, janë edhe 13 shtetas nga Kosova./Radio Evropa e Lirë

  • 12 kongresistë “të shqetësuar thellë” i shkruajnë Rubios kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova

    12 kongresistë “të shqetësuar thellë” i shkruajnë Rubios kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova

    Një grup prej dymbëdhjetë ligjvënësish amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për raportimet mbi një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë.

    Letra, e datës 11 mars, paralajmëron se një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane në KFOR mund të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Ligjvënësit i kërkojnë Departamentit të Shtetit të ruajë nivelin aktual të forcave amerikane në këtë mision paqeruajtës./nacionale/

    “Ne ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me raportimet se administrata Trump mund të reduktojë forcat amerikane nga misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë”, thuhet në letër.

    Sipas tyre, situata politike në rajon mbetet e brishtë dhe ndikimi i aktorëve të jashtëm po rritet.

    “ Në një kohë të brishtësisë politike dhe rritjes së ndikimit malinj në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë”, shkruajnë ata.

    Ligjvënësit theksojnë se kontributi amerikan është thelbësor për efektin parandalues të këtij misioni.

    Aktualisht, SHBA kontribuon me rreth 500 trupa në një KFOR totale prej rreth 5,000 ushtarësh.

    “Një prani e vogël me një ndikim të jashtëzakonshëm”, thekson letra.

    Sipas kongresmenëve, kontributi amerikan konsiderohet “shtylla kurrizore e efektit parandalues të KFOR-it”.

    Ata argumentojnë se sinjali strategjik i SHBA-së ndaj aleatëve dhe aktorëve rajonalë është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

    Letra vë në dukje se tensionet mes komuniteteve serbe në veri të Kosovës dhe institucioneve qendrore vazhdojnë të jenë të larta.

    “Në mungesë të përparimit domethënës në dialogun Beograd–Prishtinë, një reduktim i trupave heq një levë të rëndësishme për të nxitur rikthimin në negociata”, shkruajnë ligjvënësit.

    Ata paralajmërojnë gjithashtu se një reduktim i pranisë amerikane mund të inkurajojë aktorë që e shohin një tërheqje perëndimore si mundësi për të nxitur destabilizim.

    Ligjvënësit paralajmërojnë se çdo dobësim i KFOR-it mund të ketë pasoja për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

    KFOR shërben si forcë rezervë për misionin e Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR Althea.

    Në letër përmendet edhe lideri i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

    Ligjvënësit theksojnë se Dodik ka vazhduar retorikën separatiste dhe bllokimin institucional.

    Ata vënë në dukje se kjo retorikë është intensifikuar edhe pas vendimit të administratës Trump për të hequr sanksionet ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve.

    “Edhe perceptimi i një tërheqjeje amerikane nga KFOR mund të inkurajojë agjenda nacionaliste në Kosovë dhe Serbi, si dhe ambiciet separatiste në Republika Srpska”, thuhet në letër.

    Ligjvënësit paralajmërojnë gjithashtu për ndikimin e Rusisë në rajon.

    Sipas tyre, Moska ka kërkuar vazhdimisht të shfrytëzojë ndarjet në Ballkan për të dobësuar mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    Në këtë kontekst, ata citojnë edhe dëshminë e komandantit suprem të NATO-s për Evropën, Christopher Cavoli, i cili në vitin 2024 paralajmëroi se Rusia po nxit tensione ndëretnike në Bosnje.

    Ligjvënësit kërkojnë sqarime nga Departamenti i Shtetit për implikimet e mundshme të një reduktimi të trupave.

    Ata duan të dinë nëse kjo është pjesë e një rishikimi më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane.

    “Ne kërkojmë sqarime mbi vlerësimin e Departamentit për implikimet e sigurisë rajonale të këtij reduktimi”, thuhet në letër.

    Në përfundim, ata i bëjnë thirrje Departamentit të Shtetit të koordinohet ngushtë me Kongresin përpara çdo vendimi.

    “Ju kërkojmë të siguroheni që çdo ndryshim në praninë ushtarake amerikane në Kosovë të shqyrtohet përmes një procesi ndërinstitucional”, përfundon letra.

  • KQZ e pezulloi si parti, AKR thotë se kuvendin pritet ta mbajë në mes të prillit

    KQZ e pezulloi si parti, AKR thotë se kuvendin pritet ta mbajë në mes të prillit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR) për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve ligjore.

    U.d. i kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, i tha Klankosova.tv se arsyeja e mosmbajtjes së zgjedhjeve të brendshme ka qenë rastisja me dy cikle zgjedhjesh në vitin e kaluar, ato lokale dhe ato qendrore.

    “Rastisen dy palë zgjedhje, ato lokale dhe qendrore, prandaj nuk mundëm me e mbajtë kuvendin zgjedhor brenda afatit katërvjeçar deri më 24 shkurt. Sipas ligjit për partitë politike, AKR-ja pezullohet dhe brenda 45 ditëve duhet të mbajë kuvendin. Pezullimi do të thotë që, nëse zgjedhjet do të mbaheshin ndërkohë, ne nuk mund të konkurrojmë si parti e vetme me listën tonë, ndërsa në listë me ndonjë parti tjetër mund të garojmë, siç kemi bërë në zgjedhjet e fundit”, tha ai në një përgjigje për Klankosova.tv

    I njëjti bëri të ditur se AKR planifikon që ka mesi i muajit prill të mbajë Kuvendin Zgjedhor.

    “Përndryshe, partia funksionon dhe planifikojmë që deri në mes të prillit të mbahet kuvendi zgjedhor”, tha Makolli.

  • Komiteti i Rajoneve i BE-së heq fusnotën për Kosovën

    Komiteti i Rajoneve i BE-së heq fusnotën për Kosovën

    Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar Asocacionin e Komunave të Kosovës, se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks*, dhe të përdoret thjesht “Kosovë”.

    Ky vendim, siç thuhet në njoftimin e tyre në Facebook, vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.

    Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës.

    “Ky paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën në nivel evropian. Komiteti i Rajoneve vlerëson gjithashtu organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale. Në opinion theksohet se, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, dhe për këtë arsye Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë”, thuhet në njoftim.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), thuhet se ka luajtur një rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian.

    “Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komitetin e Rajoneve të BE-së, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në:

    promovimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës;informimin e partnerëve evropianë për ndikimin që masat e BE-së kanë pasur në komunat dhe qytetarët e Kosovës;forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve evropiane.
    Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane.

    Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën.

    “Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Po ashtu, rekomandimi për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks është një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional të Kosovës në nivel evropian”.

  • Presidenca dërgon komentet në Kushtetuese në mbrojtje të Dekretit për shpërndarje të Kuvendit

    Presidenca dërgon komentet në Kushtetuese në mbrojtje të Dekretit për shpërndarje të Kuvendit

    Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, ka konfirmuar për Express së Presidentja Osmani tashmë ka deponuar në Gjykatë Kushtetuese komentet në mbrojtje të Dekretit të saj për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

    “Presidenca i ka dorëzuar komentet e hartuara nga ekipi ligjor i Presidentes në konsultim me një numër ekspertësh me përvojë”, ka thënë Kupina për Express.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme sa i përket Dekretit të Osmanit për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës. Me këtë, Kushtetuesja ka ndaluar Presidencën që të marrë çfarëdo veprimi dhe Kuvendin e Kosovës gjithashtu.

  • KQZ pezullon AKR-në

    KQZ pezullon AKR-në

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar rekomandimin për pezullimin e një partie politike.

    Bëhet fjalë për Aleancën Kosova e re.

    Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se kjo parti obligohet që brenda afatit prej 45 ditësh të mbajë konventën e saj.

    Mbledhja e KQZ-së është duke vazhduar me vikat e tjera të rendit të ditës.