ATV

Tag: Ballina

  • Raporti financiar: LVV shpenzoi mbi 4 milionë euro në 2025-ën, pastaj vjen PDK, LDK dhe AAK

    Raporti financiar: LVV shpenzoi mbi 4 milionë euro në 2025-ën, pastaj vjen PDK, LDK dhe AAK

    Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar vitin 2025 me shpenzime rekord, që arrijnë në 4 milionë e 509 mijë euro, sipas raportit financiar të publikuar së fundmi.

    Të hyrat e deklaruara të partisë për të njëjtin vit arrijnë në 2 milionë e 185 mijë euro, ndërsa shpenzimet totale kanë kapur shumën prej 4 milionë e 509 mijë eurosh.

    Kjo rezulton me një deficit prej 2 milionë e 323 mijë eurosh.

    Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shifre është dedikuar për paga dhe kompensime të tjera, që në total arrijnë në 929 mijë euro.

    Për transport janë shpenzuar 132 mijë euro, ndërsa për reklama, reprezentacion dhe konferenca janë ndarë edhe 297 mijë euro të tjera.

    Mediat dhe përfituesit kryesorë

    Sipas raportit financiar, Grupi “Koha” renditet si përfituesi kryesor në fushën e mediave, duke arkëtuar plot 95,120 euro nga Vetëvendosje.

    Kjo vlerë është dukshëm më e lartë krahasuar me fondet e destinuara për mediat e tjera.

    Në mesin e përfituesve përmenden edhe platforma të tjera:

    Kosovanews, me 13,770 euro;

    Katror Media and Publicity SH.P.K., me 20,650 euro;

    Radiotelevizioni i Kosovës, me 11,530 euro;

    Media Invest SH.P.K., me 6,000 euro;

    Telegrafi, me 5,000 euro.

    Shpenzimet në rrjetet sociale

    Vetëvendosje ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për promovime në rrjetet sociale.

    Për profilat zyrtare në Facebook dhe Instagram, partia ka harxhuar 48,168.50 euro, duke përfshirë edhe angazhimin e profileve të rreme për promovime të veçanta.

    Eventet dhe mikpritjet

    Dokumenti i publikuar tregon gjithashtu një mori shpenzimesh për evente dhe mikpritje.

    Takimi i kryeministrit Albin Kurti me të rinjtë në Gate Club ka kushtuar 14,460 euro.

    Shpenzime të mëdha janë regjistruar edhe për: Helix Events SH.P.K., me 11,540 euro, Hotel Emerald SH.P.K., me 10,989 euro.

    Shpenzimet e partive të tjera

    Partia Demokratike e Kosovës, 2 milionë e 166 mijë euro;

    Lidhja Demokratike e Kosovës, 1 milion e 335 mijë euro;

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 531 mijë euro.

    Kjo situatë tregon një diferencë të ndjeshme mes Vetëvendosjes dhe të tjerëve, duke evidentuar një fokus të madh të partisë në shpenzime për paga, promovime mediatike dhe evente publike.

  • Lëshimi pe në Ligjin për të Huajt, Hargreaves: U bë zgjidhje praktike, mirëpresim angazhimin e Kurtit

    Lëshimi pe në Ligjin për të Huajt, Hargreaves: U bë zgjidhje praktike, mirëpresim angazhimin e Kurtit

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për zbatimin e Ligjit për të Huajt.

    Sipas Hargreaves, me këtë marrëveshje u ofrua zgjidhje praktike.

    Ai ka thënë se e mirëpresin angazhimin e Kryeministrit Albin Kurti për zbatimin e këtij ligji.

    “ Mbretëria e Bashkuar mirëpret marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve. Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që ndikojnë në komunitetin serb të Kosovës në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, ka shkruar Hargreaves.

    Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

  • Sylejman Elshani emërohet zv.ministër në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë

    Sylejman Elshani emërohet zv.ministër në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Sylejman Elshani në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë.

    Në njoftimin e ZKM-së theksohet se “Kryeministri Kurti e uroi z. Elshani për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”.

  • Bllokada në Kuvend rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe

    Bllokada në Kuvend rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe

    Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 31 mars që të ratifikojë marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.

    Por, e gjithë puna e Kuvendit është e ngrirë deri në këtë datë nga Gjykata Kushtetuese, përmes masës së përkohshme të vënë pas kontestimit të dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë.

    Marrëveshja për projektin që prek KEK-un, është njëra nga tetë sosh sa i ka legjislatura aktuale në sirtarët e saj.

    Ndër to është janë edhe:

    Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes
    Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor
    Dy amendamente të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA
    Dy marrëveshje për kredi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): njëra për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe për impiante për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë dhe
    Marrëveshja për kredi me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
    Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të ngushta dhe “kërkojnë procedim të shpejtë nga ana e Kuvendit”.

    Nga Banka Evropiane e Investimeve thanë se ratifikimi i marrëveshjes “është i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.

    “Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë. Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri. Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”.

    Vlera e marrëveshjeve

    Njohës të punës së Kuvendit konsiderojnë se marrëveshjet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

    “Në thelb, ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nënkupton përshpejtim të investimeve publike, rritje të stabilitetit institucional dhe përfitime konkrete afatmesme dhe afatgjata për qytetarët”, tha për Radion Evropa e Lirë, Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

    Por, sipas hulumtueses së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, situata aktuale “krijon një pasiguri institucionale”.

    “Meqenëse marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen nga Kuvendi me shumicë të kualifikuar prej dy të tretave, çdo bllokim në funksionimin e tij e shtyn automatikisht edhe procesin e ratifikimit. Kjo do të thotë se, derisa të ketë një qartësi për funksionimin e plotë të legjislativit, është e vështirë të parashikohet se kur mund të procedohen këto marrëveshje për miratim”, tha ajo.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, thanë se këto marrëveshje kanë planifikuar t’i miratojnë të premten e 6 marsit, një ditë pas dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri. Seanca nuk u mbajt pasi Osmani nxori në mëngjesin e asaj dite dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i tha Radios Evropa e Lirë se këto katër marrëveshje “kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e efiçiencës energjetike në vend”.

    “Prandaj, miratimi i tyre sa më i shpejtë është në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës. Në rrethana të tilla, është e rëndësishme që këto projekte strategjike të mos mbeten peng i zhvillimeve politike, por të avancohen sa më parë për të sjellë përfitime konkrete për vendin dhe qytetarët”.

    Pasojat e mosratifikimit të marrëveshjeve

    Violeta Haxholli thotë se mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ndikon në vonesat për zbatimin e projekteve dhe në imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

    “Edhe pse partnerët ndërkombëtarë zakonisht i kuptojnë situatat e brendshme politike, vazhdimi i bllokadave institucionale mund të ndikojë në ritmin e bashkëpunimit dhe në besimin për zbatimin e projekteve të përbashkëta”, tha ajo.

    Kolshi sheh pasoja të shumëfishta, edhe brenda edhe jashtë Kosovës.

    “Në një kontekst global të ndryshimeve gjeopolitike dhe rikonfigurimit të prioriteteve të politikës së jashtme të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë edhe administratën amerikane, është jetike që Kosova të dëshmojë seriozitet institucional dhe kapacitet vendimmarrës për t’i ruajtur dhe forcuar partneritetet strategjike”.

    Radio Evropa e Lirë i ka pyetur edhe institucionet tjera që i sponsorojnë këto marrëveshje – BE-në, BERZH-in dhe Fondin Saudit për Zhvillim – se me çfarë pasojash eventuale mund të përballet Kosova nga pamundësia për t’i ratifikuar dokumentet, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

    Domosdoshmëria e konsensusit politik

    Duke marrë parasysh faktin që për miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, konsensusi politik është kyç.

    Hulumtuesja e KDI-së, Haxholli, përmend se është shumë e rëndësishme që marrëveshjet të trajtohen “përtej interesave të momentumit politik”.

    “Në shumicën e rasteve, këto marrëveshje lidhen me zhvillimin e vendit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Prandaj, është e rëndësishme që debati politik të fokusohet në përmbajtjen dhe përfitimet e tyre, duke siguruar që procesi i ratifikimit të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në kohë”, theksoi ajo.

    E, Kolshi nga IKD-ja thotë se Kuvendi tashmë është përballur me vonesa “të konsiderueshme”.

    “Përgjegjësi e veçantë bie edhe mbi Qeverinë aktuale, e cila përveç rolit negociues në marrëveshje ndërkombëtare, duhet të tregojë lidership politik dhe kapacitet për të ndërtuar konsensus institucional dhe stabilitet me Kuvendin dhe aktorët e tjerë politikë”.

    Kjo nuk është hera e parë që Kosova rrezikon t’i humbë fondet nga marrëveshjet ndërkombëtare, për shkak të problemeve të brendshme.

    Legjislatura aktuale mezi i arriti afatet e nevojshme për të përfituar nga marrëveshjet me Bankën Botërore dhe atë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes. Shuma e tri marrëveshjeve në total prek vlerën e rreth 1 miliard eurove. /REL

  • Ambasada e Gjermanisë: Të respektohet vendimi i Kushtetueses sapo ai të merret

    Ambasada e Gjermanisë: Të respektohet vendimi i Kushtetueses sapo ai të merret

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve që ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sapo ai të merret.

    Ambasada nuk i ka komentuar pretendimet e zyrtarëve të Lëvizja Vetëvendosje se ambasadorët, përmes vizitave të tyre në Kushtetuese, po ndërhyjnë në këtë institucion.

    “Ambasada gjermane nuk komenton proceset aktuale të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ne presim që të gjitha institucionet ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese sapo ai të merret”, ka thënë Ambasada gjermane në një përgjigje për RTV21.

    Ky qëndrim i ambasadës vjen në një moment kur zyrtarët e LVV-së kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë në favor të kërkesës së tyre që dekreti i presidentes Vjosa Osmani të shpallet kundërkushtetues.

  • Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit: Mbi 1 mijë zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit: Mbi 1 mijë zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë

    Mijëra zyrtarë publik në Kosovë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre për vitin 2025.

    Nga 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë i zyrtarëve publik. Deri më tani këtë obligim ligjor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit e kanë përfunduar mbi 1 mijë zyrtarë, apo rreth 10% e tyre

    Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë bërë të ditur kategoritë e zyrtarëve që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë e tyre në kuadër të këtij procesi ligjor.

    “ Zyrtarët publik duke filluar nga niveli i lartë, presidenti i vendit, e deri te zyrtarët që kryejnë detyra siç janë certifikimi, licencimi, por edhe procedurat e tenderimi, këtu duke përfshirë edhe zyrtarët e ATK-së, doganierët dhe policët që kryejnë detyra hetimi, janë subjekte deklaruese. Pra, jo vetëm nga niveli i lartë si presidenti, qeveria, ministrat dhe zv/ministrat, por edhe një gamë e gjerë e subjekteve deklaruese. Nga viti 2024, edhe mjekët e sistemit sekondar dhe terciar, si dhe profesorët e universiteteve publike, kanë obligim të deklarojnë pasurinë”, tha, Yll Buleshkaj, drejtor i APK-së

    Sipas Agjencisë, përmbushja e këtij afati është thelbësore për rritjen e transparencës dhe llogaridhënien në institucionet publike, ndërsa mosrespektimi i tij mund të pasohet me masa ndëshkuese me gjobë mijëra euro dhe me burgim deri në 5 vjet.

    “Për dallimet që janë substanciale, mbi 3 mijë euro, jemi të obliguar t’i dërgojmë në prokurori. Vitin e kaluar kemi pasur 75 raste që, si rezultat i verifikimit, janë dërguar në prokurori të shtetit ku ata përballen me hetime penale dhe për shumë prej tyre ngritën edhe aktakuza për të cilat gjyqësori vendosë”, tha Buleshkaj për RTK.

    Sipas agjencisë, gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar gjithsej 135 gjoba për arsye të vonesës në deklarim.

    Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 përfundon më 31 mars.

  • Të huajt njoftohen me rregullat e reja në kufi, shtetasit e Shqipërisë reagojnë: S’duhet, jemi një komb

    Të huajt njoftohen me rregullat e reja në kufi, shtetasit e Shqipërisë reagojnë: S’duhet, jemi një komb

    Në përputhje me deklarimet e djeshme të kryeministrit, Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të BE-së, Peter Sorensen, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

    Shtetasit e huaj në pikën kufitare, Dheu i Bardhë, janë njoftuar për masat e reja nga zyrtarët policor, ndërsa nga e hëna në të gjitha pikëkalimet kufitare në vend do të fillohet me aplikime për lejeqëndrim apo lajmërim të adresës. Ky vendim nuk është mirëpritur nga shtetasit e huaj në pikëkalimin te Dheu i Bardhë.

    “Më lajmëruan policia që e kanë bërë për 90 ditë veç me qëndrua rnë Kosovë. Nuk është e drejtë, ne vizitojmë familjen shpesh, kontribuojmë për këtë vend, besoj që nuk është e drejtë”, tha për RTK njëri nga qytetarët e intervistuar.

    “Na njoftuan për rregullat e reja për veturat që nuk guxojnë të rrinë më shumë se tre muaj. Kjo nuk na ka pëlqyer, çka nëse ne duam të rrimë më tepër. Tani nuk e di a duhet ta lëshojmë Kosovë, e të kthehemi prapë ta vazhdojmë pushimin. Ne kemi dokumente edhe të Kosovës, vetëm pse e kemi veturën me tabela të huaja nunë mendoj se kjo është ngarkesë më tepër”, tha një tjetër qytetar.

    E shtetasit e Shqipërisë nuk e mirëpritën vendimin.

    Ky regjistrim ka për qëllim integrimin e të dhënave të lindjes, martesës dhe vdekjes në sistemin zyrtar të Kosovës, ndërsa shtetasit e huaj janë të obliguar që të deklarojnë adresën brenda tre ditëve nga hyrja në Republikën e Kosovës. Deklarimi mund të bëhet online apo edhe në stacionin më të afërt policor. /RTK

  • Zotëria i Parë ftohet nga Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT

    Zotëria i Parë ftohet nga Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT

    Me ftesën e Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, në kuadër të nismës së saj Fostering the Future Together (FFT), Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të FFT i cili do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit, më 24 dhe 25 mars.

    “Pjesëmarrja e Kosovës në këtë koalicion krijon mundësi të jashtëzakonshme që nxënësit dhe fëmijët tanë të përfitojnë nga projektet, programet dhe inovacionet e kompanive më të njohura amerikane të teknologjisë, përfshirë platforma të avancuara digjitale, inteligjencë artificiale dhe mjete të reja edukative që mbështesin zhvillimin, kreativitetin dhe sigurinë online të tyre, gjithnjë duke vendosur në fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e të rinjve dhe fëmijëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kosova iu bashkua kësaj nisme ndër shtetet e para në botë, duke dëshmuar përkushtimin për t’u siguruar fëmijëve mbrojtje në epokën e mundësive më të avancuara të botës digjitale.

  • Hoxhaj: Kur bota përballet me sfida të mëdha, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin

    Hoxhaj: Kur bota përballet me sfida të mëdha, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është shprehur se Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, siç tha ai, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia.

    Hoxhaj përmes një postimi në Facebook tha se kur bota përballet me sfida të mëdha, sipas tij, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin.

    “Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim. Periudha kur pas zgjedhjeve ndërtoheshin shpejt institucionet tashmë i përket historisë. Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia”.

    “Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale. Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë”, tha ai.

    Hoxhaj shkroi gjithashtu se nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare.

    “Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim. Një shtet nuk mund të mbijetojë pa institucione funksionale, pa rend politik dhe pa besim tek aleatët e tij”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Kryeministri kroat: Kroacia, Shqipëria dhe Kosova s’kërcënojnë integritetin territorial të askujt

    Kryeministri kroat: Kroacia, Shqipëria dhe Kosova s’kërcënojnë integritetin territorial të askujt

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka sqaruar se retorika e përsëritur e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, sipas së cilës aleanca ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës synon Serbinë, është e pasaktë dhe e sajuar për qëllime politike të brendshme.

    Në një konferencë për shtyp të shtunën, Plenkoviq theksoi se as Kroacia, as Shqipëria e as Kosova nuk kanë ndërmend të kërcënojnë integritetin territorial të askujt.

    “Lloji i bashkëpunimit teknik që ekziston midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë. Është një tezë plotësisht e sajuar, e përdorur për të mbështetur narrativën e një kërcënimi të jashtëm në nivel politik të brendshëm. Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s. Nuk na shkon ndërmend neve, as Shqipërisë apo Kosovës, të kërcënojmë integritetin territorial të askujt”, tha Plenkoviq, transmeton “Jutarnji”.

    Ai komentoi edhe akuzat e tjera të Vuçiqit, sipas të cilave Kroacia qëndron pas protestave të studentëve dhe synon destabilizimin e Serbisë. Kryeministri kroat përmendi furnizimin e Serbisë me naftë përmes tubacionit JANAF, duke theksuar se ky veprim tregon qartë se Kroacia vepron normalisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, pa fshehur motive kundër Serbisë.

    “Kroacia i ka përmbushur të gjitha detyrat kombëtare dhe koha e luftës ka kaluar. Ne nuk veprojmë për të kërcënuar askënd, por për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, përfundoi ai.